More
    KreuLetërsiShënime mbi libraInsa Wilke: Të mësosh të marrësh frymë

    Insa Wilke: Të mësosh të marrësh frymë

    Mbi romanin “Vajzat me çelës në qafë” të shkrimtares Lindita Arapi

    Sistemi bunkerizues absurd i diktatorit Enver Hoxha. Apo pallatet shumëngjyrëshe të Tiranës që artisti Edi Rama i leu pas zgjedhjes si kryetar bashkie në vitin 2000 për të përmirësuar atmosferën në kryeqytet. Kuriozitete të tilla të bien ndërmend, kur bie fjala për vendin e vogël mesdhetar Shqipëri, që në vitin 1990 arriti të shkundë nga vetja diktaturën.

    Lindita Arapi, shkrimtarja shqiptare që jeton në Bonn sot dhe punon për Deutsche Wellen sheh diçka tjetër: “Vuajtja/është asimetria në fytyrat e rregullta/ të shqiptarëvve të heshtur/të cilët i dalloj së largu/ edhe pa i njohur i përshëndes” në njërin nga qytetet simetrikë të Europës.”

    Me romanin e saj “Vajzat me çelës në qafë”, të cilin Joachim Röhm e ka përkthyer në gjuhën gjermane me një intuitë të hollë për shtresëzimet kohore dhe tonalitetet e ndryshueshme, ajo e portretizon këto asimetri në fytyrat shqiptare dhe i hyn nën lëkurë shoqërisë së saj. Arapi ka shkruar një roman dramatik, të mençur letrarisht dhe ka formuluar një vizion për një shoqëri të emancipuar shqiptare.

    Në roman rrëfehet historia e Lodja Lemanit, e rritur në vitet 70-të e 80-të në qytetin model D. në të cilin njerëzit “spiunojnë me zell të madh njëri-tjetrin”. D. mëton të jetë një “qytet pa sekrete”. Në të vërtetë çdo gjest, çdo fjalë, çdo hap është i koduar. Të paktën për familjen Lemani, shtëpiza e së cilës e rrethuar nga aroma e limonëve, vetëm fillimisht na shfaqet si idil. Drama nis e shfaqet kur në rrëfim hyn nëna e Lodjas. Drita, një grua e bukur, gjithmonë në nxitim, nuk qesh kurrë, duket se ajo fsheh diçka. Drita bën pjesë tek të “toleruarit” dhe me këtë është e dënuar të bëjë një jetë në katapultë bashkë me bashkëshortin e vajzën. Më shumë nuk mësojmë në pjesën e parë të romanit, ku ajo i mbetet besnike perspektivës fëmijërore të rrëfimit, që as nuk e kupton dhe as nuk pyet më shumë për dashakeqësinë e fqinjëve dhe frikën e prindërve. – një metaforë për përgojimin e pushtetshëm ideologjik, paranoid aq edhe iracional në diktaturë.

    Mendojmë se e njohim thellë historinë e viktimave dhe autorëve të krimeve të diktaturave. Por Arapi e rrëfen atë ndryshe, fuqishëm, si pjesë të një konteksti të gërshetuar. Fantazmat e së shkuarës shqiptare nuk janë vetëm ato të socializmit. Romanin e hap një zë nga perandoria e vdekjes. Pengu. Ajo i përket me gjasë gjyshes së humbur, Fates, edhe kjo një nga supozimet që e bëjnë më intrigues romanin. “Nuk ka fat më të keq se të ikësh si viktimë nga ajo botë!  Mirë që ta prsin fillin e fatit, sikur të jenë zoti, po të drejtën ti e merr me vete…”

    Pikërisht për të vënë në vend të drejtën dhe për të çliruar të gjallët nga pleksjet me padrejtësinë duhet që të rrëfehen historitë e viktimave. Në roman është Lodja, “vajza me çelës në qafë”, ajo që hap derën e së shkuarës e me këtë edhe derën e së ardhmes. Është një rrugë e gjatë për të mbërritur deri aty. Lodja jeton si studente në një qytet belg, diktatura është rrëzuar. Por fantazmat e së shkuarës faniten ende. Pesha e mistereve të pasqaruara të familjes, rëndon mbi të, derisa një natë shpërthen. Lodja vendos të kthehet në vendlindje për të kuptuar historinë e nënës dhe gjyshes së saj.

    Hap pas hapi Arapi krijon panoramën komplekse të një shoqërie të traumatizuar, tek e cila humbja e gjuhës dhe nevoja për frymëmarrje të lirë nuk lidhen vetëm me krimet e diktaturës, por edhe me një padrejtësi më të vjetër, të pa vënë re: përçmimi ndaj gruas i pranuar në shoqëri dhe dhuna ndaj saj. Fatmirja rebeluese është viktima e këtij përçmimi, edhe Lodja si fëmijë e ka njohur përbuzjen. “Ma jep zogun” e ngacmojnë burrat. Duhet të kesh turp nga bukuria,  ishte refreni i nënës. Një grua nuk dëfrehet, këtë ia ka transmentuar një gjeneratë tjetrës. Arapi rrëfen për këto tradita arkaike me vështrimin analitik të një gruaje moderne. Zemërimi për nënat që vetëmohoheshin kthehet në katalizator. “Vajzat me çelës në qafë” është megjithatë përpjekje për të falur nënën. Autorja nuk akuzon, hap udhë: Ajo kujton për t’u bërë vetë e lirë.

    Lindita Arapi ia ka dedikuar vajzave të saj historinë e Lodjas, Dritës dhe Fatmires. Ato janë në një farë mënyre mbesa të Dritës dhe historia e saj le gjurmë edhe tek ato pa e ditur. Kjo mund të thuhet edhe për Europën, në kulturën e së cilës kanë lënë gjurmët imigrantët. Me “Vajzat me çelës në qafë” Arapi nuk ka shkruar vetëm një roman shqiptar, por i ka shtuar mozaikut të kujtesës europiane një gur intensivisht ndriçues.

    Insa Wilke, kritike letrare, moderatore dhe publiciste. “Të mësosh të marrësh frymë” u publikua në revistën “Kulturaustausch” dhe u prezantua në radion gjermane “Deutschlandfunk”

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË