More
    KreuLetërsiShënime mbi libraIslam Haxhiu: Intertekstualiteti në romanin “Kush e solli Doruntinën” të Kadaresë

    Islam Haxhiu: Intertekstualiteti në romanin “Kush e solli Doruntinën” të Kadaresë

    ExLibris – sponsor medial i konferencës shkencore ndërkombëtare, “ÇËSHTJE TË GJUHËS, LETËRSISË DHE PËRKTHIMIT LETRAR”.
    Fakulteti i Filologjisë i Universitetit “Fehmi Agani”, Gjakovë

    1. Balada si krijim epiko-lirik

    Gjatë krejt rrjedhës historike, tradita popullore është frymëzuar nga motivet biblike. Është shumë interesant fakti se duke marrë shkas pothuajse nga i njëjti motiv biblik, siç është motivi i ringjalljes, për shembull, apo ai i fjalës së dhënë, poashtu prej shumë ngjarjeve tronditëse që e kanë përshkruar jetën e tyre, popujt gjithandej kanë krijuar legjenda të ndryshme të cilat me fanatizëm janë ruajtur dhe përcjellë deri në ditët tona, secila në formën e vet qoftë edhe për nga mënyra e shpjegimit të tyre pa e cënuar asnjëherë thelbin e saj.  Baladat janë krijime folklorike epiko-lirike në vargje dhe kanë natyrë tregimtare. Në tematikën e baladave shqiptare vendin kryesor e zë një dukuri e mbinatyrshme, për shembull, sakrifikimi i njeriut në ndërtimin e kështjellës, urës, kishës etj.

    Në traditën folklorike shqiptare hasim edhe variante të tjera të baladës, e cila në rrjedhë të shekujve ka pësuar ndryshime të thella. Ato pasqyrojnë në njëfarë mënyre ndryshimet fetare dhe kulturore të vetë shoqërisë shqiptare. Si do që të jetë, sa më shumë që thellohemi tek shfletojmë dhe studiojmë brendinë  a thelbin  e legjendave, mësojmë  se, sikurse edhe në përrallat e moçme ato janë të përhapura nga një qytetërim në tjetrin, brenda një rajoni të caktuar siç është Ballkani me kulturat e përafërta të tyre. Megjithatë sipas shumë autorëve dhe studiuesve të kritikës dhe letërsisë, një gjë është më së e sigurtë; kjo legjendë ka si atdhe Ballkanin.

    E njëra ndër to është edhe legjenda Kënga e Kostandinit e cila ndoshta qindra apo mijëra vjet nga thurja e baladës, mbeti frymëzim i përhershëm i krijimeve të veprave të reja nga autorë të ndryshëm, e që ne sot kemi mundësinë jo vetëm t’i lexojmë ato, por edhe t’i studiojmë duke hedhur dritë në kujtesën historike të njerëzimit në përgjithësi dhe shqiptarëve në veçanti, njëjtë siç bëri shkrimtari ynë i madh, Ismail Kadare, me romanin Kush e solli Doruntinën. Prania e elementeve folklorike dhe kanunore në këtë roman, tek lexuesi shton kërshërinë dhe vendosmërinë për studim më të detajuar. Balada “Kostandini dhe Doruntina”si njëra ndër krijimet më të vjetra folklorike shqiptare, para së gjithash është një legjendë përmes së cilës i këndohen lavde besës shqiptare, zotimit apo fjalës së dhënë, të cilën as dheu nuk e qas dot. Ismail Kadare e merr këtë legjendë dhe e ndërton me të një triller tërheqës, duke filluar nga kalërimi misterioz i vëllait me motrën e tij. Udhëtimi i Doruntinës, sipër kalit të të vëllait  Kostandinit është motivi kryesor jo vetëm i romanit Kush e solli Doruntinën, por edhe vet enigma e ardhjes nga Bohemia, për zgjidhjen e së cilës, Kadare e ka ngarkuar kapiten Stresin. Dhe, vetëm në qoftë se për një moment i referohemi mitologjisë, Kostandini dhe Doruntina (vëlla e motër), sikur paraqiten me ca elemente incentuoze, të cilat autori përmes hetuesit plot pushtet i zhvlerëson ato, duke e orientuar lexuesin që “fajtorin” e kthimit së Doruntinës me të vëllain ta kërkojë diku gjetkë. Edhe Francesko Altimari në parathëniën e romanit Kush e solli Doruntinën, thotë: njerëzit e zakonshëm instiktivisht rreken ta shpjegojnë enigmën me një mister, ndërsa hetuesve u bie barra e vështirë t’i  japin asaj një zgjidhje racionale[1]. Për më tepër, Altimari vazhdon me mëdyshjet e përsëritura të Stresit për zgjidhjen e enigmës së ardhjes, kur shpjegon se:Botës mund t’i lejohet të dyshojë, por jo neve, thotë me bindje dhe koherencë Stresi, i cili “së vërtetës” së baladës ( shprehja “shkon i vdekuri me të gjallën!”, me anë të së cilës zogu, ky ndërlidhës mediatik mes botës reale dhe asaj irreale, paralajmëron Doruntinën gjatë udhëtimit nëpër natë), i kundërvë, siç ka vënë në dukje Ali Aliu në teoremën e tij aprioristike, “i gjalli ka kalëruar me të gjallën!, teoremë që nuki ia del dot ta vërtetojë, me gjithë hetimin e kujdesshëm dhe këmbëngulës, shoqëruar me një aftësi të madhe psikologjike”[2]

    2. Miti dhe rikthimi i tij te Kadareja

    Mit quajmë një tregim fantastik i thurur rreth ndonjë dukurie të natyrës ose të jetës shoqërore, i hasur pothuajse tek të gjithë popujt e vjetër, bazuar dhe i shprehur sidomos në gojëdhëna si rezultat i të cilave lindi edhe mitologjia. Kur ne flasim për mitin menjëherë mendja na shkon tek legjendat e vjetra, përrallat, baladat, tregimet e moçme, për mite të caktuara brenda tyre e që janë hera – herës të pavërteta, pra të shpikura, që bazohen kryesisht në fantazinë e njeriut, apo rrëfimtarit që i sjellë ato.

    Edhe pse, që në shikim të parë na duken të tillë, të pavërteta e të trilluara, mitet edhe sot e gjithë ditën vazhdojnë të kenë rol dhe ndikim të pazëvendësueshëm në letërsi. Prandaj miti mund të quhet edhe bashkëkrijues i letërsisë moderne pa të cilin vështirë se do të mbijetonte letërsia që ne e shkruajmë dhe e kultivojmë. 

    Sikurse në të gjitha letërsitë e botës, edhe në letërsinë shqiptare, sipas burimeve të qarkulluara nëpër dekada e shekuj deri në ditët tona, miti, krahas identitetit që përmban por edhe  narrativës tregimtare letrare, ka tiparet kryesore të tij të degëzuara në rite e besime popullore siç janë: miti i Ringjalljes, miti i Zanës, miti i Bletës dhe mite si : Bajlozi, E bukura e dheut, E bukura e detit, Zjarri, Shtojzovallet etj.

    Burimet dhe të dhënat e shumta në fushën e mitologjisë, na tregojnë se gjatë gjithë historisë njerëzore të shkruar e të përcjellur  në letërsi, deri më sot, vetëm tre njerëz janë ngritur nga varri: Jezu Krishti, Lazari dhe Kostandini[3]. Sipas besimit të krishterë vetëm Krishti, nuk ishte i detyruar të vdes. “Vetëm vdekja e tij nga të gjitha vdekjet njerëzore, ishte përsosmërisht vullnetare”. (Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, 2019).

    Ai erdhi që të vdiste dhe me anë të vdekjes së tij t’i çlironte ata që mbaheshin robër nga pushteti i vdekjes me besimin në ringjallje”(Gjoni 11:25 – 26). Sepse sipas këtij shpjegimi ai do të ringjallet për të shpëtuar pastaj njerëzimin…

    Njëjtë siç do ta shpëton“besën e dhënë”, Kostandini pas aktit të ringjalljes. Për të krishterët, ashtu edhe për mbarë njerëzit, vdekja mbetet një tragjedi. Kur përballen me vdekjen, të njëjtat duhet t’i shndërrojnë në akte jete. Ata duhet ta përballojnë tragjedinë me besimin në ringjallje. “Unë jam ngjallja dhe jeta; ai që beson në mua edhe sikur të duhej të vdesë, do të jetojë. Dhe ai që jeton e beson në mua nuk do të vdesë kurrë përjetë” (Gjoni 11:25-26).

    Po ta studiojmë mirë e mirë ngjarjen, në këndvështrimin religjioz do të shohim se ajo ka  ndikim të drejtpërdrejtë nga feja e krishterë.

    Poashtu, mund të themi se dialogëzon me biblën apo ngjarjet nga bibla. Pra, dialogëzimi është i dyanshëm sepse aty gjejmë shumësinë e dialogëzimit pasi ajo bëhet edhe me librin e shenjtë, Biblen, edhe me baladën shqiptare përkrah saj edhe me baladat ballkanike që komunikojnë njëra me tjetrën.

     Dita e Pashkëve është dita kur Jezu Krishti është ringjallur dhe pikërisht Ditë Pashkëshishte dita edhe kur nëna e Kostandinit shkon te varri i tij dhe e mallkon atë për mospërmbushje të premtimit, apo për shkelje të besës siç thotë Kadareja në romanin, Kush e solli Doruntinën.

    Por në aspektin fetar kjo përmbajtje bëhet edhe më e natyrshme, sepse Dita e Pashkëve  përkon edhe me stinën e bukur të  pranverës, stinë gjatë së cilës; çdo bimë dhe çdo gjë tjetër në natyrë ringjallet, pra natyra ringjallet, shpirti ringjallet dhe çdo gjë tjetër rilindë, e pse jo në stinën më të bukur të vitit ringjallet edhe njeriu.

    Në stinën e pranverës, historikisht, janë ringjallur dhe kanë marrë formë edhe idetë për rilindje të reja deri në përmasa të kryengritjeve për  çlirim, pothuajse në të gjitha epokat.

    Në mars të vitit 1981 në Prishtinë, ndodhi pranvera’81, filloi ringjallja (lëvizja) që ndryshoi rrjedhat e një shekulli, sidomos në Kosovë, e njohur si pranvera shqiptare. Në mars të vitit 1998, kulmoi poashtu me ringjalljen e madhe që sot e quajmë pranvera kryengritëse, pranvera e lirisë, ringjallje kjo që rilindi legjendën e kohës sonë, Adem Jasharin, i cili u shëndrrua në mit të përjetshëm duke u bërë motiv kryesor dhe frymëzim për bashkëluftëtarë në luftën për liri dhe besimin në fitore.

    3. Rimarrja e mitit (si intertekst) nga Kadareja

    Tashmë është e vërtetuar se e gjithë letërisa botërore rrjedh nga miti (burimi) dhe të burimi (miti) kthehet. Ndaj, nuk kishte s’i të ndodhte ndryshe as në veprën e shkrimtarit tonë, Ismail Kadare. Me një përsosshmëri të rrallë arstistike e letrare Kadareja, pra, e rimerr mitin, për të ndërtuar letërsinë e tij, në mënyrën e tij, për të dëshmuar kështu një individualitet të rrallë krijimi në artin e letërsisë. Si njohës i shkëlqyeshëm i antikës, sidomos i veprave të Homerit, Euripidit, Eskilit, Virgjilit etj., Kadare në veprën e tij ndërlidh pjesë të miteve por që kanë një origjinalitet dhe dallojnë në themel.

    Pra në asnjë mënyrë nuk mund të themi që nga kjo marrje të kemi një kopjim të drejtpërdrejtë siç edhe ndodhë shpesh në letërsi, por një vazhdimësi të traditës ku mitologjia shqiptare është e baraspeshuar me letërsi tjera, siç është mitologjina greke e romake. Rrëfimet tjera në romanet e shkruara pas viteve 90-të, të Ismail Kadaresë, krijojnë mundësinë e një interpretimi të mirëfilltë të një poetike letrare, një  poetike të vendlindjes, një poetike të udhëtimit, si dhe një poetike me intertekst mitik, por assesi një poetike komuniste.

    Lidhur me këtë studiuesi dhe kritiku letrar, Shaban Sinani thotë: “Shkrimtari që kishte guxuar të kërkonte frymën e Evropës në botën e shkëlqimtë arbërore të mesjetës, me Kush e solli Doruntinën, Prillin e thyer, Urën me tri harqe, në vend të pasaportës së asaj epoke, statuteve dhe rregulloreve evropiane, zgjodhi të drejtën kanunore, për të përveçuar njeriun shqiptar”[4]. Është folur shumë për rrezatimin e grekëve në letërsinë botërore, tek;  Eskiliky humbës i madh, duke nisur nga latinët, Dantja, Shekspiri, Gëteja e gjer te Holderlini, Hauptmani, O. Neili, T. Elioti, Sartri etj. Është hamendësuar me të drejtë, se a do të kishte ferr të Dantes, dhe nëse do të kishte, si do të ishte shestuar ai, pa gjedhet e dikurshme greke. Si do të ishin Hamleti pa Orestin, vallet e magjistricave, njollat e gjakut mbi duart e Ledi Makbethit pa ato të Klitemnestrës, ndërgjegjet e shqetësuara, gjumi i prishur ose plot ëndrra turbulluese, shandanet e natës nëpër mesoret e pallateve-kështjella, ku krimi është duke u përjetuar ose porsa ka ndodhur  etj[5].

    Mirëpo kësaj radhe studimi ynë ka për synim romanin “Kush e solli Doruntinën” të Kadaresë, rreth të cilit do të bëjmë përpjekje të flasim e të trajtojmë sidomos në aspektin e mitit dhe interteksualitetit të tij.

    Sikurse edhe në vepra tjera të mëdha Ismail Kadare edhe në romanin për të cilin ne po flasim, me një elekuencë të jashtëzakonshme ka bërë që miti të ligjërojë gjatë gjithë narracionit të ndërtuar prej tij. Fakti se mitet janë krijuar nga njeriu – popull, flet më së miri për rëndësinë e madhe që kanë. Pra, miti në bashkëjetesë me artin letrar modern, del se përveç që mundëson krijimin e veprave tërheqëse, është edhe frytdhënës.  Për të dëshmuar këtë, mjafton që t`i hedhim një sy letërsisë greke, shtratin ku janë ngritur letërsitë e popujve evropian, sepse “arti antik”, sidomos ai grek, ka qenë i lidhur ngushtë me mitologjinë greke, madje edhe i pandarë nga ajo.

    Është e pamundur që lexuesi i sotëm t’i kuptojë veprat e Homerit pa pasur njohuri mbi mitologjinë antike greke, meqë pothuajse gjysma e veprimit në “Iliadën“ dhe “ Odisenë” e tij zhvillohet në botën e Zotërave.

    Prandaj, mund të themi se mitologjia greke paraqet materialin, brumin, truallin e artit antik grek, ashtu siç miti shqiptar paraqet brumin e letërsisë shqiptare në përgjithësi, dhe në veprën e Kadaresë në veçanti. Në vështrim të parë Kadareja shkruan kryekëput vetëm për Shqipërinë. Por ato ngjarje, që s’ia vlen të hedhesh sytë në anë të botës, ai i shndërron në letërsi botërore, shkruan kritikja gjermane  e njohur për studimet letrare Anjez Hyfner[6].

    4. Intertekstualiteti në romanin Kush e solli Doruntinën dhe miti si intertekst

    Në fushën e gjërë të krijimtarisë letrare botërore dhe në ngritjen e pothuajse të të gjithë krijuesve të letërsisë, ndikim të madh ka pasur edhe mitologjia. Duke qenë kështu, studiues të mëdhenj kanë dhënë përkufizime të çmuara, por gjithnjë sipas vlerësimeve të tyre ato kanë qenë e mbesin të pamjaftueshme për t’i dhënë vulë këtij nocioni, i cili edhe sot e gjithë ditën, krahas frymëzimit që sjell, vazhdon të mbetet i mjaft i ndërlikuar, sidomos në përkufizimin e çështjeve thelbësore që rëndojnë mbi të.  

     Duke e lexuar me kujdes veprën e Ismail Kadaresë, e sidomos romanin Kush e solli Doruntinën, vërejmë se tekstet e tij janë të formuara në atë mënyrë sa që gjatë interpretimit dalin të  ndryshuara gati  në mënyrë të pabesueshme, nga tekstet tjera të mëparshme, duke e bërë kështu një transformim të përkryer. Në veprën e tij, Kadare nuk nguron që të mbështetet në elemente të letërsisë popullore duke e njohur lexuesin për një lidhje intertekstuale, të mundshme. Si aspekt të intertekstualitetit mund të parashihet edhe vetë fakti që këto burime legjendash e baladash kishin për bazë jo vetëm Shqipërinë dhe trojet e Arbërit, mirëpo këto burime i krahasoi edhe me format apo mënyrat tjera të interpretimit, sidomos nga arbëreshet e Italisë dhe popujt tjerë fqinjë. Teksti parësor për të cilën nuk nguron të fut në poemat e tij, është letërsia greke. Lexuesit i referohet paradigma e ndërtekstorisë, ndërsa si gjetiu të çdo autor, këto paradigma e respektojnë në mënyrë të plotë intertekstualitetin dhe të gjitha parimet mbi të cilat ai është ndërtuar.

    Sepse: në esencë intertekst kemi që në fillim, pra tek ideja e shkrimit e pastaj vet titullit i romanit, Kush e solli Doruntinën.

    Intertekstualiteti do të ishte atëherë, ndoshta fare i thjeshtë dhe në mënyrë të rëndomtë, fakti që çdo shkrim gjendet gjithmonë midis veprave që e paraprin atë, dhe fakti që nuk është asnjëherë e mundur për ta fshirë letërsinë[7].

    “Kush e solli Doruntinën” e autorit Ismail Kadare nuk mund të kuptohet jashtë kontekstit të këngës Konstantini e Garentina; ashtu siç nuk mund të kuptohet Komedia Hyjnore jashtë kontekstit biblik; apo Emri i trëndafilit jashtë kontekstit të Poetikës së Aristotelit dhe krijimit të kulturës krishtere e kështu me radhë. Prandaj, mendojmë se kjo vlerë e përbashkët e letërsisë evropiane, është shumë më e begatë me temën e mitikës nga letërsia e vjetër greke. Apo nga ana  tjetër, si do të kuptoheshin më mirë kodet kanunore shqiptare nga Kanuni i Lekë Dukagjinit pa  veprën, Prilli i thyer ose sa na ka ndihmuar romani Kush e solli Doruntinën për të kuptuar më mirë sfondin historik të mundshëm të një prej vlerave më të larta etno-sociale të shqiptarëve, besën. Me një fjalë, këtu kemi të bëjmë me intertekstualitetin si pikë kyçe e studimit të temës sonë në romanin enigmatik të Kadaresë, e që orientim kryesor ka ringjalljen e Kostandinit për të mbajtur besën e dhënë, për t’ia sjellë nënës Doruntinën sa herë që ajo do të kishte nevojë.

    Prandaj për të arritur qëllimin, pra, për të përçuar mesazhin e nevojshëm për lexuesin shqiptar, Kadare përmes romanit Kush e solli Doruntinën, e vendos në te ritualin e vjetër nga motivi i ringjalljes duke e zbërthyer gati në çdo detaj të mundshëm ngjarjen e mbingarkuar nga pesha e madhe e enigmës ku zgjidhja në të shumtën dukej e pashpresë. “Rituali i moçëm i të vdekurit që ringjallet pësoi një përshtatje të pashmangshme gjatë kalimit nga paganizmi në krishterim. Për këtë kalim është i vetedijshëm edhe Stresi, që jo më kot në mesazhin që do të na japë në fund të romanit, duke folur për për fatin e Shqipërisë, pranon se ai mit “do të shfytyrohet për t’iu përshtatur maskave të kohës”[8].

    Sipas Francesko Altimarit: “Enigma e “Doruntinës”, që është vendosur haptas në një kontekst narrativ gotik, zhvillohet brenda në Shqipërinë mesjetare, të dhënat historike dhe gjeografike të së cilës paraqesin kufij tejet të labërguar[9]. Tema trajton forcën e kodit moral, të besës, i cili e mund edhe kodin natyror mes jetës e vdekjes. Kadare e ka marrë këtë mit dhe e ka shndërruar në tematikë të romanit Kush e solli Doruntinën, dhe nga ky aspekt vepra është ndërtuar si interpretim personal i një miti mijëra vjeçar, apo më saktë, teskti është interpretim i një teksti tjetër. Ndërsa, origjinaliteti i kësaj vepre, apo i vetë autorit të saj Ismail Kadare, qëndron që nga mënyra interpretuese e mitit e deri te gjuha e përsosur që e përdor. Temë kjo e bazuar në legjendat dhe baladat shqiptare dhe jo vetëm, e sidomos në këngën e vjetër Kostandini dhe Garentina. Mirëpo ky intertekst është fare i padukshëm në tesktin që e krijon Kadare në romanin e tij, Kush e solli Doruntinën.

     Pra nga Eposi legjendar shqiptar, balada Kënga e Konstantinit  dhe Garentines. Këtu në fakt në titullin e romanit kemi intertekstin e parë, i ndikuar nga vetë balada . Dhe, jo rastësisht e shënuam intertekstin e parë që e hasim te Kadareja në romanin Kush e solli Dorintinën, sespe; të përvijosh udhën drejt zanafillës së intertekstualitetit, kjo është të tregosh se kundër çfarë formash leximi kritik është ngritur ai. Po ashtu  nëse intertekstualiteti mbulon praktika po aq të vjetra sa dhe ndërtuese të letërsisë, ai pretendon të thyhet me mendimin e përcjelljes dhe të traditës letrare. Titullin e Legjendës e gjejmë në dhjetëra variante të tjera, si psh tek arbereshët e Italisë nga i madhi De Rada, ku herojnt e saj janë Kostandini dhe Juredina. Pastaj e hasim edhe si Kënga e Dhoqinës: Balada që në vargun e parë Ditën e Pashkës në drekë flet për një rrefim tjetër nga ai që autori Kadare e paraqet në romanin e tij, por që interteksti është paksa i mbyllur. Sikundër e gjejmë fare të lehtë dallimin si te vargjet: Ditën e Pashkes së madhe/ Dhoqina na hidhej valle.  Balada e cila mbetet mit që ecën  nëpër kohë, në rastin e “Kush e solli Doruntinën”  te Kadareja, përveç tjerash është arenë në të cilën trajtohet  misteri vdekje-jetë.                                                                                                                                      Subjekti i kësaj balade duket shumë i thjeshtë, por sa më shumë hyn në brendi të saj, krijohet përshtypja se  aq më shumë ndërlikohet, sepse çdo  rilexim zbulon një fshehtësi, nxjerr në pah një pikëpyetje tjetër.  “Ish një mëm shumë e mirë, kisht nëntë djem të hijshëm,  e të dhjetën kish një vajzë, që e quanin Garenitë[10] 

    Ndërsa në anën tjetër, kënga, “ Besa e Kostandinit nisë me vargjet

    Ish një mëmë shumë e mirë

    e na kish nëntë djelmë bujarë

    të dhjetën një vashë

    Kurse te kënga e Halil Garrisë, vjersha fillon me këto vargje:

    Zot ç’ka than Halil Garrija

    be mbi Zotin trimi bani

    pse nant vllazen ne qe jemi

    veç nje motër tjetër skemi.

                 Gjatë krijimit të romanit Kadareja është mbështetur kryesisht  mbi motivin e baladës popullore ballkanike, përkatësisht nga jugu i Shqipërisë nga vjen edhe vet.

      Ngjarja është e  periudhës së fundme bizantine, ku, në sfond është  një  martesë e largët “nëntë male kaptuar”, apo një krushqi si forcim aleancash ku vajza e vetme e familjes Vranaj, Doruntina, duhet të flijohet për  interesat  e  Arbërisë. Pakënaqësi të madhe lidhur me këtë martesë shfaq sidomos e ëma dhe djemtë e saj, përveç Kostandinit, e mos të flasim për Doruntinën të cilës nuk i pëlqente aspak  por që s’kishte ç’të bënte, pasi për fatin e saj vendosnin të tjerët. Këtë e dëshmojnë vargjet si më poshtë:           

     “Pa m’nigjoni vllaznit e mi,

    sall ni motër tjetër spat,

      si u kujtuet n’Krajli mem tret?

     Të jesh  motër e nëntë vëllezërve, apo  bijë e një fisi të madh, të jetosh në kohën e kanunit do të thotë të mbyllësh gojën, sepse vetëm në këtë mënyrë ruhet botëkuptimi i vjetër patriarkal. Përkundër të gjitha sjelljeve, motra zakonisht nuk mbante mëri me vëllezërit e saj.

    Nuk ua  kthen fjalën atyre dhe ka besim të madh  kur ata i premtojnë diçka. Tragjedia familjare fillon me vrasjen e nëntë vëllezërve në luftë:     

      “Erdh  një vit shumë i prapë,

       e i korri asaj zonje,

    nëntë bijtë në një shesh lufte.”[11].

    Kush e solli Doruntinënshfaqet edhe si pasyrim ndërtekstsor i një rrjeti më të gjërë, që duke e bërë emblematike mënyrën kadareane të konceptimit të  letërsisë, e përvijon atë  brenda një universi në shtrirje të vazhdueshme e të pafundme.

    PËRFUNDIMI

      I skalitur nga një lirikë magjepsëse, sidomos në përmbyllje të tij, dhe i përshkuar nga hipoteza e dilema të mëdha, romani “Kush e solli Doruntinën”, mbetet gjithësesi i përmbushur, i përkryer qoftë për kah narracioni, përshkrimi, personazhet, veprimi dhe gjithçka tjetër që lidhet me të. Një roman i cili të krijon mundësinë e studimit të tij në shumë fusha si në ato të mitit, intertekstualitetit, mundësinë e trajtimit të inçestit brenda romanit, siç është kërkimi këmbëngulës i hetuesit kryesor, Stresit, për fundin e enigmës dhe zbardhjen e të vërtetës.

     Në këtë punim, përveç tjerash, jemi përpjekur të nxjerrim në pah të shkuarën mitologjike dhe historike të shqiptarëve te vepra “Kush e solli Doruntinën”, pasi që edhe sipas vetë shkrimtarit Kadare, pikërisht në mjedisin ballkanik, shqiptar, e sidomos atë arbëresh ajo ruan një nga format më të bukura, më origjinale dhe më të lashta, shprehje edhe e vendit qendror që zë koncepti i besës në identitetin dhe kujtesën kolektive të arbëreshëve të Italisë.

    Në të vërtetë qasjet e vazhdueshme të autorëve të ndryshëm gjithandej, ndaj çështjes së ndërtimit të narrativës mbi baladën e vjetër apo legjendës së lashtë, asnjëherë nuk kanë pushuar. Njëjtë siç nuk ka rreshtur kurrë, as shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare, sidomos me veprën që ishte bosht për trajtimin e temës sonë.

    Prandaj konsideroj se gjatë këtij punimi, detyrë parësore e jona nuk ka qenë hedhja dritë mbi figurën e shkrimtari Ismail Kadare, por synimi kryesor ishte përpjekja për të thënë diçka më shumë rreth krijimtarisë së tij voluminoze, e në mënyrë të posaçme, rreth dukurisë së ndërtesktorisë në romani Kush e solli Doruntinën duke filluar nga ideja dhe titulli i tij. 

    Për aq sa kam arritur të analizoj këtë vepër letrare, mendoj se Kush e solli Doruntinën mbetet një roman misterioz që në përmbajtjen e vet ngërthen shumë polemika, një roman që flet për Doruntinën e legjendave hipur mbi kalin e të vëllait të ringjallur për të përmbushur besën.

    Apo, për Doruntinën e vendosur në mes dyshimeve të medha; e solli fjala e dhënë, apo besa shqiptare, siç këmbëngulin  moralistët, apo, atë e solli pengu i inçestit, sipas psiko – kritikëve.

     Nëse në krejt këto pohime ka diçka nga e vërteta, a mund të themi se, Doruntinën e solli rebelimi i mendjes së ndritur të epokës sonë për t’i dhënë legjendës kuptim sublim, ndërsa lexuesit thjeshtësinë e kërkuar me ngulm duke i dhuruar një  realizim të përkryer.

    Bibliografia

    1. Haxhihasani, Qemail, Kenget popullore legjendare, Mihal Duri, Tiranë 1955.

    2. Kadare, Ismail, Kush e solli Doruntinën, Onufri, Tiranë 2014.

    3. Piegay – Gros, Nathalie “Poetika e IntertekstualitetitParnas, Prishtinë, 2011.

    4. Sinani, Shaban, Për prozën e Kadaresë, Naimi, Tiranë 2009.

    5. Shala, Demush, Letërsia popullore, Rilindja, Prishtinë,  2002.

    6. Çaushi, Tefik, Universi i Kadaresë, 2001.

    7. Isufaj, Viola, Miti te Kadareja, Oufri, Tiranë, 2013.

    8. Kuçuku, Bashkim, Kadare në gjuhët e botës, Onufri, Tiranë, 2015.

    9. https:// sq.wikipedia.org/wiki/Miti


    [1]  Ismail Kadare, Kush e solli Doruntinën, Onufri, Tiranë, 2014, f. 14.

    [2]  Po aty.

    [3]  https://sq.wikipedia.org

    [4]  Shaban Sinani, Për letërsinë shqipe të shekullit 20-të, Naim Frashëri, Tiranë, f. 224.

    [5]  Viola Isufaj, Miti te Kadareja, Onufri, Tiranë, 2013, f. 31.

    [6]  Bashkim Kuçuku, Kadare në gjuhët e botë, Onufri, Tiranë, 2015, f. 195.

    [7]  Nathalie Gros –Piegay, Poetika e intertekstualitetit, Parnas, Prishtinë, f. 35.

    [8]  Ismail Kadare, Kush e solli Doruntinën, Onufri, Tiranë, 2014, f. 11.

    [9]  Po aty.

    [10]  Demush Shala, Letërsia popullore, Rilindja, Prishtinë, 2002, f. 189.

    [11]  Po aty.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË