More
    KreuIn memoriamIlir Çumani: Balerina e parë shqiptare Zoica Haxho

    Ilir Çumani: Balerina e parë shqiptare Zoica Haxho

    Në 1-vjetorin e ndarjes nga jeta të balerinës së parë shqiptare,
    Zoica Haxho – Artiste e Merituar – Heroinë e Punës

    Nga historia e njerëzimit kemi mësuar se ka pasur dhe ka jetë që lindin në hijen e mungesës, e megjithatë arrijnë të shkëlqejnë më tepër se ata që rriten në dritë; jetë që rriten si filiza nën gur, por shpërthejnë me forcën e një dielli të padukshëm.

    Ashtu sikundër ka edhe fëmijëri që e vështrojnë botën nga dritaret e errësirës, por e përqafojnë atë më fuqishëm se kushdo, si sy që kanë parë pak, por kanë kuptuar shumë, aq shumë…

    E tillë ishte edhe jeta e Zoica Haxhos, vajzës bonjake që fati e sprovoi herët, por që arti e përqafoi me duar të hapura, si një nënoke e vonuar, e dhembshur, e përmalluar, por e përjetshme; një nënë që nuk ia dha jeta, por ia dhuroi skena.

    Që në hapat e parë të jetës, ajo nuk u rrit në prehrin e sigurt të nënës biologjike që e solli në jetë, por në strehën e karakterit që u bë kështjella e vetme mbrojtëse e saj; një kështjellë pa gurë, por me vullnet e pasion të çuditshëm.

    Jetimëria nuk e mbylli, nuk e theu, nuk e mposhti, por e farkëtoi si hekur në zjarr…

    Në heshtjen që e rrethonte, ajo dëgjoi një ritëm të brendshëm që i vinte si një thirrje nga thellësia e shpirtit; ishte një ritëm që më vonë do të bëhej themeli i baletit shqiptar, si një zemër që rreh për një komb të tërë.

    Zoica nuk ishte thjesht balerinë, por një fenomen sui generis për kohën që jetoi. Ajo ishte lindja e një epoke të re në artin modern shqiptar, si një agim i ri që çan retë e pasigurisë.

    Në trupin e saj të imët, që dukej si i gdhendur nga ajri i pastër i pasionit, busti i artit skenik shqiptar mori frymë për herë të parë, si një statujë që më në fund merr shpirt.

    Çdo lëvizje e saj në skenë krijonte një gjuhë të re figuracioni e simbolesh, një alfabet të elegancës dhe forcës; çdo hap dukej si një kapitull i shkruar me muskuj, nerv, përqëndrim, përkushtim dhe sakrifica që s’i shihte askush, një libër i përditshëm i mundimeve të heshtura.

    Në një vend që ende kërkonte të gjente identitetin kulturor, Zoica Haxho, vajza jetime e rritur në Shtëpinë e Fëmijës “8 Nëntori” në Tiranë (sot Shtëpia e Fëmijës Shkollore “Zyber Hallulli”), fluturoi në një hapësirë të panjohur më parë, si një trumcak paksa i trembur, por u ngrit si një figurë emblematike që nuk pranoi të imitojë askënd.

    Ajo erdhi në botën e artit jo si një shkëndijë e zakonshme, por si një flakë që do të ndriçonte për dekada një vend ku baleti klasik ishte ende një ëndërr e paformësuar.

    E re, thuajse fëmijë, në korridoret e ftohta e madhështore të Balshoit, ajo u dallua menjëherë. Mësuesit e panë te ajo një kërcim të brendshëm, një elasticitet që nuk mësohej, porse ishte një dhuratë. Në krah të Agron Aliajt, partnerit të saj të hershëm, ajo shënoi një ngjarje të papërsëritshme duke rrëmbyer çmimin e dytë në Konkursin Ndërkombëtar të Baletit në Moskë, në vitin 1956, me shfaqjen “Flakët e Parisit”. Ishte kjo një dëshmi e parë e asaj që do të vinte më vonë: një jetë e tërë në skenë, një jetë e tërë në lëvizje.

    Kur u kthye në Shqipëri, vendi që gjeti ishte më shumë dëshirë se traditë. Baleti ishte thuajse një fije e padukshme. Megjithatë, mbi këtë fije ajo ndërtoi një urë të gjerë, të qëndrueshme, që e kaluan më pas breza të tërë. Për tridhjetë vjet, ajo mbajti mbi supe repertorin e Teatrit të Operës dhe Baletit. Ishte një barrë që vetëm një dashuri e pamatë mund ta mbajë mbi supe. Nga Shkodra në Vlorë, nga Konispoli në Tropojë, ajo lëvizte si një hënë e përhershme që ndriçonte sallat e errëta të teatrove të qyteteve shqiptare.

    Jashtë vendit, në Europë e në Kinë, kritika e huaj vuri në pah profesionalizmin e saj si një fenomen të kohës, pastërtinë dhe energjinë e saj. Çdo interpretim ishte një dëshmi e përkushtimit që ajo e trajtonte jo si punë, por si mision. Por rolet… rolet ishin universi ku ajo rritej e shndriste. Nga “Kujdesi i Kotë” te “Fadeta”, nga “Françeska da Rimini” te “Delina”, nga “Muza e Paganinit” te “Cuca e Maleve”, ajo krijoi një galeri personazhesh që tashmë janë pjesë e gjerdanit të artë të kulturës shqiptare. Te “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, ajo ringriti në mënyrën më dramatike figurën e Nicës, nga skaji i dytësorëve në qendër të skenës — vetëm falë fuqisë së jashtëzakonshme interpretative dhe plastikës së përsosur.

    Ajo e krijoi veten dhe identitetin e saj artistik me durim të hekurt, me dhimbje e përvujtëri, me një përditshmëri të lodhshme që, përmes punës, punës dhe vetëm punës, u shndërrua në madhështi, si një mal që ngrihet milimetër pas milimetri derisa bëhet majë.

    Skena e pa të rritej. Salla e pa të shndriste, dhe publiku e pa të ngjitej në atë lartësi ku pak artistë mundin të arrijnë ato maja ku talenti nuk është më dhuratë, por përgjegjësi dhe sfidë e kthyer në mision; një mision që të djeg dhe të ngre njëkohësisht.

    E megjithatë, Zoica nuk u mbyll vetëm brenda magjisë së baletit. Ajo u shndërrua edhe në një ikonë të kinemasë shqiptare, duke u zhytur në një rol skenik tepër të vështirë e të ndërlikuar, që nuk kërkonte thjesht teknikë, por shpirt, vetëm shpirt dhe ambicie… një zhytje në thellësi ku vetëm të mëdhenjtë marrin frymë.

    Në filmin artistik shqiptar “Cuca e Maleve”, me skenar nga Loni Papa dhe Agron Aliaj, me regji të Dhimitër Anagnostit dhe muzikë të Nikolla Zoraqit, ajo nuk skaliti vetëm një karakter, por fuqishëm i dha zë një epopeje femërore shqiptare që po përjetonte rilindjen dhe emancipimin e vërtetë; një zë që kumbon ende në malet e kujtesës tonë.

    Zëri i saj i brendshëm, ai që kishte mbijetuar humbjet e mëdha dhe vetminë, u shkrinë me figurën e vajzës së maleve, duke e kthyer rolin në një emblemë të fuqisë, krenarisë dhe qëndresës së një epoke të re që lindi; një emblemë që rri pezull si një flamur në erë.

    Roli nuk e ngriti Zoicën, por ishte Zoica ajo që e ngriti dhe e monumentalizoi atë rol, duke e shndërruar në gur themeli të një trashëgimie artistike.

    Ajo e mbushi personazhin me dritën e një gruaje që njeh plagët, por nuk i dorëzohet atyre; me ritmin e një artisteje që, më shumë se të kërcejë, di të ndërtojë një botë të brendshme, të gëzuar dhe të bukur, si një kopsht që lulëzon edhe në dimër.

    Pak njerëz e dinë se pas skenës Zoica nuk ishte thjesht balerinë; ajo ishte ndërtuese. Shkolla Koreografike Shqiptare mbart edhe themelet e saj. Ajo trokiti në çdo derë, arnoi çdo pengesë burokratike, përballoi dyshime, shtyu mure dhe hapi rrugë. Punoi netëve, përgatiti plane, ndërtoi programe mësimore, krijoi bazën ku sot qëndron gjithë baleti shqiptar. Nuk kërkoi lavdi, por ëndërroi dhe kërkoi që brezi i ri të kishte atë që asaj i kishte munguar dikur.

    Si pedagoge, ajo u bë një urë e gjallë mes brezave. Nuk u mësoi nxënësve vetëm të lëvizin bukur, por të ndihen të denjë për skenën.

    U mësoi se arti nuk fillon vetëm me talentin, por edhe me karakterin, me vullnetin dhe punën e madhe e të palodhur të njeriut, se bukuria e lëvizjes nuk lind nga rrugë të lehta, por vetëm nga puna dhe sakrificat e mëdha.

    Dhe se nuk ka balerinë të madhe pa një shpirt të madh, një shpirt që digjet si qiri dhe ndriçon si flakadan.

    Ajo ndërroi jetë në moshën 91-vjeçare, në mërgatë, atje në Amerikën e largët, e përmalluar nga një zjarr i madh i një dashurie dhe i mirënjohjes për Shqipërinë, vendin që e lindi, e rriti dhe i dha emrin e pavdekshëm të një artisteje kaq të madhe.

    Sot, kur përkujtojmë 1-vjetorin e ndarjes së saj nga kjo botë, Zoica Haxho nuk qëndron në mendje si një kujtim i largët. Përkundrazi! Ajo është një prani e gjallë në historinë e artit shqiptar.

    E gjejmë në shpirtin e çdo balerine që ngjitet sot në skenë me besimin se mund të arrijë majën.

    E gjejmë në auditoret dhe korridoret e shkollave artistike të baletit, ku portreti i saj aspiron të mos jetë vetëm nderim, por frymëzim.

    E gjejmë në filmografinë tonë që mbart fytyrën e saj të paepur. E gjejmë në hapin ritmik të një arti që ajo e ngriti nga themelet, si një ritëm që nuk ndalet.

    Zoica Haxho nuk është vetëm pjesë e kujtesës së historisë së artit, por një nga shtyllat e forta të identitetit artistik shqiptar. Një vajzë që erdhi nga heshtja, por që la një jehonë që nuk shuhet kurrë… një jehonë që udhëton si erë në krahët e kohës.

    Në çdo skenë ku vallëzohet sot, në çdo ngjarje të rëndësishme artistike ku kërkohet thellësi, në çdo nxënës që kërkon të gjejë veten mes dhimbjes dhe artit, Zoica vazhdon të marrë frymë.

    Ajo është aty, me fuqinë e brendshme rrezëlluese që u ndriçon rrugën brezave të talenteve të rinj, si një trashëgimi që assesi nuk plaket, si një emër që nuk harrohet lehtë dhe që mbijeton përtej harresës…

    Tiranë, e hënë, 1 dhjetor 2025

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË