More
    KreuLetërsiBibliotekë"Hënë mbi Manhattan," poezi nga Shkëlqim Çela

    “Hënë mbi Manhattan,” poezi nga Shkëlqim Çela

    Do të vish?

    Jam copë nate

    e qytetit që nuk fle

    mos u habit, pra, nga mendimet e mia të errëta

    dhe neonët e ftohur

    të dëshirës;

    Hija që u fut te rruga 23

    ndoshta ishte Selmani,

    ndoshta Ruzhdiu.

    Majakovski apo Eminem

    nën atë kapuç?

    Të njëjtët sy të zbrazët

    si kova që ujin e derdhën

    të kaltër

    në Hudson-in e murrmë… por

    …por mund që ish

    dhe Omar

    Khhh…ajami…

    – Omar, the?

    Sheriff?…

    Sherif is good, Sherif is OK,

    bashkon qytetërime,

    si viza lidhëse itinerarin,

    si “-“ e linjës tokësore

    Teksas-Qerbela-Alidem.

    – The Bido Sherif? Apo Bahri Omar?…

    – …jo, jo, u ngatërruam,

    nëpër trafikun e emrave…

    (Verdi, Lincoln, Columbus)

    – Lincoln është një film,

    ndërsaVerdi…  një shesh… për vegjetarianët ndoshta,

    Rruga 66, rruga 59,

    mehen drejt jugut

    rrugët…

    – Shpjemë, të lutem, në rrugën 0,

    pastaj tregomë minus shtatën… can you… please?

    Dritat e gjelbra

    kundër nesh

    hapin digat e lumit të avenjuve,

    fenerët e makinave

    duan të zbulojnë ç’ka nën fundet

    e shkurtra të vajzave,

    drita depërton pa turp,

    difuze,

    me gishta që duan

    të shfletojnë të linjtat

    ku ka më shumë kumte

    se në ciklopedinë britanike…

    Këto këmbë të Selmës,

    ata flokë të Monikës,

    Salma (Hajek?) dhe Monika (Levinski?)

    po pikan

    mokaçino

    në “Le Pain Quotidien” –

    frëngjishtja ime për dhimbjen e përditshme

    (falna sot);

    Garsonët

    u kërkojnë autograf

    vetëm për faturën.

    Buck-shishi rrumbullakoset me faj

    si vithe obeze.

    …Selma, Selma, kë të qaj më parë, kë të qesh në fund,

    American Express vetëtin krenarinë e anëtarit “Platin”:

    heavy metal para se muzikë, është një hierarki.

    Triboro.

    Tri plaka gravuara

    me zanore sharjesh flakur nga era si qese plastike,

    kremtojnë mbarimin e kurës kundëralkool,

    shishet pesimiste gjysëm bosh në duar.

    The Shakespeare of Yale për 12 dollarë,

    Iliada vetëm 3,

    inflacion gjenish

    në stendat ambulante

    te rruga 68,

    Celebrity for sale,

    xhorxhklluni,

    loz kukamfshehtaz me ty

    (dhe mua);

    Ky qytet gëlltit pa kafshim,

    me pseudopode;

    Si mund të jetë i vërtetë përqafimi

    i krahëve të rremë,

    si mund të dojë vërtet

    ky qytet,

    më thuaj?

    Mermer i vjetër,

    barbarisht t’i ndërmend

    papërsosmëritë

    e tua,

    Shmange pra, si rregull, rrugën 42,

    dhe 14-ën në Union Square:

    disku fluturues që pru kalimtarët atje

    u fsheh nën skelete inoksi me emrin Balducci;

    Në shitoret e Stella McCartney-t

    kliente të vetmuara,

    EleanoRigby-t[1]  me receta shop-terapie në duar;

    U zbraz Sheshi i Kohërave… s’ka kohë

    për 34-ën,

    mace të zeza

    limuzinat

    mezi çpresin të presin

    e të ta kryqëzojnë

    rrugën

    si Krishtin,

    JFK, FDR[2]

    …ulesh e grah

    mbi shpina presidentësh.

    Dikur do të vrasë kjo rodeo.

    Epshet e natës

    brofin jashtë membranave të dritareve,

    perturberanca të lodhura

    me dritë të sëmurë,

    Shkretia qytetse i bën rrokaqiejt

    kaktuse prej nate,

    Vetëtijnë pa kuptime gjembat mbi ngrehinën Chrysler[3],

    ndërsa kumtet e ngjyrës së sotme të Empire State Building

    nderojnë ndonjë shtet me ethe

    dhe verdhëz.

    Al Adini zbret qilimin teleferik

    në krah të Queensboro Bridge[4],

    ulet butë

    para këmbëve tona,

    kalimtari i shtatëmiliontë

    në ishullin magjik

    të botës.

    Po gdhin

    pas njëmijë e një netësh

    pa mëngjese;

    1001 rrëfenjat e reja,

    do më zhbëhen sërisht nga shpërfillja

    dhe inflacioni i radhës.

    Do vish, pra?

    Di prapë 1001 përralla,

    por t’i them

    me kusht

    të mos më vrasësh.


    Hënë mbi Manhattan

    Tre oxhaqet fill pas Avenjusë së Jorkut[5]

    u dukën flamingo, po dolën mjellma

    që thernin vrapin nga gijotinat e mjegullave;

    reja e shpuar nga Empire State Building[6]

    kulloi shi të purpurt,

    remoglobinë me pigmente blu,

    lagu thasët e zinj të natës anë trotuarëve,

    bisha të vogla që të hidhen pas,

    të të shijojnë medium rare[7],

    shpinën ta gërryejnë me uri rodente,

    në strofkullat e shpatullave t’i brejnë foletë.

    Një hënë përgjon rrugën 68, motër skufjebardhë, e ftohtë,

    si çaji harruar mbi komonë e natës spitalore,

    ku dirs limon i trishtuar, një gji pashtrydhur kurrë.

    Me hënë 68-a. S’i zë besë. Mes për mes i shkoj ashpër

    penel impresionisti holandez

    e qumësht hëne më kullon nga flokët.

    ***

    Gryka e metrosë në Hunter College[8]: dhëmbë qeni qytetëruar me ortodonti.

    Nga afishja e filmit të fundit qëllojnë papushim

    edhe pse më kanë vrarë qyshkur.

    Drerë të prerë nga predhat te nofulla e nënudhës 6.

    Hunter College: mirëfilli bëhesh pre gjahu.

    Jeans

    në rrëzim

    mbi

    gjenitale.

    T’ua mbërthesh

    rreth fytit,

    fort

    në vrimën

    e fundit

    të rrypit!

    Fytyra e trenit

    më ra

    përmbys

    mbi nofull,

    saggy style

    Sytë i mbërthej

    në vrimën e fundit.

    59th Street.

    Si Vora kjo 59-a, për Tiranë o Durrës,

    nga do

    “pash më pash

    t’i biesh

    Ferrit”.

    Hëna që këtu

    ngjan si aspirinë

    me kristale të patretshëm,

    gërryen ulçera në stomakun e xhamtë

    të Manhattanit.


    Rruga “Gun Hill” (Gun Hill Road[9])

    Një tren shungulloi mbi kokë si fat i hekurt,

    Mori me vete

    Pengje lufte gjithë gëzimet e mia.

    Mbeta vetëm me fjalët e tua të fundit,

    Lëvizje buzësh

    Që ushtonin më shumë se sirena që sapo vdiq.

    Ngrehina të sëmura përreth – brinjëftohura

    Nga kondicionerët

    Ngulur në mish si predha të një lufte të vjetër.

    Ndërtesa invalide kudo, trishtim karbonifer,

    Pikëllim dinosaurësh,

    Lavdi e shkuar kombesh q’u arratisën.

    Ku ikën të gjithë kështu? Dhe pse?

    Faunë e panjohur

    Fillon e gjallon pas territ të dritave.

    Lloje të zhdukur kanë ngrirë në pllakat

    E qimitereve të ftohtë

    Braktisur nga vdekja, harruar nga funeralet.

    Jam dinosauri i fundit që shkoj për homazh.

    Disa dritare

    Vazhdojnë të harrojnë e s’i ndezin dritat.

    Janë ndoshta fole arkeopteriksash


    Farmacia Charmar (Charmar pharmacy[10])

    Hasa sërisht plakun e mpakur, unin tim, në strofkullën e helmit, me shishe në dorë,

    Në farmacinë e afërt, ku na shpie vdekja, si qejfi pijanecët në një pijetore,

    S’e përtheu mosha, sëmundja, as kalciumi, por pikëpyetjet që s’i thotë,

    U pamë pa folur, pleqtë i kërrus shenjë e pikësimit të mençur në gjuhën trupore.

