“Shqipëria, ky vend që sot shumë të rinj as që e kanë dëgjuar, dikur në kohën tonë, ka qenë “Fanar ndriçues në Europë”. Një vend i vogël, me popullsi rreth dy milion banorë, por që në sytë dhe zemrat e popullit kinez në atë kohë ishte një hero i fuqishëm, vëllai ynë më i ngushtë ndër gjithë vëllezërit”. Kështu e fillon shkrimin e tij “Bota e Trillimit (ose Romanet e Ismail Kadaresë)” Zhang Ning, botuar në një gazetat më mëdha kineze “Nanfang zhoumo-South Weekend”. Por, vazhdon shkrimi, në mesin e viteve 70-të, këto ndjenja vëllazërore sikur u zhdukën pa kuptuar, deri sa një ditë dy vendet u prishën me njëri-tjetrin. Por megjithatë, si në atë kohë apo tani, lexuesi kinez shumë pak ishte njohur me letërsinë shqiptare. Deri sa befas “Shqipëria nxori Kadarenë”. Lajmi u përhap vrullshëm si flakët e zjarrit e vuri menjëherë në lëvizje botuesit. Fillimisht ishte shtëpia botues Chongqing e cila botoi njërin pas tjetrit tre vepra të tij “Prilli i Thyer”, “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” dhe “Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave”. Më pas në vitin 2012, një tjetër shtëpi botuese në Guangzhou botoi “Darka e gabuar”, “Kronikë në gur” dhe “Kush e solli Doruntinën”.
Nuk ka dyshim se Kadare është shkrimtari më i njohur dhe më i vlerësuar shqiptar në Kinë. Deri tani janë rreth 15 vepra të tij të përkthyera dhe botuara në Kinë, dhe për më tepër botimi i çdo libri shoqërohet me kritika letrare profesionale dhe shkrime reaguese të admiruesve të shumtë të Kadaresë në këtë vend.
Në fakt, siç thuhet edhe në shkrimin e “Nanfang zhoumo”, lexuesit kinezë janë takuar me Kadarenë shumë më herët. Në vitin 1963 kur ai botoi romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, në Kinë, atëherë një vend i lidhur me miqësi vëllazërore me Shqipërinë, u fol shumë për Kadarenë, vetëm se “propaganda jonë për të anonte më shumë nga lirikat e tij politike, kështu që kur emri i tij kishte arritur në zenit, nga dy identitetet e tij – atë të romancierit që eksploron historinë kombëtare dhe të poetit – gjuha kineze zgjodhi njërin prej tyre”.
Romani i parë i Kadaresë u botua në Kinë në fillim të viteve 90-të, i përkthyer direkt nga gjuha shqipe nga albanologu dhe përkthyesi i njohur Zhen Enbo. Por Kadare fitoi famë sidomos pas vitit 2005 kur ai meritoi Çmimin Ndërkombëtar Man Booker, duke ngjallur interesimin e shtëpive botuese në Kinë, njëra prej të cilave, Shtëpia Botuese Chongqing mori të drejtat e botimit të disa veprave të Kadaresë nga frëngjishtja.
Kritika letrare kineze i vlerëson romanet e Kadaresë si të një lloji tjetër, ku secila prej tyre sjell për lexuesit një botë surreale, të çuditshme. “Është diçka”, thuhet në shkrimin e gazetes kineze, “që nuk e gjejmë tek shkrimtarët modern kinezë si Yang Qing, Yang Mo apo Liangbin, por që gjithashtu nuk ka të bëjë as me imagjinatën krijuese të shkrimtarëve të Europës Lindore, me të cilën është mësuar lexuesi kinez”.
Autori i shkrimit ndalet tek romani “Kush e solli Doruntinën”, duke theksuar se, kjo vepër u botua në vitet ’80-të, periudhë kur Shqipëria ishte ndarë tashmë nga Kina dhe kishte zgjedhur të izolohej përfundimisht nga bota. Është ndoshta kjo arsyeja që kritikët perëndimorë nëpërmjet saj lexuan mendimin e Kadaresë për të kundërshtuar gjendjen aktuale të vendit me anë të legjendave të moçme. Ndërsa për lexuesit kinezë me një eksperiencë historike të ngjashme, natyra politike e këtij romani sigurisht që nuk është ballafaqimi politik, nuk është po ashtu konfrontimi politik mes individualizmit dhe kolektivizmit, por është përplasja mes “besëtytnisë” (fantazmës) dhe “arsyes”. Sigurisht shkruan autori, Kadare qëndron në anën e “besëtytnisë”, që do të thotë në anën e partisë, pasi “arsyeja” përfaqësohet nga Bizanti, nga ai Klan ndërkombëtar që lakmon Shqipërinë.
Kina dhe Shqipëria, shkruan më tej autori, gjatë historisë së tyre kanë përqafuar rrugën e vetme të “realizmit socialist” , si e vetmja mënyrë krijuese. Ndërsa në Kinë u arrit që nëpërmjet lëvizjes së “Letërsisë avangardë” të përdorej dhe legalizohej teknika e përshkrimit të tipit “labirint artistik”, tek Kadareja kjo teknikë ishte e lindur, madje ishte e tejet e thjeshtë dhe tërheqëse, ndryshe nga shumica e letërsisë avangardë në Kinë e mbushur me gjurmë artificial dhe thirrje hipokrite ankuese. Kjo sigurisht krijoi hapësira të gjëra për Kadarenë për të nxjerrë në pah panoramën historike të Shqipërisë dhe historinë e shpirtit kombëtar.
Ndërsa “Wenxuebao (Gazeta Letrare)”, një nga botimet më serioze në fushën letërsisë, me rastin e botimit të “Murit të Madh” të Kadaresë, boton shkrimin me titull “Ai është një nga më të nominuarit për Çmimin Nobel”.
Shkrimi evidenton faktin se Kadare është fitues i Çmimit të parë Ndërkombëtar për Letërsinë Booker, në një listë konkurruese me autorë të famshëm botërorë, si Garsia Markez, Gunter Glas, Milan Kundera, Kensaburo Oe, etj., si dhe thekson se Kadare është kandidati më i nominuar për Çmimin Nobel si dhe një nga emrat më të ndritur të Shqipërisë së sotme. Gazeta citon kryetarin e Komisionit të Çmimit Booker, profesorin e Universitetit të Kembrixhit, John Carey, i cili thotë se, Kadare është “Një shkrimtar i rangut botëror, i cili ndjek traditën narrative që mund të gjurmohet që nga Homeri”.
Kadare, vazhdon shkrimi “Wenxuebao”, është mjeshtër i temave të historisë, veprat e tij mbështeten tek historia antike për të treguar të sotmen. Shkrimi merr si shembull veprat e tij , si “Daullet e shiut”, “Ura me tri harqe”, “Prilli i Thyer” dhe “Piramida”, në të cilët autori gjithmonë rrëfen ngjarje të kaluara duke aluduar për ngjarje aktuale.
“Muri i Madh” që ne po rekomandojmë për lexuesit, thuhet më tej në shkrim, është një volum me tre novela të Kadaresë, “Muri i Madh”, “Qorrfermani” dhe “Vajza e Agamemnonit”. Novela e parë zhvillohet rreth një nëpunësi të Dinastisë Ming dhe një ushtari mongolez në dy anët e Murit të Madh; sfondi i novelës së dytë zhvendoset tek reformat e Perandorisë Osmane, ndërsa “Vajza e Agamemnonit” përshkruan Shqipërinë reale të viteve 80-të të shekullit 20-të. Fabula e gjithë librit sillet e mbështillet në një labirint fin e unik, dhe ngjan me një përrallë të zezë të mbushur me absurdin dhe metaforën. Gazeta ka zgjedhur edhe një fragment nga ky libër, të cilin e boton në faqet e saj.
Ndërkoh gazeta “Xinjingbao”, boton shkrimin “Kamarja e Turpit: Vendosmëria për të rikthyer Shqipërinë e vërtetë”, në të cilin vë në dukje se veprat e shkrimtarit shqiptar, të njohura në të gjithë botën, dallohen për ironinë e hollë dhe vështrimin kritik, madje shumë prej tyre për periudha të ndryshme kanë qenë edhe të ndaluara. Më tej, duke u ndaluar tek marrëdhëniet e Kadaresë me vendin e tij, thekson se Kadare në vazhdimësi e ka ngritur zërin dhe ka punuar për një Shqipëri të sigurt e të begatë. Kështu në vitin 1999, gjatë bombardimeve në Kosovë, u angazhua personalisht duke marrë një tur vizitash, duke i shkruar letra presidentit amerikan, duke bërë thirrje për të shpëtuar kombin shqiptar. Por edhe ai nuk i ka shpëtuar lidhjes me politikën, që shpesh e ka detyruar atë të përballojë një peshë të madhe dhe lexuesit të lexojnë mes rreshtave. Kjo sigurisht që bie ndesh me pritjet e një shkrimtari të mirë për veprat e tij, por shton artikulli, nuk çudi që Kadare ashtu si Kundera e urrente politikën – A mund të flisni për anën artistike të veprave të mia!
Ndërsa Faqja zyrtare e shkrimtarëve kinezë boton një shkrim të Shi Xuebao me titull “Ura me tri harqe e Kadaresë: Ndryshimet në botë paralajmërohen nga kjo urë”.
Nëse kjo urë prej guri në këtë roman është e vërtetë, shkruan artikulli, atëherë çfarë përfaqëson ajo? Çfarë ka dashur të shpreh ky roman? Përgjigjen për këtë pyetje të hapur, autori e jep nëpërmjet gojës së personazhit kryesor fratit Gjon: “Gjithçka e bëj nga dashuria për këtë tokë”. Me shumë gjasa kjo urë i referohet Shqipërisë, këtij vendi mes Lindjes e Perëndimit që po përjeton ndryshime historike. Ashtu si ura, edhe Shqipëria ka nevojë për një flijim, në mënyrë që historia të mos fshihet dhe e vërteta të mos shtrembërohet. Kadare me shumë mund e dhimbje rimbjell në truallin modern legjendat e lashta, dhe qëllimi i tij ndoshta është të përshkruajë një Shqipëri të vërtetë, të zhveshë popullin dhe historinë e tij nga vello e miteve dhe t’u kthejë fytyrën origjinale. Koha rrjedh, bota ndryshon, por është kjo urë që i paralajmëron ato. Kadare me penën e tij ndërton këtë urë dhe regjistron historinë e Shqipërisë, thuhet në shkrimin e botuar në Faqen zyrtare të shkrimtarëve kinezë.
Faqja e Shanghai Mediao Group i kushton një album me fotografi 80 vjetorit të lindjes së Ismail Kadaresë. Një përshkrim mjaft interesant i kushton ajo stilit artistik të shkrimtarit. Kur Kadare rrëmben penën, shkruan artikulli i saj, duket sikur ndjen erën e ftohtë të veriut. Ai shquhet sidomos për përshkrimin e atmosferës vdekatare. Në ato kohë të lashta dhe jo shumë të lashta, kur vetëdija ende nuk kishte lëshuar embrion tek njerëzit dhe sa here që ngrinin kokën shikonin perënditë që endeshin në qiell. Kur lexon romanet e Kadaresë nganjëherë të duket sikur po lexon Dhjatën e Vjetër, dhe ke parandjenjë se diçka e keqe do të ndodhë. Përshkrime e tij janë si pikturat e impresionistëve, produkte të ndjenjave personale, shpesh shtypëse. Në romanin “Kronik në gur”, Kadare flet për Gjirokastrën, këtë qytet me shtëpi të vjetra prej guri, ku rrugët, shatërvanët e deri çatitë e shtëpive janë të veshura me pllaka guri ngjyrë gri, si luspa gjigande. “Vështirë të imagjinohet se poshtë këtyre pllakave të rënda ekziston jeta e brishtë dhe rriten brezat e ardhshëm”.
Përkthimi dhe botimi i veprave të Kadaresë në Kinë vazhdon të ngjallë interes gjithnjë e në rritje tek lexuesit e këtij vendi të madh. Për fat keq për shkak të të drejtave të autorit, shumica e romaneve të tij janë përkthyer nga frëngjishtja apo anglishtja dhe vetëm dy vepra janë përkthyer nga origjinali, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, nga albanologu Zhen Enbo dhe “Aksidenti” nga Chen Fenghua, shefe e Katedrës së Gjuhës Shqipe në Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit. Sidoqoftë shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare ka zënë tashmë vendin e merituar në bibliotekat e lexuesve kinezë, krahas shkrimtarëve më të mëdhenj botërorë.