More
    KreuLetërsiShënime mbi libraGustavo Arango: Vetmia e fjalëve - Në mbrojtje të romanit postum të...

    Gustavo Arango: Vetmia e fjalëve – Në mbrojtje të romanit postum të G. G. Marquez

    Të mos botohet “shihemi në gusht”, romani i fundit i vërtetë i García Márquez-it, është si të lëmë jashtë – pa u kujdesur fare – kapitullin e fundit të “Njëqind vjet vetmi”.

    E përktheu Bujar Hudhri

    Në arkivin e Márquez-it në Universitetin e Teksasit ruhet romani i pabotuar i laureatit të çmimit “Nobel”, Shihemi në gusht – një histori e rrëfyer nga perspektiva e një gruaje të pjekur, e cila synon të fitojë lirinë e saj, në subjektin e së cilës muzika dhe pajtimi me paraardhësit janë elementet dalluese të këtij testamenti letrar.

    Çdo shkrimtar, sado i njohur apo me prestigj qoftë, është një artist i pakuptuar. Kur Márquez-i ishte 25 vjeç, një botues i njohur argjentinas, pasi lexoi romanin e tij të parë, Gjethuhia, e këshilloi të kërkonte profesion tjetër. Në vitin 1961, romani i tretë i Márquez-it, Ora e ligë, mori një çmim të madh letrar, vetëm pasi Márquez-i pranoi kushtet e episkopit që ishte në juri: të hiqte shprehjet e pacensuruara dhe të ndryshonte titullin e librit, i cili ishte  Este pueblo de mierdaKy fshat muti. Po ky roman ngjalli edhe më shumë zemërim kur botuesit e pandjeshëm e përkthyen në spanjisht në Spanjë, me gjithë ato palavirat. Madje, duke qenë i njohur, Márquez-i ndjeu hidhërimin e refuzimit: 15 korrik 1981. Një vit para se të merrte çmimin “Nobel” në letërsi, redaktorët e New Yorker e njoftuan se nuk do t’ia botonin tregimin Gjurmët e gjakut tënd mbi dëborë, sepse ai nuk mund “ta detyrojë lexuesin të pranojë konceptin e tij të guximshëm dhe të mrekullueshëm”.

    Në vitin 2004, kur askush nuk e vinte në dyshim pavdekësinë e veprës së tij, romani i tij Shihemi në gusht u dënua me heshtje, me sa duket nga mendimi i një personi të vetëm. Që nga viti 2014, pas vdekjes së García Márquez-it, ai roman i fundit dhe paksa i papërfunduar është mbajtur në një arkiv që shumë pak lexues mund t’i qasen. Do të doja të shpjegoja pse është urgjente, e drejtë dhe e nevojshme që më në fund të botohet Shihemi në gusht dhe t›i japë përkryerjen që meriton trashëgimisë së tij letrare.

    Ajo është bukuria vetë

    Romani Shihemi në gusht rrëfen dhjetë vitet e jetës së Ana Magdalena Bach-ut, një grua e bukur dhe e pjekur, lumturisht e martuar dhe nënë e dy fëmijëve. Shtëpia e saj është e tejmbushur me muzikë dhe ajo është një lexuese e pangopur. Bashkëshorti i saj, i cili është drejtor i konservatorit publik, është pasardhësi i babait të Ana Magdalena-s në atë post. Edhe fëmijët e çiftit janë të prirë drejt muzikës. Djali i saj 21-vjeçar është violonçelisti i parë në orkestrën e qytetit. Micaela, vajza e saj, është 18 vjeçe, e ka emrin e gjyshes nga nëna, është e aftë të luajë çdo instrument dhe të mësojë çdo melodi me vesh, por është një qenie e lirë dhe këmbëngul që të bëhet murgeshë. Ata jetojnë në një vend në Karaibe..

    Historia përqendrohet në atë çka ndodh çdo vit, në një datë të caktuar – 16 gusht, në përvjetorin e vdekjes së nënës së Ana Magdalena-s. Për arsye të pakuptueshme, nëna kishte kërkuar që ta varrosnin në një ishull fqinj, ku mund të shkoje vetëm me traget. Ishulli duket si një kthim nostalgjik në Kartagjenë, ku autori i romanit përjetoi çaste vendimtare: atje është tregu publik ku ai kishte ndier që kishte rilindur, atje është një lagunë fantazmore, “e populluar nga shapkat të kaltra”. E vendosur dhe mendjemprehtë, Ana Magdalena e mori lejen të bënte çdo vit një udhëtim, e vetme, që të çonte lule te varri i nënës. Kjo aventurë unikale larg familjes përfshinte në vetvete një natë në hotel, e vetme, zonjë absolute e kohës dhe sjelljes së saj.

    Fati i romanit

    Dorëshkrimi i romanit Shihemi në gusht ndodhet në Harry Ransom Center të Universitetit të Teksasit, në Austin. Është pjesë e një thesari të madh dorëshkrimesh, dokumentesh personale, fotografish dhe letrash të blera në vitin 2014 nga familja e García Márquez-it. Së bashku me versionin më të fundit të romanit dhe bocat e disa kapitujve, është raporti i një profesori të porositur nga Agjencia Letrare “Carmen Balcells”. Fati i veprës duket se është vulosur me atë opinion, që shërbeu si referencë për familjen e García Márquez-it për të vendosur që romani të mos botohej. Me një arrogancë që tradhton papërvojën e tij, autori i raportit ofron një sintezë të varfër të historisë. I vetëdijshëm se nuk mund të jetë plotësisht shpërfillës, ai i lejon vetes të lavdërojë si një detaj fatlum të subjektit faktin që Ana Magdalena hidhet në pabesinë e saj periodike, pavarësisht se ka një marrëdhënie të lumtur me burrin e saj. Bën një lavdërim të vakët dhe formal për stilin. Aty përmendet jehona e tregimit të Edgar Allan Poe, Zemër tradhtare, në pasazhin ku ndjenja e fajit duket se e shtyn protagonisten të zbulojë sekretin e saj. Por ai heq çdo mundësi botimi, kur e cilëson romanin si një histori të përsëritur dhe të zgjatur. Cektësia e tij vihet re më shumë kur mendon se Shihemi në gusht është një roman inferior ndaj Kujtim kurvash trishta. Në raportin e tij ai nuk përmend asnjë roman tjetër të García Márquez-it dhe nga mënyra se si ai shpërfill rezonancat që ekzistojnë në të, mund të dyshohet nëse ai i njihte ato.

    Le të jemi të qartë, as Kujtim kurvash trishta dhe as Shihemi në gusht nuk janë romane të barabarta me kryeveprat e García Márquez-it. Nuk mund t’i krahasojmë me Njëqind vjet vetmi, Vjeshtën e patriarkut apo Dashurinë në kohërat e kolerës. Por këto romane të vogla janë fjalët e fundit të një autori që fitoi dhe meritoi respektin dhe vëmendjen tonë. Për më tepër, duke heshtur për përpjekjen e tij të fundit letrare, ne po e pamundësojmë García Márquez-in që t’i japë karrierës së tij letrare një mbyllje dinjitoze dhe koherente.

    Kujtimi i kurvave të mia të trishtuara është një homazh nostalgjik për kohën që García Márquez-i jetoi në Barranquilla në fillim të viteve 1950. Në të ai imagjinonte atë monopol respekti që do ta kishte arritur nëse nuk do të kishte ndjekur atë fatin endacak që e çoi së pari në Bogota, pastaj në Romë, Paris, Karakas, Havanë, Nju-Jork, Barcelonë dhe në Mexico City, që ishte shtëpia e tij për më shumë se gjysmë shekulli. Romani i tij i fundit i botuar deri më tani është plot merita. Referencat e tij letrare këmbëngulin të na tregojnë dashurinë dhe respektin që García Márquez-i kishte për letërsinë mesjetare spanjolle dhe Epokën e Artë që në moshë shumë të re. Është gjithashtu një homazh për romanin e Yasunari Kawabata, Shtëpia e bukurosheve të fjetura. Imazhi i virgjëreshës së fjetur është trashëgimtar i traditës së dashurisë trubadure. Por ky vampir mbi nëntëdhjetëvjeçar – që ushqehet me rininë dhe bukurinë – nuk ishte imazhi përfundimtar me të cilin García Marquez-i donte të mbyllte karrierën e tij letrare. Këtu qëndron rëndësia e Shihemi në gusht. Të heqësh dorë nga romani i fundit i vërtetë i García Márquez-it është si të lëmë jashtë – pa u kujdesur fare – kapitullin e fundit të Njëqind vjet vetmi.

    Merita më e madhe e Shihemi në gusht është se për herë të parë García Márquez-i guxon të bëjë një grua personazhin kryesor të romanit të tij. Pas botimit të Njëqind vjet vetmi, studiuesit e veprës së tij kanë theksuar kompleksitetin dhe qëndrueshmërinë e personazheve të tij femra. García Márquez-i ka thënë se nuk kishte qenë në dijeni të kësaj aftësie të tij deri atëherë dhe ia atribuoi atë faktit se e kishte kaluar fëmijërinë e tij të hershme në një botë grash, ku figura e vetme mashkullore ishte gjyshi i tij, koloneli Nicolás Márquez. Siç e dimë, nga gjyshja e tij Tranquilina Iguarán ai trashëgoi tonin e pasionit të largët me të cilin rrëfehen ngjarjet e jashtëzakonshme të Njëqind vjet vetmi. Me kalimin e kohës, García Márquez-i do të zhvillonte një marrëdhënie shumë të ngushtë me nënën e tij, Luisa Santiaga Márquez. Gruaja e tij, Mercedes Barcha, ishte edhe mbështetje edhe frymëzim. Në shumë raste García Márquez-i ka deklaruar se ndihej më rehat në shoqërinë e grave. Por lëvdatat që mori për personazhet femra në Njëqind vjet vetmi patën një efekt paralizues tek ai. Sikundër do ta pranonte më vonë, që nga ai moment, e pati më të vështirë të shkruante për gratë.

    Vështirësia është e dukshme. Përveç somnambulës Eréndira, grave në veprat e García Márquez-it u mungon pesha e Úrsula Iguarán-it, Amaranta Buendía-s ose Pilar Ternera-s. Leticia Nazareno nga Vjeshta e Patriarkut tretet në disa faqe. Ángela Vicario e Kronika e një vdekjeje të shpallur është e heshtur dhe sekreti i saj mbetet i paarritshëm. Fermina Daza te Dashuria në kohërat e kolerës, Sierva María te Nga dashuria dhe të tjerë djaj ose Delgadina nga Kujtim kurvash trishta janë pak më shumë se pjesë dekori.

    Heshtja për romanin Shihemi në gusht ka qenë, pjesërisht, për faktin se vepra e García Márquez-it ka qenë objekt i sulmeve nga një klan kritikësh që vepron si një lloj policie morale. Mungesa e Shihemi në gusht në korpusin e veprës së tij ka bërë që García Márquez-i të skualifikohet si përfaqësues i një tradite seksiste që duhet çrrënjosur. Vetëm në këtë roman të shkruar në muzgun e fuqisë së tij krijuese, García Márquez-i guxoi të mishëronte plotësisht një personazh femër: një grua e pjekur që arrin të arratiset nga burgu familjar dhe shoqëror për t’u bërë zot i trupit dhe lirisë së saj.

    Shihemi në gusht dëshmon plasticitetin e gjuhës së García Márquez-it në fund të karrierës së tij krijuese. Është gjithashtu një homazh për muzikën. Mbiemri i protagonistes na kujton kompozitorin (S. Bach), veprën e të cilit García Márquez-i thoshte se do ta çonte në ishullin e shkretë. Siç ndodh zakonisht për autorin kolumbian, romani është i mbushur me përvoja personale të kodifikuara dhe është i begatë me homazhe letrare. Rrëfyesi bën një inventar të plotë të leximeve të protagonistes në udhëtimet e saj në ishull. Referenca për Drakulën është një homazh për një nga romanet e preferuara të García Márquez-it (tjetri është Konti i Monte Kristos). Në kohën kur ndodh historia, pas leximit të Ministria e frikës nga Graham Greene, Ana Magdalena i përkushtohet leximit të letërsisë fantastike. Një detaj zbulues i romanit është ajo referencë për Kronikat marsiane nga Ray Bradbury. Historia e shkurtër e Bradbury-t, Nata e verës, është një homazh për natyrën misterioze – të pakuptueshme – të poezisë.

    Ai përshkruan, me imazhe spektrale që duket se janë derdhur në romanin e García Márquez-it, aventurën e një poezie të Lord Bajronit (Ajo është bukuria vetë), të cilën banorët e Marsit e përsërisin të magjepsur pa e ditur origjinën apo kuptimin e saj. Personazhet në historinë e Bradbury-t kanë, si Ana Magdalena, sy të verdhemë. Poema e Bajronit, në njëfarë mënyre, është një përshkrim i asaj gruaje në të cilën “më e mira nga drita dhe hijet bashkohen në pamjen dhe në sytë e saj”.

    Botimi me gjasë i Shihemi në gusht nuk do të thotë se nuk do të kritikohet. Asnjë libër nuk u shpëton pyetjeve. Kur u shfaq Njëqind vjet vetmi, dikush tha se ishte thjesht një plagjiaturë e Në kërkim të absolutes të Balzakut. Do të gjendet dikush të thotë se çdo përpjekje e një burri për të krijuar një personazh femëror është një gjest fyes dhe patriarkal. Erotizmi letrar është një shpat i rrëshqitshëm dhe duhet të presim se si do të kritikohen takimet e Ana Magdalena-s me të dashurit e saj.

    Është një akt drejtësie që vepra García Márquez-it të mbyllet me një perspektivë femërore. Vendimi për të mos botuar romanin iu paraqit publikut si një provë e interesit të vogël të familjes së tij për të nxjerrë lehtësisht fitime nga trashëgimia e tij. Romani u cilësua si një vepër e papërfunduar që nuk i përshtatej pjesës tjetër të veprës së autorit. Por kjo mungesë interesi për të përfituar nga trashëgimia e tij bie në kundërshtim me vendimin që romani Njëqind vjet vetmi të bëhet film.

    Nëse bien në një mendje se në fund të jetës së tij García Márquez-i ishte më fleksibël me atë vendosmëri, pse të mos respektohen edhe fjalët e fundit që shkroi? Është e vërtetë që romani nuk ka pasur kurrë një version përfundimtar, por është fakt që García Márquez-i arriti ta përfundonte atë. Drafti i parë i kapitullit të fundit na tregon një njeri që lufton me forcat e fundit krijuese që i kishin mbetur. Është e mundur të përfytyrohet vështirësia e jashtëzakonshme me të cilën ai arriti të kapërcejë pengesat prej moshës së tij dhe shterimi ditë pas dite i aftësive të tij. Energjia e braktisi atë në stadin e fundit të procesit dhe ai nuk qe më në gjendje të mbronte librin e tij për sa kohë nuk u botua. Por përpjekjet e tij meritojnë respektin tonë. Pa ndonjë vështirësi kushedi dhe me ndërhyrje minimale, një redaktor dashamirës – i cili e njeh dhe vlerëson veprën e García Márquez-it – mund ta përfundojë atë punë. Pavarësisht se sa shumë ndryshime dhe tradhti mund të ketë, ato kurrë nuk do të jenë aq të shumta apo aq për të ardhur keq sa koloneli Aureliano Buendía apo Remedios la Bella që do të kenë fytyrat e aktorëve të famshëm.

    Pasqyra e vdekjes

    Përmbyllja Shihemi gusht është ndoshta arsyeja kryesore pse romani duhet të botohet. Është shumë më domethënëse, për veprën e García Márquez-it në tërësi, që puna e tij kulmon me atë ribashkim me nënën e tij që është, në të njëjtën kohë, një reflektim mbi vdekjen dhe mbi privilegjin misterioz të të qenit gjallë. Në Kujtim kurvash trishta personazhi që njerëzit e njohin si Mustio Collado nuk ka asnjë lidhje të vërtetë me paraardhësit e tij, ai është në thelb një karikaturë. Përveç tragjedisë së largët që përfundon Nga dashuria dhe të tjerë djaj, García Márquez-i u përpoq të injoronte vdekjen – gjithnjë e më reale dhe më afër tij – dhe vendosi t’i jepte fund të hapur dhe të lumtur Dashurisë në kohën e kolerës dhe Kujtim kurvash trishta. Por Shihemi në gusht përfundon me sytë tanë të drejtuar kah vdekja, përtej, nga ku na shikojnë të vdekurit. Nuk do të ishte çudi nëse e ardhmja do të vinte për ta gjykuar atë pasazh të fundit të romanit si një nga më të mrekullueshmit në veprën e tij, kur Ana Magdalena (me emrin e saj biblik) e sheh veten të pasqyruar në kufomën e nënës së saj dhe kupton fatin e tyre të përbashkët.

    Kujdestari dhe varrmihësi e nxorën arkivolin dhe e hapën pa mëshirë. Në arkivolin e hapur, si në një pasqyrë, Ana Magdalena më pas e pa veten në krejt shtatin, me një buzëqeshje të akullt dhe krahët e kryqëzuar mbi gjoks. Dukej identike dhe po me atë moshë, si atë ditë, me vellon dhe kurorën me të cilën ishte bërë nuse, diademën e smeraldit dhe unazat e martesës, siç e kishte rregulluar nëna e saj me frymën e fundit. Jo vetëm që e pa ashtu siç ishte në jetë, me të njëjtin trishtim të pangushëllueshëm, por ajo ndjeu që e ëma po e shihte që nga vdekja, e dashur dhe e vajtuar prej saj, derisa trupi u copëtua në pluhurin përfundimisht dhe vetëm kockat e ngrëna nga krimbat mbetën, të cilat  varrosësit i pastruan me fshesë dhe pa mëshirë i futën në qese.

    Në fillim të atij mozaiku mrekullish te Njëqind vjet vetmi, ka një imazh të fuqishëm që dridhet dhe ne nxitojmë ta harrojmë, sepse mbajtja e tij në mendje është e padurueshme. Një vajzë e vogël mbërrin në shtëpinë e Buendía-s duke mbajtur eshtrat e prindërve të saj në një qese pëlhure. Është Rebeka, ajo që sjell me vete edhe murtajën e harresës. Nga ai roman, shumica prej nesh, lexuesve, preferojnë të kujtojnë fluturat e verdha të lehta dhe larmingjyrëshe të Mauricio Babilonia-s ose peshkun e vogël prej floriri të kolonelit plak Aureliano Buendía. Në fund të rrugës, García Márquez-i donte t’i kthehej imazhit të asaj qeseje me kocka që të gjithë e tërheqim zvarrë. Ana Magdalena Bach-u, protagonistja e Shihemi në gusht, mbledh pelena dhe një qefin kur ribashkohet me kufomën e nënës së saj të vdekur. Ky ishte imazhi i zgjedhur nga García Márquez-i, mesazhi kumbues me të cilin ai donte t’i jepte fund karrierës së tij prej shkrimtari.

    Marrëdhëniet e García Márquez-it me nënën e tij ishin të ngushta. Luisa Santiaga Márquez-i nuk ishte vetëm një ndërmjetëse me babain e tij, i cili e kishte të vështirë të pranonte që djali i tij braktisi karrierën si avokat për t’u bërë shkrimtar (“Letër do të hash”, – i kishte deklaruar i ati, Gabriel Eligio García). Përpara se t’i nënshtrohej po asaj harrese, që do të mbërrinte edhe te djali i saj, Luisa Santiaga ishte një nga lexueset më të vëmendshme të librave të tij, qoftë edhe e indinjuar nga mënyra e tij e përshkrimit të të afërmve dhe të njohurve. Shkrimtari e ndiente se prej saj kishte trashëguar qëndrimin largpamës, që e ndihmoi të lundronte dhe të gjente drejtimin në jetën dhe veprën e tij. Luisa Santiaga ishte madje ruajtësja e kujtimeve dhe shpirtit të tij. Një nga xhevahiret më të çmuara në arkivin e García Márquez-it në Teksas është një letër që nëna e tij i shkroi García Márquez-it më 7 mars 1983:

    Gabito: Sot e prita telefonatën tënde më shumë se kurrë. Sepse sot është ditëlindja jote (e diel), si dita kur ke lindur në 9 të mëngjesit. Mendoj se nuk ke mundur të më thirrësh ose nuk ke qenë në Meksikë. Ja, uroj që Zoti të dhëntë shumë vite jetë, të kesh gëzimin t›i shohësh fëmijët e tu siç i shoh unë të mitë, por unë tashmë kam dhe nipër . Po të them që e lexova rubrikën e djeshme, më pëlqeu aq shumë sa, pa të gënjyer, ndihem aq e lumtur dhe krenare, madje më shumë se me çmimin “Nobel” që more. Mbaj mend një ditë, shumë vite më parë, duke folur me ty, t’u ankova se ti nuk ishe katoliku që unë doja të ishe. Atëherë më the se në jetën tjetër do ta kuptosh kur të më shohësh në pozicionin apo vendin ku Zoti më deshi. Do ta shohësh. Koha u kujdes që të më bindte për këtë. Unë i ndjek hap pas hapi veprimet e tua dhe besoj se nëse vazhdon kështu nuk ka dyshim se Zoti e shpërblen virtytin e dhembshurisë.

    Gjëja që e bëri më të lumtur Luisa Santiaga-n se çmimi “Nobel” ishte audienca private me Papën, të cilën García Márquez-i e përmendi me rastin e vizitës së Gjon Palit II në Amerikën Qendrore. Ndoshta në asnjë pjesë tjetër të veprës së tij, si në tre paragrafët e asaj rubrike të marsit 1983, fjala Zot nuk shfaqet kaq shumë herë.

    García Márquez-i donte që romani i tij i fundit të ishte një dialog sekret me nënën e tij. Ai zgjodhi një grua për ta bërë këtë, sepse donte të festonte gjithçka që ishte brenda tij. Ai gjithashtu donte të shprehte pranimin e qetë të vdekjes dhe gatishmërinë e tij për të bërë hapin drejt jetës së përtejme.

    Dy orë më vonë, Ana Magdalena i hodhi një vështrim të fundit dhembshurie së kaluarës së saj dhe një lamtumirë përgjithmonë të panjohurve të një nate dhe orët e shumta të ngurrimit që mbetën prej saj të shpërndara në ishull. Deti ishte si një oazë e artë nën diellin e pasdites. Në orën gjashtë, kur i shoqi e pa atë të hynte në shtëpi, duke tërhequr në mënyrë misterioze qesen me eshtra, nuk i rezistoi dot habisë.

    “Kjo është ajo që ka mbetur nga nëna ime”, – i tha ajo dhe parashikoi tmerrin e tij. – “Mos ki frikë, ajo e kupton. Për më tepër, mendoj se ajo është e vetmja që e kishte kuptuar tashmë që kur vendosi të varrosej në ishull”.

    Më i madhi nga 16 fëmijët e telegrafistit Arakataca-s dhe gruas së tij të devotshme e largpamëse e kaloi jetën duke reflektuar mbi vetminë dhe zbuloi se zgjidhja dhe përgjigjja e kësaj enigme gjendej në dashuri. Duke kërkuar dhe pyetur për dashurinë, ai u bë shkrimtari më i famshëm i kohës së tij. Ironia e historisë është se fjalëve të tij të fundit u është mohuar dashuria dhe për momentin, ato mbeten të dënuara me një fat heshtjeje dhe vetmie.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË