Dy fjalë për autorin e romanit “Bonjakët”, skenaristin e filmit artistik shqiptar “Lulëkuqet mbi mure”, mikun tim Petraq Qafëzezi
Në historinë e kulturës shqiptare ekzistojnë vepra që nuk qëndrojnë vetëm si krijime artistike të arrira, por edhe si dëshmi të gjalla të jetës njerëzore. Ato mbartin brenda vetes historinë e dhimbjeve, të plagëve dhe të përvojave që kanë formësuar fatet e njerëzve dhe kujtesën e një kohe.
Këto vepra nuk kanë lindur thjesht nga frymëzimi estetik apo nga loja e imagjinatës krijuese, por më së shumti kanë ardhur në jetë edhe nga përjetimet e thella, nga plagët personale dhe nga episode të dhimbshme të jetës së vetë autorëve të tyre, duke u bërë pasqyrë e ndjeshme e botës që i rrethon dhe një thesar shpirtëror për brezat që vijnë.
Pikërisht për këtë arsye, këto vepra mbartin një ngarkesë të veçantë emocionale dhe njerëzore: njëherazi janë rrëfime individuale dhe pasqyrë e një realiteti më të gjerë shoqëror.
Me kalimin e kohës, përvoja personale që i ka lindur ato shkëputet nga kufijtë e jetës së autorit dhe shndërrohet në një pasuri të përbashkët shpirtërore, duke u bërë pjesë e kujtesës kulturore dhe emocionale të një kombi të tërë.
Një ndër këto raste është romani “Bonjakët” i shkrimtarit Petraq Qafëzezi, një vepër që më pas u shndërrua në një nga filmat më ikonikë të kinematografisë shqiptare, “Lulëkuqet mbi mure”, i ekranizuar me mjeshtëri të rrallë nga regjisori i paharruar Dhimitër Anagnosti.
Ky film mbetet edhe sot ndër majat e realizimeve kinematografike, si një margaritar i artë i kinemasë sonë. Vlera e tij nuk qëndron vetëm te mjeshtëria artistike e realizimit në të gjithë komponentët e produksionit, por edhe te thellësia njerëzore dhe mesazhet universale që mbart kjo vepër filmike.
Në thelbin e këtij filmi nuk gjendet thjesht një narrativë artistike e ndërtuar mbi imagjinatën krijuese, por një histori e vërtetë njerëzore, e lindur nga kujtesa dhe përvoja e jetuar nga vetë autori i kësaj vepre.
Pikërisht kjo lidhje e drejtpërdrejtë me jetën reale i jep filmit një ndjeshmëri të veçantë dhe një autenticitet që e bën atë të mbetet i gjallë dhe domethënës për të gjithë artdashësit dhe brezat e sotëm të shikuesve.
Petraq Qafëzezi lindi më 11 mars 1935 në qytetin e Korçës, një nga qytetet më të rëndësishme të kulturës shqiptare.
Por jeta e tij nuk nisi me lehtësinë dhe ngrohtësinë e një familjeje të zakonshme, pasi prindërit i humbi në luftë dhe ai u rrit jetim në “Strehën Vorfnore” gjatë viteve të pushtimit italian, në një kohë kur Shqipëria përjetonte varfëri dhe trazira historike.
Në këtë mjedis të ashpër, mes mureve të ftohta të një institucioni për jetimë, ai njohu nga afër ndjenjat më të vështira që mund të përjetojë një fëmijë bonjak: mungesën e prindërve, vetminë dhe mallin për një përqafim që nuk i erdhi kurrë.
Pikërisht në këtë përvojë të dhimbshme u formua edhe ndjeshmëria e tij e thellë njerëzore, ajo që më vonë do të shndërrohej në letërsi.
Jeta e tij, megjithatë, do të merrte shumë kthesa të tjera interesante dhe shpesh të rrezikshme, që do të formësonin karakterin dhe botën e tij të brendshme.

I mbetur jetim kur ishte vetëm dy muajsh, nga mosha tre deri në trembëdhjetë vjeç u rrit në jetimoret e Korçës, Shkodrës dhe Tiranës, në një periudhë që përkon me zhvillimin e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri. Në Korçë përjetoi ditët e luftës italo-greke, ndërsa në Tiranë atmosferën e tensionuar të betejës për çlirimin e qytetit nga nazistët më 17 nëntor 1944.
Pas tre vitesh studimesh për inxhinieri ndërtimi në Teknikumin e Ndërtimit në Tiranë, në vitin 1958 nisi kursin e aviacionit ushtarak, fillimisht në Tiranë dhe më pas në Qytetin Stalin.
Në verën e vitit 1960 përjetoi disa aksidente me avionë; njëri prej tyre, në gusht të atij viti, mbeti një nga momentet më dramatike të jetës së tij.
Gjatë një fluturimi stërvitor, avionit të tij MiG-15 iu bllokuan krahët në një lartësi prej rreth 4000 metrash dhe nisi të bjerë me shpejtësi drejt tokës. Në ato çaste vendimtare ai u hodh nga avioni me katapultë dhe shpëtoi falë parashutës.
Më pas vazhdoi për një vit studimet e aviacionit në Bashkimin Sovjetik. Por rruga e tij si aviator nuk do të vazhdonte më tej. Pas rebelimit të një grupi studentësh shqiptarë kundër mënyrës së trajtimit nga shkolla, ai ndërpreu studimet dhe u kthye në Shqipëri.
Kthimi në atdhe shënoi edhe një kthesë tjetër të rëndësishme në jetën e tij. Ai përfundoi studimet për inxhinieri ndërtimi dhe nisi punë si arkitekt në Ministrinë e Ndërtimit në Tiranë. Në vitin 1966 u vendos me banim në qytetin e Durrësit, ku punoi në zyrën shtetërore të projekteve të ndërtimit.
Në këtë qytet ai la edhe gjurmët e punës së tij si arkitekt: ishte bashkarkitekt në projektimin e Pallatit të Sportit dhe të kinoteatrit të qytetit, si edhe në konvertimin e xhamisë së qytetit në një objekt kulturor laik.
Megjithatë, paralelisht me profesionin e inxhinierit, ai kultivoi një botë të brendshme artistike shumë të pasur.
Letërsia për të ishte një mënyrë për të rrëfyer historitë e heshtura të jetës, për ta kthyer kujtesën personale në një formë arti që mund të kuptohej nga të gjithë.
Romani “Bonjakët”, i cili fitoi Çmimin e Republikës në vitin 1972 dhe në konkursin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve fitoi çmimin e parë, është një nga veprat më të ndjera të letërsisë shqiptare të shekullit XX.
Në këtë roman Petraq Qafëzezi nuk krijon një histori të trilluar. Ai rrëfen jetën e tij, jetën e një fëmije jetim që rritet në një institucion, mes fëmijëve të tjerë që ndajnë të njëjtin fat.
Në këtë univers të vogël, të kufizuar nga muret e një strehe jetimësh, zhvillohen drama të mëdha njerëzore: malli për prindërit e humbur, kërkimi i dashurisë dhe përkujdesjes, rebelimi i heshtur kundër padrejtësisë dhe ndaj autoriteteve fashiste që administronin strehëzën e jetimëve.
Fëmijët e këtij romani janë të plagosur nga jeta, por nuk janë të thyer prej saj. Ata mbajnë brenda vetes një energji të çuditshme për të jetuar dhe për të ëndërruar.
Nga ky roman lindi më pas filmi “Lulëkuqet mbi mure”, një nga veprat më të dashura për publikun shqiptar.
Në duart e regjisorit Dhimitër Anagnosti, historia e fëmijëve jetimë u shndërrua në një poemë filmike për fëmijërinë dhe lirinë e fëmijëve që jetojnë mes plagësh të mëdha shpirtërore dhe emocionale, mungesës së fëmijërisë dhe të familjes.
Për të kuptuar thellësisht romanin “Bonjakët” dhe filmin “Lulëkuqet mbi mure”, duhet të kuptojmë edhe dimensionin psikologjik të jetës së fëmijëve jetimë.
Fëmijëria është periudha kur krijohet ndjenja e parë e sigurisë në botë. Kur kjo siguri mungon, fëmija mëson shumë herët një gjë të vështirë: të mbijetojë emocionalisht.
Fëmijët e rritur në institucione shpesh zhvillojnë një lloj solidariteti dhe besnikërie të veçantë mes tyre.
Ata krijojnë një familje të re, një vëllazëri të heshtur, ku shoku i dhomës bëhet vëlla, ndërsa kujtimi i prindërve mbetet një plagë e heshtur dhe e përhershme.
Në këtë kuptim, romani i Petraq Qafëzezit nuk është vetëm një histori personale, por një studim i thellë i shpirtit të fëmijës jetim, i aftësisë së tij për të ndërtuar një botë të brendshme edhe kur jeta i ka marrë shumë gjëra.
Institucionet për fëmijët jetimë krijojnë një realitet të veçantë social. Ato janë një lloj mikroshoqërie, me rregullat, hierarkitë dhe ritualet e veta.
Brenda këtyre mureve krijohet një kulturë e veçantë: mënyra se si ndahet ushqimi, mënyra se si krijohen miqësitë, mënyra si lind rebelimi ndaj autoritetit.
Romani “Bonjakët” dhe filmi “Lulëkuqet mbi mure” e përshkruajnë këtë mikrokozmos me një vërtetësi të rrallë.
Në këtë roman rrëfehet se edhe në një institucion të rreptë jeta gjen mënyra për të qenë e gjallë përmes lojërave, shpresës, guximit, rebelimit dhe ëndrrave të fëmijëve.
Titulli i filmit është një metaforë e bukur dhe e dhimbshme njëkohësisht: lulëkuqet janë lule të brishta, por njëkohësisht të forta. Ato rriten mbi mure dhe simbolizojnë jetën që lulëzon edhe në vendet më të papritura e të papërshtatshme.
Ashtu si këto lule të kuqe që çelin mbi gurë, edhe fëmijët e këtij filmi rriten mes vështirësive, por ruajnë brenda vetes një shpirt të gjallë, të bukur dhe vital.
Muret përfaqësojnë kufizimin, disiplinën dhe izolimin, ndërsa lulëkuqet përfaqësojnë jetën, imagjinatën dhe lirinë. Prandaj filmi është në thelb një histori për jetën që arrin të lulëzojë edhe mbi muret më të forta të fatit.
Përveç romanit “Bonjakët”, Petraq Qafëzezi ka shkruar edhe romane të tjera me elementë autobiografikë: “Moshatarët” (1976) dhe “Rruga e fluturimeve” (1981), si edhe vëllime të tjera me tregime.
Ai është gjithashtu autor i shumë teksteve të njohura të këngëve në disa Festivale të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, deri në festivalin e 13-të, në vitin 1974. Mes tyre: “Si mimoza që çelën”, “Sot jam njëzet vjeç” dhe “Nënave shqiptare”, të interpretuara nga virtuozja e papërsëritshme e muzikës së lehtë shqiptare, këngëtarja e madhe Vaçe Zela.
Këto krijime tregojnë se ai ishte një autor me një ndjeshmëri të rrallë poetike.
Për mua kjo histori nuk është vetëm histori letërsie apo kinemaje, por një histori miqësie njerëzore, e lindur nga një përvojë e përbashkët jetësore.
Kam pasur fatin ta njoh nga afër Petraq Qafëzezin dhe së bashku kemi ndërtuar një miqësi prej vitesh. Pavarësisht distancës së madhe që na ndan me vitet, mes nesh ka ekzistuar gjithmonë një lidhje e veçantë, një mirëkuptim i heshtur që nuk kishte nevojë për shumë shpjegime, sepse bashkë na lidhi i njëjti fat i ngjashëm i fëmijërisë.
Ai ishte rritur jetim në “Strehën Vorfnore” gjatë viteve të pushtimit italian, ndërsa unë në Shtëpitë e Fëmijëve gjatë viteve të sistemit socialist.
Dy kohë të ndryshme historike, dy sisteme të ndryshme shoqërore, por e njëjta mungesë, e njëjta plagë e heshtur që mbart çdo fëmijë që rritet në vetmi.
Kur flisnim për romanin “Bonjakët”, shpesh nuk ishte thjesht një bisedë për letërsinë, por një rikthim në kujtesën tonë të përbashkët, në atë botë të mbyllur mes mureve të institucioneve ku fëmijët mësojnë shumë herët të rriten.
Ndoshta për këtë arsye, për mua “Lulëkuqet mbi mure” nuk ishte vetëm një film, por një pjesë e qenësishme e jetës sonë.
Historia e Petraq Qafëzezit është një dëshmi se si dhimbja mund të shndërrohet në art dhe se si kujtesa personale mund të bëhet kujtesë kolektive.
Nga muret e një strehe jetimësh lindi një roman. Nga ai roman lindi një film. Dhe nga ai film lindi një nga kujtimet dhe veprat më të bukura të kulturës shqiptare.
Prandaj, kur kujtojmë Petraq Qafëzezin, edhe sot që i ka kaluar të nëntëdhjetat dhe përjeton një situatë shëndetësore jo edhe aq të lehtë në Torino, Itali, nuk kujtojmë vetëm një shkrimtar apo një skenarist, por një njeri model, një shembull që arriti ta kthejë dhimbjen e fëmijërisë në lulëkuqe arti, nga ato lulëkuqe që vazhdojnë të çelin mbi muret e kujtesës sonë kulturore.
Kjo është edhe metafora më e bukur e jetës së tij dhe e jetëve tona: se edhe mbi muret më të ftohta të fatit, jeta gjen gjithmonë një mënyrë për të lulëzuar.
Tiranë, e mërkurë – 11 mars 2026


