More
    KreuIntervistaIntervistë me Bora Chung: Kur realiteti është më i frikshëm se lepurushat...

    Intervistë me Bora Chung: Kur realiteti është më i frikshëm se lepurushat e mallkuar

    Bora Chung përdor fantastiken për të ekzaminuar absurditetin e mizogjinisë dhe padrejtësive të shoqërisë në vëllimin e saj me tregime të shkurtra

    Intervistoi Jaeyon Yoo për Electric Literature

    Koka dalin nga tualetet, të ndërtuara prej mbetjeve tona. Pilula kontraceptive që të çojnë në shtatzëni. Dhelpër që nxjerr flori në vend të gjakut. Njerëz që lidhen duke parë fantazma. Te “Lepurushi i mallkuar”, Bora Chung na çon në një udhëtim të paharrueshëm përmes shpellave folklorike dhe apartamenteve moderne, duke zbuluar horroret dhe padrejtësitë që janë të rrënjosura në strukturën e qytetërimit njerëzor.

    Refuzova ta lexoj “Lepurushi i mallkuar” ndërkohë që isha vetëm. Vëllimi me tregime nga Koreja e Jugut shkrin trillimin spekulativ, horrorin, folklorin, absurdizmin dhe vëzhgime të mprehta e thumbuese të shoqërisë bashkëkohore koreane. Duke pritur se dhe unë do të frikësohesha nëse do ta lexoja vetëm, kërkova hapësira publike leximi. Por pasi mbarova dhjetë tregimet, nuk isha e sigurt se të jepte ndonjë rehati leximi i “Lepurushit të mallkuar” mes njerëzve të tjerë. Ajo thekson vuajtjet e të shtypurve, duke përdorur elemente fantastike për të ekspozuar sistemet e patriarkisë, kapitalizmit dhe korrupsionit.

    Jaeyon Yoo: Çfarë të tërhoqi tek elementet fantastike dhe surreale në këtë vëllim, veçanërisht drejt horroreve dhe mizorive të shoqërisë moderne?

    Bora Chung: Sidomos për minoritetin apo të margjinalizuarit, mendoj se fantastikja ose jorealja është një qasje më e mirë për të treguar rrëfimet e tyre. Varion, sipas eksperiencave të njerëzve, por nëse përpiqesh të kritikosh shoqërinë e sotme dhe gjendjen e gjërave në një mënyrë realiste, rrezikon të kthehet në një deklaratë – jo trillim. Dhe situata është (tashmë) absurde dhe jologjike. Pse duhet një lloj i caktuar njeriu të konsiderohet si “më pak” se një tjetër, sepse ky njeriu i parë ka vezore dhe një mitër funksionale? Nuk ka logjikë. Kur përballesh me këtë lloj absurditeti, është shumë e natyrshme t’i përgjigjesh me narrativë absurde, jologjike dhe jo të vërtetë. Kjo i përshtatet më shumë.

    Nuk kam mësuar kurrë shkrim krijues, kështu që e kam mësuar çdo gjë që di për shkrimin duke lexuar veprat e të tjerëve. Kam studiuar letërsi sllave në universitet, e cila ka një traditë të pasur në përzierjen e zhanreve dhe përcaktimin e rregullit mes fantastikes dhe reales. A e di “Manteli” të Nikolai Gogol? I shkreti kthehet në fantazmë për të marrë mantelin. Dhe te “Hunda”, një burrë sheh një hundë me uniformë që ka gradë më të lartë se e tij. Si mund të veshë uniformë një hundë? Kjo konsiderohet një nga veprat kanonike të letërsisë ruse. Është qesharake! Por ky është një nga shkrimtarët më të mirë të traditës letrare ruse. Në çdo klasë letërsie ruse, e lexon dhe njerëzit bien në dashuri me të. Kjo më hapi sytë kundrejt faktit se mund të përfshish fantastiken dhe prapë të bësh tregime shumë të mira, të cilat njerëzit do t’i shijojnë. Nuk ka pse të jetë realiste. U mrekullova, dhe mendova: “Nëse ata mund ta bëjnë, ndoshta mund ta bëj dhe unë. Mund të mos jem kurrë aq e mirë sa Dostojevski, por vajza mund të ëndërrojë!”

    JY: Tregimi që rezonoi më shumë me mua ishte “Trupëzimi”, ndoshta ngase kam pasur eksperiencat e mia traumatike si gjinekologe në Seul. Trillimi yt më bëri ta mendoj trupin si proces dhe folje, që është vazhdimisht i copëzuar dhe i thyer… A mund të flasësh më shumë për përshkrimet e tua mbi trupin femëror?

    BC: Pjesa e parë e “Trupëzimi” është ajo që kam kaluar unë. Kur vajta fillimisht për të studiuar në SHBA, në Kore thuhet se “ndërron ujërat”. Përpiqesh të sistemohesh në mjedisin e ri dhe duhet të kalosh këtë periudhën e sistemimit. Kur u ktheva në Kore, periodat nuk m’u ndalën për dy javë. Isha 28 vjeçe dhe e pamartuar në atë kohë. I thashë mamasë se duhet të shkoja të vizitohesha te një gjinekolog. Dhe gjëja e parë që tha ishte: “Nuk do të shkosh vetëm te gjinekologu!” Nëse do të kisha thyer gishtin, askush nuk do të më thoshte se nuk mund të shkoja te doktori se isha e pamartuar. Rrjedhimisht, më shoqëroi mamaja për te gjinekologu. Nuk isha tetë apo 18 vjeçe – isha 28. Meqë ra fjala, mamaja ime është dentiste. Është grua e edukuar dhe në 1% e jashtëzakonshëm të brezit të saj. Por konventat, traditat dhe ideologjia me të cilën u rrit ishte kaq e fortë sa e ndalonte të shkonte përtej saj dhe ta shihte nga pikëpamja mjekësore. Rreth së njëjtës kohë, zbulova foljen koreane, “të trupëzosh”. Më pëlqen shumë kjo folje. Është term i dalë mode. Koreanët nuk e përdorin më për atë kuptim, por është në fjalor. Mendova, kjo i përshtatet në mënyrë të përsosur eksperiencës sime. Sepse menstruacioni nuk është diçka që e bën me trupin tënd; është shenjë që trupi yt po funksionon, ose shenjë se nuk po funksionon. Dhe pastaj gjithë djemtë e çuditshëm që shfaqen më vonë në tregim, disa prej tyre janë nga historitë e mamasë dhe tezes sime – të çuditshmit që kanë takuar në rininë e tyre. Ai tipi që reciton Shekspirin? Ka ekzistuar vërtet. Ka kaq shumë njerëz të çuditshëm në botë, dhe kjo më bën hiperrealiste. Doja të isha një absurdiste, por ka kaq shumë njerëz që janë më të çuditshëm se imagjinata ime.

    JY: Absolutisht – momentet më të tmerrshme apo më absurde duket të jenë ato që ke marrë nga realiteti! Ke folur për ndikimin e letërsisë sllave, por një referencë tjetër që kam kapur është folklori.

    BC: Mendoj se është e zakonshme në çdo kulturë t’u tregosh fëmijëve rrëfenja folklorike. Jam rritur duke lexuar shumë rrëfenja folklorike, ende e adhuroj folklorin dhe legjendat urbane. Në vitet ’70 dhe ’80 në Kore pati një bum librash për fëmijë që ishin me 50 apo 100 vëllime. Zakonisht, mesogra të trokisnin në derë dhe përpiqeshin të të shisnin këtë seri disavëllimëshe për fëmijë. Ishte simbol statusi. Mamaja ma bleu këtë seri me 100 vëllime dhe kishte gjithë llojet e përrallave. Përralla arabe, japoneze, europiane, kineze – i adhuroja të gjitha. Më pëlqejnë shumë edhe Samguk yosa dhe Samguk sagi, dy librat më të vjetër të historisë koreane. Shkrijnë ndodhitë historike në dukje reale me ndodhi me siguri joreale dhe krijesa mitike. Ka shumë dragonj te Samguk yosa. Njerëzit janë të fiksuar me dragonjtë – ka dragonj në çdo hyrje. Kur ndodh diçka e rëndësishme, duhet të ketë një dragua. Ka kaq shumë forma të ndryshme përrallash folklorike dhe janë çmenduri dhe shumë krijuese – imagjinuese pa imagjinatë.

    Sa për legjendat urbane, janë ende gjallë dhe të forta. I adhuroj legjendat urbane japoneze – ka kaq shumë histori të mira horror. Na kujton vazhdimisht se ajo që mendojmë se dimë nuk është e gjithë bota. Qeniet njerëzore janë kaq të vogla. Kemi vetëm pesë shqisa. Disa njerëz deklarojnë se kanë një të gjashtë, por nuk është e dëshmueshme. Jemi kaq të limituar; ka një univers të tërë aty jashtë të cilin nuk do ta kuptojmë kurrë apo ta ndiejmë në një mënyrë konkrete. Është gabim të jesh arrogant dhe të mendosh: “Jam qenie njerëzore. Jam qenia superiore dhe di gjithçka.” Mendoj se ka një element të së panjohurës dhe horrorit duke jetuar me ne gjithë kohën. Legjendat urbane na kujtojnë, në një mënyrë moderne e mondane, se ka diçka më shumë në këtë botë se ato që dëgjojmë e shohim. Është e frikshme, por është gjithashtu shumë interesante – do të ketë diçka më shumë nga sa di dhe nga sa kam tani. Është deklaratë e madhe, por kjo i jep vlerë jetës: gjithmonë do të ketë diçka më shumë.

    JY: Ajo që më ka habitur më shumë është ky kufi – dhe turbullimi i këtij kufiri – mes kafshës dhe njeriut. (Megjithëse nuk ka dragonj në librin tënd.) Më la duke vënë në dyshim se çfarë ne, si shoqëri, përcaktojmë si “të natyrshme”. A mund të flasësh më shumë për këto tema të natyrales/ brutales, kundërvënë me njeri/ i qytetëruar.

    BC: Ky koncept është shumë kulturor dhe ndoshta shumë më ndryshe në Perëndim sesa në Azi. Dhe do të varet gjithashtu nga kultura specifike në Azi – Azia është shumë e madhe! Siç thashë, e adhuroj folklorin. Për shembull, pashë kaq shumë ngjashmëri në librat e historisë skllave dhe Samguk sagi dhe Samguk yosa. Nëse shkon deri pak a shumë shekullin XIII apo më përpara, njerëzit jetonin me krijesa mitike, ktheheshin në krijesa mitike. Dhe këta janë libra historie! Regjistrojnë këto fenomene fantastike dhe thjesht po jetojnë mes krijesash të tjera jonjerëzore. Kjo konsiderohej e natyrshme. Kjo është diçka shumë e rëndësishme dhe ne e kemi humbur. Mund ta shoh dhe përse e kemi humbur. Natyra nuk është e mirë me njerëzit. Nëse do të jetonim në një mjedis kafshëror, do të kisha vdekur për tri sekonda. Qeniet njerëzore janë kaq të dobëta në jetën e egër dhe në natyrë, kështu që duhet ta mbrojmë veten me këtë flluskën e qytetërimit, por kjo nuk është sepse jemi superiorë. Është sepse jemi të dobët.

    JY: Dhe sërish, shoqëria që përshkruan te “Lepurushi i mallkuar” është e mbushur me dhunë dhe hakmarrje; nuk na mbron domosdo. Përfundimisht, kam menduar se vëllimi yt meditonte mbi çfarë do të thotë t’i mbijetosh shoqërisë së ditëve të sotme dhe si të gjesh kuptim mes mbijetesës. A ke ndonjë mendim mbi lidhjen mes dhunës shoqërore, mbijetesës dhe letërsisë?

    BC: Këto histori janë tashmë paksa të vjetra dhe perspektiva ime ka ndryshuar shumë, sidomos që pas tragjedisë së Tragetit Sewol. Fillova të protestoj pas asaj. Deri më 2014 isha intelektualja përtace tipike që kritikonte shoqërinë, por nuk bënte gjë. Por kur fëmijë vdiqën para syve të mi dhe stacionet televizive shfaqnin çdo gjë në kohë reale, për tri ditë, se si njerëzit vdiqën dhe ngecën në anije për tri ditë – ishte një ferr i vërtetë. Historitë e “Lepurushi i mallkuar” janë kryesisht para vitit 2014, kështu që janë më abstrakte dhe paksa fantastike. Nuk dija se si ta formuloja mendimin tim mbi shoqërinë. Pas tragjedisë, jam: “Shko protesto!” dhe “Do t’ju vras të gjithëve!” [Qesh.] Jo, jo të gjithë – i dua lexuesit e mi. Dua të vras njerëzit e këqij. Mendoj se kjo është e qëndrueshme në gjithë veprën time. Dua që të këqijtë të vdesin. Kjo është përgjigjja ime për shoqërinë dhe dhunën.

    Kur isha ulur në shtëpi dhe duke menduar për historitë fantastike, nuk e dija tamam se si funksiononte struktura [e shoqërisë]. Kur shkova te gjithë këto protesta dhe takova njerëzit, e para gjë që përjetova ishte solidaritet. Me tragjedinë e Tragetit Sewol, e gjithë bota erdhi për të nënshkruar peticionin. Të gjithë erdhën dhe na dëgjuan dhe nënshkruan peticionin, sepse e kuptonin se njerëzit nuk duhet të vdisnin ashtu. Vetëm pak ditë më parë, punonjësit nga SsangYong Motors fituan në Gjykatën e Lartë. U vendos që punëtorët kanë të drejtë të mbrojnë veten. Iu deshën 13 vjet dhe 33 jetë njerëzish, por fituan. Dhe njerëzit nga SsangYong Motors erdhën te vendi i protestës së Sewol dhe u ulën me ne. Edhe ne shkojmë te protestat e tyre. Aty jam takuar me atë që tani është bota ime. Mendoj se perspektiva ime ka ndryshuar shumë, që nga “Dua që të këqijtë të vdesin” te “I dashuroj këta njerëz dhe dua që të vdesin njerëzit e tjerë”.

    Besoj se solidariteti lidhet me atë që thashë më parë, që ka diçka më shumë në jetën tonë (përtej shqisave njerëzore). Me burrat e SsangYong Motors, isha përgatitur të qaja me ta kur shkuam te Gjykata e Lartë. Ata dolën duke qarë. Por pastaj u lumturuan që më panë aty, që do të thotë se kishte ndodhur diçka e mirë. Isha kaq e tmerruar – të gjithë njerëzit që shkuan aty për solidaritet ishin të tmerruar, por pastaj ishim të gjithë të habitur e të lumtur. Nuk mund ta dimë të ardhmen. Besoj se ndryshimi është i mundshëm. Njerëzit ta shpifin, por mund të ndryshojnë dhe ta shpifin më pak.

    JY: Meqenëse jemi te protestat, a mund të flasësh pak se si i drejtohesh kapitalizmit, të cilin e shoh si një temë tjetër në shkrimin tënd?

    JY: Nuk mund të them se i drejtohem vetëm “kapitalizmit”. Kapitalizmi po bën gjëra shumë të tmerrshme, por ka gjithmonë disa elemente që i bëjnë gjërat më keq. Te “Lepurushi i mallkuar” ishin korporata që përplaseshin e fuqinë, diktaturën dhe totalitarizmin. Te “Shtëpi, e ëmbla shtëpi” është patriarkati, ajo pjesë e kulturës koreane që është shumë shtypëse veçanërisht ndaj grave të reja. Pra, është patriarkati në formën më të keqe, me kapitalizmin. Ka gjithmonë ndonjë gjë tjetër.

    JY: Dhe, siç the, i je kthyer trillimit si një mënyrë për të vrarë këta të këqijtë, duke krijuar këtë botë ndërseksionalisht tmerruese jo kaq ndryshe nga realiteti.

    BC: Por në realitet, djemtë e këqij nuk vdesin. Përse nuk vdesin?

    JY: Në atë kuptim, bota e “Lepurushi i mallkuar” (ku djemtë e këqij vdesin) është më pak e frikshme se realiteti!

    BC: Besoj…

    JY: Te “Lepurushi i mallkuar”, prodhuesi i fetisheve të mallkuara është i fiksuar që të punojë diçka të bukur – ka një element joshës te proza jote, edhe pasi materiali që përshkruan është shpesh horror apo i pakëndshëm. A e shikon horrorin dhe të bukurën si të ndërthurur?

    BC: Në fakt, nuk e kam menduar kurrë në këtë mënyrë. Më pëlqejnë gjërat e bukura. Kur po shkruaja “Lepurushi i mallkuar”, i përkisja këtij grupi shkrimi të quajtur Mirror Zine. Në fund të vitit 2015, po flisnim se çfarë të shkruanim për Vitin e Ri. Dikush sugjeroi horoskopin aziatik (me 12 kafshë). Unë u vonova. Njerëzit e shpejtë zgjodhën gjithë kafshët magjepsëse – si dragoi, tigri. Njerëzit e dytë zgjodhën kafshët e njohura – si qeni, gjeli, kali. Kur lexova tabelën në internet, kishte mbetur vetëm lepurushi dhe delja. Nuk dija asgjë për delen. Kishim dy lepurushë kur isha në shkollë fillore dhe kam një kujtim të zbehtë duke u kujdesur për ta. Ishte më mirë se asgjë kështu që zgjodha lepurushët. Lepurushët janë të bukur, por janë kafsha më e dobët e gjithë zinxhirit ushqimor. Nuk kanë kthetra apo dhëmbë të mprehtë – nuk kanë asgjë me të cilën ta mbrojnë veten. Mendova: “Duhet t’i bëj të frikshëm. Nëse shkoj me lepurushin pushatak e të lezetshëm, do të jetë e zakonshme dhe e mërzitshme.” Por doja ta mbaja elementin e së lezetshmes dhe t’i bëja të frikshëm. Ky ishte procesi im i mendimit. Nuk po mendoja për temën e bukurisë. Thjesht doja të shkruaja lepurushë pushatakë të frikshëm. Dhe nëse fetishet e mallkuara do të ishin të shëmtuara, askush nuk do ta prekte fetishin e mallkuar dhe do të dështonte si fetish.

    JY: Diçka që më habit te procesi yt i shkrimit është logjika! Mendon hapat logjikë, si: “A do ta prekja unë një fetish të shëmtuar? Jo.”

    BC: Unë shkruaj për gjëra të çuditshme, kështu që mendimet dhe ndjenjat themelore duhet të jenë të kuptueshme, të vijnë natyrshëm. Përndryshe, do të ishte një histori e pakuptueshme.

    JY: A ke diçka tjetër që dëshiron të ndash me lexuesit anglofonë të “Lepurushi i mallkuar”?

    BC: Mund të shkosh në banjë dhe nuk do të vdesësh. Nuk ka tradita me mallkime lepurushësh në Kore. Pilulat kontraceptive nuk të lënë shtatzënë. Mos ua jep këtë libër fëmijëve të tu.

    Në një intervistë me BBC, moderatorja më pyeti shumë seriozisht për traditën e mallkimeve duke përdorur lepurushë në Kore. I thashë që gënjeva: që çdo gjë është e shpikur, nuk ka traditë mallkimesh me lepurushë. Kemi tradita mallkimesh, por përdorim kukulla. Nuk përdorim lepurushë të gjallë, vrasës apo magjikë. U duk shumë e zhgënjyer. Kërkova ndjesë, por nuk kishte një traditë të tillë. Kjo më bëri të mendoj që njerëzve u pëlqejnë këto elemente përrallash dhe veçantia e tregimeve të mia është diçka e re dhe interesante. Jam siguruar veçanërisht që historitë e mia të mos përmbanin asgjë vërtet tradicionale shamaniste. Sepse njerëzit do ta provonin në shtëpi!

    JY: Do ta them, pata shumë kujdes për ca ditë pasi lexova për tualetet dhe lepurushët…

    BC: Më vjen shumë keq! Njerëzit më janë ankuar shumë që nuk mund të shkojnë në banjë pasi lexojnë “Koka”. Asgjë nuk do të ndodhë, është e gjitha e shpikur. Jam gënjeshtare profesioniste dhe gënjej shumë mirë, por këto janë të gjitha gënjeshtra.

    JY: A ke ndonjë objekt të cilin do ta zgjidhje si fetishin tënd të mallkuar, nëse nuk do të ishe e fundit në grupin tënd të shkrimit dhe të ngeceshe me lepurushin?

    BC: Tani sikur më pëlqen lepurushi. Më pëlqejnë macet. Dua një mace – në fakt, dua të jem një mace.

    Përktheu Enxhi Hudhri

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË