More
    KreuÇmimeGranit Zela: Si u mashtrua opinioni publik me Çmimin “Kadare”, 2024

    Granit Zela: Si u mashtrua opinioni publik me Çmimin “Kadare”, 2024

    U NJOFTOVA SE ISHA FITUES I ÇMIMIT “KADARE 2024”

    Në mbrëmjen e 24 shkurtit, Kryetari i Jurisë së Çmimit “Kadare 2024” Nasi Lera komunikoi me mua në telefon: “Ne nuk njihemi” – tha, – “në kuptimin që nuk jemi takuar ndonjëherë, por arsyeja pse po flasim është se dua të të njoftoj se dorëshkrimi i romanit tënd është zgjedhur fitues, dhe ti je fituesi i Çmimit “Kadare, 2024”. Urime. Për të tjerat, flasim kur të takohemi”. E falënderova, i thashë se isha i nderuar për këtë vlerësim dhe mund të takoheshim me kënaqësi të nesërmen ku biseda ishte ajo mes njerëzish të letrave, më së shumti për librat, shkrimtarët, përkthimet, për letërsinë, dhe, sigurisht, për Çmimin “Kadare 2024” arsyeja pse po takoheshim. Një e papritur e pakëndshme për të kishte qenë takimi i fundit i anëtarëve të jurisë, më 24 shkurt, ku pasi në takimin e mëparshëm ishte rënë dakord në unamimitet për dorëshkrimin fitues, krejt pakuptuar, ishte bërë përpjekje për të përmbysur gjithçka. Kjo e kishte befasuar, për keq. Ishte kërkuar që të përdorej mekanizmi i votimit të fshehtë për të zgjedhur fituesin. Ishte bërë ky votim  i pesë anëtarëve të jurisë dhe, edhe me votim të fshehtë, shumicën e votave e kishte marrë dorëshkrimi për të cilin një javë më parë kishin qenë dakord të gjithë, dhe ky kishte qenë një lehtësim i madh për të. Para se të ndaheshim, Nasi Lera më tha se lajmërimi për fituesin do të jepej atë ditë, më 25 shkurt, sikur ishte paralajmëruar vazhdimisht në media pas çdo takimi të anëtarëve të Jurisë së Çmimit “Kadare 2024”. Nuk e kisha të qartë se kur do të mbahej ceremonia e shpalljes së fituesit, ndaj, atë pasdite, për të mos u gjendur i papërgatitur, u ula dhe shkrova një fjalë përshëndetëse të cilën ia nisa për redaktim Rudina Çupit, e cila e kishte redaktuar dorëshkrimin në dhjetor 2023, para se ta nisja në konkurim. 

     Fjala e përgatitur përshëndetëse si fitues i Çmimit “Kadare, 2024”

    “Përmbytja” – romani në dorëshkrim kushtuar vendlindjes sime, finalist në edicionin e dhjetë të çmimit “Kadare”, është shpallur fitues. Emri i këtij shkrimtari shqiptar ‒ pjesëtar i familjes së shkrimtarëve të mëdhenj të letërsisë botërore ‒ ia shumëfishon edhe më vlerën këtij çmimi dhe gëzimin e kujtdo që e merr, gjë që ma përligj lumturinë. Por po aq i vlerësuar ndihem për secilin nga finalistët: konkurrimi me krijues me përvojë të gjatë në fushën e letrave, ndër ta edhe Grigor Jovani dhe Luljeta Dano, ishte një nder për mua.

    Dihet se romani me nota autobiografike për autorin është i vështirë po aq sa për një kirurg të operojë trupin e vet, ndaj zakonisht shkruhet në moshë të pjekur – ky proces mund të përfshijë shkrimin e versioneve fillestare, djegien e tyre siç më ndodhi mua, ripërpunimin…përmes një kacafytjeje me veten si ajo e Davidit me Goliatin dhe pasigurisë brejtëse se mund edhe të mos arrish të nxjerrësh nga vetja variantin më të mirë të mundshëm. Mban brenda hirin e një shkrumbi, lëndës së thërrmueshme që mbetet e prej të cilës mbruhet fati yt prej shkrimtari. Pra, ky roman është krijuar prej kësaj lënde të zezë, duke u formësuar dalëngadalë për një kohë të gjatë – tekefundit, për mua letërsia është para së gjithash përkushtim dhe durim; koha e shkrimit është më përmbushëse se koha e botimit, ndaj përpos të tjerash, romani kremton mrekullimin prej artit të të shkruarit dhe rravgimin e përhershëm për ta përsosur atë.

    Ndaj para se ta nisja për konkurrim m’u desh mendimi i një lexuesi me sy të ftohtë, i cili të pikaste defektet që mund të shpëtojnë nga përpunimi prej një kohe të gjatë dhe vetëm nga dora e autorit e një vepre me të cilën ai është familjarizuar. Këtë përgjegjësi e kam bashkëndarë me redaktoren e romanit, shkrimtaren Rudina Çupi (pjesë edhe ajo e finalistëve të “Çmimit Kadare” në një nga edicionet e mëparshme), të cilën dua ta falënderoj për “bisturinë” e mprehtë ndaj tekstit, si dhe për mendimin kritik – kemi diskutuar për të gjithë krerët e romanit, për episode dhe detaje, si dy shkrimtarë që u intereson para së gjithash arti letrar. Besimi i saj i patundur si lexuesja e parë se ky roman i përmbush kriteret dhe parametrat e një teksti cilësor letrar, ishte shtysa më e madhe për t’u bërë pjesë e kësaj gare.

    Dhe gara, gjykuar nga lexues, gjykues e vlerësues të jurisë së zgjedhur me emra profesionistësh të zejes të sprovuar në kohëra, si Nasi Lera, kryetari i jurisë, ta shton edhe më përgjegjësinë, por edhe stepjen dhe pyetjen: “Si do të jetë mbresa që do t’u lërë atyre?”. Ndaj përzgjedhja e tyre e romanit “Përmbytja”, shenjuar si letërsi e mirë bashkëkohore shqipe e cila i propozohet lexuesit shqiptar, më nderon dhe u shpreh të gjithë mirënjohjen time.

    Me besimin se çmimi “Kadare” do të vijojë ta pasurojë një trashëgimi kaq të nevojshme dhe të çmuar për të krijuar një mjedis pozitiv dhe inkurajues për autorët shqiptarë dhe për të drejtuar vëmendjen e publikut te letërsia shqipe, uroj që ky roman të jetë fatlum edhe në takimin e tij muajin e ardhshëm me lexuesit”.

    Atë mbrëmje, shfletova faqet onlajn të gazetës së entit organizator por për çudi asnjë lajm, asnjë kronikë për shpalljen e Çmimit “Kadare 2024”.  Kështu edhe ditët në vijim. Komunikova me Nasi Lerën, i cili ishte i bindur se çmimi do të shpallej, madje për të ma provuar këtë më tregoi edhe dy detaje: së pari ky dorëshkrim kishte marrë 3 vota, së dyti, pas zbardhjes së emrit të fituesit, enti organizator kishte regjistruar edhe një video ku ai në cilësinë e Kryetarit kishte shpallur Granit Zelën fitues, pas votimit të fshehtë të pesë anëtarëve të Jurisë duke përmbyllur kështu procesin e një edicioni jubilar, ajo kronikë patjetër që do të jepej!

