More
    KreuLetërsiShënime mbi libraIlirjan Gjika: “Ikona e Plagosur” - Një vështrim mbi romanin e Mira...

    Ilirjan Gjika: “Ikona e Plagosur” – Një vështrim mbi romanin e Mira Meksit

    Figura e Skënderbeut ka qenë gjithmonë një subjekt i lakmueshëm për letërsinë me karakter historik. Për të kuptuar një gjë të tillë mjafton të përmendim dhjetra autorë të ndryshëm, të rinj apo të vjetër, shqiptarë dhe të huaj. Ndërkohë, në këtë hulli nuk mund të mungonte edhe një emër i njohur dhe i spikatur në letërsinë e sotme shqipe. Bëhet fjalë për shkrimtaren Mira Meksi dhe romanin e saj të fundit ‘’Ikona e Plagosur’’. I publikuar në nëntor të këtij viti në Panairin e 28 të Librit ‘’Tirana 2025’’, ky botim që tashmë ndodhet në duart e lexuesit konsiderohet si një sfidë më vete. Një gjë e tillë për faktin e thjeshtë se letërsia memoristike kërkon krahas punës krijuese edhe një studim të thelluar të historisë, jetës dhe veprës së personazheve që trajtohen. Biles, romani historik mbart në vetvete edhe një risk të madh sepse lexuesi përpara se të marrë në dorë librin, ka krijuar tashmë idenë dhe steriotipin mbi ngjarjet dhe subjektin. Në këtë rast, jo pa qëllim autorja përpiqet ta parapërgatisë publikun qysh në parathënie se për të shkruar këtë libër, përveç studimeve apo udhëtimeve njohëse dhe gjurmuese në arkiva, ka zhvilluar edhe një sërë bisedash të gjata shpjeguese me historianë dhe studjues të fushës. Ndërkohë një shembull tregues në këtë rast është edhe shënimi dedikues kushtuar Ismail Kadare, një prej autorëve që ka trajtuar gjerësisht në veprat e tij historinë e Shqipërisë. Njëlloj si shkrimtari ynë i shquar që te romani me të njëjtin emër, vendos ‘’kështjellën’’ në qendër dhe rreth saj trajton figurën e Skënderbeut, ashtu edhe Meksi ndjek pothuaj të njëjtën rrugë. Në rastin tonë ajo vendos  “Ikonën e plagosur” të Donika Kastriotit në qendër të veprës së saj. Ndërsa, duke alternuar artistikisht rrëfimin, kronikën, romancën dhe elementë të fiksionit apo dhe trillerit, ndërton një histori të plotë për Skënderbeun dhe Kastriotët. Ngjarjet e romanit zhvillohen përgjatë viteve 1997-1999 në një hapësirë të gjerë gjeografike ku përfshihen Ballkani, gadishullin Apenin dhe ai Iberik. Gjithshka fillon në një shtëpi të vjetër në qytetin e Vlorës, ku historiani medievist dhe profesori Arbër Isaia, përjeton romancën e dashurisë së tij me studenten e sapodiplomuar Nora Mollosaka. Pikërisht këtu, në shtëpinë e stërgjyshit të tij, At Isaisë, një prifti të njohur ortodoks, Arbri dhe Nora do të bëjnë një zbulim të papritur. Në baulen e madhe të klerikut erudit, midis librave kishtarë, dorëshkrimeve dhe kryqit të madh të meshimit, ata do të gjejnë edhe miniaturën e një objekti të panjohur. Bëhet fjalë për ikonën e ‘’Shën Mërisë së Strehës së Mëkatarëve’’, misteri dhe historia e së cilës përbëjnë subjektin e këtij romani. Ndërkohë duhet të theksojmë se kjo ikonë është një objekt real që ruhet sot në ambientet e manastirit mbretëror të “Trinisë së Shenjtë’’ në Valencia të Spanjës. E studjuar dhe dokumentuar në botime të ndryshme historike dhe shkencore, ajo, do ti shërbente autores si piknisje e këtij libri. Kështu, ikona bizantine e ‘’Shën Mërisë së Strehës së Mëkatarëve’’, që dikur i përkiste Donika Kastriotit, do të bëhet tashmë objekti kryesor i trajtimit të kësaj vepre. E ‘’pagëzuar’’ në libër nga Arbër Isaia si ‘’Ikona e Plagosur’’, kërkimi i gjurmëve dhe misterit të saj përshkojnë gjithë ‘’gjeografinë’’ e subjektit në fjalë. E realizuar mjeshtërisht nga murgjit e Athosit për familjen Kastrioti, ajo, mbart një historitë të dhimshme në vetvete. Kështu: ‘’ … një murg arbëror i Hilandarit ishte përpjekur të dilte nga mali Athos nëpërmjet portit ‘’Dafni’’ së bashku me ikonën të mbështjellë me një copë lini. Komandanti i portit, një turk i sertë dhe armik i Zotit Krisht, e kish kontrolluar murgun e Hilandarit deri në teshat e trupit dhe kish dhunuar ikonën me një thikë që nuk e hiqte nga dora dhe me një egërsi të përçudme. Lutej e thërriste murgu i gjorë se ajo ikonë ishte e Zotit dhe se Zoti duhej respektua në të gjitha fetë e njeriut, por turgu egërshan nuk donte tia dinte dhe ulëriste më shumë se murgu …’’, e përshkruan mjeshtërisht ‘’gjymtimin” e saj midis të tjerave Mira Meksi. Ndërkohë, ikona do të shtegtonte pas vdekjes së Skënderbeut në Napoli, dhe më pas së bashku me Donikën, do të zhvendosej drejt Valencias në Spanjë. Nuk dihej sesi At Isaia kishte rënë dikur në gjurmët e saj, por ky objekt i shenjtë adhurimi do të nxiste tashmë Arbrin dhe Norën, të merreshin drejtëpërdrejt me të. Kështu, përveç përshkrimit të udhëtimit të dy historianëve në Napoli, Amalfi, apo Valencia, autorja evidenton në këtë libër edhe një prej tabuve që shoqëron rëndom historiografinë e Skënderbeut. I tillë është fakti i mostrajtimit dhe lënies në hije të disa figurave të rëndësishme të kohës, përfshirë edhe atë të Donika Kastriotit. Një kostatim të ngjashëm do ta bënte disa dekada më parë edhe historiani dhe orientalisti i njohur Franz Babinger. ‘’Nuk ekziston as dyshimi më i vogël, se prej famës së dhëndrit të tij Skëndërbeut, ky personalitet është mbuluar me një errësirë shqetësuese’’, shkruante midis të tjerave studjuesi gjerman për Gjergj Arianitin, të atin e Donikës. Bazuar në këtë arsyetim, tashmë Mira Meksi merr përsipër ta zgjidhë përfundimisht këtë problem në romanin “Ikona e Plagosur’’. Kështu, faqe pas faqeje ajo sjell me ngjyra të gjalla gjithë aktivitetin e zhvilluar në Napoli dhe Valencia, ku ‘’Zonja e Madhe e Arbërit’’, do të jetonte gjatë viteve 1477-1506, mes damave të familjes mbretërore aragoneze. Kjo histori plotësohet mësë miri edhe me episode të tjera nga jeta e të birit, Gjonit, apo djemve të tij Kostandinit dhe Alfonsit. Ndërkohë që në libër nuk mungojnë përshkrimet e bukura dhe plot finesë të një sërë ngjarjesh, personazhesh dhe episodesh, disa prej të cilave autorja i shoqëron edhe me shpjegime të shumta të karakterit njohës. Raste të tilla si krijimi i Urdhrit Kalorsiak të Dragoit, pushtimi i Otrantos nga osmanët, djegia e arkivave të Napolit nga nazistët, apo origjina valenciane e shkrimtarit Blasco Ibanez, janë të dhëna interesante që gjendet kryesisht në enciklopeditë e ndryshme. Së bashku me to nuk mungojnë edhe përshkrimet e hollësishme të qyteteve italiane dhe spanjolle, ku ‘’lëvizin’’ edhe personazhet e librit. Ndërkohë këto elementë realë dhe artistikë, autorja i ndërthur mjeshtërisht me përjetimet intelektuale dhe dashurinë e Arbrit dhe Norës, me pjesë të romancës së Gjonit me Eleonorën apo Alfonsit me Rebekën. Kështu, në këtë roman nuk shfaqet vetëm heroikja e Skënderbeut por edhe historitë e thjeshta, të prekshme dhe jetësore të kësaj familjeje, larg mitizimit të cilat i japin një tjetër karakter tërheqës atij. Ndërkohë, autorja shpesh herë merr edhe rolin e historianes duke ngritur një sërë hipotezash dhe problemesh të pazgjidhura nga historia e Shqipërisë. ‘’Kur historia s’ka më zë, letërsia i huan zërin e saj, shpesh të fuqishëm. Shkrimtari mund të zgjedhë të sillet si historian, të zbulojë dhe të interpretojë fakte, të dhëna historike, të bëjë deduksione. Historia e njerëzimit njeh raste kur letërsia u ka paraprirë zbulimeve arkeologjike, historisë. A nuk u zbulua Troja më 18871 pikërisht në vendin ku e kish përshkruar Homeri …’’, shkruan ajo në parathënien e librit. Një sentencë që tingëllon si një kritikë e fortë ndaj gjithë historiografisë skënderbejane. Kështu, me talentin, kulturën e thellë, aftësinë dhe mundësinë që i jep letërsia, ajo zhvillon disa hipoteza interesante përfshirë zhvendosjen e eshtrave dhe vendvarrimin e Skënderbeut. Një gjë të tillë trajtohet gjerësisht në pjesën e fundit të librit, ku zhvillimi i ngjarjeve zhvendoset drejt manastirit të Hilandarit, në malin Athos. Pikërisht aty, Arbër Isaia, do të kryente një sërë kërkimesh për vendprehjen e Skënderbeut, sipas hartës-relike të gjetur prej tij dhe Norës në trupin e ‘’Ikonës së Plagosur’’. Por pavarësisht përpjekjeve dhe sakrificavë të shumta ai nuk do tja arrinte qëllimit, i penguar nga autoritetet hermetike të manastirit që nuk dëshironin një gjë të tillë. Njëlloj si te ‘’Emblema e Dikurshme’’ e Kadaresë edhe këtu ‘’njërëz të aksionit’’ dhe të formatit ‘’Fallsikovati dokumenta’’ do të sabotonin misionin e tij. Kjo praktikë do të niste me tentativën për grabitjen e ikonës në Valencia dhe do të vijonte me të tjera veprime në Hilandar. Gjithsesi vlen të theksohet aludimi i mbështetur fort në intuitën e shkrimtares se përveç varreve Kastriotëve rë tjerë në këtë manastir, ruhen edhe eshtrat e Heroit tonë Kombëtar. Megjithë trajtimin e historisë, legjendave dhe miteve, ndërthurur këto me krijimin artistik, Mira Meksi, sjell një libër origjinal dhe të veçantë, i cili transmeton emocione të thella. Me një stil narrativ të përkryer ajo është kujdesur të evidentojë dhe të theksojë natyrshëm edhe shpirtin, karakterin, vlerat dhe frymën tonë kombëtare. Një gjë e tillë del në pah jo vetëm tek personaliteti dhe eleganca e Donika Kastriotit, erudicioni i peshkopit Kostandin të Izernias, bukuria dhe fisnikëria e Alfonsit, standarti dhe klasi i Arbër Isaisë, por edhe tek trajtimi i ngjarjeve të mëdha të kombit, si: Shkolla e Parë Shqipe, Lufta e Vlorës, Qeveria e Ismail Qemalit, UÇK-ja dhe Pavarësia e Kosovës. Po kështu, në libër ndeshen edhe personazhe nga më të ndryshmet, emrat e të cilëve dëshmojnë lidhjen e ngushtë të historisë sonë me Europën Perënimore dhe popujt fqinjë të Ballkanit. Ndërkohë që një pjesë tyre së bashku me doktrinën, traditën, kishat, manastiret, bibliotekat, arkivat dhe pse jo edhe ‘’Ikonën e Plagosur’’, të cilat zënë një vend të rëndësishëm në libër, i përkasin sferës së përfaqësimit të dy kishave: Ortodokse dhe Katolike. Gjithsesi për të krijuar një ide të plotë rreth brendisë dhe përmbajtjes së këtij romani, ftesa më e mirë për lexuesin dhe publikun do të ishte natyrshëm: shfletimi i tij.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË