Për Mërkur Buan pata shkruar herë të parë në vitin 1993, ndërsa kisha përfunduar librin “Arvanitët”. Aso kohe nuk më kishte shkuar në mend se, vit pas viti, për këtë shqiptar të çuditshëm do të gjeja vazhdimisht e vazhdimisht material të shumtë, të pasur dhe mjaft interesant historik. Aq më pak, nuk do të imagjinoja se mbas 30 vitesh do të shkoja të gjeja memorialin dhe mjaft artefakte interesante të këtij burri të ngarkuar me plot bëma, ngjarje, legjenda dhe lavdi.
Sigurisht, për të kam gjetur materiale pafund të depozituara në Arkivat Veneciane, në ato Napolitane, në Vatikan, në arkivat Gjermane, Franceze dhe gjer ato Spanjolle. Ato janë ende të paprura tek historiografia dhe lexuesi shqiptar. Por, ndërsa tërë historia e jetës dhe luftërave të tij gjendet ende në radhojtë e panjohur të arkivave, emri i tij prehet madhërishëm ne nje memorial në Trevizon e largët, në Italinë veriore.
Para pak ditësh isha enkas në këtë qytet, Trevizo, për të gjetur të tjera të panjohura me vlerë për këtë luftëtar të famshëm, që nuk e teprojmë të themi se për gati gjysmë shekulli tronditi frontet e luftërave nëpër Itali dhe më gjerë akoma të Europës dhe u bë tmerr i kundërshtarëve të tij. Nuk ka, apo nuk gjejmë asnjë disfatë, veç fitore! “Çfarë kishte më shumë Aleksandri i Madh, nga komandanti im, – Mërkuri?”, shkruan në një poemë kronisti i panjohur arbëror Xhani, bir i një mërgimtari arbëror, lindur në Koroni.
Mori pjesë në shumë beteja, ndoshta si askush tjetër në shekujt e XV-XVI. Numërohen të paktën 47 beteja nëpër territoret italiane dhe ato europiane. Por, nuk pati fatin e shumë syresh që mbetën në luftimet e përgjakshme. Mërkuri vdiq në shtratin e pleqërisë, në kushte normale, në këtë qytet – Trevizo.
Në këto rreshta nuk do të flasim për bëmat dhe gjurmët e thella që ai la në kronikat historike të kohës, as për medaljet e shumta si asnjë ushtarak tjetër nëpër Europë, as për vlerësimet unike që ai mori nga analistë, historianë, shkrimtarë apo poetë të kohës. Të gjitha këto i trajtojmë në një botim të afërt.
Në këtë shkrim do të flasim për gjetjet e veçanta që hasëm në qytetin ku ai kaloi vitet e fundit të jetës, ku një memorial mermeri përjetëson aktet më të rëndësishme të jetës dhe të lavdisë së tij.

NË KATEDRALEN E SANTA MARIA MAGGIORE-S
Një pasdite të nxehtë të këtij fillim korriku 2025, mbërrita në hyrje të katedrales së Santa Maria Maggiore-s të qytetit të Trevizos. Brenda saj në heshtjen e paqtë pashë vetëm tre, katër besimtarë të moshuar të ulur në ndenjëset e drunjta të cilët i përcillnin në heshtje lutjet e tyre hyjnores… Pa i shqetësuar, fillova të kërkoj, duke filluar nga fundi i sallës sa madhe, në faqet e mureve, në pikturat mesjetare murale, në kthinat e asaj godine të hershme, gjurmët e emrit të Mërkur Buas. Me kërshëri fillova të këqyr fytyrat e shenjtorëve për ndonjë ngjashmëri me portretin e Mërkurit, të punuar nga piktori i njohur italian i Rilindjes, Lorenzo Lotto, por ata asgjë nuk më thoshin.
Në këto raste është e natyrshme të rritet ankthi i një zhgënjimi të mundshëm. Megjithatë, vazhdova me këmbëngulje kërkimin nëpër sallën e madhe të katedrales dhe anekset e saj…. Papritur, ndërsa kisha mbritur pranë apsidës së Katedrales, në krahun e majtë, pashë një kompleks monumental mermeri të mbushur me skena biblike dhe në bazamentin e saj një platformë mermeri unike me një epigrafi, të gdhendur bukur, ku dallova të shkruhej: “MERCURIO BUA COMITI E PRINCIPIBUS PELOPONNESI…..”
Pa e kuptuar kisha marrë frymë thellë! Kërkova rreth e rrotull miqtë e mi t’u tregoja se e kishim gjetur Mërkur Buan, njeriun e gjakut tonë të memorizuar në një basoreliev të madh mermeri, brenda një vendi të shenjtë – në Katedralen e Santa Maria Maggiore-s, në Trevizo, shumë larg vendit të origjinës së tij.
Fillova të fotografoja me të shpejtë të gjithë memorialin, por nuk kisha kuptuar se me lëvizjet e mia të nxituara kisha tërhequr vëmendjen e lutësve të moshuar. Ktheva kokën dhe pashë se ata kishin ndërprerë të shqetësuar ritin e tyre të lutjeve dhe po shikonin nga unë, si një njeri i çuditshëm, që kishte prishur monotoninë engjëllore të heshtjes së tyre. Pak më tej po qëndronte në këmbë një prift i habitur….

PADRE BRUNO
I bëra shenjë me dorë priftit dhe për çudi ai m’u bind dhe u afrua me shumë kujdes tek unë. Ndërsa vinte ngadalë dhe urtësisht, i kërkova të më bënte disa foto krah me relievin e madh mortor të mermertë të Mërkur Buas. I thashë, duke I treguar me gisht emrin e “Mërkur Buas” gdhendur në mermer, se ai ishte patriot i imi. Se unë me të ishim njerëz të një gjaku dhe gjuhe.
– Jemi të dy shqiptarë!- thashë me zë të ulët.
Padre Bruno (kështu quhej prifti), i habitur më pyeti:
– Pse edhe Bua edhe Ju jeni shqiptarë?
– Po – i thashë.
Ndërkohë, Padre Bruno filloi të më tregonte se ai dinte faktin se Mërkur Bua ishte ndër “Condotjerot” (komandantët forcash stratiote) më të shquar të fushëbetejave jo vetëm në Itali, por në mbarë Europën, por nuk dinte që ai ishte “di origine albanese”!!!
Mbasi, me shumë edukatë, Padre Bruno më bëri fotot që unë dëshiroja, në krah të Mërkurit, edhe unë bëra një sërë fotosh basorelievit me hollësi. Më tej Padre Bruno më ftoi, në një aneks, dhomë pritjesh, brenda ambienteve të Katedrales.
DISA RELIKE TË ÇUDITSHME TË MËRKUR BUAS
Në bisedat e mëtejme e pyeta priftin e urtë se nga shkrimet kisha mësuar se diku në atë qytet gjendeshin disa relike të çuditshme të Komandantit bëmashumë, Mërkurit.
“Përse e ke fjalën, – më pyeti ai.
I thashë se diku ruheshin prangat dhe zinxhirët me të cilat Mërkuri kishte lidhur një prej kundërshtarëve më të njohur të fushbetejave Girolamo Miani, të cilin në vitin 1517 e kishte zënë rob.
Për çudinë time, Padre Bruno më tregoi se ato ruheshin në një vend të veçantë brenda në katedrale. Shkuam bashkërisht drejt një kuartjeri mjaft impozant, ku brenda dy kutish të mbyllura prej xhami ishin vendosur dhe ekspozuar disa pranga dhe zinxhirë për të lidhur në këmbë dhe të tjera më të vogla, për të lidhur duart e robërve apo të burgosurve. Mes tyre qëndronte një sferë e madhe çeliku e cila varej në prangat e këmbëve të të burgosurve, e cila pengonte lëvizjen e të burgosurit apo arratisjen e tij.
“Këto janë prangat me të cilat Mërkuri pati lidhur Girolamo Miamin, por që mbas dy muaj burgimi vetë Shën Mëria kishte bërë mrekullinë. Ajo i pati dërguar çelësat e prangave dhe e kish liruar të burgosurin…”, përfundoi Padre Brubo.

Në fakt disa zëra thoshin aso kohë se të burgosurin e kishte liruar vetë Mërkuri, por të mos merrte përsipër barrën e tolerancas dhe faljes së një kundërshtari, ishte përhapur falën se atë e kishte zgjidhur nga hekurat vetë “mrekullia e Shën Mërisë…” Një gjë ishte e vërtetë se që nga ajo ditë Girolamo nuk ishte shfaqur më në fushat e betejave.
Mbasi bëra disa foto me vetë Padre Brunon, i cili shprehu sinqerisht kënaqësinë për vizitën e një shqiptari të largët, u damë miqësisht nga njëri tjetri.
BASORELIVI MORTOR KUSHTUAR MËRKUR BUAS
Që përpara se të vdiste, Mërkuri kishte lënë një sasi të konsiderueshme dukatë floriri për të bërë varrin e tij. Sigurisht, është i njohur fakti që brenda ambienteve të Katedraleve kanë qenë dhe janë shumë të rrallë rastet e varrosjes në sarkofagë monumentalë të individëve të caktuar. Ata duhet të ishin njerëz shumë të shquar, personalitete më kontribute të rralla. Vetë fakti që në Katedralen e Santa Maria Magiores në Trevizo gjendej vetëm basorelievi dhe epigrafia mortore e Mërkur Buas, është shprehje e qartë e madhështisë së këtij njeriu.
Me një përkushtim të admirueshëm, një prej stërnipave të tij, Francesco degli Agolanti, pasardhësit e të cilit janë edhe sot një familje e njohur treviziane. Memorialin dedikuar Mërkurit e punoi Agostino Busti, i quajtur Bambaia, një skulptor i famshëm në kohën e vet.
Pa u futur në hollësitë e përshkrimit të këtij memoriali funebër, pasi ato i trajtojmë në botimin e afërt që kemi nëpër duar për Buan, mes të tjerave, basorelievi ka;
– disa skena biblike të punuara në miniaturë, me një art mjeshtëror.
– Mes tyre gjendet edhe një shtatore me dimensione të vogla e Perëndisë së Luftës – Mërkurit. Megjithëse kjo figurë është pagane, ajo ishte punuar dhe vendosur brenda një institucioni monotheist, sikundër ishte Katedralja e Santa Maria Maxhores.
– Poshtë tyre në dimension 2 me 2 metra gjendet Epitafi i gdhendur më shumë kujdes, me germa latine dedikuar jetës dhe heroizmave të Mërkur Buas.

– Përmbajtja e tij është:
“Pusho në paqe këtu, për të mos vdekur kurrë Konti Mërkur Bua, Princ i Peloponezit, Komandant i kalorësisë Epirote. Ti i admirueshmi për përvojën tënde ushtarake, shpesh mundi francezët, kur ata luftuan kundër arragonezëve, dhe i dëboi ata nga Mbretëria e Napolit. Ai u dha lirinë Pizanëve. Ai e ktheu Ludovico il Moro në Dukatin e Milanos. Ai vuri në arrati Trivulzion dhe mori Novarën. Ai e mori Pavian si një furtunë, prej ku mori një pre, të këtij monumenti të denjë për një mbret. Ai i ktheu Bolonjës Julius II dhe nënshtroi bavarezët e Mbretit Maksimilian. Në Marinjano ai shpëtoi nga Zviceranët, Francisin I – Mbret i Francës dhe aleat i Venedikut. Më në fund Komandant i gjithë ushtrisë venecjane, pas vdekjes së Alvianoit. Ai mundi spanjollët pranë Veronës.
Francesco degli Agolanti, fisnik trevizian, stërnip – i lindur nga nipi (i Mërkurit), e ngriti këtë monument më 1637.”
Ajo që të bën përshtypje në tërë kompleksitetin e këtij monumenti është se në krye të dedikimit epigrafik gjendet e gdhendur edhe një shqiponjë, si simbol heraldik identifikues i tërë jetës dhe veprës së Mërkur Buas. Ajo ishte ngjyrosur me ngjyrë kafe në të kuqërremtë, por e parë me vëmendje dukej se ajo ishte rilyer. Përpara, duket se ajo kishte pasur një ngjyrë tjetër, ndoshta të zezë.
Kjo shqiponjë duket qartë se i ngjan po asaj shqiponje që është gjendur në faqen e apsidës së kishës së Kastriotëve, e cila ndodhet pranë Kepit të Rodonit.
Duke e mbyllur këtë shkrim na duhet të themi se brenda dokumentacionit mjaft të pasur arkivor (një pjesë ende i panjohur) të Mërkur Buas, gjenden kronika, personazhe, ngjarje dhe artefakte me vlera të veçanta, të panjohura për historinë e shqiptarëve të mesjetës dhe kontributet e tyre kudo nëpër Europë. Gjurmimi dhe vlerësimi i tyre do të sjellë me siguri pasuri nga thesaret tona historike ende të pandriçuara.