    VONESA NË SHPALLJEN E ÇMIMIT – SHKRIM DHE DEKLARATË

    Më 29 shkurt, Ilir Mborja, një nga konkuruesit që kishte dalë në dhjetëshen finaliste të Çmimit “Kadare 2024” boton te portali “Valaneës” shkrimin: “Ditët e Rablesë së Çmimit “Kadare” ku thekson natyrën absurde të mosshpalljes së Çmimit nga Juria dhe me tone ironike për jurinë dhe finalistët paralajmëron ankthin emocional që kjo lloj pritje absurde mund të shkaktonte te këta të fundit. “Momentet e Rable-së” shkruan Mborja “janë ndjenjat dhe përjetimet e shumëllojshme emocionale që ndjen personi gjatë periudhës së pritjes së gjatë… duke shfaqur ndjenjat e padurimit, ankthit, dëshirës së pritjes së një ngjarjeje të rëndësishme, ose për një ngjarje që vonohet për të ndodhur, por personi në pritje, nga të gjitha përjetimet psikologjike, ankthi ia shumëfishon kohën e pritjes. Kjo gjendje zgjat disa minuta dhe në asnjë rast nuk e kalon një orë. Po pesë kandidatët për “Çmimin Kadare 2024”, që presin vendimin e komisionit të paralajmëruar se do të shpallej më 25 shkurt, tani që doli shkurti e hyri marsi, çfarë përjetimesh po vuajnë nga kjo vonesë disa ditore?”.

    Ky reagim vinte ngaqë shpallja e Çmimit “Kadare” ishte vonuar 4 ditë.

    I ndodhur përballë mosdhënies së asnjë informacioni për të vërtetën e Çmimit “Kadare 2024”, përballë refuzimit të organizatorëve për të njoftuar se kur do të shpallej çmimi, njëri nga finalistët, Grigor Jovani, bëri një deklaratë në Athinë, datë 2. 3. 2024, të cilën e shpërndau në rrjetet sociale ku pyeste se çfarë kishte ndodhur:

     “Kaloi një javë plot nga dita e shpallur zyrtarisht (25 shkurt) prej organizatorëve të Çmimit më prestigjioz letrar të vendit, cili mban emrin e korifeut të Letrave Shqipe, Ismail Kadaresë, për publikimin e librit dhe autorit fitues. Po ndodh diçka e papërsëritur kurrë gjatë dhjetë vjetëve të Çmimit. Asnjë njoftim nga organizuesit apo Juria për këtë “harresë” të çuditshme, asnjë habi në publikun artdashës, asnjë koment në masmedian shqiptare, madje as nga më të interesuarit, pesë finalistët konkurues. Një ASGJË e madhe! Kur edhe për eventin më të parëndësishëm politik, media shqiptare e çdo lloji do të thyente daullet!  Ç’ka ndodhur?!”

     Zoti Jovani shprehet në deklaratë se ai kishte mësuar lajme skandaloze dhe fyese rreth trajtimit të tij në këtë pjesëmarrje dhe e mbyllte deklaratën duke u shprehur se:  Nëse unë jam problemi, jam i gatshëm të jap qysh sot dorëheqjen time nga Çmimi “Kadare”, me qëllim që Juria e tij të bie më së fundi në një konsensus dhe të shpallet fituesi. Vetëm se duhet të kenë kurajën më parë, të dalin dhe të flasin. Sa për të VËRTETËN, ajo nuk humb dhe nuk fshihet dot!” 

    FITUESI NUK SHPALLET: PLEH NGA HENRI ÇILI

    Kur anëtarët e Jurisë së çmimit Kadare 2024 bënë votimin e fshehtë dhe zgjodhën fituesin, ata e bënë këtë në mjediset e universitetit privat në Tiranë, – Henri Çili kishte qenë në Llogara, në aktivitetin Ditët Letrare të Razmës. Kur zoti Çili ishte kthyer dhe ishte njoftuar për fituesin ai kishe vendosur të bllokonte të gjithë procesin dhe më pas, bashkë me zelltarin e tij në Juri, anëtarë jurie edhe në dy edicione të mëparshme në vitin 2021, dhe 2023 – të kthente përmbys gjithçka. Pas kthimit, ai u kishte komunikuar Lerës dhe Krasniqit se juria e kishte kryer punën e saj, por fituesin e Çmimit Kadare nuk e vendos Juria por Bordi Pashko kjo sipas Statusit të Çmimit Kadare, të ndryshuar nga ai në vitin 2007 ku shkruhej se: “Bordi i Institutit “Pashko”, në kuadër të filozofisë së tij, ruan të drejtën të zgjedhë një prej pesë finalistëve si fitues të çmimit “Kadare”, për të mbështetur një kategori: tematik, brez, brez-autorësh, apo zhanre të caktuara letrare”. Mund të imagjinojmë reagimin e Lerës, përballë këtij mashtrimi ordiner, gjaku duhet t’i ketë hipur në tru, duhet të ketë picërruar sytë për t’u siguruar se vendi ku ai kishte shkuar ishte universitet dhe jo cirk, dhe njeriu që kishte përballë nuk ishte një klloun. Kurse Krasniqit, me shumë gjasë atë çast Çili thjesht duhej t’i ishte dukur si një i arratisur i kohës së mesjetesës që ka braktisur kodet e mikpritjes dhe mirësjelljes dhe është katandisur në një karikaturë, kaq e lakmuar nga shkrimtarët postmodernistë. Në Shkodër, ku unë kam kaluar si nxënës i shkollës së mesme “Shejnaze Juka” 3 vite të jetës sime, kam mësuar se në situata të tilla absurde ku bashkëbiseduesi sillet në mënyrë anormale por hiqet me seriozitetin më të madh sikur broçkullat që nxjerr nga goja janë të vërteta të zakonshme që duhen pranuar nga tjetri, shkodranët e shohin në sy bashkëbiseduesin, dhe me shqetësimin e sinqertë për gjendjen e tij mendore e pyesin: “Tash ban mirë me m’tregu, a je i marrë a ban vet?”. Të dy, Lera dhe Krasniqi, kishin ardhur në “shtëpinë” letrare të këtij njeriu ku ai ishte zot, të ftuar personalisht nga ai vetë, dhe ftuesi, po bënte më të pamendueshmen, po i priste në besë, po u dilte nga fjala. Nëse kërkohen onlajn botimet e Krasnqit në faqen e Bibliotekës Kombëtare (të papërditësuara), numri i regjistrimeve të botimeve të tij del 237. Këtu përshihen shkrimet në media, poezitë, tregimet, dramat, redaktimet. Kurse për sa i përket Nasi Lerës, ku ai kishte botuar librin e parë, me shumë gjasë asnjë nga anëtarët e jurisë së Çmimit “Kadare 2024” nuk kishte lindur akoma. Pothuajse me gjysmën e jetës krijuese në shekullin e XX dhe gjysmën në shekullin XXI, Nasi Lera, ky “shkrimtar i së mirës” siç e cilësonte Visar Zhiti, në një të përditshme të Tranës në vitin 2000, ishte autor i 40 librave (tregime, novela, romane). Pas ndryshimit të regjimit në Shqipëri, megjithëse kishte pasur një pozitë të lartë në ish Lidhjen e Shkrimtarëve ai kishte zgjedhur të mos merrej me politikë por si një artist i uritur, t’i përkushtohej punës heroike të përkthimit, duke sjellë në gjuhën shqipe mbi 60 vepra, ndër to vepra të Camus; André Gide; Marguerite Duras; Simone de Beauvoir ; Guy de Maupassant, José Saramago;  Mario Vargas Llosa, Gabriel Garcia Marquez, Le Clézio ; Friedrich Duerrenmatt ; Yasunari Kawabata; Italo Calvino, dhe Eugène Ionesco -s. 

    Henri Çili, ky njeri me empati zero, nuk e paskësh çuar ndër mend se tashmë, me vonesën e shpalljes së çmimit, juria, dhe posaçërisht Kryetari i Jurisë, kishte nisur të dilte keq në sytë e publikut. Siç u pa edhe nga dy reagimet e mësipërme, të Mborjes dhe Jovanit, perceptimi ishte që çmimi nuk po shpallej nga juria. Tani kur kishte përfunduar gjithçka, pasi i kishte përdorur kredencialet e besueshmërisë së Nasi Lerës në publik, duke i ofruar median e shkruar dhe vizive dhe pasi kishte kthyer në lajm në median e vet pjesë nga intervistat e tij për Çmimin “Kadare 2024”, tani Çili nuk po përmbushte detyrimin e tij minimal që t’i jepte të drejtën për të shpallur fituesin dhe për të mbyllur para publikut një proces për të cilin, si të thuash, ai kishte hyrë dorëzanë por përdorte përçart një frazë pas së cilës donte të fshihej “Bordi Pashko”. 

    TAKIMI I DYTË ME NASI LERËN ME SHKAS “LIBRIN E FUNDIT”

    Në fundmaj, në lajmërimet e botimeve të reja, pashë se Nasi Lera kishte botuar romanin e tij të fundit, “Vite pa pranverë” për të cilin kishte punuar 7 vjet dhe në një intervistë kishte thënë se i dukej sikur do të ishte “Libri i fundit”. Pasi e lexova i bëra një shënim dhe e postova në Facebook. I kishin thënë për këtë reagim sepse ai nuk ishte në rrjetet sociale, më mori në telefon dhe më tha se mund ta uroja duke e takuar për një kafe. Ishte një ditë me shi dhe e dija se i pëlqenin ditë të tilla. Biseda nuk e shmangte dot temën e Çmimit “Kadare”. Mjeshtri, siç e quaja me respekt, mendonte se për çudi, dukej sikur Çmimi “Kadare 2024” nuk do të shpallej kurrë. Pas një muaji e kishin thirrur tek universiteti privat organizator dhe kur kishte vajtur, ishte çuditur që i kishin kërkuar të rivotohej për fituesin. Nasi Lera kishte ripërsëritur edhe një herë të gjithë procedurën e votimit të fshehtë, dakordësinë e të gjithë anëtarëve të jurisë për rezultatin e votimit, videon ku ai ishte regjistruar duke shpallur fituesin dhe nuk kishte pranuar të rivotonte pas një muaji. Pas kësaj, i kishte ardhur një e-mail me një formular se si të rivotonte, tani me votim të hapur elektronik gjë që e kishte refuzuar. Më pas ishte kontaktuar nga Henri Çili që i kishte kërkuar të njëjtën gjë. Nasi Lera i kishte shkruar duke thënë se ishte 79 vjeç, ishte në rrugën për të bërë 80 dhe nuk ishte në një moshë kur mund të gabonte. Sipas tij, rivotimi pas një apo disa muajsh dhe ndërrimi i fituesit ishte një gabim. Nasi Lera më tha se ky proces e kishte hidhëruar, ia kishte prishur gjakun dhe tani nuk donte të merrej më me të. Ai e kishte bërë të tijën, i kishte qëndruar zgjedhjes së vet, me ndershmëri, pa interes dhe ishte gati t’i qëndronte deri në fund por…çdo gjë e kishte një kufi! Sidoqoftë, unë kisha kërshërinë të bisedonim për jetën e tij të gjatë krijuese, kisha në dorë “Librin e fundit”, për Korçën, për Tiranën dhe Francën ku ai shkonte herë pas here, për librarinë ku ai blinte librat atje, dhe natyrisht edhe unë i tregoja për për fëmijërinë, për prindërit dhe gjyshërit e mi, dhe nganjëherë i lija në komentet duke i shoqëruar me shprehjen: “siç e ke lexuar edhe në roman” për shkak se në takimin e parë ai më kishte thënë se i kishte lexuar librat e finalistëve nga dy herë, dhe mua më kishte ndihmuar duke më dhënë përshtypjen e tij për të treja pjesët, ku kishte pëlqyer më shumë pjesën për fëmijërinë. Muajin e fundit kishte hedhur në kompjuter një roman të hershëm me titull “Nata e premieres” që kishin shprehur dëshirën t’ia botonin në Kosovë. I mbështetur në një ngjarje të vërtetë, duke e rishtypur një roman që e kishte botuar para 24 vjetësh ai kishte përjetuar edhe një herë një segment të jetës së tij, edhe si njeri edhe si shkrimtar, gjë që i kishte dhënë  lodhje fizike por një kënaqësi të madhe shpirtërore. Kur u ndamë, i zgjata për autograf “Librin e fundit” të cilin e kisha marrë me vete, ku shkroi: “Granitit, me urimet më të përzemërta për krijimtarinë e tij dhe për përkthimet e tij. Te Graniti pashë veten…Nasi Lera, Tiranë 21.04. 2024”.

    SHKRIMI TE EXLIBRIS: NJË REAGIM ME “NEVERI DHE INDINJATË”

    Kur unë u ndava me Nasi Lerën, nuk kisha menduar të bëja një reagim publik. Sidoqoftë nuk isha plotësisht i bindur se kjo ishte zgjedhja e duhur. Unë kisha shkruar në shtypin letrar që në vitet 2000 për dukuri të ndryshme të jetës kulturore dhe posaçërisht për çmimet letrare që kishte dhënë Ministria e Kulturës; (një ndër to ai me titull “Çmimet kombëtare të Letërsisë: pastrimi i “haureve të Avgjisë”), pa qenë pjesë e këtyre dukurive dhe proceseve, dhe, ishte disi e jashtëmendshme që të mos shkruaja kur tani isha pjesë e këtij procesi. Me këtë bindje, i nisa gazetës letrare ExLibris shkrimin me titull “Pse Henri Çili po e bllokon shpalljen e fituesit të Çmimit “Kadare, 2024”.  Ai shkrim kishte si argument kryesor çmendurinë e idesë se një bord shkencëtarësh, pa kurrfarë lidhjeje me letërsinë zgjedhin fituesin e një çmimi letrar, fituesin e të cilit e ka zgjedhur tashmë një juri profesionistë të fushës, e ngritur posaçërisht për këtë qëllim. Turi “paelektoral” që kishte ndërmarrë Çili për të takuar paraprakisht secilin prej finalistëve ishte marrëzi. Siç duket, kjo e kishte bërë Çilin të hiqte dorë nga ajo ide. Në këtë shkrim kisha cituar një sms të zotit Çili i cili pretendonte se i kishte takuar të gjithë finalistët dhe i kisha mbetur pa takuar vetëm unë dhe “dikush në Athinë”. Arsyeja pse e kisha cituar ishte Çili e pranonte se nuk i njihte finalistët dhe biografinë e tyre krijuese por pavarësisht nga kjo, ai ia njihte vetes dhe një bordi me njerëz si ai të përcaktonin fituesin e një çmimi letrar që mbante emrin e Kadaresë. Megjithëse ky shkrim është klikuar në faqen elektronike 1565 herë, sërish i vetmi reagim publik me shkrim ishte ai i finalistit tjetër Grigor Jovani me titull “Unë, “dikushi” në Athinë i cili si reagim pikërisht ndaj këtij cilësori të Çilit si “dikush në Athinë”, dhe më 7 Maj, ai shkruan në rrjetin e tij social:

    “Sapo u ktheva nga Pushimet e Pashkëve në Atdhe, u gjenda përballë një surprize: gazeta prestigjioze letare e Tiranës “ExLibris” boton në numrin 282 të saj kryeartikullin e kolegut të nderuar të Letrave, shkrimtarit dhe eseistit të mirënjohur Granit Zela, me titullin e drejtpërdrejtë “Pse Hennri Çili po e bllokon shpalljen e fituesit të Çmimit “Kadare”, 2024?” Ky zë i vetmuar në shkretëtirën e ndershmërisë letrare të Tiranës ra si shkrepëtimë aty ku nuk babëzin asgjë, për shkak se gjithçka është shpërçudnuar nga padrejtësia e mendësive dhe praktikave mafioze edhe në këtë fushë të jetës shoqërore. Natyrisht që unë e kam të pamundur të ndryshoj këtë gjendje prej këndej ku jam. Por Lavdi Zotit ka edhe njerëz të ndershëm, dinjitozë dhe të aftë si Granit Zela atje në Atdhe, që ngrejnë zërin e vetëdijes së tyre në atë pus të thellë dhe të errët të heshtjes kriminale. I ka shpjeguar shumë mirë zoti Zela të gjitha prapaskenat e errëta që lidhen me Çmimin e sivjetshëm “Kadare”, të cilat i di edhe unë, ngaqë e vërteta nuk mund të kamuflohet. Nuk kam ç’t’i shtoj më tepër. Neveria dhe indinjata që më ka pushtuar, si njërin prej pesë finalistëve të këtij Çmimi, nuk më lejon të them ato ç’ka di dhe çfarë ndjej. Më vonë, më i çliruar prej ndjenjave të mia, mund të shprehem edhe unë. Arsyeja pse ndërhyra në këtë debat aspak të këndshëm është se jam tejet i indinjuar dhe i neveritur nga shprehja e zotit Henrik Çili për të përcaktuar prezencën time në Konkurs – gjithmonë sipas dëshmive të zotit Zela: “… ai (z. H. Çili, shpjegimi im G.J.) i kishte takuar të gjithë finalistët dhe i kisha mbetur pa takuar unë (Granit Zela – shënimi im, G.J.) dhe sipas fjalëve të tij, “dikush në Greqi”. Desha “të informoja” zotin Çili se ky “dikush në Athinë” nuk është anonim, ka një emër: Grigor Jovani dhe një jetë gati gjysmë shekullore letrare dhe gazetareske. Mbase modeste, por që ka bërë ç’ishte e mundur për t’i shërbyer letërsisë dhe gazetarisë shqipe, në kushte shumë më të vështira pune dhe jete se ato që i ofroi fati këtij biznesmeni të dijeve dhe letrave! Që mori pjesë ky “dikushi” në Konkursin e zotit Çili, edhe në kushte shumë të disfavorshme shëndetësore në një luftë të pabarabartë për Jetën, e quan një nga gabimet më të mëdha të karierës së tij. Ngaqë kush ngatërrohet me krundet, e hanë pulat!  Grigor Jovani, Athinë, 7.5.2024.

    SHPALLJA E FITUESIT: ZGJYRË DHE DILETANTIZËM

    Në qershor 2024, “Triumfator” në tribunën e Aula Magnas shfaqet “Kryetari” i ri i Jurisë së Çmimit “Kadare, 2024”, i cili kishte “luftuar” sipas betejës imagjinare të shefit të tij me mullinjtë e statuteve dhe kishte marrë edhe cilësinë e parathënieshkruesit dhe të paraqitësit të librit fitues ku bën paraqitjen më dilentante të një libri në dekadën e parë të shekullit XXI duke shpallur se ky roman ishte zgjedhur fitues pasi “ autori paraqet risi në konceptim dhe një frymë novatore” çka është krejt e kundërta! Subjekti i librit është plotësisht i huazuar nga ai i një tregimtari të shquar amerikan, më i imituari në botë pas Heminguejt. Shkrimtari Donald Barthelme, botoi më 8 prill 1966, në “Nju Jorker”, tregimin “Balona” ku rrëfehet për një balonë që shfaqet papritur mbi qiellin e Manhatanit, qytet i cili rri tre javë nën balonë, duke shkaktuar një katalog të gjatë reagimesh të publikut, njerëzve në banalitetin e jetës së përditshme, ndaj këtij objekti të stërmadh që shfaqet në hapësirën e tyre të ekzistencës. Në romanin me titull “Dy javë nën balonë” në një qytet imagjinar të quajtur Morpia shfaqet një fenomen i pazakontë, një balonë gjigante qëndron pezull për dy javë mbi qytet dhe autori jep reagimet njerëzore përballë këtij objekti të stërmadh të mbinatyrshëm. Pra, libri është një pastish. Një lloj i pastishit kërkon të rikrijojë në një formë më të skajshme sipas mënyrës së shkrimtarëve të mëdhenj duke mëtuar të krijojë një efekt më të theksuar, duke zgjedhur dhe ripërsëritur mënyrat e preferuara stilistike dhe duke i bashkuar ato në një tërësi të re. Autori, “e merr frymëzimin” kryesisht nga Dino Buxati dhe Donald Barthelme. Tregimi i “Pritja” i këtij autori është një pastish i tregimit “Takimi i humbur” të Buxatit, tregimi “Qytet i padobishëm” është pastish i tregimit të Barthelme “Bleva një qytet të vogël” (botuar në “Nju Jorker” në vitin 1974) kurse “Dy javë nën balonë” është pastish i tregimit të Barthelme-it, “Balona” (1966). Subjekti është i huazuar pra, pa asnjë “risi në konceptim” vetë kjo teknikë shkrimi nënkupton të kundërtën, dhe pa asgjë “novatore”, e reja sipas Bsthelmit ka të bëjë deri diku me përpjekjen e vazhdueshme për të rishqyrtuar ose ndërthurur stilin apo praktikën e të shkruarit, gjatë së cilës ai izolonte aspekte të procesit, i shihte ato veçmas, pastaj interesohej për pjesë specifike. Këtë proces e krahasonte me rastin e një skulptori që, papritmas, vendos të përdor zgjyrë. Edhe në këtë libër është bërë pikërisht kjo. Por parathënieshkruesi me shumë gjasë teknikën shkrimore të pastishit e ngatërron me pastiçen dhe Donald Barthelme- n me gjasë e ngatërron me Donald Trampin.

    EPILOGU: 190 DITË ME SYRIN E NJË KLOUNI[1]

    Në Aula Magna, pas 190 ditësh qëkur ishte hapur konkurimi për  u deklarua se Instituti Liberal i Tiranës Pashko, ku bëjnë pjesë  shkencëtarë që punojnë në fusha që variojnë nga ekonomia në shkencat politike, financa në drejtësi, inxhinieri në arkitekturë, shkenca mjekësore teknike në art, sport në arsim, komunikim në psikologji, qenkësh mbledhur në mënyrë imagjinare në mendjen e Henri Çilit dhe paskësh zbuluar që te dokumentacioni i datës 24 shkurt mungonte një procesverbal, dhe paskësh vendosur t’a konsiderojë votimin e fshehtë të pesë anëtarëve të jurisë në datën 24 shkurt 2024, si të pavlerë dhe të kërkojë në datën 10. 05. 2024 një votim tjetër qëllimditur ku natyrisht Lera dhe Krasniqi nuk kishin shkuar.

    Për të kuptuar se sa shumë gënjen ky njeri mjafton të lexohet litania e përçartjeve që ka bërë një harkun kohor shkurt – qershor 2024: – Juria e ka kryer punën e saj, vlerësimi i jurisë i ka kaluar Bordit. (Fundshkurt 2024). Anëtarët e Jurisë së Çmimit Kadare 2024 nuk zgjidhnin fituesin por ishin “selektorë”, kjo është e përcaktuar në Statusin e vitit 2027 ku shkruhet se “Bordi Pashko ka të drejtë të zgjedh fituesin ndër finalistët.  (Fundshkurt 2024). Statusi i vitit 2027 nuk iu vu në tavolinë jurisë por kjo kishte qenë thjeshtë një “harresë”.  (Fundshkurt 2024). Bordi Pashko do ta zgjedh dhe shpall shumë shpejt fituesin (brenda dy ditëve) por nuk e ka bërë sepse 3 prej tyre ishin sëmurë! (Mars 2024).Sipas Statusit të vitit 2017, takoj paraprakisht të 5 finalistët, por më ke mbetur pa takuar vetëm ti dhe dikush në Greqi. (Mars 2024). Dhe në fund, pretendimi se juria nuk e kishte kryer punën e saj, ishte një video e regjistruar, anëtarët e jurisë kishin kryer një votim të fshehtë por mungonte një proseverbal dhe kjo nuk mund të konsiderohej një harresë pasi “respektimi i procedurave juridike dhe statutit ka rëndësi parësore”. (Qershor 2024).

    Pra, Henri Çili vendosi një Guiness negativ fyes dhe përçmues ndaj shkrimtarëve shqiptarë duke vënë në skenë një farsë të shëmtuar, duke testuar dhe sfiduar  durimin e konkuruesve, pasi arriti ta mbysë të vërtetën në formulime të zbrazëta dhe pa asnjë kuptim, pa iu përgjigjur askujt dhe pa dhënë as edhe një shpjegim, pra, e ktheu çmimin me emrin e një shkrimtari të madh në cirkun e vogël të një njeriu që na shihte me syrin e një klouni, duke e tërhequr  publikun zvarrë për 190 ditë me radhë duke e gënjyer në mënyrën më të paskrupullt!


    [1]  Nëntitullin evokon titullin e romanit të njohur të shkrimtarit Heinrich Böll.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË