More
    KreuLetërsiBibliotekë"I ndrojturi", tregim nga Florenc Shaini

    “I ndrojturi”, tregim nga Florenc Shaini

    Gjumi i doli herët. Akoma nuk kishte zbardhur mirë dhe pallatet përreth dukeshin si ca përbindësha të përgjumur, që rruga iu ra rastësisht andej. Qielli heshtte nën një ngrysje që sa vinte e zbutej, si një njeri i mirë që s’di të mbajë inat, ndërsa zërat e rrallë të atyre që halli apo puna i kishte nxjerrë jashtë në atë orë, të bënin të besoje se gjithçka që shtrihej para syve të tu ende të përgjumur, nuk ishte më një ëndërr.

    Ai u kthye në një krah dhe vështroi përtej dritares me perde të holla të bardha, duke ndjerë brenda në kraharor një gëzim dhe një dritë të pakuptueshme, të cilën nuk e shpjegonte dot, ashtu siç nuk mund të shpjegonte dot bukurinë e një peizazhi, të detit, apo të syve të ëmbël të një vajze. Ishte zgjuar me atë gëzim të fshehtë dhe tani po buzëqeshte si i lojtur në gjysmëerrësirë, pa e ditur nëse e kishte merituar atë gëzim, apo nëse kishte qenë e mundur ta shpikte atë vetë. Kjo nuk kishte shumë rëndësi, edhe pse ai besonte fshehtësisht se e kishte merituar atë, se ai i kishte zbritur nga lart si një dhuratë e hershme e vitit të ri, për një jetë të jetuar krejtësisht në paqe me të tjerët.

     Ishte njëzeteshtatë vjeç atë mëngjes të herët, me pak eksperienca të vërteta të jetës, jo nga ato që të ngurtësonin dhe të bënin më të fortë se ç’duhej, apo që të dobësonin dhe ta mpaknin guximin, por nga ato që nxirrnin në dritë se kush ishe dhe çfarë doje. Kishte një shtat mesatar, flokë të zinj të krehur në mënyrë të thjeshtë në një anë, një të folur të qetë, që arrinte nota pak më të larta kur kërkonin ta shkelnin në kallo më tepër se ç’duhej, dhe fare pak miq, të rastësishëm e të sinqertë si ca bashkëudhëtarë në një tren. Nuk ishte martuar ende, megjithëse kishte dashuruar sinqerisht, jetonte në një apartartament modest bashkë me prindërit e tij dhe kishte vite që punonte në një shtypshkronjë të vogël të qytetit.

    Akoma nuk kishte zbardhur plotësisht, ndërsa ai vazhdonte të qëndronte zgjuar me atë buzëqeshjen që gëzimi i pakuptimtë ia kishte stampuar befas në fytyrë. Ishte si një llambë që i ishte ndezur në kraharor dhe ndriçonte paskëtaj sytë dhe buzët e tij, ishte si një ëndërr ku të duket se po fluturon, por tashmë e sheh me sytë krejt të hapur dhe mendjen zgjuar, ishte vetë lumturia ai gëzim. Mund të ishte çfarëdo atë mëngjes të herët: një mbret që shkëlqente nga urtësia dhe begatia që i siguronte popullit të vet, një ushtar që niset për betejë veçse për të kryer heroizma, një dijetar mjekërgjatë dhe me flokë të arta që ndihmon krejt njerëzit me këshillat e tij, mund të ishte një dashnor që i donte njëlloj të gjitha gratë, mund të ishte një zog, një pemë, apo një liqen, mund të ishte gjithçka që zoti e kishte krijuar pas shëmbëlltyrës së vet. Ai besonte se e kishte merituar plotësisht këtë, se mund të ngrihej atë mëngjes dhe të ishte gjithçka që donte. Ajo dritë që i ishte ndezur në kraharor dhe e kishte zbuar tej krejt errësirën dhe plogështinë e zakonshme, kishte nisur si një shkëndijë gati e padukshme dhe në pak minuta e kishte përfshirë të tërin. Siç dukej ai e priste këtë, ndaj edhe gjithçka tek ai kishte marrë dhe ishte ndezur aq shpejt, si një masë e thatë që priste veç flakën për të çliruar pak energji. Kjo nuk donte të thoshte se ai ishte një njeri i zbrazët dhe pa gjelbërim, por se ishte tamam gati për këtë shkëndijë, që kishte sjellë me vete atë gëzim ndriçues.

    Po zbardhte dalëngadalë dhe gjithçka po merrte formën e vet të zakonshme, duke krijuar tek të gjithë njerëzit që po zgjoheshin atë ndjesi të nevojshme normaliteti, për t’u ngritur nga shtrati dhe për të kujtuar detyrat e tyre të përditshme. Pallati përballë po dilte nga hija ku ishte kredhur dhe tek—tuk nëpër të ndriçonin dritaret, si një traget i sapombërritur në port pas udhëtimit të natës. Zërat e njerëzve vinin deri brenda në dhomë, ku ai i shtrirë në krevat vazhdonte të fiksonte diçka para syve të tij, me atë buzëqeshjen e stampuar gëzueshëm në fytyrë. Ishte zgjuar, jashtë po zbardhte plotësisht dhe dita e re po fillonte me zhurmat dhe ndjesitë e saj të njohura, ndërsa brenda tij vazhdonte të ndriçonte akoma ai gëzim që mund ta gjeje vetëm në ëndërr.

    Ai u rrotullua përsëri në shtrat, më tepër për t’u siguruar se gjithçka që po i ndodhte ishte krejt e vërtetë, sesa nga një nevojë e natyrshme e trupit për t’u kthyer në një pozicion sa më të rehatshëm. Veçse ai gëzim në kraharor, që ia ndriçonte krejt sytë, i shfaqej njëlloj edhe kur shihte pallatin përballë tek merrte jetë nga njerëzit që lëviznin brenda tij si gjaku në damarë, edhe tani që po fiksonte murin e bardhë të dhomës. Pra ajo dritë në kraharor dhe ai gëzim në sy, ai besim se mund të kryente gjithçka të mirë dhe heroike në këtë botë, ishte brenda tij dhe nuk vinte nga ndonjë ngacmim i jashtëm, ashtu siç ndodhte që një peizazh ekzaltonte piktorët, apo një melodi e këndshme e dehte një muzikant. Veç kësaj ai nuk ishte asnjëri nga këto të dyja, nuk ishte madje as një krijues i thjeshtë vargjesh, gjë të cilën mund ta bënte kushdo. Ishte një njeri i rritur me edukatën e të mirës dhe të keqes dhe se kjo e fundit duhej shmangur sa më shumë, edhe kur ishte ndjellëse.

    Tashmë ora po shkonte shtatë dhe atij i duhej të ngrihej nga krevati. Hodhi tej batanijen e vetme me të cilën ishte mbuluar dhe u gjend në këmbë. Nëpër apartament dëgjoheshin hapat e prindërve të tij, të cilët qenë ngritur më herët dhe tani po pregatisnin kafenë. Në kuzhinë televizori i ndezur po jepte pasqyrën e shtypit të ditës: një skandal i ri, një vrasje dhe pak sport. Ishte gjithçka si të djeshmen, si të pardjeshmen, si ditën tjetër para saj… Ishte gjithmonë njëlloj, që prej kohësh që s’mbaheshin mend. Vallë do të ishte e tillë edhe kjo ditë, që kishte nisur në mënyrë aq fantastike dhe plot shpresë të ndezur e të gëzueshme! Iu kujtua rruga plot fytyra të ngritura herët, që kalonin duke nxituar secila në hall të vet, aty—këtu ndonjë buzëqeshje e shkurtër dhe kaosi i makinave që kërkonin gjithmonë vendin e tyre. Iu kujtua dera e ndërtesës ku punonte dhe kolegët që e përshëndesnin si gjithmonë, me një filxhan kafeje në një dorë dhe cigaren në tjetrën, ora katër e kthimit në shtëpi, koha e bërjes së dushit dhe e një pushimi të vogël, përpara se të dilte përsëri në rrugë, për të blerë diçka, për të kryer një porosi, apo për të takuar një shok. Pastaj iu kujtua mbrëmja, që donte patjetër pak lexim, ndryshe përse ishte, ngrënia e darkës me prindërit dhe ndonjë film apo emision në televizor.

    Ai hyri në banjë për të larë sytë dhe për t’i larguar këto kujtime të panevojshme. U hodhi një grusht me ujë syve dhe duke u vështruar në pasqyrë ngeli i çuditur. Nuk ishte njëzeteshtatë vjeç, siç kujtonte, por plot pesëdhjetë! Ai shkëlqimi në sy dhe ndriçimi në kraharor nuk dukej gjëkundi, ndërsa zërat që vinin nga kuzhina qenë ato të fëmijëve të tij. Ai u mundua të fërkonte sytë, se ndoshta gjithçka ishte një turbullim i mëngjesit, por ajo që ngelej në pasqyrë ishte shëmbëllimi i tij i shqetësuar dhe plot ankth.

    Pak më vonë doli në rrugë, duke u munduar të risjellë në kraharor dhe në sy atë dritë dhe atë gëzim, se ndoshta gjithçka tjetër ishte vetëm një shaka.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË