More
    KreuLigjëratëIlide Carmignani: Nga italishtja në botë dhe anasjelltas -përkthimi si sistem qarkullimi...

    Ilide Carmignani: Nga italishtja në botë dhe anasjelltas -përkthimi si sistem qarkullimi i letërsive

    Kumtim i mbajtur në seminarin e organizuar gjatë ditëve të panairit, me temë: “Letërsia e përkthyer për fëmijë dhe të rinj”

    ILIDE CARMIGNANI është një nga përkthyeset më të shquara italiane, e njohur veçanërisht si “zëri” i Luis Sepúlvedas, Roberto Bolaños, Jorge Luis Borgesit, Julio Cortázarit etj. Ajo punon me disa nga shtëpitë botuese më prestigjioze italiane. E vlerësuar me Çmimin e Përkthimit Letrar të Istituto Cervantes, Carmignani i është përkushtuar edhe ndërgjegjësimit për të njohur vlerën e paçmueshme të punës së përkthyesve përmes seminareve, konferencave dhe shkrimeve. Është konsulente editoriale e Sallonit të librit në Torino dhe organizatore e konferencës ndërkombëtare “Dall’italiano al mondo”. Njihet gjithashtu edhe për ripërkthimin e veprës kryesore të Markezit, “100 vjet vetmi”.


    Në kohën e shkurtër që kam në dispozicion, do të doja të skicoja një panoramë të botimeve italiane për sa u përket importeve dhe eksporteve të titujve të botuar dhe më pas të ilustroja një nismë të Sallonit të Librit të Torinos, konferencën “Nga italishtja në botë”.

    Editoria italiane, industria kryesore kulturore e vendit (që radhitet edhe para TV së paguar, pay TV, dhe videolojërave), ka një vëllim xhiroje të shitjeve me vlerë rreth 3.5 miliardë euro, që e konfirmon Italinë në vendin e katërt të Industrisë botuese evropiane, pas Gjermanisë (9.444 milionë), Mbretërisë së Bashkuar (5. 327 milionë) dhe Francës (5.094 milionë). Tregu spanjoll i librit vjen pas Italisë (2.719 milionë).

    Shtëpitë botuese aktive në vitin 2022 në Itali (ato që kanë regjistruar të paktën një titull në bazën e të dhënave të librave në shitje) e kanë kapërcyer numrin 5 mijë (5184).

    Italianët blejnë më shumë libra sesa përpara periudhës së pandemisë dhe editoria italiane e ka shoqëruar këtë rritje me një ofertë gjithnjë e më të pasur: rreth 90 000 tituj të rinj të shtypur të botuar në vitin 2022, ndërsa katalogu i librave në treg është afro 1.5 milionë tituj.

    Tendenca e shitjeve në vitet e fundit lidhet më shumë me titujt e katalogut sesa botimet e reja, pra titujt e publikuar gjatë vitit kalendarik zënë pjesën më të madhe të shitjeve. Në vitin 2022, dy të tretat e lexuesve italianë kanë blerë tituj të botuar në vitet e mëparshme. (Kjo mund të “lexohet” si një vëmendje më e vogël nga ana e botuesve ndaj librave që lidhen me interesa të çastit dhe vëmendje e shtuar ndaj long seller-ë potencialë dhe ripërkthimeve të klasikëve.)

    Libri artistik, fiction, mbulon një të tretën e tregut (në vitin 2022 ka një rritje në vlerë prej +6,3% krahasuar me një vit më parë). “Narrativa e autorit” italian dhe të huaj përfaqëson gjysmën e veprave artistike të botuara. Kjo do të thotë se gjysma e romaneve të botuara i përket narrativës së «zhanrit»; romani romantik (+34,2%), fantazia (+25,0%) dhe libri thriller (+15,0%) janë në rritje, çka më vete përfaqëson 14% të prodhimit të përgjithshëm narrativ.

    Në vitin 2022, 6 nga 10 libra në shitje janë narrativë e huaj, për një sasi prej afro 20 milionë librash të shitur (gjithmonë në librin artistik). Libri i huaj artistik është rritur me 30% krahasuar me vitin 2019. Edhe këtu duhet të bëjmë natyrshëm dallimin mes literary fiction dhe zhanrit, por romani me autor të huaj mbetet ende dhe, pa mëdyshje, më i shituri te lexuesit italianë.

    Librat për fëmijë dhe adoleshentë mbulojnë 18% të tregut (sektori është rritur me +17,2% krahasuar me vitin 2019). Në vitin 2022, në Itali u botuan 8 397 tituj për fëmijë (deri në moshën 14 vjeç). Është një ofertë që ka në fokus grupmoshat e mitura dhe parashkollore: libra të blerë nga prindërit pa asnjë ndërhyrje nga fëmija.

    Comics/librat vizatimorë janë një pjesë gjithnjë e më e rëndësishme e tregut: 3 500 tituj. Gjysma e librave vizatimorë janë manga.

    Ndërkombëtarizimi i botimeve italiane po rritet. Në vitin 2022, Italia bleu nga jashtë të drejtat e përkthimit të 9 432 titujve dhe shiti jashtë vendit 7 889 të drejta përkthimi të veprave italiane. Në 20 vjet, përkthimet nga gjuhët e tjera në italisht janë pothuajse dyfishuar, ndërsa përkthimet nga italishtja në gjuhë të tjera janë pothuajse trefishuar. Kjo pavarësisht prej rritjes së vrullshme të numrit të titujve nga autorë italianë: 65 000 tituj në vit.

    IMPORTI ITALIAN

    Si zhanër (gjini). 37% letërsi artistike, 24% letërsi për fëmijë, 23% nonfiction, 8% manuale jouniversitare, 7% libra vizatimorë, 2% libra të ilustruar. (Sondazhi Aldus Up, ripunuar nga AIE.)

    Si gjuhë. Zona gjuhësore përparësore e “furnizimit” mbetet ajo anglosaksone: 60-61% e titujve vijnë nga kjo zonë, të cilët, nga ana e tyre, gjenerojnë pothuajse 70% të kopjeve të shtypura (dhe të shpërndara). Vijnë më pas përkthimet nga frëngjishtja me 7.4, nga gjermanishtja 16.5, spanjishtja 3.7, gjuhët sllave 2.8, gjuhët e tjera 10.7. Të gjitha arealet gjuhësore karakterizohen nga konsekuenca strukturore, me përjashtimin të përkthimeve nga gjuhët sllave dhe gjuhët e tjera të cilat janë në rritje, një shenjë kureshtjeje dhe vëmendjeje ndaj letërsive dhe kulturave të ndryshme të vendeve me të cilat historikisht lidhet Italia.

    U përpoqa të bëja një investigim të vogël për importin – por edhe eksportin – e librave midis Italisë dhe Shqipërisë. Gjeta një faqe interesante, Albania Letteraria, hartuar nga Anna Lattanzi, dhe një studim të Aurora Kengës për titujt italianë të pranishëm në katalogun e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, por nuk gjeta të dhëna të përgjithshme zyrtare. Shpresoj që Aldus Up të jetë dalëngadalë në gjendje të skicojë një pamje të saktë. (Aldus Up, siç e dini, është rrjeti evropian i panaireve të librit dhe kryen studime, kërkime dhe iniciativa për të nxitur e mbështetur shkëmbimin e të drejtave midis vendeve evropiane, promovimin e leximit dhe përkthimeve.) Do të ishte e rëndësishme të kishim një hartografi të letërsisë shqipe në Itali dhe letërsisë italiane në Shqipëri për të mbushur boshllëqet, jo vetëm nga pikëpamja editoriale, por edhe kulturore.

    Përpara se ta mbyll këtë pjesë, do të doja të theksoja punën e jashtëzakonshme që Livio Muci ka bërë me shtëpinë botuese Besa për të përhapur letërsinë shqipe në Itali. Asnjë botues tjetër italian nuk është i krahasueshëm. Edhe botuesit kryesorë janë kufizuar në ndonjë botim episodik, ose në botimin e më shumë se një titulli, por gjithmonë nga i njëjti shkrimtar.

    EKSPORTI ITALIAN

    Në vitin 2022, gjinitë që botuesit italianë u shitën më shumë shtëpive botuese të huaja ishin librat për fëmijë (35%), 30% nonfiction, esetë popullarizuese (20%), fiction (19%), manualet jouniversitare (9%), libra vizatimorë (5%), të ilustruar (2%). (Aldus Up sondazh, ripunuar nga AIE.)

    Evropa është zona e parë ku shiten më shumë librat italianë, me 62% të blerjeve, vjen më pas Azia 18%, Amerika Latine 6%, Lindja e Mesme (5%), Afrika 4%, SHBA dhe Kanada 3%. Vendet evropiane ku Italia ka eksportuar më shumë libra në vitin 2022 janë Spanja, Franca, Polonia, Greqia dhe Gjermania.

    Gjuhët e ashtuquajtura të vogla, pra me një numër të kufizuar përdoruesish, kanë vështirësi të arrijnë në tregje të tjera dhe kjo fatkeqësisht zvogëlon diversitetin dhe rrjedhimisht pasurinë kulturore kolektive. Duhet të shpresojmë për investime më të mëdha nga institucionet për të mbështetur përkthimet dhe përkthyesit. Përkthimi është forma më e lartë e dialogut kulturor midis vendeve me gjuhë të ndryshme. Dhe për dialogun sot ka një nevojë të ndjeshme.

    U përpoqa të skicoja një tablo tejet sintetike të asaj që italianëve u pëlqen të lexojnë nga letërsia botërore, çfarë kërkojmë ne nga jashtë, që na mungon në Itali, dhe gjithashtu atë që bota dëshiron të lexojë nga autorët italianë. Për hollësi mund të konsultoni studimin nga i kam marrë të dhënat: Raport për gjendjen e botimeve në Itali 2023, botuar nga Shoqata e botuesve italianë.

    Në këtë pikë dëshiroj t’ju flas për një nismë të nisur nga Salloni Ndërkombëtar i Librit të Torinos, i cili, nën patronazhin e CEATL, FIT, PETRA-E dhe Panairit të Librit në Frankfurt, synon të promovojë dhe mbështesë përkthyesit e huaj, pra edhe shqiptarët, të cilët i japin zë letërsisë italiane jashtë vendit dhe të krijojë një rrjet mbështetës për përhapjen e librave italianë jashtë kufijve të saj.

    E kam fjalën për konferencën “Nga italishtja në botë”, tashmë në edicionin e tretë, që do të mbahet të premten më 24 nëntor online në platformën digjitale SalTo+ nga ora 14:30 deri në orën 18:30 (me orën italiane). Pjesëmarrja është falas, mjafton të regjistroheni në faqen e Sallonit dhe të regjistruarve do t’u ofrohet mundësia të marrin pjesë në një lloj ekspozite të madhe të librave italianë që nuk janë përkthyer ende dhe të krijojnë marrëdhënie me botuesit italianë , agjentët, gazetarët dhe shkrimtarët.

    “Nga italishtja në botë” është projekti i parë i këtij lloji, i konceptuar gjithashtu në funksion të rolit të mysafirit të nderit të rezervuar për Italinë në Buchmesse në Frankfurt në vitin 2024, dhe po bëhet takim vjetor për përkthyesit që punojnë për shtëpitë botuese nga italishtja. Në edicionet e mëparshme morën pjesë rreth 200 përkthyes në çdo edicion. Mund të asistojnë edhe agjentë apo botues të huaj të interesuar për librin italian dallitalianoalmondo@salonelibro.it Gjuha e punës është italishtja.

    Pse e organizojmë një konferencë të tillë që synon përkthyesit? Sepse e dimë mirë që, veçanërisht për gjuhët joveikolare, përkthyesit e ndërthurin punën e tyre edhe me veprimtari të tjera dhe përbëjnë një lloj urë lidhëse për librat italianë jashtë kufijve tanë, veçanërisht brenda shtëpive botuese më të vogla. Janë ata që marrin përsipër të përkthejnë sample të librit që propozojnë, kur askush në shtëpinë botuese nuk lexon italisht. Janë ata që shkruajnë një skedë leximi. Janë ata që shpëtojnë nga harresa gjithë ata libra, të cilët pavarësisht se janë të bukur, u ofrojnë shumë pak shpresa për fitim agjentëve. Vitin e kaluar, për shembull, romanet La vita sessuale di Guglielmo Sputacchiera nga Alberto Ravasio dhe Ferrovie del Messico nga Gian Marco Griffi, për të cilët u diskutua në konferencë, gjetën mundësi për përkthim jashtë vendit.

    Ndër temat që trajtohen: tendencat më të fundit në letërsinë artistike dhe nonfiction italiane, të analizuara falë bashkëpunimit me L’Indiscreto, dhe në poezinë italiane, të ilustruara falë bashkëpunimit me pordenonelegge; një pasqyrë e romaneve dhe përmbledhjeve poetike pjesëmarrëse në Çmimin Strega, në bashkëpunim me Fondacionin Bellonci; të rejat e fundit në letërsinë për fëmijë, e eksploruar në thellësi falë bashkëpunimit me revistën Andersen; analizohet gjendja e letërsisë bashkëkohore italiane falë reflektimeve të Marino Sinibaldit me podkastet e tij Timbuctu në gazetën Post. Së fundi, ka një seminar për figurën dhe rolin e agjentëve letrarë në zinxhirin e aktorëve të librit.

    Disa fjalë për Klasifikimin e Cilësisë të revistës letrare L’Indiscreto: hartohet tri herë në vit dhe mbështetet në fjalën e një jurie të përbërë nga 600 persona të përfshirë në këtë sektor (shkrimtarë, revista letrare, librari, biblioteka, gazetarë kulturorë, botues, përkthyes/ përkthyese) në lidhje me librat më të mirë të letërsisë artistike, nonfiction dhe poezinë italiane të periudhës paraardhëse.

    Disa fjalë për revistën Andersen: është revista mujore më e njohur dhe më e përhapur italiane e informacionit për librat për fëmijë dhe të rinj dhe një pikë referimi dhe krahasimi për mësuesit, bibliotekarët, edukatorët, shkrimtarët, ilustruesit dhe botuesit. Në çdo numër të revistës gjenden rubrika të shumta që nxjerrin në pah lajmet më interesante editoriale për fëmijë, si dhe tregime, përshkrime dhe tendenca të reja të letërsisë, të ilustrimit dhe kulturës për fëmijë. Andersen jep edhe çmimin prestigjioz me të njëjtin emër, i cili nuk bëhet me nominim apo aplikim, por është shprehje e drejtpërdrejtë e punës së përditshme të kryer nga redaksia.

    Mariana Ymeri më kërkoi të sugjeroja disa tituj të letërsisë për fëmijë dhe unë po ju sugjeroj dy, duke u frymëzuar nga materiali i vitit të kaluar nga Martina Russo i Andersen. Libri i parë është i Nadia Terranovas, Il segreto, Mondadori, ilustruar nga Mara Cerri, një roman për fëmijë 12 vjeç e lart, dhe i dyti është një roman thriller për fëmijë nga Sofia Gallo, Mistero sul lago, EDT, përsëri për moshat 12 dhe lart.

    Kushdo që regjistrohet në konferencën “Nga italishtja në botë”, do të marrë më pas me email materialin me të gjithë titujt e shënjuar. Salloni i Librit është gjithashtu i lumtur të ndihmojë përkthyesit e regjistruar që synojnë të kontaktojnë botuesit, agjentët dhe shkrimtarët italianë për të propozuar përkthimin e një titulli.

    Falënderoj Shoqatën e Botuesve Shqiptarë, Marianën e dashur të Diturisë dhe IIC Tiranë, në veçanti drejtorin, Alessandro Ruggera.

    Ju faleminderit të gjithëve.

    Perktheu Mariana ymeri

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË