More
    KreuÇmimeHan Kang: Jam kaq e befasuar dhe e nderuar

    Han Kang: Jam kaq e befasuar dhe e nderuar

    Reagimi i parë i nobelistes së sapozgjedhur në letërsi, Han Kang kur u telefonua nga Jenny Rydén, korrespondenti i Komitetit të “Nobelit”

    Bisedoi: Jenny Rydén

    Han Kang u lind në 1970 në qytetin Koreano Jugor të Gvvangju përpara se në moshën nëntëvjeçare të shpërngulej me familjen e saj në Seul. Vjen nga një sfond letrar, me babanë e saj romancier të njohur. Së bashku me të shkruarin, ajo gjithashtu i është përkushtuar artit dhe muzikës, që është e reflektuar përmes gjithë krijimit të saj letrat.

    Zbulimi kryesor ndërkombëtar i Han Kang erdhi me romanin “Vegjetariania”. I shkruar në tri pjesë, libri portretizon pasojat e dhunshme që vijojnë kur protagonistja e tij Yeong-hye refuzon t’u nënshtrohet normave të të ushqyerit. Vendimi i saj për të mos ngrënë mish përballet me disa reagimi krejt të ndryshme. Sjellja e saj refuzohet me forcë prej bashkëshortit të saj dhe babait autoritarian, dhe ajo shfrytëzohet erotikisht dhe estetikisht nga kunati i saj, një artist videosh i cili fiksohet pas trupit të saj pasiv. Në fund ajo shtrohet në një klinikë psikiatrike, ku e motra tenton ta shpëtojë e ta kthejë në një jetë ‘normale’. Gjithsesi, Yeong-hye zhytet gjithnjë e më shumë në një gjendje të ngjashme me psikozën të shprehur përmes ‘pemëve të përflakura’, një simbol për një mbretëri bimësh që është aq tërheqës sa është i rrezikshëm.

    Laureatja e çmimit “Nobel”  për 2024, Han Kang e merr lajmin kur sapo ka përfunduar darkën bashkë me të birin në shtëpinë e saj në Seul. Në këtë intervistë, përsiat mbi të qenurit laureatja e parë nga Korea e Jugut si dhe flet se si shkrimtarët në tërësi e kanë ndikuar: “Gjithë përpjekjet dhe fuqia e tyre kanë qenë frymëzimi im.”

    Han Kang po ashtu flet për procesin e të shkruarit të suksesit ndërkombëtar “Vegjetariania” dhe sugjeron librin e saj më të ri We do not part për gjithkënd që ka kureshtje të fillojë të lexojë librat e saj.

    ***

    Han Kang: Përshëndetje?

    Jenny Rydén: Përshëndetje, Han Kang është?

    HK: Po.

    JR: Unë jam Jenny Rydén. Ju telefonoj nga Çmimi Nobel.

    HK: Po. Shumë kënaqësi të flas me ju.

    JR: Shumë kënaqësi dhe për mua. Më lejoni, ju lutem, t’ju shpreh më së pari përgëzimet e mija.

    HK: Faleminderit. Shumë faleminderit.

    JR: Si ndihesh në këtë çast?

    HK: Jam shumë e befasuar dhe absolutisht, jam e nderuar.

    JR: Si e morët vesh për çmimin?

    HK: Më telefonoi dikush dhe më tregoi për këtë lajm, ndaj sigurisht, isha e surprizuar. Dhe, sapo përfundova darkën me tim bir dhe në Kore, ora është tetë e mbrëmjes. Kështu, po, është një mbrëmje tejet e paqtë. Isha vërtetë e befasuar.

    JR: Dhe jeni në shtëpinë tuaj në Seul?

    HK: Po, jam në shtëpi, në Seul.

    JR: Dhe si e keni çuar ditën sot?

    HK: Sot? Sot nuk kam punuar, vetëm kam lexuar pak dhe kam dalë për një ecje. Ishte një lloj dite krejt e lehtë për mua.

    JR: Pra the se je me tët bir. Si reagoi ai për lajmin?

    HK: Edhe im bir ishte i surprizuar, por s’është se kishim shumë kohë ta flisnim. Ishim të befasuar dhe kaq është e gjitha.

    JR: E imagjinoj. Çfarë do të thotë të marrësh Çmimin Nobel në letërsi?

    HK: Po, jam e nderuar dhe vërtetë e vlerësoj mbështetjen, mbështetjen e çmimit. Thjesht e vlerësoj.

    JR: Ju jeni e para laureate në letërsi nga Korea e Jugut. Si ndiheni për këtë?

    HK: Po. Jam rritur mes librash, e di?, ndaj qysh kur kam qenë fëmijë, jam rritur me libra në gjuhën koreane dhe të përkthyer. Kështu që mund të them se jam rritur me letërsi koreane, me të cilën ndihem shumë pranë. Kështu shpresoj që ky lajm të jetë i këndshëm për lexuesit e letërsisë koreane si dhe për miqtë  e mi shkrimtarë.

    JR: Thatë se vini nga një sfond letrar. Cilët autorë kanë qenë burimi juaj më i rëndësishëm i frymëzimit?

    HK: Për mua, qysh se kam qenë e vogël, të gjithë autorët kanë qenë së bashku. Ata janë në kërkim të kuptimit të jetës. Ndonjëherë janë të humbur dhe ndonjëherë, të vendosur dhe gjithë përpjekjet e tyre bashkë me gjithë fuqinë e tyre kanë qenë frymëzimi im. Ndaj e kam shumë të vështirë të zgjedh ndonjë emër të frymëzuesve. E kam shumë të vështirë.

    JR: Kam lexuar se autorja suedeze Astrid Lindgren ka qenë një burim frymëzimi për ju, po?

    HK: Ashtu është. Kur isha e vogël, e kisha shumë përzemër librin e saj Vëllezërit Zemërluanë. Dhe e kisha vërtetë përzemër atë libër, por nuk mund të them se ka qenë e vetmja autore që më ka frymëzuar gjatë fëmijërisë. Kur e lexoj atë libër, Vëllezërit Zemërluanë, mund ta lidh me pyetjet e mia rreth njerëzve ose jetës dhe vdekje.

    JR: Për dikë që sa po e zbulon punën tuaj, nga do t’i sugjeronit t’ia fillonte?

    HK: Mes librave të mi? Mendoj se çdo shkrimtar do të pëlqente librin e tij të fundit. Kështu, libri im i fundit është We do not part, ose quhet me emrin Do not bid Farewell apo Impossible Goodbyes. Shpresoj që ky libër të mund të jetë një fillim. Edhe Human Acts është i lidhur drejtpërdrejt me këtë libër. Pastaj The White Book që është shumë personal për mua, ngase është goxha autobiografik. Dhe atëherë Vegjetariania. Por ndjej se fillimi mund të jetë We Do Not Part.

    JR: Për një audiencë ndërkombëtare, Vegjetariania ndoshta është më i mirënjohuri. Çfarë do të thonit për domethënien e këtij romani për ju?

    HK: E kam shkruar përgjatë tre vjetëve dhe ato tre vjet kanë qenë disi të vështirë për mua, për shumë arsye. Kështu mendoj se po vuaja të gjeja imazhet e kësaj protagonisteje, njerëzve që e rrethojnë dhe imazhin e pemës dhe të dritës së diellit dhe të gjithçkaje që ishte aq gjallë përgjatë atyre tre vitesh.

    JR: Edhe pak dhe do t’ju lë të ikni. Keni ndonjë ide se si do ta festoni këtë çmim Nobel?

    HK: Pas kësaj telefonate, do të doja të pija një çaj – unë nuk pi – Do të pi një çaj me tim bir dhe do të festoj qetësisht sonte.

    JR: Shumë mirë. Shumë përgëzime, sërish. Shumë faleminderit.

    HK: Faleminderit.

    JR: Në rregull, mirë u pafshim.

    HK: Kujdesuni për veten. Pafshim’.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË