Përktheu Aristidh Shqevi
Ftesës së universitetit të Copenhagen për të zhvilluar një cikël leksionesh në lidhje me teatrin e Pirandello-s, iu përgjigja pozitivisht. Nuk kisha qenë kurrë më parë në një vend nordik.
Në aeroport më priti dekani i fakultetit, emrin e të cilit e njihja, meqë ai ishte i dëgjuar në fushën e strukturalizmit. Ndjemë një simpati të menjëhershme për njeri-tjetrin. Ai më shoqëroi së pari në hotel dhe më pas në fakultet, i cili, me godinat e tij në mes të gjelbërimit, ishte shumë mikpritës nga ana arkitektonike. Në korridoret e gjatë dhe të bollshëm, me mure tepër të pastër, nuk më kapi syri asnjë student.
‘Nuk jepen leksione sot?’
Ai më vështroi i habitur.
‘Po. Përse?’
‘Ku janë studentët, atëherë?’
‘Ku dëshiron që të jenë? Të gjithë janë në sallat e leksionit.’
Duke njohur gjendjen dhe huqet e universitetit të Romës, u binda se kisha mbërritur në bazën numër një të hënës. Konfirmimi nuk vonoi.
‘Nuk shkruajnë studentët nëpër mure këtu tek ju?’
‘Po, por ka një mur apostafat për këtë qëllim. Muri mbulohet me kompensatë. Kjo e fundit zëvendësohet çdo javë.’
Sekretaria e fakultetit më kishte njoftuar se në ciklin e leksioneve të mia kishin të drejtë të merrnin pjesë edhe studentët e gjuhës dhe kulturës italiane të Suedisë dhe Norvegjisë. Pra, përveç nëntë studentëve danezë, do të kisha edhe katër suedezë dhe tre norvegjezë.
Salla që më kishin caktuar ishte e shndritshme, e bollshme, elegante. Të nesërmen në mëngjes, pas një prezantimi nga ana e dekanit, dhashë leksionin e parë. Përpara leksionit, ama, isha hedhur në barin që ndodhej në brendësi të godinës ku më shërbyen me një whisky. Kjo më ishte bërë zakon në atë kohë. Në bar pashë dy bukuroshe, vetëkuptohet që ishin shtatlarta dhe bionde, studente të cilat më vonë i hasa në klasë, të ulura në rreshtin e parë. Fola për dy orë, ndërsa dy orët e fundit ia dedikova përgjigjeve ndaj pyetjeve që ata më drejtuan. Në fund të seancës, një studente daneze, topolake, me syze, tepër simpatike, më pyeti nëse kisha nevojë për një shoqërues për ta njohur Copenhagen; për këtë rol, ajo propozoi veten. Pranova. Në mbrëmje më çoi në një lokal të çuditshëm që frekuentohej nga studentë. Në një shesh të vogël ishin vendosur katër vagonë të vjetër tramvaji, të përshtatur dhe komunikues me njeri-tjetrin. Aty ndodheshin edhe dy studentet bionde të cilat u bashkuan me ne. Ishin suedeze, njëra quhej Ingrid, tjetra Barbro. Kalova një mbrëmje gazmore.
Të nesërmen në universitet, po i afrohesha barit kur Ingrid ma preu rrugën.
‘Jo,’ më tha ajo.
Shtoi se duhej ta ndiqja deri në klasë. Mbi katedër kishte një shishe whisky, një kanë me copa akulli dhe një gotë. Vura re se whisky ishte shumë i shtrenjtë. Përballë ngurrimit tim, klasa shpërtheu në të qeshura.
‘Është një dhuratë nga të gjithë ne,’ tha Ingrid.
Cikli i leksioneve ishte programuar për katër ditë, nga e marta tek e premtja, dhe të shtunën në mëngjes do të nisesha për në Romë. Ditën e premte, përpara leksionit, dekani më njoftoi se vonë pasdite, në universitet do të organizohej një mbrëmje lamtumire me studentët, si edhe me mua, atë, dhe rektorin. Ishin të gjithë të kënaqur me kursin tim, dhe këtë donin të ma shprehnin.
U ula në tavolinë në mes të dekanit dhe rektorit. Përballë meje qëndronte Ingrid, më e bukur se kurrë. Në mes të darkës, ajo më vështroi në sy dhe më tha, me qetësi të plotë, pa pasur frikë se të tjerët do ta dëgjonin:
‘Sonte, nëse të pëlqen, dua të rri me ty.’
Gjithçka ishte thënë shumë qartë. Sikur të kisha qenë në këmbë, do të isha shembur përtokë. Rektori nuk fliste italisht, por dekani sigurisht që kishte dëgjuar dhe kuptuar çdo fjalë; ai vazhdoi të hante pa e hedhur shikimin nga pjata.
‘Flasim më vonë,’ thashë unë i hutuar nga Ingrid.
Pas përshëndetjeve, ajo më shoqëroi jashtë ambienteve të universitetit. U ndieva i tunduar si Shën Antonio.
‘Në çfarë ore të ikën avioni nesër?’ më pyeti.
‘Në orën njëmbëdhjetë.’
‘Po të bëj një propozim. Në orën tetë, marrim tragetin për në Malmö, qytetin ku banoj unë. Këtu mund të kthehesh kur të duash, të shoqëroj unë sërish. Janë dhe tragetet e natës.’
‘Sa kohë na duhet që të mbërrijmë në Malmö?’
‘Vetëm një orë e gjysmë.’
‘Ikim,’ thashë unë.
Ajo tregoi se ishte më e fortë se unë. Trageti ishte mbushur me suedezë të pirë, sepse siç e shpjegoi Ingrid, dyqanet e alkoolit në Suedi mbylleshin në orën tre pasdite, ndaj pijanecët ishin të detyruar të shkonin në Danimarkë.
Mbërritëm, zbritëm dhe shkuam në një vend-parkim të madh ku Ingrid kishte lënë makinën e saj. Me t’u futur në makinë, ajo mori iniciativën.
Bashkëpunova. Pas pak, ajo ndezi makinën dhe kështu u nisëm drejt shtëpisë së saj.
Në një zonë me shtëpi të bukura, secila prej tyre me një oborr të madh, ajo u futi makinën përmes një porte të madhe, ndoqi rrugicën që të çonte në një vilë njëkatëshe, kaloi anash saj dhe parkoi makinën brenda në garazh pranë një makine tjetër. Teksa po ecja në këmbë, vura re se dritat e vilës ishin të ndezura. Nuk u shqetësova fare, dhe nuk e di përse por në atë çast u binda se ajo bashkëjetonte me një shoqen e saj studente. Hapi derën e shtëpisë me çelës, dhe tha diçka nga paradhoma, ndërkohë që një zë femëror iu përgjigj.
‘Eja.’
E ndoqa nga pas. U futëm në një sallon të këndshëm. Një burrë dhe një grua, disi më të rinj se unë, ishin duke parë televizor. Ata u ngritën në këmbë.
‘Kjo është mamaja, ndërsa ky është babai,’ tha Ingrid teksa m’i prezantoi ata.
Ajo shtoi dhe diçka tjetër, besoj se po iu shpjegonte se unë isha profesori që kisha ardhur nga Italia.
‘Eja, shkojmë në dhomën time’ më tha Ingrid duke më tërhequr nga dora.
U ndieva i lebetitur dhe më erdhi turp. Ç’të bëja? Të shembesha përtokë pa ndjenja? Të shtiresha sikur më kishte kapur një krizë marrëzie? Apo të ulesha me ta dhe t’iu shpjegoja se më kishin kapur shenjat e para të sëmundjes së një njeriu shëndetlig që në atë moshë? Ndërkohë, Ingrid më kishte tërhequr prej dore deri në brendësi të dhomës së saj, pikërisht ngjitur me sallonin. Më përqafoi, filloi të më puthë, por papritur u ndal:
‘Çfarë ke? Po të shkojnë djersët çurkë.’
Nuk e lashë rastin të më ikte.
‘Në të vërtetë, nuk ndihem mirë, më merret mendja, ndoshta më ka bërë keq diçka që kam ngrënë, ose më ka rënë tensioni i gjakut…’
Brenda pesë minutave e pashë veten të rrethuar nga përkujdesjet e babait dhe të mamasë së Ingrid.
Pije të ftohta, termometër. Pas gjysmë ore deklarova se ndihesha më mirë. Babai shprehu dëshirën për të më shoqëruar deri në Copenhagen; ai më la përpara hotelit.
Atë javë, treguesi i burrërisë së italianëve në Suedi duhet të ketë rënë shumë poshtë, ashtu siç ndodh me bursën në kohën e krizave.
Pikërisht për nder të lirisë, spontanitetit dhe pastërtisë morale të Ingrid unë shpreha dëshirën që mikesha e huaj e komisarit Montalbano të ishte suedeze, dhe të kishte emrin e saj.