More
    KreuLetërsiBibliotekë"Homo Sapiens në qytetin që nuk sheh", tregim nga Flamur Topi

    “Homo Sapiens në qytetin që nuk sheh”, tregim nga Flamur Topi

    Një muaj nga mbërritja në qytetin shumëmilionësh po e ndiente veten gjithnjë e më të humbur. Kishte ardhur në Nju-Jork nga një qytezë e Mesdheut të largët, që s’i kalonte tetë mijë banorët. Qenë aq të paktë në numër sa, gati të gjithë, si në një familje të madhe, njiheshin me njëri-tjetrin, shiheshin e përshëndeteshin në rrugë si të njohur të vjetër. Ky intimitet, gati fisnor, e bënte bulevardin “Mediterraneum” të këndshëm. Rruga ziente nga të rinjtë e të rejat që bisedonin gjallërisht dhe herë-herë, shpërthenin në të qeshura e thirrje të hareshme. Edhe kur s’njiheshin e s’kishin këmbyer fjalë më parë, shiheshin në rrugë miqësisht, sy më sy dhe shpesh i buzëqeshnin njëri-tjetrit. Qyteza bënte kështu një jetë të paqtë, të qetë, të lumtur dhe pa andralla. Më të rriturit merreshin me peshkim, kurse më të rinjtë ndiqnin shkollat dhe zbaviteshin mbrëmjeve në klube argëtimi e sportive.

    Të gjitha këto i kishte lënë pas një ditë të muajit maj. I kishte hipur avionit dhe i mbushur me shpresa për të ardhmen, kishte udhëtuar për në qytetin e ëndrrave.

    Të nesërmen e mbërritjes qe e shtunë dhe Rubi e shfrytëzoi këtë ditë pushimi për të shëtitur në më të famshmen rrugë të Nju-Jorkut, Broadway. Pothuajse u shokua. S’po u besonte pamjeve gati-gati ireale. Iu duk se po shihte një ëndërr tronditëse. Njujorkezët s’ia hidhnin aspak sytë njëri-tjetrit. Nuk shiheshin ashtu si në qytezën e vet. Dukej se askush nuk bëhej kureshtar, nuk interesohej dhe as që donte t’ia dinte për tjetrin. I kalonin pareshtur përbri, majtas e djathtas, dhjetëra, qindra kalimtarë dhe askush s’e vërente, si të mos ishte.

    Ditët e para, kur në njëfarë mënyre u mësua, një fenomen i tillë iu duk deri-diku i pranueshëm, madje edhe i këndshëm. Të jepej rasti të kundroje lirshëm, pa më të voglin kompleks, mijëra portrete njerëzore, njëri më i ndryshëm e më interesant se tjetri: të bardhë, të zinj, kinezë, spanjollë, meksikanë, arabë, indianë, o perëndi, larmi e pafund! Kësaj s’ia kishte mbërritur kurrë në qytezën e tij, sepse, sapo i vinte ballas një banor i saj, ishte e pamundur të mos shiheshin sy më sy e, në kësi rastesh, është e vështirë, në mos e pamundur, të përqendrohesh në të veçantat, imtësitë e fytyrës së tjetrit. Kurse këtu, në Nju-Jork, ishte ndryshe.

    Ja! Ia ka ngulur sytë një vajze zezake rreth të njëzetave: e gjatë, belhollë, e zhdërvjellët, krenare, simpatike dhe seksi. Kryelartë, e sigurt në vete, joshëse, ajo shkon drejt tij; po afrohet me grupin prej dhjetëra njerëzish që sapo kaluan semaforin në një kryqëzim të Time Square.

    Ai pandeh se mund ta shohë shpenguar, lirshëm, siç ka bërë gjer tani me qindra të tjerë, pa u vënë re, por… Ja, këtë s’e kishte pritur. Zezakja u ndal befas mu te këmbët e tij dhe i hodhi një vështrim të rreptë e qortues.

    – Zotëri, kishit ndonjë gjë për të më thënë? E dini ç’është privatësia? Mos duhet të thërras 991-in?

    Rubi, që s’i kishte mbushur të njëzetepestat, shtangu. I shokuar, tha vetëm një “Më falni!” me gjysmë zëri dhe bëri tutje, pa guxuar të kthente kokën pas.

    Kishte marrë goditjen e parë të beftë në qytetin e huaj. Kishte cenuar privatësinë e një personi të panjohur dhe kjo duhej ta bënte më të kujdesshëm në të ardhmen.

    Kështu, pra, po mësonte atë që s’e kishte ditur më parë (por as qe paralajmëruar nga kurrkush): qyteti nuk shihte dhe as pranonte të shihej. Mendjemadh, krenar, narcizist, egoist, i ftohtë akull, gjiganti merrej vetëm me veten. Nuk ekzistonte tjetërkush (dhe as që mund të ekzistonte) përveç atij vetë.

    Më i përqendruar, më i vëmendshëm, më i kujdesshëm, Rubi vazhdoi të shëtiste në Broadway, ndërkohë që e anashkalonin qindra kalimtarë. Ai mund të përbetohej se, në fundin e asaj dite, as edhe një njujorkez i vetëm s’denjoi t’ia hidhte sytë, gjë që tani po e bënte të vuante, mbase diç më shumë se uria që kishte nisur ta merrte.

    “Ushqimi i shpirtit! Ja, ç’do të më munguaka këtu!” – mendoi trishtueshëm dhe ktheu në të parin McDonald’s që i doli përpara, për të mbushur të paktën stomakun që kishte nisur t’i gërryente dhembshëm.

    * * *

    Sikur qiellgërvishtësit të kishin rënduar më shumë në psikikën e tij me përmasat gjigante, e sidomos me lartësitë e frikshme marramendëse, duke e bërë të ndihej edhe më i shtypur, edhe më depresiv, edhe më i dobët, në Washington D.C. pati ndjesinë e një lehtësimi të gazmendtë dhe çlirimit prej ankthit që mend po i merrte frymën. Ndërtesat e tij shëmbëllenin (dhe i kujtonin sakaq) qytetet e vendit të vet, qytezën mesdhetare ku qe lindur, rritur e burrëruar. Rrallë e tek mund të të shihnin sytë ndërtesa të larta.

    E megjithatë, njerëzit qenë thuajse të njëjtë, si ata të Nju-Jorkut, me një ndryshim të lehtë e të parëndësishëm; të ftohtë, seriozë, shpërfillës, krenarë, të vetëkënaqur, të cilët kalonin pranë dhe as që denjonin të të hidhnin një vështrim sado të shpejtë e kalimtar. Në kësi rastesh i vinin ndër mend njerëzit e qytezës së vet, që i shfaqeshin në përfytyrime kurdoherë të ngrohtë si dielli i tyre, të afërt, të përzemërt, të dashur, të respektueshëm e miqësorë, tepër miqësorë.

    * * *

    Ditët shkonin dhe ai s’po mësohej dot me qytetin e huaj. Në fund të fundit, nuk mjafton vetëm të hash e të pish, të kesh një vend të rehatshëm për të fjetur. I kishin dhënë aq para sa për të shtyrë dy a tre muaj, deri në marrjen e asistencës.

    Rubit i mungonte shumë ngrohtësia njerëzore, lidhjet e reja miqësore, komunikimi, dashuria… Ishte gati të hante një herë në ditë, veç të provonte sërish atë ndjenjë të veçantë, atë humor të mirë, atë kënaqësi, atë gjendje dehëse, si në shëtitjet e mbrëmjes në qytezën e vet të lindjes. Por s’i mbetej veçse të priste me shumë durim e të mësohej të përshtatej me jetën e re. A nuk i kishin thënë që më parë të njohurit se mjaft të rezistosh e të mos jepesh një gjysmë viti, se pastaj gjiganti s’të lëshon më nga duart. Të lidh me ca fije të papërshkrueshme shpirtërore, të shndërron në robin e vet të magjepsur e ty as që të shkon mendja të largohesh, ta braktisësh atë e të kthehesh përgjithnjë në vendlindje.

    * * *

    Mësoi rastësisht se të nëntëmbëdhjetë muzeumet dhe galeritë e Smithsonian-it ishin free, domethënë pa pagesë, gjë që, sipas bindjes së vet, do t’ia ndryshonte disi rrjedhën e jetës monotone të deriatëhershme.

    Ai lëshoi një pasthirrmë habie porsa lexoi shifrën marramendëse të tridhjetë e shtatë milionë artefakteve që u ofroheshin vizitorëve dhe vuri gishtin në muzeumin e parë, që përshkruhej si ndër më interesantët në guidën orientuese të Smithsonian Museums. Ishte e qartë tashmë, s’do të kishte kohë as të merrte frymë.

    The National Museum of Natural History! lexoi i përqendruar germat e mëdha të gurta, të skalitura në faqen ballore të ndërtesës, me një arkitekturë të përzier, por tërheqëse, greko-romake.

    Nxitoi të ngjiste shkallët, sepse jashtë ishte tepër nxehtë.

    Mori frymë i lehtësuar kur hyri brenda në sallën e freskët dhe rrumbullake të muzeumit. Vizitorë, shumë syresh me pamje të hutuar a të çoroditur (si ai që s’di kë të shohë më parë), hynin a dilnin pareshtur nga salla të mëdha, ku qenë ekspozuar mijëra qenie të balsamosura: kafshë, shpendë, zvarranikë, insekte, që vetëm emrin ua kishte dëgjuar dhe ua kishte parë në filma dokumentarë të programeve të ndryshme televizive; luanë, tigra, leopardë, shimpanze, orangutangë, dinozaurë, krokodilë, gjarpërinj, o perëndi, pa mbarim!

    Sado hijerëndë, serioz, fjalëpakë, egoist, krenar, fodull, shpërfillës a mendjemadh të ishe jashtë muzeumit, qe e pamundur t’u rezistoje mrekullive që të linin gojëhapur.

    Vizitorët, ngado që kanë ardhur, duken të ndryshëm nga ata të rrugës, qoftë edhe të së famshmes Broadway. Të tjerë njerëz, bashkëbisedues të ngrohtë, të përzemërt, miqësorë, të interesuar për të mësuar diçka të re, të gatshëm për t’iu përgjigjur atyre që pyesnin. Në fytyrat e vizitorëve shprehej dukshëm dashuria, dhembshuria, deri edhe pikëllimi për kafshët a shpendët e balsamosur, të fiksuar përgjithnjë nga mjeshtër të zotë, në një pozicion sulmi të egër ndaj viktimave më të dobëta apo në pozicionin e pritshëm të mbrojtjes së pashpresë.

    * * *

    Në ditët që pasuan, Rubi vizitoi gjithë muzeumet e tjera, njëri më i bukur dhe më interesant se tjetri. E prapë, ai iu rikthye shumë herë të parit, The National Museum of Natural History. Po ta pyesnin se përse po e bënte këtë, për ç’motive, për ç’arsye a qëllim vinte këtu çdo ditë, nga mëngjesi deri në mbrëmje, pa u lodhur aspak, pa ndier mërzitjen më të vogël, s’do të ishte në gjendje të jepte një përgjigje bindëse. S’po mundej të shpjegonte se ç’qe ajo forcë e mistershme, tërheqëse, që e thëthinte pareshtur në gji të saj, në një gjendje të veçantë të tijën, të përngjashme me atë të somnambulit, të të magjepsurit, të besimtarit…

     O perëndi! thoshte tërë frymëzim sapo shkëputej prej elefantit afrikan tetëtonësh dhe ndalej pastaj para krijesës më të vogël të muzeumit, Tinodon Lepidus, njëqind e dyzet e pesë milionë vjet të vjetër, që, për t’u bërë qartësisht e dukshme, e kishin vendosur nën një lente me fuqi të skajshme zmadhimi. O krijues i madhërishëm! Të falem, të përkulem thellësisht për mrekullitë e tua, për çdo gjë hyjnore tënden! Pa shih si t’i kanë ngulur sytë e përvajshëm e të trishtë, sytë e ngrirë përjetësisht. Si të kundrojnë, si të shohin të gjorat, sikur të ishin të gjalla.

    Kishte vizituar për ditë të tëra një tjetër mjedis, National Zoological Park; kishte parë qindra kafshë të gjalla, të vogla e të mëdha. Të gjitha në lëvizje të pareshtur, mospërfillëse, indiferente, të painteresuara për vizitorët, që, me sa dukej, u qenë mërzitur e u kishin ardhur në majë të hundës. Të mbyllura në botën e tyre vetmitare, monotone e të pashpresë, të linin përshtypjen e krijesave depresive, që s’u interesonte asgjë tjetër në atë botë përveç vetes. Dhe ishte aq e vështirë t’ua fiksoje tiparet në gjendjen e tyre gjithherë të lëvizshme e të ndryshueshme.

    Kurse kafshët e balsamosura të The National Museum of Natural History ishin krejt tjetër gjë. Edhe pse të pajeta, dukej sikur miliona, miliarda vështrime të vizitorëve (që s’reshtnin së ardhuri këtu prej dekadash) i shpirtëzonin, u jepnin frymë, jetë, i gjallonin. E ndoshta më mirë ashtu, të ngrira, të akullta, sepse lehtësisht mund t’u afroheshe, t’u qëndroje fare pranë, deri edhe t’i prekje, t’i përkëdhelje, t’i studioje deri në imtësi, t’i shihje qetësisht drejt e në sy, t’i vështroje me nge, derisa të lodheshe.

    Eh, me të gjallat e National Zoological Park s’mund ta kishe atë komoditet e lirshmëri pa kufi. Sapo e nuhasnin, e ndienin, e kuptonin se po merreshe disi gjatë me to dhe po e teproje, ose largoheshin si të bezdisura a të lodhura prej teje, ose të hidheshin befas egërsisht përmes ulërimash të thekshme, teksa përplasnin turinjtë e çakërryer në rrjetën e sigurisë.

    Tek i vështronte gjatë e mendueshëm, Rubi gjykoi për një grimë se nuk qenë aq të pafata. Miliarda pa fund të sërës së tyre qenë zhdukur ndërkohë, pa lënë gjurmën më të vogël në këtë jetë. Ato, të balsamosura, edhe pse të pashpirta, ekzistonin ama, ishin dhe do të ishin kështu edhe qindra vite të tjera, pra ende në jetë, edhe pse të pafryma. Trupi i tyre thëthinte në çdo sekondë energjinë e fuqishme të vështrimeve njerëzore, që depërtonin, infiltronin thellë në galaksinë e qelizave dhe të indeve vetëm në dukje të pajeta, sepse Rubi besonte se pikërisht prej asaj force ato gjallonin e përtëriteshin pareshtur.

     Vallë, sa vështrime njerëzore ngërthehen gjatë një viti mbi trupat e balsamosur? Po energjia e shikimeve, forca, fuqia gjalluese e tyre, a është llogaritur ndonjëherë? Do të kishte qenë një studim vërtet interesant. Do të besoja se kafshët e balsamosura vetëm sa duken të pafryma, sepse brenda tyre gjallon doemos një jetë ndryshe. Një lloj tjetër jete.

    Fuqia e vështrimeve njerëzore është e pahamendësuar, e paimagjinueshme. Vështrimi i një njeriu të vetëm mund të ketë efekt të paparashikuar mbi një person tjetër. Energjia e vështrimit njerëzor, valët elektromagnetike të trurit, mund të të depërtojnë, të përshkojnë tejpërtej, të shkaktojnë një çrregullim tërësor, të çekuilibrojnë, të trondisin, të marramendin, të hutojnë, të konfuzojnë, gati-gati të rrëzojnë përdhe.

    Kishte dëgjuar për një rast dramatik në qytezën e vet, kur kishte mjaftuar vetëm vështrimi i një të moshuare për ta sëmurur, madje edhe për të rrezikuar seriozisht jetën e një të vogli.

    Po energjia e miliona, miliardave shikimeve? A mund të mos e konsiderosh dhe të mos e çmosh? Vallë, për këtë shkak apo për ndonjë arsye tjetër amerikanët s’ia hedhin sytë njëri-tjetrit në rrugë, duke e gjykuar këtë (a ndoshta duke kamufluar arsyen e vërtetë) si shkelje të privatësisë së tjetrit? Hëm! Hajde gjeje! Hajde e kuptojua zakonet dhe huqet këtyre!

    Befas, si i përmendur prej një ëndrre të çoroditur, i regëtiu në mendje pyetja e pritshme, krejt e natyrshme për t’u bërë në një muze të klasit të parë, si ai i The National Museum of Natural History: Po njeriu, ku është në këtë muze? Ku është, vërtet? Si nuk e kam parë? Si s’ma kanë zënë sytë gjer tani?

    Ah, ja, më në fund! Ja, tek qenka! Man! Homo Sapiens! Homo Sapiens! përsëriti me vete.

    Kërshërtar, iu afrua eksponatit ku binte në sy fotografia e një burri rreth të pesëdhjetave. Personi i zgjedhur për të përfaqësuar simbolikisht Homo Sapiens ishte i veshur me një kostum ngjyrëkafe, me këmishë të bardhë dhe kollare po ashtu të kafenjtë. Një shami e bardhë i lëshohej poshtë xhepit të xhaketës. Pranë, fare pranë, në brinjë i qëndronte trupi i balsamosur i një shimpanzeje me pamje të frikshme. Më tej rreshtoheshin pranë e pranë orangutangu, xhiboni, për t’u mbyllur ky varg gjitarësh të balsamosur me majmunët.

    I përhumbur, Rubi po i vështronte si i shastisur, ndërkohë që mendja i punonte ethshëm.

    * * *

    Në fundin e javës së parë të vizitave të përditshme në The National Museum of Natural History, Rubi kërkoi të takohej me drejtorin e saj, zotin Riçardson. Por s’kishte për të qenë e lehtë, siç pandehu në fillim. Iu kërkua arsyeja, qëllimi i takimit dhe në çdo rast djali përsëriste ngulshëm se të fshehtën mund t’ia besonte vetëm dhe vetëm zotit Riçardson.

    Në ditën e dhjetë të kërkesave të pandërprera, gati-gati psikopatike, Rubi vendosi të bënte një lëshim.

    – I thoni zotit Riçardson, – iu drejtua sekretares së tij, së cilës, për hir të së vërtetës, ai djalë i kishte ardhur në majë të hundës, – se muzeumi ka një mangësi të rëndësishme, të cilën dëshiroj t’ia bëj të njohur atij vetë, personalisht.

    – Dakord. Do t’ia them këto fjalë. – ia preu shkurt, dukshëm e bezdisur, sekretarja, një vajzë e re dhe tërheqëse, teksa mbante një shënim të shpejtë mbi një bllok të hapur.

    Nuk besoi edhe aq se çupëlina (që iu duk e lehtë dhe koketë) do t’ia thoshte fjalë për fjalë shefit të saj kërkesën paksa të mistershme. Por ajo, përkundër hamendjeve, ia bëri të njohur, pas përshkrimit të detajuar të personit (i cili e kishte shqetësuar së tepërmi me vizitat e tij të përditshme dhe që, së fundi, ishin bërë vërtet të padurueshme).

    – Çfarë?! – gati kishte ulëritur Riçardsoni. – Muzeumit i munguaka diçka e rëndësishme që unë ende nuk e ditkam? Është e pamundur! E pamundur! Më i madhi, më i pasuri, më i famshmi muze natyral i botës dhe përsëri i mangët, i pakompletuar?! – ironizoi ai, dukshëm i nervozuar me shprehjen provokuese të vizitorit të huaj. – E megjithatë, do ta pres, po, po, do ta pres! Jam me të vërtetë kureshtar ta mësoj nga i huaji…

    * * *

    – Çfarë?! Munguaka Homo Sapiens?! – gati ulëriu zoti Riçardson. – Djalë! Mos jeni tallur gjer tani? Mos po bëni një shaka të hidhur? Më thoni se jeni vizitor thuajse i përditshëm i muzeumit tonë dhe se paskeni vënë re në seksionin Man, Homo Sapiens?!

    – Pikërisht! Si një vizitor i vëmendshëm, munda të vërej një mangësi të rëndësishme të seksionit “Man and the manlike apes, order primates”.

    – E ç’na qenka kjo e metë, ky defekt, kjo mangësi?! – pyeti me cinizëm Riçardsoni, duke e përmbajtur veten me zor.

    – Zoti Riçardson! Çdo qenie në muzeumin tuaj, që nga më e madhja e gjer te më e vogla, që nga elefanti afrikan tetëtonësh e deri te Tinodon Lepidus, mezi i dukshëm, përfaqësohet fizikisht dhe denjësisht, edhe pse e balsamosur, kurse njeriu, qenia më e lartë e planetit, thjesht me një fotografi të rëndomtë. Madje, është fotografia e vetme, krejt e vetme e të gjithë muzeumit, sepse, e përsëris, gjithë qeniet e tjera u paraqiten vizitorëve me trupat e tyre.

    – Sipas jush, ç’duhej të bënim? – pyeti Riçardsoni, duke e humbur dukshëm qetësinë. – Të vendosnim një trup njeriu të balsamosur?! E kujt do t’i ngjallte interes kjo? Vetë vizitorët janë Homo Sapiens-ë dhe ata nuk kanë jo vetëm kuriozitetin më të vogël, por as edhe dëshirën për të kundruar vetveten. Pra, Homo Sapiens-i nuk do të shohë Homo Sapiens-ë. Kështu që, në një atmosferë të këtillë, varianti i fotografisë është më i gjeturi, më i godituri.

    – Dhe më pak dinjitozi, më pak i respektuari. Përderisa keni gjetur vend në muzeumin tuaj për Triceratops Horridus-in, Stegosaurus-in, Latouchella Merino-n, Eurypterid Pinceri-in, dinozaurin Tyrannosaurus e gjer për kobrën Naja Naja, kaq e pamundur paska qenë për Homo Sapiens-in?

    Riçardsoni, tek psherëtinte thellësisht, u shkëput lehtas nga shpinorja e kolltukut dhe me bërrylat e mbështetur mbi tryezën e punës, iu afrua më shumë Rubit.

    – Çfarë propozoni ju, zoti Rubi? Në fund të fundit, këmbëngulja e pazakontë për të më takuar ka një qëllim, ka një arsye të fortë, një shkak. Nuk dua të besoj se tërë këto përpjekje të mundimshme, gati të dëshpëruara, i paskeni bërë thjesht sa për të më thënë se Homo Sapiens-i nuk është në vendin e vet të natyrshëm, të merituar. Atëherë, flisni hapur, më thoni sinqerisht. Si e keni hallin? Çfarë ideje keni? Ç’më propozoni? Ç’duhet të bëjmë me këtë Homo Sapiens-in tuaj?

    Një çast, Rubi ngurroi të hapej. Propozimi i tij do të keqkuptohej. Do të merrej nga Riçardsoni si i motivuar nga arsye personale. E megjithatë, duhej doemos të fliste. S’kishte ç’të humbiste. As që mund të mendohej një takim i dytë, i afërt, me zotin Riçardson, ndërkohë që për të parin kishte hequr aq shumë.

    – Zoti Riçardson, zotëroj mjeshtërinë e shëmbëllyesit të monumenteve njerëzore. Besoj, të tillë i keni ndeshur shpesh në sheshe kryesore, madje gjer në platformën e Statujës së Lirisë. Mund të qëndroj gjatë, krejt i ngrirë. S’më lëviz as edhe një pjesë, sado e vockël, e trupit dhe anësive. Do të lija kështu përshtypjen e padyshimtë të një Homo Sapiens-i të balsamosur, madje edhe më interesant, më pak tronditës e traumatik, sepse shpejt të gjithë do të mësojnë se s’kanë të bëjnë me një kufomë, por thjesht me një imitues, shëmbëllyes. Jam vetëm njëzet e pesë vjeç, i ri e i fuqishëm. Fitues i një konkursi bukurie në vendin tim. Kështu, do të përfaqësoja denjësisht racën njerëzore. Do të isha një simbol i parapëlqyer i Homo Sapiens-it.

    Riçardsoni heshti një copë herë. S’ia ndante sytë e mprehtë. Bluante ethshëm me mendje, duke përfytyruar gjallësisht se si do të dukej një Homo Sapiens i vërtetë, i gjallë, përbri gjitarëve të tjerë të balsamosur, shimpanzesë, orangutangut, xhibonit, gorillës, majmunit. Në fund, dukshëm i vendosur, duke mohuar me kokë dhe duke hapur krahët, tha prerazi:

    – Jo, djalë! Punë që s’bëhet! S’ka asnjë interes! Edhe kështu, Homo Sapiens-i qëndron me dinjitet në krah të gjitarëve të tjerë, për të mos shtuar se jeni i pari vizitor dhe deri tani i vetmi, që vini në dukje kinse mangësinë e paqenë të muzeumit tonë. Megjithatë, zoti Rubi, do të vazhdojmë t’ju presim me kënaqësi. Jeni pa asnjë dyshim vizitori ynë më i apasionuar dhe… ju falënderojmë për këtë.

    Me fjalët e fundit në gojë, Riçardsoni u ngrit në këmbë, në shenjë përcjelljeje të pashpresë e deziluzionuese për Rubin. Zgjati dorën e fishkur, të cilën djali e shtrëngoi lehtë dhe ftohtë pa ia hedhur më sytë.

    Ishte ai tani që nuk shihte, që nuk donte të shihte, por… as edhe ta shihnin.

    * * *

    Gati po dremiste. Ishte në gjendjen e ndërmjetme midis gjumit të sipërfaqshëm dhe të qenit zgjuar. Një grimë kohe, iu duk se brenda eksponatit Man, Homo Sapiens, vërejti atë vetë, pra Rubin, trupin e tij të balsamosur. Ngaqë nga larg nuk po e shquante qartë, iu afrua i marramendur, si në gjendjen e veçantë të të hipnotizuarit, tranzit. Kur qe fare pranë, vetëm dhjetëra centimetra larg, shtangu. Qe ai. Po, po, ai vetë. Trupi i tij i ngrirë, i pajetë, i balsamosur. Nën të, me germa të mëdha, që binin lehtë në sy, qe shkruar: “Homo Sapiens, Rubi! Me vullnet të lirë, i dhuroi trupin e vet The National Museum of Natural History…”

    Gojëhapur, vështronte si i magjepsur vetveten. Mjeshtërit e mumifikimit qenë përkujdesur të fiksonin përgjithnjë në fytyrën e tij një buzëqeshje të lehtë, që e bënte të dukej përherë një Homo Sapiens jo vetëm i bukur e tërheqës, por i lumtur e babaxhan. Sytë e ngrirë (edhe pse të ngurtësuar e të palëvizshëm) të shihnin ngultazi, gjallërisht. Dukej sikur të ndiqnin të vëmendshëm e vigjilues në çdo lëvizje a pozicion tëndin.

    Një çast të shkurtër iu bë se depërtoi, fuzionoi dalëngadalë brenda asaj qenieje të klonuar dhe u njësua me të, u shkri, u bë një trup i vetëm.

    Vargu i vizitorëve (për të cilët kishte qenë aq shumë i dëshiruar) nuk reshtte: të bardhë, të zinj, të kuq, të verdhë, vendës e turistë, fëmijë e të moshuar. Oh, Zot! Më në fund! Mijëra, dhjetëra-mijëra, qindra-mijëra shikime ngërtheheshin mbi të. Pikërisht ai, që kishte vuajtur e ishte përgjëruar edhe për një shikim të vetëm njujorkez, tani soditej, vështrohej prej të gjithëve.

    Në fytyrat e vizitorëve, mumia Rubi shquante qartësisht dhembjen, tronditjen, pikëllimin, trishtimin për moshën e re të të flijuarit, por në ndonjë rast edhe simpatinë e hapur, ngazëllimin, mahnitjen, mirënjohjen për aktin e lartë sublim në nderim e respekt të thellë të species njerëzore. Vështrimet e tyre dukej sikur thoshin: Ah, tani po! Çdo gjë ka vajtur në vend të vet. Të kishte një eksponat të përhershëm në muzeum për Tinodon Lepidus-in e padukshëm e Homo Sapiens-i të mungonte?! Bah! Një padrejtësi e këtillë s’kishte për t’u pranuar e për t’u duruar kurrë, kurrë.

    Një çift të moshuarish ndali gjatë përpara mumies Rubi. Një copë herë e vështruan në heshtje e plot dhembshuri prindërore.

    – Të vjen keq! – dëgjoi pas pak zërin e dobët, si të humbur, të plakut. – Është flijuar në moshën më të bukur. Veçse brenda kësaj drame ka edhe një të mirë të perëndisë. Si mumiet egjiptiane, ka për të qenë i përjetshëm. Një ditë ne do të shkojmë, të gjithë sa sheh përreth do të shkojnë. Do të tretemi, do të harrohemi, sikur të mos kishim qenë ndonjëherë. Por Rubi do të jetë. Do të mbetet përgjithnjë kështu, njëzetepesëvjeçar, përherë i ri dhe simpatik. I adhuruar, i dashur prej të gjithëve.

    – E çfarë i vlejnë tërë këto ditëziut?! Çfarë i hyjnë në punë, çfarë i duhen, çfarë i nevojiten, kur s’është fare në këtë jetë?

    – E prapë është! – ngulmoi plaku i vendosur. – Nuk është i njëllojtë, nuk ngjan me një të vdekur të zakonshëm, nuk është si të gjithë të vdekurit e tjerë. Përveç skeletit eshtor, këtyre s’u mbetet asgjë në këtë botë. Të zë tmerri t’i shohësh. Kaq të shëmtuar e të frikshëm janë. Kurse këtë ta ka ënda ta vështrosh. Një mumie mistër bukurie, jo shaka.

    Pas çiftit të të moshuarve, që largohen prej tij duke u ngrënë me fjalë, përpara eksponatit Homo Sapiens ndalen ca çaste një grua me të bijën katërvjeçare.

    – O mami! Mami! Ky burri pse është aty brenda? Pse e mbajnë aty? Ka bërë ndonjë faj? Pse nuk lëviz?

    Mumies i vjen paksa për të qeshur me fëmijën naiv. Ngre lehtë çuditërisht krahun e ngrirë kallkan dhe përshëndet vajzën e vogël, që e trembur nxiton të fshihet pas trupit të së ëmës.

    Një çast të papritur, pamja turbullohet, sqarohet fill, si mjegull e shpërndarë dhe Rubi shquan sërish, në vend të vetes, burrin Homo Sapiens të fotografisë.

    Ç’po ngjet kështu me mua?! pyet teksa përmendet i llahtarisur. Mezi hap kapakët e rënduar plumb të syve. E sheh veten në dhomën e tij të gjumit. Merr thellësisht frymë, si të mos ngopej. Vështron orën e murit. Dy e natës. Ende tepër herët për t’u ngritur. Kthehet në anën tjetër. Por gjumi s’e zë.

    * * *

    Rubi e sheh sërish veten të ulur ballë për ballë Riçardsonit. Çuditërisht, këtë herë, ndryshe nga ç’kishte pandehur, nuk ka vuajtur për ta takuar. Vënë në pritje, Riçardsoni s’ia ndan sytë e picërruar, si të mos shihte mirë.

    – Pa hë! – i drejtohet pas një pauze të paqetë. – I mungon gjësendi tjetër muzeumit tonë emërmadh?

    – Ah, jo, – nxitoi ta ndërpresë Rubi me një lëvizje mohuese të krahut në ajër. – Jo. Kam ardhur për tjetër gjë sot.

    Riçardsoni, si të ishte një hetues i regjur, s’ia ndan sytë.

    – Zoti Riçardson! Për kauzën e madhe të Homo Sapiens-it, kam vendosur të flijohem. Ofroj, pa asnjë shpërblim, trupin tim. Jam krejt i gatshëm të më balsamosni, të më bëni pjesë të eksponatit “Man and manlike apes, order primates”.

     Propozimit tronditës të djalit Riçardsoni nuk shpejtoi t’i përgjigjej, thua se qe në kërkim të frazave të përzgjedhura, që i përshtateshin natyrshëm solemnitetit të situatës së pazakontë, në të cilën qe përfshirë papritur e pa kujtuar.

    – Miku im, Rubi! Jua kam thënë e përsëritur gjithnjë në takimet tona.

    Djali mprehu veshët për të dëgjuar më mirë.

    – Homo Sapiens-i, – vazhdoi Riçardsoni, – është qenia më pak interesante, më pak tërheqëse, më pak e kërkuara, më pak e dëshiruara e muzeumit tonë. Nga ana tjetër, vizitorët, ata vetë, Homo Sapiens-ët, janë më të interesuar, duan më shumë, madje adhurojnë kafshët, shpendët, zvarranikët dhe çdo qenie tjetër, përveç vetes, natyrisht. Besoj keni dëgjuar për testamente në shumë milionë dollarë që të pasurit u lënë qenve të tyre, maceve, majmunëve, krokodilëve, deri edhe gjarpërinjve boa, në vend që ta bënin këtë për Homo Sapiens-ët fëmijë, jetimët a të sëmurët e vegjël. Pra, kuptimi i kësaj që po ju them është i qartë. Të kishe qenë ti, bie fjala, një shimpanze, orangutang, gorillë, majmun a çfarëdo kafshe tjetër, do të të kishim mumifikuar, do të të kishin balsamosur menjëherë, në çast, pa mëdyshjen më të vogël, madje me kënaqësinë më të veçantë. Së dyti, ligjet e këtushme janë tejet të ashpra. S’do të lejonin kurrë mumifikimin e një trupi të gjallë, qoftë edhe të dhuruar prej vetë personit. Gjërat vështirësohen edhe më shumë kur është fjala për një djalosh që sapo ka mbushur njëzet e pesë vjeç. E megjithatë…

    Riçardsoni ndryshoi befas ton kur viktima e pritshme shpërvoli fill turinjtë, u pezmatua thellësisht, u ngrys frikshëm, a thua se nga çasti në çast do të vraponte drejt kanatave të hapura të dritareve e do të hidhej përtej tyre, nga lartësia e frikshme prej disa dhjetëra katesh.

    – E megjithatë… Dum spiro spero! Mund të shpresojmë në ndihmën e miqve të mi të drejtësisë! Mbase na lejojnë… Ku ta dish?

    * * *

    Leja qe dhënë. Do ta mumifikonin. Do ta vendosnin përgjithnjë brenda eksponatit të mamiferëve në The National Museum of Natural History.

    Ndërsa po ia lidhnin fort duart e këmbët me kaishë të mëdhenj prej lëkure, djali dukej shumë i prekur, shumë i tensionuar, rënë në depresion të thellë. Tani që ideja, vendimi, dëshira, ëndrra, po mishërohej, po bëhej reale, e prekshme, e besueshme, e padyshimtë, ai nisi të frikohet. Mos në gjendjen e rënduar të të sëmurit psikik, të të deprimuarit a gati të marrëzisë, skizofrenisë, kishte marrë një vendim fatal të pakthyeshëm?

    Kur u siguruan se viktima s’mund të bënte as lëvizjen më të vogël, mumifikuesit (tani më të shkujdesur) nisën të flisnin lirshëm, të shpenguar dhe pa drojë përpara njeriut që do të balsamosej pas pak.

    – Në fillim, si procedurë, heqim zemrën, pastaj mushkëritë, – foli i pari i mumifikuesve.

    – Jo! Do të ishte më mirë të hiqnim së pari të brendshmet. Mëlçi, shpretkë, stomak e zorrë. Përndryshe, fusha operatore do të kontaminohej dhe procesi do të ndërlikohej. Pak a shumë, le të ndjekim të njëjtën procedurë me atë të balsamimit të kafshëve. Kemi goxha eksperiencë, apo jo? – ndërhyri me takt, i kujdesshëm në tonet e shpjegimit, mumifikuesi i dytë.

    Mjeshtërit e balsamimit, krejt të ftohtë emocionalisht, vazhduan bashkëbisedimin profesional, për hir të së vërtetës traumatik e shokues për viktimën (edhe pse i ofruar vetë për flijim), pa e vrarë mendjen, pa u shqetësuar shumë se ajo qe ende zgjuar, pra ende jo nën narkozë dhe se i dëgjonte të gjitha. Por ç’rëndësi kishte tani ky fakt i rëndomtë?! Djali qe lidhur paq duar e këmbë dhe shpejt do ta vinin në gjumin e vdekjes.

    Ankthi i Rubit, si një vërshim i papërmbajtshëm, i vrullshëm, po rritej frikshëm nga sekonda në sekondë. Një kohë nisi të dridhej fort si nën elektroshok e të mbulohej nga djersët. Oh, si po i rrihte zemra! Pushtuar nga paniku, mend po i çante gjoksin, e tmerruar edhe ajo, si të kërkonte t’i shpëtonte bisturisë së mumifikuesve.

    Oh, Zot! Çfarë bëra! Në djall vështrimet e munguara të të tjerëve! Jam tepër i ri për t’u larguar nga jeta! Sa vite humbas kështu?! 60? 70? 80?…

    I erdhën ndër mend, i veguan, iu shfaqën krejt të gjalla, rrugët e qeta, të bardha, plot diell të qytezës së vet. Shëtitorja buzë Mesdheut. Vargu pa mbarim i të rinjve që shëtisnin, bisedonin të hareshëm e qeshnin të lumtur, shend e gaz, pareshtur.

    O perëndi! Ata do të jenë. Do të rrojnë. Do të mbarojnë shkolla, do të burrërohen, do të martohen, do të lindin fëmijë, do t’i rrisin e do t’i martojnë ata, do të plaken. Kurse unë? Përjetësisht brenda ekspozesë, në seksionin “Man and manlike apes, order primates”. I vështruar nga të gjithë, i admiruar, a ndoshta edhe i përbuzur, nga miliona vizitorë (A nuk deshe, a nuk ëndërrove pikërisht këtë, a s’përgjëroheshe e luteshe qoftë edhe për një shikim të vetëm njujorkez?!), por sidoqoftë i pafrymë, i pajetë. E di. Ruajtur mirë, konservuar optimalisht, fiksuar përgjithnjë në moshën e ngrirë tashmë të të njëzet e pesë pranverave. Një mistër bukurie, kallkan i ftohtë, si një skulpturë mermeri e përjetshme. I shikuar, i kundruar, i vështruar nga të tjerët, por pa mundur vetë ta bësh këtë. Të të kuptojnë, të ndiejnë thellë në palcë tragjedinë tënde, t’u dhembë ajo tmerrësisht, të vuajnë e të pikëllohen për këtë e me siguri edhe të përloten dhe ti të mos shohësh, të mos dëgjosh e për këto arsye të mos kuptosh, thjesht sepse je i pajetë, i vdekur, një kufomë e balsamosur. Një mumie që buzëqesh, përjetësisht buzëqesh.

    Vështrimi i ishte mjegulluar prej lotëve. Shqoi turbull, si prapa një velloje, bisturinë fatale që infermierja e instrumenteve ia zgjati kryemumifikuesit. Ky, teksa fishkëllente një melodi hit të kohëve të fundit, ngriti lart krahun që mbante shtrëngueshëm bisturinë, si shenjëtari që matet të qëllojë nga çasti në çast.

    Bëheshin gati ta prisnin për së gjati, nga koka te këmbët, t’i hapnin gjoksin, barkun, t’ia nxirrnin jashtë të brendshmet dhe pastaj t’i flaknin tutje, si të pavlera, në ndonjë kazan të ndotur mbeturinash të spitalit. Djali u tmerrua.

    – Mos! Mos! – klithi i llahtarisur. – Mos! Më zgjidhni! Më lini të shkoj! Dua të jetoj! Jo! Jo! Nuk dua të vdes!

    Me përpjekje skajshëm të dëshpëruara, bëri ç’ishte e mundur të çlirohej nga kaishët e lëkurtë që e shtrëngonin paq, por s’mundi. Krahu i kirurgut po ulej mbi gjoksin që i hidhej përpjetë. Ndali një çast, pak centimetra mbi të. Bëri fill dy-tri lëvizje gjatësore që shëmbëllenin dukshëm me një provë saktësimi të prerjes, incizionit të afërm. Djali ulëriu thekshëm, plot dëshpërim. Oh, Zot! Oh, tmerr!

    Infermieri i narkozës së kafshëve i ngjeshi edhe më fort mbi fytyrën e zbehtë, mbytur në djersë akull të ftohta, maskën e gazit gjumësjellës.

    U përpëlit fort nën të. Po i merrej fryma. Po mbytej. Ndjeu prerjen, incizionin e gjatë (çuditërisht të padhembshëm) nga sternumi e gjer në pubis, gjakun t’i vërshonte, të qeshura doktorësh mumifikues, biseda tmerri dhe… asgjë më. Humbi përgjithnjë.

    * * *

    Psikanalisti ishte përhumbur në rrëfimin drithërues të djalit, që shprehte ende qartazi ankth, shqetësim e vuajtje të thellë të brendshme.

    – Të tillë ëndërr të tmerrshme s’kam parë kurrë në jetën time. Ende vazhdoj të jem i terrorizuar, – shpjegoi djali, sikur t’i përgjigjej pyetjes së heshtur të profesorit.

    – Të këtilla, të frikshme, kanë qenë ëndrrat e kohëve të fundit?

    – Po. Të tilla. Tërë drojë e ankth, shtrihem të fle. E shpesh zgjohem i llahtarisur në mesin e një ëndrre makthi, gjithnjë të frikshme. Mezi e mbledh veten paskëtaj.

    Profesori, teksa mendohej, bëri disa ecejake nëpër dhomë, sikur të donte të përqendrohej më shumë ashtu.

    – Dëgjo, djalë, – iu drejtua pas pak. – Brenda teje, në thellësi të subkoshiencës sate, janë në një konflikt të ashpër, ndeshen egërsisht për jetë a vdekje, qyteza jote e dashur, gjithçka përmban brenda kujtesës së saj të gjatë dhe qyteti 12-13-milionësh, hëpërhë i ftohtë, shpërfillës, indiferent e ndoshta, pikërisht për këtë shkak, edhe më tërheqës, edhe më joshës, por gjithsesi krejt i bindur se këtë betejë ka për ta fituar ai. Vetëm ai. Përpjekjet e qytezës janë skajshëm të dëshpëruara, të dhembshme. Bën të pamundurën mos të të lëshojë nga duart, të të mbajë fort në gji të saj edhe për shumë vite të tjera, por, në të njëjtën kohë, vetë ajo e ndien nga dita në ditë se do ta humbasë pashmangësisht këtë betejë, këtë luftë shpirti. Ky konflikt, i dhembshëm në palcë, akumuluar në subkoshiencë, sa vjen e rritet nga dita në ditë, potencohet, bëhet kërcënues, terrorizues, shantazhues, i frikshëm, zmadhohet për nga dimensionet dhe… mbërrin çasti fatal i shpërthimit gati-gati apokaliptik. Në një situatë të tillë të rënduar psikologjike janë gjithnjë të pritshme vuajtjet e sferës psikike, që nga shfaqjet neurotike dhe deri te krizat e depresionit apo skizofrenisë. Atëherë, për mos të të lodhur më shumë, se edhe kështu je boll i ngarkuar emocionalisht, lër hëpërhë qytetet e mëdha shumëmilionëshe, gjithnjë të zhurmshme, të ndotura e stresuese. Shko disa muaj dhe jeto në fshatin amerikan, në Country… Kur një ditë të ndiesh se të ka marrë malli për këtë gjigant, gjithsesi të sertë, të ftohtë, mospërfillës, si një bukurosh i përkëdhelur dhe i llastuar, kthehu dhe mbase ëndrrat e tua kanë për të qenë të bukura.

    – Po barna, është e nevojshme të marr? – pyeti djali, ende me ankth.

     Profesori mohoi i vendosur.

    – Ah, jo. Janë të panevojshme. Jeta në fshat do të të ndihmojë. Njerëzit atje janë ndryshe nga ata të metropoleve. Të dashur, të ngrohtë, të hapur, miqësorë, të ndjeshëm, komunikues, të ngjashëm me njerëzit e qytezës sate. Ti shpejt do të mësohesh me jetën e re, jam i bindur dhe po aq shpejt do të rikthehesh në metropolin amerikan, do të kthehesh, bir, sepse je i ri. Mosha e re, ky është avantazhi yt. Vetëm djemtë e vajzat e reja mund ta përballojnë këtë vend, këtë gjigant të sertë e të vështirë për të të pranuar. Mbaj mend! Amerika është një planet tjetër, me ligjësi të shkruara a të pashkruara, që s’ngjajnë me pjesën tjetër të botës. Është toka e shenjtë e të rinjve.

    * * *

    Para se të linte qytetin shumëmilionësh, djali mendoi të bënte shëtitjen e fundit. Si edhe më parë, e njëjta pamje, e njëjta atmosferë. Përreth, edhe pse jo fundjavë, gjithnjë njerëz të shumtë. I kalonin pareshtur në brinjë, majtas, djathtas, përballë. Të ftohtë, siç qenë. Indiferentë, shpërfillës, krenarë, narcistë, të pandjeshëm, të gurtë. Megjithatë, për çudi, këtë herë nuk po i linin përshtypjen e parë.

    Atë mbrëmje do ta linte gjigantin zhurmëmadh. Do të udhëtonte për në country. Qe i dëshiruar të rigjente qetësinë e mbase edhe vështrimet e humbura, si atje, në qytezën e largët, që e përkëdhelnin ëmbëlsisht erërat e flladet e ngrohta të Mesdheut.

    Atje, në country, thua do t’i kujtoj, gjithnjë e më shpesh, këto rrugë, këto grataçiela, këto drita vezulluese? Manhattan, New Jersey, Brooklyn, Capitol, White House, Statue of Liberty, Wall Street, Washington, The National Museum of Natural History…

    Përpara syve, si në një film, po i kalonin pamje pa mbarim. Vallë, nisi të më marrë malli qysh tani? Thua? Mall?! Dëshirë?! Dëshirë për t’u rikthyer?!…

    Janar 2009

    Marrë nga libri me tregime dhe novela “Një natë jetë” (Onufri, 2009).

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË