More
    KreuIntervistaIsmet Kallaba: “Kalimera Poetike”, çdo edicion i ri i këtij manifestimi, si...

    Ismet Kallaba: “Kalimera Poetike”, çdo edicion i ri i këtij manifestimi, si të ishte i pari

    Bujar Hudhri në bisedë me kryetarin e shoqatës së artistëve dhe intelektualëve “Art Club”, Ulqin

    I dashur Ismet, manifestimi kulturor “Kalimera poetike” shënoi këtë vit edicionin e 32-të. A mund të na flisni se si nisi kjo veprimtari?

    Manifestimi letrar “Kalimera Poetike” ka nisur në vitin 1993, në një kohë të krizës së madhe politike dhe luftërave në ish-Jugosllavinë e atëhershme. Atëbotë, të mendosh për kulturën kur luftohej për ekzistencë dhe rrezikohej edhe qenia fizike shqiptare mund të dukej çmenduri.

    Dua t’ju kujtoj se Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” ishte themeluar në fund të dhjetorit të vitit 1990, si reagim ndaj politikës përjashtuese ndaj krijuesve shqiptarë, mospranimit dhe madje edhe përjashtimit të tyre nga asociacionet letrare ekzistuese në Malin e Zi.

    Themeluesit e “Art Club”-it dhe ideatorët e manifestimit kishin vlerësuar se edhe Ulqinit, si qendër e shqiptarëve në Malin e Zi, qytet bregdetar dhe turistik i nevojitej një manifestim i tillë letrar e kulturor që do të ndikonte në përfshirjen e tij në hartën kulturore gjithëshqiptare. Shikuar nga perspektiva e sotme mund të thuhet se (kjo) ishte një ide largpamëse.

     Fillimisht është quajtur “Taverna poetike”, më pas dhe deri më sot quhet “Kalimera poetike”. A mund të na shpjegoni pse quhet kështu, çdo të thotë Kalimera?

    Po, është e vërtetë që në fillim është quajtur “Taverna poetike” dhe gjatë tri viteve të para, ajo është zhvilluar si një takim i poetëve mysafirë dhe poetëve që kanë qëndruar për pushime verore në Ulqin. Më vonë, ajo është shndërruar në veprimtari rajonale ku rreth 15 poetë kanë marrë pjesë në program, kurse nga viti 2000 “Kalimera Poetike” është transformuar në një manifestim letrar ku të ftuar janë shkrimtarët më të shquar shqiptarë dhe shkrimtarë të tjerë.  

    Sa i përket emërtimit, fjala “Kalimera” krijon nganjëherë keqkuptim për ata që nuk e dinë, sepse mendojnë se kemi të bëjmë me fjalë greke. Por e vërteta është (krejt) ndryshe. Kalimera është një mjet (rrjetë) peshkimi që përdoret në Ulqin, prandaj në mënyrë simbolike ka kuptimin e rrjetës që i mbledh apo i tubon krijuesit. Përpos kësaj, në fillimet e veta ky manifestim është mbajtur në barakat e peshkatarëve dhe në njëfarë mënyre emërtimi i mëvonshëm “Kalimera Poetike” mund të thuhet se ka lindur vetvetiu. 

      Tani emërtimit “Kalimera poetike” i keni shtuar një emër të nderuar si Basri Çapriqi, poet dhe studiues i njohur i kulturës shqiptare. Cila është lidhja mes tyre?

    Poeti, studiuesi i letërsisë dhe profesori universitar Basri Çapriqi ka lindur në fshatin Krythë të trevës së Anës së Malit – Komuna e Ulqinit. Ka qenë njëri ndër themeluesit e shoqatës sonë dhe të manifestimit letrar “Kalimera Poetike”. Ai vërtet pjesën më të madhe të jetës dhe veprimtarisë së vet e ka zhvilluar në Prishtinë, por ka qenë i lidhur shpirtërisht me Ulqinin dhe nuk e ka harruar kurrë vendlindjen e vet. Çapriqi ishte ura lidhëse ndërmjet Ulqinit dhe Prishtinës, dhe me njohjet e tij që kishte krijuar, dhe me krijuesit e tjerë në hapësirën shqiptare dhe në rajon. Me të konsultoheshim shpesh jo vetëm për të ftuarit e manifestimit, por edhe për çështje të tjera. Së bashku me bashkëshorten e tij Sazanën, profesoreshë universitare dhe përkthyese, ata kanë qenë pjesëmarrës të rregullt të këtij manifestimi.

    Pas vdekjes së tij të hershme, në janar të vitit 2018, si shoqatë kemi menduar se çfarë mund të bëjmë në nderim të tij. Ka pasur ide të ndryshme, por në fund jemi pajtuar që manifestimit letrar “Kalimera Poetike”, për të cilin ai ka dhënë një ndihmesë të madhe, qoftë në aspektin konceptual, qoftë në atë organizativ etj., t’i jepet emri i tij. Pra, e kemi ruajtur emërtimin “Kalimera Poetike” duke i shtuar atij emrin e poetit Basri Çapriqi. Me këtë ne kemi nderuar poetin, por edhe ia kemi rritur vlerën dhe peshën manifestimit tonë që tanimë mban emrin e një poeti dhe studiuesi të njohur në botën letrare shqiptare dhe më gjerë.

    Kalimera Poetike, mund të shndërrohej në një institucion kulturor të vërtetë, një tempull i fjalës së bukur, me mbështetjen jo vetëm nga pushteti vendor, por, sidomos, nga pushteti qendror. Sa e ndieni këtë përkrahje? Po nga biznesi vendas?

    Mbase në të kaluarën një aktivitet ka mundur të realizohet falë vullnetit të mirë të iniciatorëve ose me një mbështetje të vogël, por sot për të realizuar një veprimtari serioze nevojitet të kesh mbështetje financiare. Për fat të keq, ajo shpeshherë përcakton edhe përmbajtjen e programit. Mbështetja e manifestimit “Kalimera Poetike” ka ndryshuar nga viti në vit dhe duke mos pasur një financim të sigurt, kjo natyrisht që ndikon në cilësinë e programit.

    E për t’u shndërruar në një institucion të vërtetë kulturor, siç ju thoni, duhet të shikohet si një e mirë publike, që i shërben komunitetit dhe qytetit, por pse jo edhe vetë shtetit të Malit të Zi. Fatkeqësisht, kultura shqiptare ose që krijohet nga asociacionet kulturore shqiptare në Mal të Zi është nën hijen e asaj të popullit shumicë. 

    Rrugëtimi i veprimtarive kulturore, sidomos ato që kanë të bëjnë me librin, letërsinë,veçanërisht me poezinë nuk është i lehtë sot. Por ju po e vijoni me sukses, çdo muaj gusht. Çfarë ju motivon në këtë aksion?

    Ka shumë nisma të mira, premtuese, që në fillim e kanë nisur me një pompozitet, por që pas një apo disa viteve janë shuar. Këtë “fat” e kanë pasur edhe shumë aktivitete letrare dhe kulturore.

    “Kalimera Poetike” shënoi këtë vit edicionin e saj të 32-të. Rrugëtimi i deritashëm, për të arritur deri këtu, nuk ka qenë i lehtë, por tashmë që ka hyrë në dekadën e katërt tradita e mirë është garanci dhe një mbështetëse e fuqishme për të ardhmen e saj të sigurt.

    Ne e shohim çdo edicion të ri të këtij manifestimi sikur ai të ishte i pari. Ky mbase është edhe çelësi i suksesit të deritashëm.

    Gjatë tri dekadave kanë marrë pjesë emra të rëndësishëm të letërsisë shqipe dhe të rajonit. A mund të na veçoni se cilët janë këta?

    Mysafirë të “Kalimerës Poetike” kanë qenë shkrimtarët më të njohur shqiptarë. Është vështirë të veçosh vetëm disa emra, prandaj për hir të lexuesit po përmendi pak më shumë: Fatos Arapi, Ali Podrimja, Dritëro Agolli, Din Mehmeti, Enver Gjerqeku, Vath Koreshi, Ramiz Kelmendi, Ali Aliu, Xhevahir Spahiu, Sadik Bejko, Qerim Ujkani, Nazmi Rrahmani, Sabri Hamiti, Mehmet Kraja, Ridvan Dibra, Basri Çapriqi, Hajro Ulqinaku, Eqrem Basha, Zija Çela, Agron Tufa, Mimoza Ahmeti,  Kim Mehmeti, Luljeta Lleshanaku, Beqë Cufaj, Mira Meksi, Flutura Açka, Ag Apolloni, Bashkim Shehu, Jusuf Buxhovi, Natasha Lako, Salajdin Salihu, Visar Zhiti, Ledia Dushi, Ibrahim Kadriu, Ylljet Aliçka, Donika Dabishevci, Nurie Emrullai, Primo Shllaku etj., shkrimtarë shqiptarë që krijimtarinë e tyre e zhvillojnë në Malin e Zi si Asllan Bisha, Ibrahim Berjashi, Fran Camaj, Muzafer Çaushi, Anton Gojçaj. Ajo që dua të nënvizoj është fakti se letërsinë shqipe e kemi parë si një e tërë, ashtu siç ajo është në fakt. 

    Në të kanë marrë pjesë edhe shkrimtarët malazezë: Jevrem Brkoviq, Zuvdija Hoxhiq, Mlladen Lompar, Andrej Nikolaidis, Mirash Martinoviq, Dragan Radulloviq etj., si dhe shkrimtarë nga rajoni: Luko Paljetak nga Kroacia, Sllavko Pregl nga Sllovenia, Enes Haliloviq nga Serbia, shkrimtari arbëresh Xhuzepe Skiro di Maxho e deri te shkrimtari amerikan për fëmijë Gilbert Beers.

    Natyrisht që në mesin e shkrimtarëve pjesëmarrës bie në sy mungesa e shkrimtarit më të madh bashkëkohor shqiptar, Ismail Kadare. E kam thënë edhe në fjalën e hapjes së edicionit të sivjetshëm që na ka ngelur peng që për së gjalli Kadarenë nuk e kemi pasur mysafir të manifestimit letrar “Kalimera Poetike”, por përmes mbrëmjes letrare homazh të organizuar në kuadër të edicionit të sivjetshëm edhe ai bëhet pjesë e manifestimit tonë.

    A keni menduar që ta zgjeroni gjeografinë e të ftuarve, përveç atyre nga rajoni?

    Ky është një nga synimet e manifestimit “Kalimera Poetike” që në të ardhmen të shndërrohet në një festival letrar ndërkombëtar dhe që përveç gjuhës shqipe dhe atyre të rajonit, manifestimi të flasë edhe në gjuhë të tjera. Pa dyshim që kjo do të ndikonte në rritjen dhe ndërkombëtarizimin e tij, por jemi të vetëdijshëm se për një hap të tillë ka nevojë për një mbështetje më të madhe institucionale.

    Në të ardhmen keni në plan që të shtoni numrin e poetëve dhe një mbrëmje t’ua kushtoni recitimit nga vetë poetët, fjala vjen, në sheshin përpara Kullës së Balshajve? Do të ishte një shfaqje e mrekullueshme në perëndimin e diellit dhe do ta ndiqnin mijëra pushues.

    E thashë më herët se në edicionet e para pjesë e programit ka qenë edhe ora poetike, ku poetët kanë lexuar vargje nga krijimtaria e tyre. Gjatë viteve, koncepti i manifestimit ka ndryshuar duke u larguar nga masivizimi dhe duke u përqendruar vëmendja te shkrimtarët e ftuar, të cilëve u kushtohen mbrëmje autoriale.

    Por kjo nuk do të thotë se në të ardhmen nuk do të ketë mbrëmje me recitime nga vetë poetët. Pse jo? Është një ide e bukur. Qoftë në sheshin në Kalanë e Ulqinit që ju sugjeroni apo në ndonjë vend tjetër, buzë detit apo lumit Buna, nën ullinjtë mijëvjeçarë etj.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË