Në një kohë kur vëmendja publike po zbehet gjithnjë e më shumë përballë vlerave të mirëfillta intelektuale dhe shpirtërore, kjo ese në formë përsiatje vjen si një homazh për njerëzit e diturisë, për ata që krijuan në heshtje, jetuan me dinjitet dhe u bënë shenjë identitare për brezin e tranzicionit kulturor shqiptar. Duke ndërtuar një mozaik kujtimesh dhe reflektimesh personale, Ilir Çumani sjell në mënyrë prekëse portretet e poetëve, akademikëve dhe artistëve që dikur mblidheshin çdo mëngjes në ish Bar-Kafe “Evropa” – një hapësirë simbolike ku shpirti i kombit artikulohej përmes fjalës, ndjesisë dhe vështrimit njerëzor. Nëpërmjet këtij rrëfimi, lexuesi ftohet të rikthehet në një botë që sot duket se mungon: në një Shqipëri të mendimit të lirë, të bisedave me shpirt dhe të njerëzve që ishin vetë dritë….
I
shte koha e pas viteve ’90-të. Bar – Kafe “Evropa” ishte bërë tempulli i atyre që kishin duruar shumë dhe tashmë kërkonin një grimcë paqeje në atë kohë të trazuar. Aty vinin shkrimtarët, gazetarët, artistët, përkthyesit, akademikët. Ishte një mbledhje e pashkruar e mendimit shqiptar, jo si elitë e vetëquajtur, por si bashkësi e njerëzve që kishin nevojë për njëri-tjetrin, për një mendim, për një fjalë, për një përqafim.
Në atë hapësirë të ngushtë, midis bisedash dhe një buzëqeshjeje që fshihte lodhje, krijohej një bashkësi intime mendimesh. Ishte vendi ku nuk kishte kamera, por kishte shikime që lexonin thellë. Ishte vendi ku nuk kishte mikrofon, por fjala rrinte pezull mbi gotën e ujit, si një lutje e pashprehur. Ishte vendi ku nuk kishte pushtet, por kishte kujtesë.
Ata ishin bohemët e lirisë së re, shpesh të varfër, por me zemra të mëdha oqeanikë. Shkruanin, diskutonin, qanin përbrenda. E megjithatë, gjithmonë përpiqeshin të jepnin diçka; një varg, një mendim, një afsh zemre. Sepse ndryshe nuk mund të jetonin.
Atëkohë, në mes të zhurmës së pashtershme të një Tirane që zgjatej, rritej dhe shpesh ngjante si një organizëm që nuk njihte më vetveten, ekzistonte ky cep i vogël, thuajse i shenjtëruar në zemër të kryeqytetit, si një oaz reflektimi dhe frymëzimi, i shndërruar në një tempull i fjalës së lirë dhe mendimit krijues.
Bar-Kafe “Evropa” ishte pikërisht aty, në ato karrige të drunjta, paksa të vjetruara, por të përqafuara nga aroma e kafesë dhe jehona e bisedave të mençura, ku për vite me radhë ndodhnin takimet e mia me visarin e poezisë së bukur shqipe, Xhevahir Spahiu, mik i rrallë, mendimtar i thellë dhe udhërrëfyes nëpër labirintet e ndërlikuara të jetës dhe poezisë.
Çdo mëngjes, në agun e një ditë e re, aty mblidheshin si pelegrinë të fjalës poetët, mjeshtërit e shkrimtarisë dhe publicistikës. Bar – Kafe “Evropa” nuk ishte thjesht një lokal. Ishte një altar ku rrëfehej shpirti i kombit.
Në ato çaste heshtjeje por edhe diskutimesh të zjarrta, çdo fjalë ishte një rrëfim, çdo buzëqeshje fshehte një plagë, çdo shikim mbante pas vetes një kujtim të pathënë.
Me Xhevon, bisedat nuk kishin as fillim dhe as fund. Ato ishin një udhëtim i përhershëm dhe i pandërprerë në pikëpyetjet e mëdha të jetës, nëpër terrenet e paeksploruara të shpirtit njerëzor.
Në atë kafene modeste ku rrodhi një kohë e artë, u mblodhën shumë figura që e kanë ngjizur memorien kolektive të kulturës sonë.
Me gota uji dhe filxhana kafeje, me gota birre dhe cigare të qeta, aty shfaqeshin çdo ditë Teodor Keko me humorin therës dhe shpirtin bohem. Fatos Baxhaku me një mendim të kthjellët gazetarie që digjte si shkrumb. Pano Taçi, stoiku ngazëllyes me kujtime vezulluese që i kthente të gjitha në poezi. Robert Zhvarc, mjeshtri i përkthimit që përkthente jo vetëm vargje, por edhe heshtje…
Shkrimtarë dhe poetë si Kiço Blushi, Fatos Arapi, Natasha Lako, Llazar Siliqi, Zhuliana Jorganxhi, Bardhyl Londo, Koçi Petriti, Petrit Ruka, Eglantina Mandia, Moikom Zeqo, Jorgo Papingji, Agim Doçi, Mimoza Ahmeti, Gaqo Bushaka, Niko Nikolla, Diana Çuli, Agim Cerga, Adelina Mamaqi e Teodor Laço, Shpresa Vreto…. Gazetarët dhe publicistët e përkorë si Marash Hajati, Arshin Xhezo e Astrit Nuri, Kiço Fotiadhi, Rezarta Reçi…
Tek “Evropa” preferonin ta pinin kafenë e mëngjesit shumë kineastë dhe artistë të Kinematografisë shqiptare, të cilët kam patur fatin t’i njoh së afërmi si Xhanfise Keko, Viktor Gjika, Dhimitër Anagnosti, Vladimir Prifti, Saimir Kumbaro, Margarita Xhepa, Violeta Manushi, Kujtim Çashku, Mevlan Shanaj, Drita Pelinku, Xhevdet Ferri, Kastriot Çaushi, Bujar Lako, Yllka Mujo, Reshat Arbana, Serafin Fanko, Gulielm Radoja, Luan Qerimi, Fatos Sela, Andon Qesari, Mirush Kabashi, Kolec Traboini, Mark Topallaj, Petraq Xhillari, Arben Shaka, etj. Takoje atje Avni dhe Nina Mula, Çesk Zadeja, Tish Daija, Kujtim Laro, Fehim Ibrahimi, Limos Dizdari, Robert Radoja, Ferdinand Deda, Aleksandër Lalo, Gaqo Çako, Eno Koço, Zhani Ciko, Panajot Kanaçi, Ramazan Bogdani, piktorët e njohur Maks Velo, Agim Zajmi, Bardhyl Fico, Zef Shoshi, Suzana Varvarica, Sali Shijaku, Lumturi Blloshmi, Shaban Hysa.
Aty ishin edhe Dritëroi me praninë e tij atërorë, i shoqëruar përherë nga bashkëshortja e tij fisnike Sadija, profesorët e nderuar Kristo Frashëri, Bedri Dedja, Dhimitër e Mynever Shuteriqi, Ylli Popa, Shaban Demiraj, Adriatik Kallulli, Luan Omari, Farudin Hoxha, Arben Puto, Shaban Murati, e shumë të tjerë akademikë e diplomatë që e ngritën lart kombin me dijen dhe qytetarinë e tyre të heshtur.
Të gjithë emra të mëdhenj, që kishin mbetur të përulur dhe të heshtur edhe në liri. Ata pinin kafenë me të njëjtin kujdes me të cilin kishin ruajtur dinjitetin në diktaturë.
Ishte shpirti i një kombi që endej midis tryezave, midis shijes së një ekspresi të ngrohtë dhe aromës së përzier të letërsisë dhe historisë, të dashurisë për Atdheun dhe plagëve të tij. Ishte një kohë kur fjalët kishin peshë, kur heshtja kishte kuptim, dhe kur takimi me një njeri të mendimit ishte më i çmuar se çdo komoditet luksi.

dhe shkrimtarin Agim Cerga



Ata ishin bohemët e vërtetë të një kryeqyteti të lodhur, ardhur të cfilitur prej një epoke të gjatë mundimi nga diktatura, por të zhgënjyer nga tranzicioni kaotik. Ata kërkonin paqe përbrenda vetes dhe e gjenin atë në një bar modest që nuk kishte lavdi, por kishte dritë…, dritë… dritë…Vetëm dritë!
Dritë që vinte nga mendjet e tyre të ndritura, nga sytë që kishin parë aq shumë dhe nga zemrat që kishin duruar më shumë se ç’duhet.
Eh, çfarë kohësh të pakohë kemi jetuar në atë Bar Kafe të famshme të kryeqytetit të zhurmshëm, i cili, pas një zgjimi prej gjumit të gjatë letargjik, turravrapej drejt një metropoli që rritej e rritej pa u ndalur, për të kapur ritmin e kohës dhe për ti ngjarë sado pak simotrave të saj në perëndim…
Kjo ndjehej orë çast jo vetëm prej ecejakeve të pagjumta kilometrike të dhjetra mijëra kalimtarëve që e jetonin me shqetësim, çdo zhvillim e dinamikë të ndryshimit të Tiranës. Të gjithë e ndienim se ishim në kërkim të vetvetes, në kërkim të një kohe të humbur, që vinte prej një të shkuare dëshpëruese jo të largët dhe shumë zhgënjyese….
Bar – Kafe “Evropa”, ishte kthyer në një vend pelegrinazhi për mjaft shkrimtarë, poetë e artistë bohemë, që atëkohë e kishin vrarë frikën dhe tashmë jetonin në një shoqëri të lirë. Ata e përjetonin me shumë dhimbje tranzicionin shqiptar, por disa syresh gjenin atje edhe paqen, edhe ngushëllimin e madh për fatet e pafata të tyre.
Ndërkohë, atje gjenin edhe muzën për të jetësuar në krijimet dhe veprat e tyre të gjitha ato vrundujt, dilemat, përshpirtjet dhe përjetimet që vetëm ata dinë ti shpalosin e ti përcjellin me aq vërtetësi dhe emocion tek të tjerët…
E kujtoj me mall mikun tim të paharruar, poetin Vasil Dede, lirikun përmetar që e përjetonte mërgimin si një varg të gjatë pa kthim, por që nuk reshti së shkruari kurrë për dashurinë, për natyrën, për Shqipërinë, për Njeriun që për të ishte gjithmonë qendra e botës.
Më kujtohet një foto me të, ku sytë i shkëlqenin si një fëmijë që e shihte botën për herë të parë.
Është kjo foto me poetin Xhevahir Spahiu që shoqëron edhe këto radhë të shkrimit. Pas nesh, Vasili na sodit me buzëqeshjen e një fëmije të ndrojtur e njëkohësisht të ditur. Sot, ai nuk na shikon më nga cepi i tavolinës, por na përshëndet nga qielli, si një engjëll poetik.
Shumë prej tyre nuk janë më në mes tonë. Ata janë tashmë kujtim i gjallë, muza që vjen natën dhe ulet në majë të lapsit, janë fjalët që rikthehen kur ke nevojë të mos ndihesh vetëm.
Ata janë Pelegrinët e munguar të Bar – Kafe “Evropa”, një tempull që sot nuk ekziston më fizikisht, por që thellë thellë, jeton në kujtesën e atyre që e përjetuan si një epokë, si një frymë, si një melodi të heshtur qytetarie dhe mençurie.
Janë kthyer në kujtime, por jo në harresë. Sepse njerëzit e mëdhenj nuk vdesin kurrë. Ata zhvendosen në një tjetër dimension, aty ku fjala nuk plaket dhe mendimi mbetet gjithmonë i freskët.
Eh, sa shumë mund të flitet ende për këtë racë të rrallë njerëzish, që dhe në heshtje dinin të flisnin me shpirtin e pastër dhe të dëlirë.
Mendimi e tyre shërbente si melhem për plagët shoqërore. Ata bekonin me praninë e tyre çdo kënd ku uleshin, sepse ishin dhe mbeten kreshnikët e fjalës së shkruar, shenjtët laikë të kulturës sonë, prometejt e një shoqërie që shpesh nuk dinte si t’i nderonte.
Sot, kur kthehem pas në kujtime, më duket sikur çdo karrige e Bar – Kafe “Evropa” e dikurshme mban ende aromën e pranisë së tyre. Ajo hapësirë nuk ishte kurrë thjesht një kafene. Ishte histori, ishte identitet, ishte ndjeshmëri.
Sepse gjithçka që preku shpirti i tyre, u shndërrua në kujtim të pavdekshëm. Dhe kujtimi është forma më fisnike e përjetësisë…!