    Nga qemeret e syve krongjij të mprehtë, në bebëzat e të dyve kongjij të nxehtë,

    Ftohma tëmthat, ngrirë e ballkanosur gadishull’ i kokës dhe zjarr në kasollet

    E gjoksit të ngrënë nga kolla ksileme dhe zdrukthet, zmerilet e fanellave të leshta,

    Që veshën shakuj e shekuj dhe unin e plakur e vdekur nizam karakollesh.

    Rimbushma shishen, farmacist! Riempite il mio bicchiere[11], për veshkën dhe eshkën

    E shpirtit sëmurë me sanremo-pozdrav të shtunash komuniste e të dielash me bitëlls,

    Kam veshkën me stones bllokuar, kimist, pra bluaje barin, përzieje dhëmbluanin me pjeshkën,

    Luledelen me gjemb të shqyer tolstoi bashkoi dhe gjemba gjuhënusesh me djegësinë e hisllës.

    Shtrëngime xhojsi në fyt, pagjumësi finegani në syt’, të therur frojdi, dhembje kafke,

    Mungesa jodi, tepri Lepa Brene, igrasi kolkozi, zili të fshehtë për kontin Vronski.

    Rimbushma shishen, farmacist! Mungesa në Fishtë, në Krisht, në Hare Krishnë,

    Ç’të ishim do plasnim, edhe gurë nën gurrë, gjarprinj nën lëkurë, skelete me brinja bronzi.

    Supet e unit plak largohen lagur nga zbokthet e helmit, sulfur alidemi, recetat, kënetat

    Arratisjeve not drejt Korfuzit, kloneve s’dot të Kukësit, babilone, ankora, alora, al Vora,

    Ki non lavora… Vlora, Vlora… plaku mbllaçit mahorkë lajmesh të vjetra me guna, tela, kasketa,

    Vetëm më le në Charmar, me shishen alkimiste që s’di për ç’e dua, s’di për ç’e mora.

    Na ndajnë kafenetë, bashkojnë farmacitë, rishtas na rindajnë tempora dhe mora.


    Çaj?

    Nuk shihemi më

    ndërsa urat e qytetit jane ende në këmbë,

    arsyet dolën nga vrimat,

    merimanga që ndjenë insektet e dobisë,

    pezhishka mbi fytyrë

    u zgjuam,

    vjen një kohë që ndjenjat bezdisin,

    shajakë jashtë stine,

    myk dyshimesh

    mbi limonë,

    ndjenja të ndenjura

    harruar pa futur në frigoriferët e arsyes.

    U zumë, u zumë për dore, u zumë prapë,

    u këput zinxhiri

    në hallkën më të dobët,

    kryqëzori Aurora u shfaq titanik mbi Hudson.

    Marianne Faithful zëngjirur nga duhani dhe intervista –

    ja ç’mbetet nga dashuritë e mëdha,

    thamë me gëzimin fshehur

    nën fytyra të trishtuara, humbëse ditore bursash,

    kafshuam të babëzitur çamçakëzet

    me ndriçim predatori

    në nofulla,

    kërkuam pa gjetur çakmakët,

    gjetëm pa kërkuar flakët

    e përfundit,

    të bëhemi të zgjuar:

    në fund të fundit

    bashkë shkojmë për askund,

    veç shkojmë për kudo,

    ndarja – shkak i mënçurisë, jo pasojë,

    e hidhur tani,

    po hajrin do t’ia sho’m’ më vonë,

    de profundis,

    papritmas u bëmë të qartë si manifesto,

    (e shmangim fjalën “esëll”,

    këtë temjan ditësh të padashura,)

    pra,

    më në fund,

    sigurisht, me siguri,

    por edhe pse,

    në çdo rast,

    sidoqoftë,

    dije se,

    si vdekja, e vdekur, pa fjalë që,

    pa dyshim,

    e vetmja gjë,

    në çdo rethanë,

    gjithë gjasat,

    koha do ta tregojë,

    koha e parë

    e simfonisë së pestë,

    pra mbaje mend,

    ki parasysh,

    shiko,

    e fundit,

    dëgjo,

    më kryesorja,

    se kurrë, kurrë më, asnjëherë…

    bluar fjalët nga mullinj melankolish,

    parvazet u mençuruan në sy që kuptojnë (më në fund),

    ballkonet u shndërruan në nofulla ndajfoljesh,

    mbaresat u kullonin shira urbane

    ndërsa përtypnin pasdite njujorkeze me erë starbaksesh,

    (dy krushka në Berat nga ballkoni ranë,

    kush të shtron jataknë, kush ta heth jorganë…)

    ky qytet po merr ngadalë fytyrën tënde

    dhe mendimi për ty i ngjan ishullit të patretur Ruzevelt,

    dhe një lasso shfajsimi flakur n’erë u bë rruga FDR,

    “jam këtu për ty,

    do vij edhe n’u rrëzofshin urat”,

    këto fjalë mbijetuan veç hardhucore,

    sak me destin gri tiranosaurësh,

    urat e mbijetuan kohën e zhdukjes

    dhe katastrofën

    e species,

    çdo qytet bëhet muze fosilesh një ditë,

    me eksponate të fikura kohësh të mëdha,

    urave u dridheshin leqet

    dhe çarqet e këmbëve

    kur të marrë vozisnim mbi to,

    ziheshim për duarsh, jo fjalësh,

    siç zumë më vonë.

    Nuk shihemi më, dmth

    nuk ka qetësi,

    vetmitë e grave ndrijnë mbi natën e botës

    diamante

    që duhen vjedhur

    me kujdes

    dhe hir të vërtetë grabitësi.

    Bëj fir (e jo hir),

    pluhuri im bie mbi lumë si miell marsi i derdhur,

    si dëshirë post-fundi,

    jam kah bluhem ka kohë e pandjerë

    në mokra të rënda zemrash e zemëratash,

    kam mbetur veç pak palcë prej moshimesh

    fundërruese,

    u thonë precipitat

    me shqipe laburatorësh,

    tingullon me bukur ashtu

    po s’është veç përvojë kalciumi, guacke

    që mbulon moluskun me farë urjetash,

    të mbillet në rëra hënash të pabanuara

    si fshatrat malore këto kohë pafundësisht të ndërmjetme.

    Një sinjal, një vërshëllimë adoleshentësh

    nga bordurat e kohës,

    kam instinkt prej qeni,

    edhe brof

    një tingull po t’dëgjoj,

    një Pavllov me epruveta në duar

    që cakrohen,

    gota dollish në orvatje

    si krime…

    thjesht nuk kam gjetur motivin e duhur dhe notat s’i njoh

    si ca nga këngorët tanë të preferuar,

    samovar i vjetër

    për ty s’ndihem,

    nuk vloj kurrë,

    mbi stufat qymyrlagura

    të mallit,

    mbi torfat që bëjnë shpirtot më të forta,

    gjithë sekrete Skocie, mbi shqopa skraparësh

    me lotët alkoole makjesh mesdhetare

    kur digjen

    nën kazane me llullà,

    revolucionet me koka tiranësh absolutë

    vërvitur në bowling, rrëshqitur mbi pistat

    ku presin shishe që s’do pihen

    banketesh ndër sikure,

    kujtoja se valëvisja flamuj mbi Berlin,

    po në duar shkallmoja

    veç pezhishkat pa pre e pa pra të limontisë,

    fati i dritares një frëngji

    qielli me zë zgjues stjuradese:

    Çaj, zotni?


    Drejt Veriut në I85 (Rollin’ North on 85)

    Po të lë, Atlanta!

    Libanezja me buzë të trasha

    dhe gjinj qumështi të lodhur që përton të bjerë “halal”

    poshtë diellit të restorantit “Salar”

    nuk flet fjalët e mia,

    kripa mbi lëkurën e saj etje më jep

    si kikirikët falas në bar.

    U zgjova,

    ana tjetër e shtratit

    zhubër pa kureshti,

    librazhd

    kur mendja kërkon liqer,

    gjol me liker,

    ndërsa ti

    dhegërryer prrenjazi,

    truall i shogët,

    me drurët dhe njerëzit transplantuar si flokët,

    Atlanta.

    Aferat e gjata

    duhen prishur natën

    me kohë të keqe,

    natën

    turpin nga dritat e tua

    më mirë e mbaj

    se diellin tënd të zhgënjimit.

    North 85[12] braktisja,

    zift e korsi vija-vija

    tradhëtia,

    dritat e tua lënë shpirtrat mbi pasqyrat e mia.

    Sy dreri të xhamtë flakërijnë rrugës,

    dre dashnor e rrugaç – do e vrasë me siguri

    civilizimi ynë njëdrejtimsh me djegie të brendshme,

    e megjithatë:

    why don’t we do it in the road,

    why don’t we do it in the road,

    no-one will be watching us,

    why don’t we do it in the road?

    Djemtë e mirë janë prishur gjysëm shekulli më parë, Atlanta,

    fruta harruar mbi tryezë;

    vajza ngrënë përgjysmë me dhëmbë obezë,

    fermente djemsh, okside të errët mbi pjeshkën[13] e kafshuar.

    “Welcome to South Carolina”,

    Georgia on my mind.[14]

    Nxitoj drejt veriut,

    paraleli si lak ngushtohet gjerësisht çdo minutë

    shpirtin t’ma marrë diku në pol të durimit,

    mitra e rrugës kilometrat klonon hipnotike,

    klone dritash zbehin që larg hotelet luksozë.

    Stacione gazi të dyshimta zhduken anash,

    zymtira nate, dialekt i jugut dhe zezak bashkë

    me ashkla copton foljen ‘ask’,

    pyetjen bën sopatë,[15] të dyja godasin mprehtë në asht;

    makina me ulçer, bosh serbatori si stomak topmodelesh,

    ndaloj,

    këpuca e dyshimit vret e ngushtë në kallot e frikës,

    sy të zbrazur nga mirësia,

    fytyrat vjedhur nga xha Tomi,

    ngjitur si gravura të errëta mbi mure të pistë,

    orvatje për blues,

    s’pranojnë kartë krediti,

    nuk prodhojnë krizë,

    më të mençur se Wall Streeti,

    të zinjtë e karburantit pa emër.

    Ftohtë.

    Dy jorganët e Carolinave më rrëshqitën nga supet,

    Virginia shpalosur si çarçaf i përgjakur mëngjesi.

    Rest area[16].

    Poezia në mur të WC-së zgjon më shumë se amoniaku,

    më vret sinqeriteti pas makinës shitëse të kondomeve,

    “Here I sit/ brokenhearted/ had to shit/ but only farted”,

    mungesa e inicialeve të autorit ndihet gërmë për gërmë,

    ti je i sinqertë, i them, të shkruaje më mirë për politikë.

    Pse s’gjen politikë

    në muret e nevojtoreve të tua,

    Amerikë?

    Melankolia e tjetrit shpëlahet, me relè, rreze e ndërprerë mendimi.

    Në radion e Nissanit, Suzi e vogël u zgjua.

    Get your kicks on route sixtysix[17],

    get my jive on I-85.

    Diku 85-a bëhet 95

    si një dekadë problematike.

    Si dhjetë vjet Udhësi zgjatet kjo fugë,

    Pse s’e bëmë në rrugë?

    Pse nuk e bëmë në rrugë?

    Si drerët nën hënën e ftohtë,

    why didn’t we do it in the road? 


    [1]  Eleanor Rigby është persona e këngës së famshme të Paul McCartney-t “Lonely people”.

    [2]  Akronime të presidentëve Kenedi dhe Ruzvelt, të përdorur për aeroportin ndërkombëtar dhe një rrugë kryesore të qytetit të New York-ut.

    [3]  Ndërtesë kryesore në qytetin e New York-ut, e cila në majë ka struktura të mprehta.

    [4]  Urë kryesore në qytetin e New York-ut, e cila lidh lagjen e Manhattan-it me atë të Queens-it.

    [5]  Rrugë në New York City.

    [6]  Ndërtesa më e lartë në New York City.

    [7]  Gradë e pjekjes së mishit në restorantet amerikane.

    [8]  Stacion metroje në New York City.

    [9]  Rrugë në lagjen Bronks të New Yorkut.

    [10]  Farmaci në lagjen Bronks të Nju Jorkut.

    [11]  Këngë e Adriano Çelentanos; “Rimbushma gotën”

    [12]  Rrugë kombëtare që përshkon Atlantën drejt Veriut.

    [13]  Shteti i Georgia-s quhet edhe “i pjeshkës”, “Peach state”.

    [14]  Këngë e Ray Charles.

    [15]  Një metatezë e zakonshme e dialektit zezak është “aks” për foljen “ask” që do të thotë “pyes”. Ndërsa “ax” është sopata në anglisht.

    [16]  Vendpushime ndanë rrugëve kombëtare në SHBA.

    [17]  Varg i këngës “Route sixtysix” kushtuar rrugës legjendare 66 që bashkon Chicago-n me Los Angeles-in.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË