Përktheu: Granit Zela
Libri i parë që kam lexuar
Kur fillova të lexoja, në moshën pesë vjeçare, xhaxhai më dha një libër me përralla nordike me ilustrime princeshash me gëzof, arinj, vende me akull dhe borë. U magjepsa. Nuk kisha parë kurrë borë.
Libri im i parapëlqyer ndërsa rritesha
Isha 10 vjeçe kur lexova (shumë herë) Kushtrimi i të parëve i Jack London-it. Vështirësitë e qenit Sled Bak ma thyen zemrën. I dua marrëzisht kafshët.
Libri që më ndryshoi kur isha adoleshente
Një mijë e një netë, të cilin e lexova në mjedisin e përsosur të Bejrutit në vitet 1950, e fshehur në dollapin antik të njerkut tim ku mbante (të kyçura) pije alkoolike, cigare, çokollata dhe katër vëllime të lidhura me lëkurë të Një mijë e një netë, të cilat padyshim nuk donte që unë t’i lexoja. Gjeta një mënyrë për të hapur dollapin kur ai nuk ishte në shtëpi dhe i lexoja librat me elektrik dore. Ato njëmijë e një histori më futën në botën e erotizmit, fantazisë dhe vesit të pashërueshëm të rrëfimit.
Shkrimtari që më ndryshoi mendjen
E lexova librin e Eduardo Galeanos të vitit 1971, Venat e hapura të Amerikës Latine kur isha 29 vjeçe. Ishte koha e qeverisë socialiste të Salvador Allendes në Kili, kur vendi ishte në trazira. Duke lexuar Galeanon, u bëra shumë e vetëdijshme për betejat politike dhe sociale në Amerikën Latine dhe veçanërisht në Kili. Galeano frymëzoi botëkuptimin tim politik prej atëherë deri më sot.
Libri që më nxiti të bëhesha shkrimtare
Ndërmjet viteve 1978 dhe 1980, ndërsa jetoja në mërgim në Venezuelë, lexova dhe rilexova të gjithë librat e mëdhenj të bumit të letërsisë latino-amerikane. Isha në fund të të 30-ave, kisha një punë të mërzitshme, martesa po dështonte dhe fëmijët e mi nuk kishin më nevojë për mua. Ata libra, veçanërisht Njëqind vjet vetmi i Gabriel García Márquez-it, bënë të më lindte dëshira të tregoja historinë e familjes dhe të vendit tim. Fillova të shkruaj romanin tim të parë, Shtëpia e Shpirtrave, si një ushtrim nostalgjie.
Libri të cilit i jam rikthyer
S’mund ta përfundoja kurrë Don Kishotin e Miguel de Cervantes-it deri në vitin 2011, kur mora çmimin Alcalá de Henares. Ky është qyteti ku mendohet se ka lindur Cervantes-i dhe çmimi jepet për nder të tij. Duke jetuar në mërgim në Venezuelë, lexova dhe rilexova të gjithë librat e mëdhenj të bumit të letërsisë latino-amerikane
Libri që rilexoj
Veprën e plotë të Pablo Nerudës. Jam shpënglulur gjatë pjesës më të madhe të jetës time. Neruda më kthen te rrënjët e mia dhe te peizazhet e Kilit. Tani që jetoj me gjuhën angleze [në SHBA], lexoj Nerudën çdo 7 janar, një ditë para se të filloj të shkruaj një libër tjetër. (I filloj të gjithë librat e mi më 8 janar.) Fjalët e tij më nxisin imagjinatën dhe pasurojnë spanjishten time.
Libri që nuk mund t’i lexoj më
Në adoleshencën time kam lexuar shumë romane romantike. S’mund ta bëj tani.
Libri që zbulova më vonë në jetë
Fjalorin e sinonimeve dhe rimave (në spanjisht). S’e kisha idenë se ekzistonte diçka e tillë dhe që nga viti 1985 ka qenë mjeti im i përditshëm për të shkruar.
Libri që po lexoj ndërkohë
Zakonisht lexoj më shumë se një libër në të njëjtën kohë. Tani për tani por lexoj Ushtari i dimrit të Daniel Mason-it dhe Toka e mjegullt e qyqeve të Anthony Doerr-it.
Marrë nga The Guardian