More
    KreuMuzikëIna Kosturi: “Kodaly String Duo”

    Ina Kosturi: “Kodaly String Duo”

    Libraritë në Tiranë të krijojnë një ndjesi të këndshme në atë labirint të pafund titujsh, emrash, veprash që duket sikur fshehin mes fletësh misteret e botës. Mes raftesh si stoli zbukurimi qëndrojnë botimet e arteve pamore, albumet me veprat e artistëve të famshëm, ku fjala dhe tablotë gërshtohen në një përmbledhje magjike. Partet muzikore, revistat për muzikën klasike mungojnë në Tiranën kryeqytet, ndërsa ideja se në “Exlibris” mund të shkruaja dhe për të, si në një oaz paqeje rrethuar me letërsi, më largoi nga ajo mungesë serioze muzikore, madje dhe nga kritika e ftohtë, koncize, nga ndjesia e të qënit kronikane e shfaqjeve muzikore. Letërsia, kjo shpëtimtare i gjendet pranë muzikës, i gjendet pranë ndjenjave të personazheve të ngjarjeve muzikore, që si partiturat e pakuptuara, mbeten të pashprehura. Ndërsa pranë letërsisë mund të shkosh thjesht, nëpërmjet rrëfimit.

    Kohë më parë, violinistja e famshme, pedagoge në konservatorin “Cherubini”, më kish mahnitur me debutimin e saj. E kisha ndjekur në tri mbrëmje në koncertet në Chiesa “Dante”… Më shumë më kish bërë përshtypje fakti se gjatë tri koncerteve interpretonte të gjithë “Sonatat e Partitat” e Bach-ut, bashkë me ca solo të tjera për violinë. E mbaronte së interpretuari partin shqiptar “ngjyrë rozë”, që për shumë vite edhe pas ndryshimit të regjimit, do mbetej si parti me të cilin studioheshin solot e famshme të Bach-ut në Shqipëri. Më vonë ky impresion do më frymëzonte të krijoja një aktivitet të quajtur “maratonë”. Edhe pse më pas ky term u përdor në lloj- lloj koncertesh, sportive e popullore, maratona modeste, e shndërruar në “Maratona e muzikës violinistike” nga viti në vit u formësua si një festival që sillte herë një koncert të vetëm me shumë pjesë, kryesisht solo, duo, herë disa koncerte ku përfshihej orkestra dhe premiera të krijmtarisë botërore. Veprat e vjetra shqiptare si sonata e Fan Nolit, vallet e Thoma Nasit, nokturni i Kostandin Papajorgjit, vepra të Lec Kurtit, që përbënin dhe pjesën e vjetër historike të repertorit të panjohur për violinë, u bënë pjesë e edicioneve të maratonës. Faktori i jashtëm do ndihmonte si gjithmonë, me partet që erdhën nga Biblioteka Noliane në Boston, bekimi për aktivitetin, rrethuar me vëmendjen e spikatur të gazetarisë kulturore shqiptare në ato kohë të arta të saj, kur gazetaret qëndronin pas studiove muzikore për të dëgjuar meloditë e veprave. Maratona u shndërrua në një tribunë të pjesëve të vjetra për violinë, të përkujtimit të personaliteteve që kohë më vonë do bëheshin personazhe nderimi nga institucionet më të larta të shtetit shqiptar. Interesante ishte gjetja në Arkivin e Shtetit e një flete të vjetër koncerti. Në fondin prej 12 000 faqesh të firmëtarit të Pavarësisë Lef Nosi, Ministër i Postë Telegrafave në 1912, koleksionist i shquar, u gjet fleta e rrallë, dëshmi e një koncerti recital për violinë e piano që mban datën 3 dhjetor 1926, me shkrimin e plotë, (në Sallën Theater Nacjonal, Tiranë, te premten me 3 Dhetuer 1926, n oren 15). Ky fakt i panjohur, kjo afishe e ruajtur mes të tjera dokumentave me emrat e dy solistëve, violinistit shqiptar Ludovik Naraçi diplomuar në Vjenë dhe pianistit Emanuel Scharfberg, profesor në Konservatorin e Vjenës duket se shënoi një datë të re në historinë e muzikës shqiptare. Viti 1926 u pagëzua si viti i recitalit të parë në Shqipëri, bashkë me të përforcoi ndikimn e fuqishëm që Konservatori i Vjenës pati në përparimin dhe hapat e parë të muzikës klasike tek ne. Është vetëm një fletë programi e vitit 1926, dhe çdo detaj përbën fakt, bashkë me emrat e kompozitorëve të mëdhenj, duke veçuar dhe austriakun Fritz Kreisler, duke theksuar rolin e Austrinë, si përkrahëse të përparimit shqiptar në gjithë fushat. Gjithashtu dhe pjesa e kompozuar e interpretuar nga vetë violinisti sipas afishes, edhe pse akoma deri sot e panjohur duket intriguese. Për artistët, shkrimtarët, historianët, muzikantët e gjithë botës kryeqyteti i Vjenës është simbol i frymëzimit dhe përparimit. Në momentet më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë si shpallja e Pavarësisë e deri në vitet e diktaturës, Vjena herë nëpërmjet politikës e herë mes tingujve të sallave madhështore nëpërmjet valseve e muzikës, kolosëve të saj, u ka dërguar shqiptarëve sinjalet e fisnikërisë dhe zhvillimit, dje dhe sot. Si pjesë e “Maratonës Violinistike “, aktivitet që në ecicionet e fundit do bashkonte të huaj të suksesshëm për të interpretuar dhe muzikën shqiptare, aktiviteti i ” Kodaly String Duo Wienna” do shndërrohej në evenimentin e edizionit të 11. Violinisti Sebastian Leczky ishte bërë pjesë e Maratonës 2022, apo “Violinistic greetings”, siç është titulluar së fundmi aktiviteti, pasi në poster portreti i çdo artisti u vendos në një kartolinë me pamje të shtetit që përfaqësonte. Interpretoi një Capric për violinë solo, kompozuar për të, frymëzuar nga loja në një konkurs të rëndësishëm ndërkombëtar. Mendoja se isha frymëzuar nga gjithë panorama muzikore vjeneze, ndërsa Sebastiani gjente në të, ritmet e frymëzimin shqiptar! Ndërkohë Kodaly String Duo më tërhoqi vëmëndjen për publikimet në prestigjiozet “Strad Magazin” e “Violin Channel”. Formacioni interesant e i rrallë i vëllezërve Leczky, Sebastianit në violinë dhe Marcelit në violonçel ishte bërë pjesë e tribunave muzikore botërore për përkushtimin ndaj muzikës klasike e asaj kontemporane, dëshirën për ta ndryshuar botën nëpërmjet muzikës, për të përfaqësuar dhe popullarizuar zhanrin e duo-ve me harqe dhe për ta sjellë performancën e tij në nivelin më të mirë. Të njohurat “Konzerthaus Klagenfurt”, “Wiener Mozarthaus” dhe “Musikverein Vjenë” janë një pjesë e sallave ku interpreton Kodaly Duo, krahas transmetimeve radiofonike e televizive. Prej tre vitesh Sebastiani u bë pjesë e programit të “Filarmonisë së Vjenës” dhe “Prima la Musica Wien,“ për mbështetjen e artistëve e rinj më të talentuar në Austri, ndërsa çmimet prestigjoze të Marcelit violonçelist, projektet, interpretimet, sallat, behen akoma më me vlerë, për faktin se ata janë akoma studentë ! Vjeshta e 2022 e kish gjetur Sebastianin në Amerikë, si student me bursë të plotë pranë pedagoges e violinistes së famshme Ida Bieler (University of North Carolina, School of the Arts), violinistes që Krzysztof Penderecki, kompozitori i madh polak i kish besuar premierën e koncertit të tij për violinë! Kështu “Caprici për violinë solo” u bë pjesë e programit të koncertit të studios së violinistes së famshme Ida Bieler, duke përfshirë muzikën shqiptare krahas emrave më të njohur të kompozitoreve femra në programin e koncertit, si Lili Boulanger, e para kompozitore femër franceze që merr çmimin e kompozicionit në Romë (1893-1918) Florence Price (1887-1953), ose Grazyna Bacewicz (1909-1969 ) kompozitorja e dytë polake e njohur ndërkombëtarisht … Marceli, violincelisti i talentuar me tingullin mbreslënës vazhdon studimet master në Universitetin e Muzikës Graz (University of Music and Performing Arts) Austri, ndërsa koncerti në Tiranë, që bashkoi vëllezërit apo “Kodaly String Duo” në një koncert në Universitetine Arteve, më shumë se një koncert i nivelit të lartë është një model frymëzimi për studentët shqiptarë të Univertitetit të Arteve. Vepta e Kodaly, krahas veprave të tjera impenjative ishte pjesa kulmore e koncertit, ndërsa përtej një analize, misioni i tyre ishte frymëzim për të rinjtë shqiptarë. Workshopi i zhvilluar me studentët e violinës e violonçellit ishte një mesazh për përpjekje e studim, eksperiencë e talent. Si ambasadorë të mjeshtrave të muzikës, formacionit të duos, vëllezërit Leczky do shndërroheshin në ambasadorë të muzikës shqiptare. Koncerti në Mynih të Gjermanisë pas atij në Tiranë do përfshinte sërish në program muzikën shqiptare. Koncerti në Tiranë ishte pjesë e Maratonës Violinistike, mbështetur nga Ambasada Austriake, ndërsa më tej kjo lidhje e Vjenës, Austrisë në muzikën shqiptare pasurohet nga ngjarjet artistike e personale si një lidhje e veçantë e mbresëlënëse. Ashtu si në recitalin e parë, Vjena dërgon mesazhe bashkëpunimi, vlerësimi e krenarie, që qëndrojnë në heshtje si përjetime të rralla, pentagrame e partitura të pashprehura, derisa letërsia, kjo shpëtimtare e mendimeve dhe ndjenjave na frymëzon e zbulon heshtjen, duke pritur zgjimin e kritikës muzikore shqiptare.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË