Për herë të parë në historinë e komunitetit shqiptaro-amerikan, në Shtetet e Bashkuara do të zhvillohet një panair i librit shqip, Albanian BookFest, nën kujdesin e Federatës Pan Shqiptare e Amerikës -Vatra. Një ngjarje kulturore që synon të bashkojë autorë, botues, lexues dhe dashamirës të librit në një festë të madhe të kulturës shqiptare. Për këtë nismë të veçantë, biseduam me Dr. Pashko R. Camaj, Sekretar i Vatrës, i cili është ideatori dhe nismëtari i këtij projekti.
1-Z. Camaj, javën e shkuar, gazeta jonë përcolli një lajm të gëzueshëm për librin shqip: Albanian BookFest. Është hera e parë që në ShBA organizohet një panair i librit shqip, ndaj na tregoni si ju lini kjo ide?
Ky aktivitet organizohet nga “Vatra”, dhe natyrshëm, menjëherë më vijnë në mendje dy figura të ndritura që themeluan këtë organizatë – Fan Noli dhe Faik Konica. Që nga krijimi i saj, “Vatra” ka qenë në shërbim të vlerave, kulturës, arsimit dhe letërsisë shqipe. Duke reflektuar mbi këtë mision të përhershëm, ndieva se ekzistonte një boshllëk që duhej plotësuar: libri shqip, i botuar kudo në botë, të ishte i pranishëm për lexuesin shqiptar këtu, në Amerikë. Kështu lindi ideja e Albanian BookFest – një mendim që u përqafua menjëherë nga “Vatra” dhe udhëheqja e saj. Jam i lumtur që kjo ide po merr jetë dhe shpresoj që të kthehet në një ngjarje të përvitshme, madje edhe të shtrihet në qytete të tjera amerikane ku komunitetet shqiptaro-amerikane po rriten dhe lulëzojnë.
2-Përveç “Vatrës”, shumë shoqata dhe organizata studentore pranë universiteve amerikane po marrin pjesë në këtë aktivitet. Si e shihni këtë bashkëpunim?
Ky bashkëpunim është një dëshmi e bukur e unitetit të komunitetit shqiptar në diasporë. “Vatra” ne thelbin e sajë ka misionin e shenjtë që të jetë ajo që na bashkon si Shqiptarë e si Amerikanë. Ajo ka qenë gjithmonë një urë lidhëse midis brezave dhe institucioneve shqiptaro-amerikane, dhe ky projekt e forcon më shumë këtë rol. Në këtë nismë po bashkojmë organizata studentore shqiptare, universitete, shoqata kulturore dhe autorë shqiptarë që jetojnë në SHBA, duke krijuar një platformë të përbashkët për librin dhe kulturën tonë kombëtare. Është frymëzuese të shohësh se sa shumë individë dhe institucione duan të kontribuojnë për një qëllim të përbashkët: promovimin e kulturës dhe gjuhës shqipe.
3-Në SHBA vepron edhe Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë. A do të jenë ata pjesë e këtij panairi?
Po, padyshim. Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë është një partnere e rëndësishme dhe ka konfirmuar pjesëmarrjen e saj në “Albanian BookFest”. Ata do të marrin pjesë me librat e tyre dhe me autorë të spikatur të diasporës, të cilët do të kenë mundësinë të prezantojnë krijimtarinë e tyre dhe të komunikojnë drejtpërdrejt me lexuesit. Kjo është një mundësi unike për të forcuar lidhjen midis autorëve shqiptarë që jetojnë në Amerikë dhe komunitetit lexues, adhuruesëve te librit.
4-Shtëpitë botuese nga Shqipëria e Kosova kanë treguar interes për këtë nismë. A do të jenë të pranishme personalisht, apo do të dërgojnë librat e tyre?
Ka një interes të madh nga shtëpitë botuese në Shqipëri, Kosovë dhe në trojet shqiptare. Disa prej tyre do të marrin pjesë personalisht në panair, ndërsa të tjerat do të dërgojnë librat e tyre që të jenë të pranishëm në stenda. Deri tani kemi konfirmuar keto shtepi botuese: Onufri, Toena, Gjergj Fishta, Albas, Pegi etj. Qëllimi ynë është që lexuesit shqiptarë në SHBA të kenë akses të drejtpërdrejtë në letërsinë më të mirë shqipe, pa qenë nevoja të udhëtojnë në Shqipëri apo Kosovë për të gjetur një libër në gjuhën amtare.
5-A do të ketë takime me autorë të njohur dhe lexuesit e tyre gjatë panairit?
Po, një nga pjesët më të bukura të “Albanian BookFest” do të jetë pikërisht takimi i drejtpërdrejtë i autorëve me lexuesit. Në program janë përfshirë takime dhe diskutime me shkrimtarë të njohur si Besnik Mustafaj, Ledia Xhonga dhe të tjerë. Këto aktivitete do të krijojnë një atmosferë të gjallë debati e dialogu, ku dashamirësit e librit do të mund të dëgjojnë, të diskutojnë dhe të frymëzohen nga autorët tanë.

6-Mendoni se ky panair do të shndërrohet në një traditë të re? Si e shihni të ardhmen e tij?
Unë besoj se Albanian BookFest do të shënojë fillimin e një tradite të re dhe të vlefshme për komunitetin shqiptaro-amerikan. Synimi ynë është që kjo nismë të kthehet në një aktivitet që do të vazhdojë të rritet dhe të forcohet vit pas viti. Sigurisht, për ta mbajtur gjallë e për ta zhvilluar më tej, do të kërkojmë bashkëpunim dhe mbështetje nga partnerë në SHBA, nga komunitetet shqiptare këtu, por edhe nga institucionet shtetërore shqiptare, të cilat duhet të shohin në këtë nismë një urë të fortë që lidh kulturën shqiptare me botën. Jam i bindur se nëse Noli dhe Konica do të ishin mes nesh sot, do të ndiheshin krenarë që “Vatra” vazhdon, pas më shumë se një shekulli, të jetë avangardë e vlerave shqiptare dhe shqiptaro-amerikane.
“Albanian BookFest” do te jete një festë e librit, gjuhës dhe shpirtit shqiptar në Amerikë! Një hapësirë ku shqiptarët e çdo brezi mund të takohen përmes fjalës së shkruar dhe dashurisë për kulturën tonë të përbashkët.