More
    KreuIn memoriamIN MEMORIAM: HASAN HASANI - Vepër e krijuar me përkushtim dhe...

    IN MEMORIAM: HASAN HASANI – Vepër e krijuar me përkushtim dhe në heshtje

    Hasan (Malë) Hasani (1947 – 2020) na la trashëgim një varg veprash letrare me vlerë, sidomos disa nga kurorat sonetike (akrostikë) të hartuara me dije e përkushtim, ku vështron poetikisht disa nga figurat më të rëndësishme të botës sonë.

    Kjo krijimtari, e filluar në vitin 1967 kur botoi librin e parë me poezi “Krojet e bardha”, pasurohet më shumë të tjerë në vazhdimësi, për të mbërritur rrafshin mjaftë të lartë me veprën e botuar në fillim të këtij viti “Mirditë dhe mirditorë” (Faik Konica, Prishtinë 2020), ku autori dëshmoi mirëfilli botën e vet poetike.

    Një vepër tjetër e rëndësishme e Hasanit është “Leksikoni i shkrimtarëve shqiptarë 1501 – 2001” (i ribotuar disa herë, ku i gjejmë të dhënat për 2600 shkrimtarë tanë), i vetmi i tillë i bërë dhe i botuar deri më sot në botën tonë.

    Hasani ishte një gjurmues i zellshëm i teksteve të shkrimtarëve të traditës, që përligjet sidomos me botimin e veprës komplete të Ernest Koliqit (në gjashtë vëllime) dhe të librit më vete “Dy shkollat shkodrane”.

    *

    Kush e ka përcjellë nga afër veprimtarinë letrare të shkrimtarit Hasan Hasanit s’ka asnjë dyshim të thotë se ajo u krijua në vijimësi, me përkushtim dhe në heshtje; larg zhurmës dhe interesave grupore.

    I përvuajtur dhe i pathyeshëm përballë vështirësive, ai ishte i vetvetes dhe me forcat vetanake ia doli të hartonte dhe të botonte një varg veprash letrarë të llojeve të ndryshme, për fëmijë dhe të rritur, që ndriçojnë botën tonë dhe botën e tij të brendshme.

    Veprimtaria e Hasanit shtrihet në tri degë kryesore: a) vepra në fushën e poezisë dhe të prozës, b) vepra të karakterit publicistik dhe c) puna në revistat letrare “Jeta e re”, “Fjala”, “Pionieri” etj.

    Në fushën e poezisë dhe të prozës,  për fëmijë dhe të rritur, Hasani Hasani botoi një varg veprash me vlerë, që përligjet dhe nga kompleti i veprave të tij në 15 vëllime, të botuar më 2018 e të promovuara në shtëpinë e Kulturës në Gjakovë.

    Poezia dhe proza për Hasnin ishin dy mënyra të të shprehurit, dy mundësi për të shqiptuar botën që e rrethonte, dukuri nga rrjedha e njeriut tonë nëpër kohë, po dhe shqetësimet e brendshme dhe dhembjen e tij, që përligjet në forma të ndryshme në veprat që i botoi.

    Në poezi Hasan Hasani u nis nga poezia e traditës, nga poezia e Mjedes, e Camajt etj., po me kohë kërkoi dhe përdori forma të tjera, që afroheshin dhe përkonin me poezinë bashkëkohore në ish Jugosllavinë dhe në Evropë.

    Në mënyrë të veçantë e përdori kurorën sonetike (akrostikun), ku vështroi e shprehu poetikisht disa nga figurat më të rëndësishme të botës sonë letrare e kulturore. Të përmendim këtu kurorën sonetike kushtuar Buzukut, Bogdanit, Hasan Prishtinës, Nënës Tereze etj.

    Në këto krijesa poetike Hasani përdori një shumësi figurash poetike dhe tablo të lartësuara; hartoi vargje me përkushtim, nga dalin kuptime shumësore, që janë cilësi e teksteve poetike.

    Hasani botoi dhe disa libra me poezi haiku, formë që kërkoi njohje të këtij lloji dhe aftësi për ta hartuar.

    Në fushën e prozës Hasani botoi disa përmbledhje me tregime dhe romane. Në to ai përdori një rrëfim kryesisht të mbështetur në rrëfimin e traditës sonë gojor, por të pasuruar me rrëfimin e shkruar të traditës sonë dhe të traditave të tjera letrare në prozë.

    Në të gjitha këto vepra Hasani e vështroi, nga rrafshe e aspekte të ndryshme, botën tonë dhe njeriun tonë; përmes rrëfimit ndriçoi dukuri shoqëror e plagë; shqetësime dhe tragjika në periudha të ndryshme, sidomos të jetës së shqiptarëve në ish Jugosllavinë.

    Si shkrimtar Hasani krijoi dhe një varg veprash për fëmijë dhe të rinj në dy llojet kryesore: poezi e prozë. Në to dëshmoi aftësinë që tekstin dhe mënyrën e shtjellimit, gjuhën dhe stilin t’ia përshtatë moshës së lexuesit, kryesisht nxënësve për të cilët dhe qenë shkruar.

    Ai bëri dhe një punë për shumëçka të rëndësishme në përgatitjen e veprave të disa shkrimtarëve tanë të traditës: Ernest Koliqit, Nermin Vlora Falaskit, Musine Kokalarit; përgatiti numra tematikë të revistës letrare “Jeta e re” për Ernest Koliqin, Nermin Vlorën, Musine Kokalarin, Mehdi e Mithat Frashërin, Vinçenc Prenushin, Azem Shkrelin, Beqir Musliun etj.

    Një punë sa me vlerë aq dhe të rëndësishme Hasani bëri dhe në revistat “Jeta e re”, “Fjala”, “Shkëndija” e sidomos “Pionieri” ku kreu punën e bashkëpunëtorit, të redaktorit dhe (për shumë vite) ishte kryeredaktori i “Pionerit”.

    Përmbledhja e fundit me poezi e botuar me titullin të rrallë e simbolik “Mirditë e mirditorë”, është dëshmia dhe testamenti i tij kryesor poetik.

    Dhe vetëm ky libër do të mjaftonte që Hasan Hasani t’i ketë siguruar vetes një vend me rëndësi në letërsinë tonë.

    Vepra që na e la trashëgim Hasan Hasani e bën atë të pavdekshëm.

    ANTON NIKË BERISHA

    IBRAHIM KADRIU

    SABIT RRUSTEMI

    Prishtinë, më 3 dhjetor 2020

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË