More
    KreuIntervistaIna Kosturi: Me botimet muzikore jam më pranë botës së librit

    Ina Kosturi: Me botimet muzikore jam më pranë botës së librit

    Bisedoi Andreas Dushi

    A.D.: Në botimin e fundit të veprës së plotë të Zef Zorbës, botuesja Irena Buzi vendos të përdorë si imazh për kopertinën një vizatim të Kandinsky-t i cili, sikurse vetë po edhe studiuesit kanë thënë, pikturon muzikën. Jam shumë kureshtar ta di se si tek ju, muzika që është edhe arti më i hershëm në të cilin jeni investuar, ka ndikuar në krijimtarinë e botuar, ese apo prozë?

    I.K.: Ju falenderoj për intervistën dhe më duket një koinçidencë e bukur të përmendim Kandinsky-n dhe një libër të cilit i referohem shpesh: “Mbi shpirtëroren në art”. Po citoj një frazë “Ashtu siç i ndan artet nga njëri tjetri thellimi në vetvete, ashtu i afron ata te njëri tjetri krahasimi i kërkimit të brendshëm”. Ka qënë muzika që më ka frenuar fillimisht të publikoj shkrime të hershme letrare …Violina është një profesion që kërkon përkushtim dhe tradita shqiptare duket se është mësuar me artistë të specializuar të një fushe … Ka qënë muzika dhe violina që më kanë drejtuar tek letërsia, realiteti shqiptar apo momente të caktuara … Më kujtohet një shkrim imi i hershëm “Juve ju ka munguar liria e fjalës, mua ajo e tingullit”. Pikërisht kjo pamundësi për të qënë në skenën shqiptare si soliste në një moment të caktuar, po dhe dukuri të tjera të realitetit tonë si mungesa e kritikës, ndoshta dhe liria e një brezi me mendësi ndryshe që kërkon standarte të tjera jo vetëm në interpretim po dhe në mendësi. Fjala ka efekt të menjëhershëm, ndërsa letërsia dhe njerëzit e saj më janë dukur më të përparuar, largpamës, dashamirës krahasuar me metalitetin e komunitetit muzikor në vendin tonë. Shkrimet janë frymëzuar nga personalja, kanë shkuar përtej saj në tematika të tjera nga arti tek historia, politikat kulturore e shumë më gjerë.

    Gjithsesi ideja e një violinisti që shkruan, e sidomos kur guxon të thotë të vërteta edhe pse në vitet 2000 dukej e rrallë. Ndërkohë violinistë të njohur po përmend italianët e famshëm Uto Ughi e Salvadore Accardo po dhe shumë të tjerë në botë janë autorë librash shumë të mirë. Për lidhjen e fshehtë të violinës me letërsinë do lexoja në “Bisedë për brilantet në pasditen e dhjetorit” një frazë shpëtimtare … Duket se kisha gjetur një ide brilante në shkrimet e njeriut të madh të letrave Ismail Kadare, që do më shpëtonte nga psikologjia shqiptare e artistëve të kufizuar të një fushe. E frymëzuar, jam munduar ta analizoj këtë lidhje, faktin se violinisti mund të shkonte tek letërsia, mënyrën sesi nëpërmjet letërsisë mund të analizoje një pjesë muzikore, atë fantazi për ta menduar pjesën që interpreton si një tregim, faktin se te dyja kanë formën, fjalitë, frazat muzikore. Besoj se çdo vepër muzikore krahasohet ngjashmërish me një ndodhi. Fantazia i lartësonte të dyja, violinën dhe letërsinë. Pertej saj, kisha ndjerë gjithmonë lidhjen e ngjashme midis formës dhe përmbajtjes tek të dyja, ndryshonin vetëm shenjat, mjetet, krahasur si dy gjuhë të huaja. Sot e ndiej dhe më shumë këtë dukuri, si krijuese dhe interpretuese e pjesëve për violinë, ndërsa dëshmi e kësaj lidhje është “Fantazi për violinë”, pjesa e parë që kam kompozuar, frymëzuar nga një ese e botuar në panairin e librit . Në koncertin e fundit në maj të këtij viti ishte një nga pjesët që u duartrokit më shumë e bashkë me disa të tjera janë në proces botimi.

    A.D.: Nga të gjitha përvojat tuaja artistike, në një udhëtim kronologjik, prej të mëhershmes, deri tek më e vona, cilat do të ishin katër ose pesë që do të veçonit si më të dashurat dhe pse?

    I.K.: Ideja e një udhëtimi kronologjik më frymëzoi jo vetëm në përzgjedhjen e përvojave më të dashura. Më kujtoi një lodër të dashur fëmijërie po dhe simbol i çdo kohe pavarësisht pamjes së thjeshtë apo luksoze. Është globi i vogël me shtetet shumëngjyrëshe, është bota e rrumbullakët e pafundme. Përvojat e dashura edhe pse modeste në botën e madhe muzikore do i vendosja atje, së pari me eksperiencën në Itali, të qenit e para shqiptare në shkollën e gjuhës, artit e kulturës “Lorenco de Medici” në  Firence. Ishte emocionuese të gjendeshe mes studentëve të Conservatorit “Cherubini” të ftuar nga shefi i katedrës së muzikës së dhomës dhe violinist i njohur për të ndjekur violinisten nga Shqipëria që interpretonte Capriccio nr 24 të Paganinit, koncertin e Prokofievit, Ciaccon e Bach-ut. Janë eksperienca që të bëjnë të ndjehesh jo vetëm e vlerësuar… njëkohësisht paksa si personazh romani… Kjo përvojë do plotësohej me diplomimin në Itali, vlerësimi me çmime dhe bashkëpunime me artistë italianë. Ndikoi në përparimin profesional dhe shumë më gjerë në mendësinë dhe ndaj realitetit muzikor shqiptar. Si përvojë të dytë të dashur do përmendja vlerësimin me çmimin e dytë dhe “Golden Award” në konkursin “Oscar Rieding” në Celje, Slloveni. Tashmë vlerësohesha si krijuese dhe interpretuese e koncertit për violinë ardhur pas 30 viteve mungesë në muzikën shqiptare. Fenomeni krijues interpretues ku violinisti është dhe kompozitor dhe përformues i veprës së tij është sërish i rrallë në Shqipëri… Merrja pjesë në kategorinë pedagog, ndërsa këto konkurse janë investime që bëhen në Slloveni për të vazhduar traditat dhe nxitur krijuesit e çdo moshe. Do veçoja si një përvojë të bukur e të suksesshme “trofetë“ apo çmimet e vitit 2023 si krijuese dhe interpretuese, siç ishte në shtator vlerësimi me çmimin e tretë në  “Amadeus Composition Competition” Vjenë, krahas emrave të kompozitorëve të suksesshëm sot në botë, vlerësimi me çmimin e parë në “Malta Composition Competiton” në konkursin shumvjeçar si krijuese me “7 Capriccio” për violinë solo. Në faqen zyrtare të konkursit, krahas emrit të fituesit shkruhet dhe emri i shtetit që përfaqeson, dhe në këtë konkurs 10 vjeçar mes fituesve dhe pjesmarrësve nga gjithë bota, për herë të parë shkruhej dhe Albania.

    Një tjetër sukses i dhjetorit 2023 është vlerësimi me çmimin e parë në “Swiss International Composition Competition” Lugano, Zvicër. Do veçoja si përvojë të katërt të dashur përzgjedhjen dhe pjesëmarrjen si krijuese dhe interpretuese në edicionin e 23 të festivalit të femrave kompozitore “Women Composers Festival of Hartford”, Connecticut, USA, në mars 2024. U ndjeva e vlerësuar si krijuese dhe interpretuese, një fenomen mjaft i përkrahur sot në botë. Duke shfletuar e lexuar në broshurën e festivalit curriculumet mbresëlënëse të pjesëmarrëseve ndjehesh e lumtur të gjendesh mes tyre.

    Si përvojën e pestë po padyshim dhe më të bukurën dhe të rëndësishmen personale po dhe për muzikën shqiptare do përmend botimet e “Violin Concerto”, “7 Capriccio” për violinë solo , “Duo Capriccio” për violinë dhe violinëel si dhe pjesë të tjera që janë në proces botimi nga shtëpia e famshme botuese muzikore “Universal Edition”, Vjenë.

    Është vlerësim, fat, një ëndërr të gjendesh mes emrave të kompozitorëve botëror, të promovohesh nga një shtëpi botuese muzikore me datëlindje vitin 1901…Votimi i këshillit artistik pas një shqyrtimi të gjatë e të kujdeshëm ishte unanim. Nuk jam diplomuar në kompozicion, nuk zotëroj mastera në universitetet e famshme muzikore, nuk drejtoj departamente e institucione; ajo që vlerësohet është muzika për violinë, origjinaliteti, mendoj se ky është suksesi! Zyrat e shtëpisë botuese “Universal Edition” gjenden në Musikverein, Vjenë apo pallati i Artë sikurse jemi mësuar ta njohim nga Koncerti i Vitit të Ri. Duket si përrallë apo e paimagjinueshme që krijmtaria të të botohet pikërsht aty …

    A.D.: Dua t’ju pyes pak për një ngjarje të përsëritur në disa edicione, Maratona violinistike. Çfarë është në vetvete? Për ju si organizatore, çfarë domethënieje ka?

    I.K.: Maratona Violinistike apo “Violinistic greeting” është tashmë një festival që i kushtohet violinës. Edicioni i parë synonte, përtej traditës shqiptare të interpretimit, realizmin e një programi të ngjeshur nga një violinist i vetëm. Kërkoja të imitoja shembujt e instrumentistëve jashtë Shqipërisë, ku jeta artistike është mjaft e pasur në aktivitete si dhe në repertor. Por nuk është vetëm një aktivitet maratonë përsa i përket interpretimit, ky term i përshtatet një maratone përpjekjesh për të qënë në skenë, një maratonë energjish, pasioni për të qënë e pranishme në botën muzikore shqiptare, ku nuk je e privilegjuar. Maratona është skena që ti ndërton me pak mjete, është institucioni yt, teatri, orkestra e munguar për të luajtur si soliste, një skenë që nga edicioni në edicion e ndan më të tjerë muzikantë, të njohur e studentë, derisa pjesë e saj bëhen violinistë e muzikantë të njohur nga gjithë bota. Është një institucion që e ke ndërtuar nga pasioni për profesionin, artin, muzikën.

    Edicionet e para u pasuruan më premiera të literaturës violinistike në skenën shqiptare me vepra nga Copland, Stravinsky, Reger, Elgar e shumë të tjerë. Një moment i rëndësishëm për Maratonën është prioriteti që ju dha muzikës së vjetër shqiptare për violinë. U interpretuan premiera si Sonata e Nolit, pjesë të Thoma Nasit, Kostandin Papajorgjit, po dhe krijmtari e Lec Kurtit si dhe vepra të sotme të kompozitorëve shqiptarë. Ky aktivitet u vlerësua nga Biblioteka Noliane dhe Atë Artur Liolini në Boston. Nga Katedralen e Shën Gjergjit erdhi një letër falenderimi, ndoshta si bekim për aktivitete të tjera të suksesshme. Tashmë u synua përhapja e kësaj muzike në botë, interpretimi nga violinistë të njohur e të famshëm.

    Organizimet live dhe online të koncerteve të Maratonës apo “Violinistic greetings” sollën përshëndetje e interpretime nga violinistë të njohur të huaj e shqiptarë me një shtrirje gjeografike nga Amerika në Brazil. Mbresëlënës është interpretimi i pjesëve të Thoma Nasit nga violinistja Inga Ulokina, meloditë e mrekullueshme të Tonin Harapit nga pianisti, kompozitori e dirigjenti i njohur Keeith Goodman! Këta violinistë e artistë të mrekullueshëm si Azer Damirov nga USA, Kristi Gjezi virtuozi shqiptar nga Franca u bënë pjesë e edicioneve të maratonës. Recitalet dinjitoze të duos së mrekullueshme “Kodaly String Duo” Vjena me Sebastian e Marcel Leczky, apo të “Duo” violinë e piano me muzikantët e spikatur Sanja e Srdan Djordevic nga Serbia i dhanë jehonë dhe treguan nivelin e lartë të festivalit. Këta violinistë të spikatur si Rodrigo de Oliveira nga Brazili, apo Aleksandra Galfe nga Londra, e njohura Carolinë Adomeit nga Gjermania, apo një tjetër virtuoze si Kinga Augystin nga Amerika më frymëzuan për të shkruar me dedikim “7 Capriccio” për violnë solo. Capriccio-t u shkruan në muzikë si portrete për secilin violinist, si tablo të një ekspozite. Nëpërmjet muzikës, violinës, këtë herë imitojmë një ekspozitë portretesh… Nëpërmjet muzikës krijojmë portrete muzikore… Duket se i kthehemi Kandinsky-t sërish… 

    Capriccio nr. 1 e kompozuar për Maratonën Violinistike 2022 u bë pjesë e programit të koncertit të studentëve në University of North Carolina UNC School of the Arts”, Amerikë, e studios së pedagoges dhe violinistes së shquar Ida Bieler….Capriccio përfshihej në një program krijimesh të kompozitoreve femra, krahas emrave më të spikatura si Florence Price , Lili Boulanger, Grazina Bacewic … Ky edicion i 12 vjen me një bashkëpunim special me pianisten, kompozitoren e njohur zvicerane Katharina Nohl …

    A.D.: Si e shihni ndërlidhjen mes jetës akademike dhe asaj artistike? Mendoni se për hir të njërës, qoftë edhe pa dashur mund t’i keni “hyrë në hak” tjetrës?

    I.K.: Jeta artistike dhe ajo akademike janë të lidhura ngushtë, ecin paralel dhe çdo sukses në jetën artistike ndikon pozitivisht në procesin akademik. Pedagogu më i mirë e i suksesshëm muzikant është solist i skenës, është ai të cilin studenti e duartroket, është modeli që e frymëzon të studiojë e ta shfaqë talentin. Pedagogu dhe studenti kanë një qëllim të përbashkët, një objektiv që është interpretimi në skenë. Sa më shumë eksperienca të ketë pedagogu me skenën, sa më e larmishme të jetë jeta e tij artistike, aq më shumë predispozita ka që studenti të ndjekë të njëjtën udhë.  Literatura muzikore apo ajo violinistike specifikisht, ajo që interpretohet në skenë është dhe programi mësimor i studentëve. Duke shpjeguar thjesht përvojat e pedagogut në skenë, janë siguri për përparimin e studentëve. Kam studiuar me dy solistë të skenës, violinistët Pandush e Pirro Gjezi. Ishin modeli i përsosur që frymëzonin drejt skenës. Më pëlqen ky model i pedagogut solist, i njohur kudo në botë. Violinistët më të famshëm të skenës janë të suksesshëm e i gjen kudo me kontributin në mësimdhënie, masterclasse. Violinistët më të famshëm jashtë studiojnë me solistë të mëdhenj të skenës. Në Universietin e Arteve, pedagogët realizojnë aktivitetin artistik në bazë të marrëveshjeve vjetore, pra gjithë ky proces është i ndërlidhur. Mundësitë për bashkëpunime duhet të jenë më të mëdha,  specifikisht bashkëpunimet e institucioneve kulturore me Universitetin  e Arteve, me pedagogët për të qenë prezent në skenë. Veprat e mëdha të literaturës violinistike duhet të jenë pjesë e stinëve koncertore të këtyre institucioneve.

    A.D.: Kompozimi më është dukur përherë arti më i vështirë, ndaj do të doja shumë t’ju kërkoja ta përshkruani në sa më shumë detaje procesin e kompozicionit, nga ideja te realizimi, shënimet, nuk e di… Është një kureshtje e kujtdo që mahnitet nga bashkimi aq i natyrshëm i tingujve, besoj. 

    I.K.: Kompozimi është një art i vështirë dhe i bukur, kombinimi i tingujve realizohet nëpërmjet një alfabeti tjetër që mësohet në fëmijëri krahas shkronjave, numrave. Gjuha e tingujve është një gjuhë universale e përbotshme që shfaqet nëpërmjet interpretimit, performancës. Dikur fëmijë kam shkruar një fletore muzike me krijime për violinë, atëherë kjo përpjekje kaloi pa vëmendje… Ndoshta ishte një sinjal… Mendoj se gjithçka që ka lidhje me krijimin, kompozimin, ka lidhje dhe me fantazinë, intuitën. Është një proces që të mban mbërthyer, është pasion, frymëzim. E krahasoj me letërsinë, kanë formë, përmbajtje… Nëse alfabeti i shkronjave ka forcën drejtpërdrejt të fjalës, kompozimi ka misterin e të pakuptueshmes. Është ky alfabet muzikor i panjohur, kjo specifikë që vjen nëpërmjet tigullit dhe është gjithmonë e paqartë, që krijon ndjesi, gjendje emocionale. Ka diçka që nuk kuptohet në Shqipëri, ka një ngatërresë midis krijmtarisë dhe performancës. Performanca është e përbotshme, në botë ka pafundësisht muzikantë që interpretojnë mahnitshëm. Kompozimi është si letësia, piktura, është krijim, është unik. Kompozimi shfaq gjuhën, aromën e vendit të atij që e krijon. Tek ne rëndësi ka interpretimi, duke e lënë disi mënjanë krijmtarinë. Mendoj se duhet të investohet më shumë tek krijmtaria muzikore si dhe tek instrumentistët e vegjël siç ndodh ne vende të zhvilluara e me traditë.  Suksesin më të madh në botë shqiptarët e kanë si performues, si instrumentistë, përsa i përket krijmtarisë me gjithë sukseset, sado të flasim për suksese, muzika shqiptare  akoma nuk është pjesë e programeve të orkestrave të famshme apo kalendareve të Teatrove. Tek ne është më i rëndësishëm interpretimi apo dëgjimi i një vepre të njohur të interpretuar mijëra herë, të interpretuar pafundësisht e mrekullisht nëpër botë sesa dëgjimi i një vepre të re shqiptare. Ky është një ngërç që fillon me programet e institucioneve të mëdha me dy orkestrat ku mentaliteti mbetet i njëjtë e i pandryshuar, ndonjëhërë dhe aspak dashamirës ndaj krijmtarisë së re muzikore shqiptare! Nëse do të ndalesha në detaje në procesin e krijimit unë jam mësuar të shkruaj në kompjuter, të krijoj direkt pa shkruar me laps, letër. Sigurisht provoj  të interpretoj me violinë. Programi në kompjuter më duket magjik, ke mundësi ta shkruash notën, akordet, ke mundësi t’i dëgjosh, më është dukur komod. Ndodh që të shkruash dhe pa kuptuar ke mbaruar një pjesë ose kohën e dytë të një vepre. Është diçka që vjen natyrshëm, fantazi e shfaqur nëpërmjet muzikës.  

    A.D.: A ka Shqipëria një traditë në violinistikë, si studim po edhe si ekzekutim? Cilët janë violinistët më virtuozë dhe çfarë peshe mendoni të kenë pasur ato në tablonë e përgjithshme të muzikës  klasike në vendin tonë?

    I.K.: Sigurisht, Shqipëria ka traditë dhe një shkollë të mirë të violinës si ekzekutim edhe pse e vonshme kjo krahasur me vendet e tjera. Ka patur periudha kur violina u shndërrua në një instrument virtuoz masiv, ka qenë Liceu Artsitik ku programet dhe nivelet arritën majat. Sukseset e violinistëve jashtë Shqipërisë janë një tjeter tregues i shkollës shqiptare. Shqipëria ishte një vend i mbyllur, i izoluar ku mungesa e telave dhe parteve muzikore, kontakteve kontrastonte me programet që interpretoheshin. Përsa i përket studimeve ato janë të pakta, mendoj. Në Arkivën e shtetit kam gjetur në fondin e pasur të Lef  Nosit posterin e recitalit të parë në Shqipëri të vitit 1926. Është violinisti Ludovik Naraçi virtuozi që kish studiuar në Vjenë personazh i këtij zbulimi …Mendoj se është bërë pak për të patur studime të mirëfillta për violinën në Shqipëri. Kështu ka ndodhur dhe me repertorin e vjetër për violinë… Krijmtaria dhe interpretimi nuk janë gojëdhëna, mendoj se dokumentimi apo zbulimi i arkivave, i incizimeve, filmimeve është treguesi real i opinioneve të vërteta përtej thashethemnajave shqiptare… Është shumë e vështirë të jap opinione pasi i takoj një brezi që kam dëgjuar shumë pak interpretime dhe që të flasësh së pari duhet të kesh mundësinë të dëgjosh. Do të doja shumë të kishim mundësi të dëgjonim nëpërmjet dokumentimit e më pas të thelloheshim në studime të mirëfillta. Eshtë e vështirë të jap një përgjigje apo të klasifikoj emra, është si të shkruash një antologji letrare, kur nuk ke lexuar veprat… Është si të shkruash historinë… Violinistika meriton  ashtu si historia shqiptare një studim pa retushime, larg preferencave, përkrahjeve. Kam disa emra për të përmendur, po do të ishte e padrejtë të bëja klasifikime apo të harroja dikë. Interpretimi gjithashtu është subjektiv. Sot nëpërmjet teknologjisë ke mundësi të zgjedhësh, mendoj se e shkuara shqiptare meriton të shkruhet e vlerësohet me parametra profesionalë. Do isha kurioze të gjendej parti i pjesës së kompozuar dhe interpretuar nga violinisti Ludovik Naraçi në recitalin e parë shqiptar të vitit 1926, siç do kisha dëshirë të dëgjoja interpretimin e violinistit e pedagogut të njohur Genc Bogdo në konkursin e famshëm Cajkovski cituar nga një gazetë e kohës në Moskë… apo dhe shumë ngjarje të tjera të cilat duhet të gjenden, studiohen e dokumentohen. 

    A.D.: Nëse gjatë komunizmit, artet e tjera, letërsia ose piktura për shembull nuk kishin liri, ndodhte e njëjta gjë edhe me muzikën që ju luanit dhe studionit? Si e kujtoni gjithë atë periudhë që rastisi të jetë edhe e para në formimin tuaj, dhe nuk ju pyes veç për këtë arsye, por edhe ngase në vitin 2009 botoni esenë “Pak mall për socializmin”… Pse keni pak mall për të?

    I.K.: I përkas një brezi që e ka jetuar pak atë periudhë dhe kjo pjesë e ndalesës në interpretim e studim nuk ka ekzistuar. Mungesa e lirisë është e ndjeshme te krijuesit, kompozitorët mendoj. Për specifikat e saj, krijmtaria muzikore ka qenë më e mbrojtur edhe pse mungesa e kësaj lirie ka bërë që një pjesë e krijmtarisë muzikore të mbetet peng e asaj kohe, e një lloj krijmtarie të detyruar që sot mban aromën e politikës së asaj kohe. Për mua, një pjesë e krijmtarisë muzikore të asaj periudhe, mban deri diku aromën e Dekadave të Majit, ku veç krijmtarisë kishte edhe detyrim… Përsa i përket esesë, fraza “pak mall“ është në thonjëza, madje e thyer në kopertinë… Personazhi i esesë fatmirësisht kishte jetuar pak në socializmin e ëmbël, nëse mund ta quanim kështu, në qendër të Tiranës. Në fakt, eseja është një grafi e një sistemi, një grafi e socializmit. Ai sistem i trishtë do të linte gjurmë në mendimin, mentalitetin shqiptar dhe shumë më vonë. Ngjarjet e asaj periudhe ishin sa tragjike, po edhe komike ndonjeherë… dhe personazhi gjendur përtej Adriatikut duke parë përtej dritares së klasës në shkollën e famshme të artit me studentë nga gjithë bota një degë hurme mendon sa e vëshirë do të ishte t’u shpjegonte bashkëmoshtarëve të tjerë atë pjesë të socializmit që ajo kishte jetuar, ndonëse fatmirësisht pak. Dhe fillon kujton me sens ironie e humori ngjarje, episode, ide, parulla, nga mënyra e të menduarit e deri tek ajo e veshjes. Eseja u vlerësua për stilin dhe faktin se ishte shkruar nga dikush që nuk e kishte jetuar shumë atë kohë, po ndërkohë e pasqyronte të plotë.  Nuk është mall, përkundrazi është një panoramë e asaj kohe, janë përjetime, opinione, është mungesa e lirisë e ndjerë që fëmijë në ato organizime që quheshin Dekada e Majit, ku shpesh duhet të qëndroje në orkestër për të shoqëruar talente të tipit i “biri“,  “e bija“… fenomen që edhe sot përsëritet në botën muzikore shqiptare.

    A.D.: Duke pasur parasysh librin tuaj të botuar më 2012, “Rrëfim në tre kohë“, dua t’ju pyes për dinamikën e padrejtësisë me bazë gjinore në fushën e artit. Si ka ndryshuar përgjatë viteve dhe, mendoni se jemi në një pikë kur kjo tematikë tanimë është tejkaluar?

    I.K.: “Rrëfim në tre kohë“ pasqyron tablonë e tre kohëve të realitetit shqiptar, duke pasqyruar historitë e tre personazheve femra në art. Nuk mendoj se i referohet vetëm padrejtësisë me bazë gjinore; në të shpalosen disa fenomene që kanë të bëjnë me faktin sesi e shkuara ndikon në një periudhë lirie edhe pas dekadash. I referohet  në pjesën e parë një ditari të nxënëseve të shkollës së Dakos, për të theksuar rolin e madh të motrave Parashqevi dhe Sevasti Qiriazi dhe kësaj shkolle që ngjante me një oazë qytetërimi në Shqipërinë e prapambetur… Personazhet në libër janë reale ashtu si dhe ngjarjet.  Është mentaliteti i së shkuarës i cili pavarësisht kalimit të dekadave, ruan grimca e trajta të kohëve të largëta, reagime që janë më të ndjeshme në fushën e artit. Sot, tashmë jo vetëm si violiniste po edhe si krijuese dhe interpretuese, jam njohur me të tjera eksperienca. Duhet theksuar se në disa profesione në botën e artit muzikor, prezenca femërore ka qenë e munguar. Kjo mungesë është shfaqur  për shumë kohë në Orkestrën e Koncertit të Vitit të Ri në Vjenë, gjithashtu  dirigjentet e kompozitoret femra janë më të rralla. Nëse edhe dirigjentet femra i sheh gjithnjë e më shpesh në skena të rëndësishme, fakti se festivalet që nxisin dhe inkurajojnë krijmtarinë e femrave kompozitore janë më shumë nga Hartfordi tek Swiss Female Composer, nga Amerika e vende të tjera tregon se krijmtaria e femrave kompozitore ndesh sërish edhe sot në vende tejet demokratike e të zhvilluara me pengesa artificiale. Festivali i Hartfordit publikon shifra, statistika se sa përqind e krijmtarisë së femrave kompozitore interpretohet në kontinente të ndryshme. Dhe kur flasim për këtë krijmtari, personazhet janë personalitete që drejtojnë në universitete, që kanë studiuar në shkollat më të mira, vlerësuar me çmime e njohje të aftësive e talentit. Kur Hardfordi me tradita të vjetra, kur këto shtete me këtë zhvillim i japin rëndësi këtij problemi, imagjinojmë çfarë ndodh në Shqipëri, ku numri i femrave kompozitore është thuajse i barabartë me atë të notave muzikore!

    A.D.: Keni qenë shumë e pranishme në shtypin e shkruar, prani e cila edhe është vlerësuar nga Unioni i Gazetarëve. Kjo është një pyetje që e bëj shpesh: Sa të dëmshme e shihni periudhën e sotshme kur gazetat janë mbyllur dhe debati publik është reduktuar në platformat sociale me statuse e kundërstatuse?

    I.K.: Prezenca në shtypin e shkruar është një përvojë e bukur, publikimet në shtypin e shkruar kanë një efekt të fuqishëm. Kujtoj emocionin kur u botua shkrimi i parë në faqen e parë… më pas vlerësimin nga Unioni i Gazetarëve, një ngjarje e rrallë për mua. Publikimi i një shkrimi tjetër do të më gëzonte pa masë … Shkrimtari i madh, njeriu i letrave kishte kërkuar të më takonte… Kjo histori meriton një shkrim të gjatë; e përmenda si homazh në kohën e sotme, për të treguar fuqinë e shkrimeve dhe sa e dëmshme është që këtë fuqi ta marrë kushdo në rrjetet sociale. Mendoj se gazetaria ka lavdinë e saj, atributet, profesionalizmin, të cilin fatkeqësisht në kohën e sotme ia cënon teknologjia. Ajo teknologji që na mundëson të komunikojmë më gjithë botën, kufizon një profesion që nuk mund të realizohet vetëm nëpërmjet teknologjisë. Liria është një e drejtë e jashtëzakonshme, por përdorimi në rrjetet sociale, përdorimi i fjalës, mendimit dhe e drejta e gjithkujt për të gjykuar fenomene, ngjarje e ca më keq individë më duket absurde. Rrjetet sociale janë shpesh promovuese jo vetëm të amatorizmit, të të zakonshmes, ato këmbëngulin duke krijuar imazhe të rreme. Nuk i referohem fotove, trukimit të imazhit, ndalem në imazhe të rreme personalitetesh, muzikantësh, debatesh të cilat degjenerojnë dhe i marrin gazetarisë atë të drejtë unike të gjykimit me profesionalizëm. Në rrjetet sociale shpalosen poetë, artistë, që ngrihen në piedestale nga zëri i masës dhe heshtja jonë…

    A.D.: Kanë kaluar disa vite nga libri juaj i fundit. Pse një shkëputje kaq e gjatë? Keni në plan t’i riktheheni tani së afërmi?

    I.K.: Libri i fundit ka qenë një përmbledhje  shkrimesh që e kam titulluar 31 Capriccio artistike, botuar në 2022, gjithsesi përmbledhje… Mendoj se tashmë me botimet muzikore, disa pjesë që presin të publikohen, jam pranë botës së librit… Ideja e një libri të ri është vërtet e bukur, pengohet  vetëm nga faktori kohë për shkak të impenjimeve si krijuese dhe interpretuese. Ndërkohë dëshira për të bashkëpunuar me botën e njerëzit e letrave është e fortë… Ndoshta… Ndonjëherë mjafton një pyetje, një intervistë…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË