More
    KreuÇmimeGranit Zela: Pse Henri Çili po e bllokon shpalljen e fituesit të...

    Granit Zela: Pse Henri Çili po e bllokon shpalljen e fituesit të Çmimit “Kadare,2024”

    Shkrimtari i njohur Nasi Lera, në cilësinë e kryetarit të Jurisë së Çmimit Letrar “Kadare”, për edicionin e vitit 2024, sipas rregullores së përcaktuar, ia ka komunikuar emrin e fituesit në mesin e muajit shkurt.

    Çmimi “Kadare” 2024, nuk u shpall në ditën e paralajmëruar, më 25 shkurt 2024, ndryshe nga sa ishte lajmëruar që në thirrjen e drejtuar prozatorëve shqiptarë për të konkuruar me dorëshkrime (në dhjetor të vitit të kaluar), ndryshe nga sa ishte deklaruar pas përzgjedhjes nga Juria me njerëz të njohur të letrave shqipe, të dhjetë dorëshkrimeve që kalonin fazën e parë (në fundjanar të këtij viti), dhe ndryshe nga sa u bë e ditur pas bërjes publike të pesë autorëve finalistë.

    Ne e dimë që koncepti i dhënies së çmimeve për artin dhe letërsinë daton që nga grekët e lashtë që konkuronin me dramat më të mira. Prej atëherë çmimet letrare kanë vijuar të jenë pjesë e botimtarisë, mekanizëm i rëndësishëm për të tërhequr vëmendjen e publikut, për të nxitur debatin letrar për vlerën letrare të teksteve, duke pranuar përgjithësisht se diskutimi se a mund të matet me saktësi merita letrare apo nëse vepra letrare mund të gjykohet në mënyrë objektive asnjëherë nuk shteron.

    Në konkursin e veprave dramatike që mendohet të ketë ndodhur pas vitit 430, tragjedia e Sofokliut, “Edipi mbret” nuk u shpall fituese, edhe pse athinasit njiheshin si gjykatès të hollë të veprave artistike. Për të ardhur në bashkëkohësi, Juria e Çmimit Booker 2019 pas një diskutimi të stërgjatë për të zgjedhur tekstin fitues nuk arriti në një zgjedhje të njëzëshme dhe vendimi për t’ua dhënë veprave të dy autorëve, Margaret Atwood edhe Bernardine Evaristo, kurse në çmimin më të fundit me fitues autorin Paul Lynch i cili në një roman distopik përshkruan një Irlandë që kalon në totalitarizëm, dhe që u vlerësua nga kritika letrare dhe lexuesi nuk përjashtoi mendimin e kundërt se përfaqëson një distopi të parashikueshme politike. Në kontekstin shqiptar, Çmimi Letrar “Kadare” nëpërmjet zgjedhjeve të veta, mund të ofronte një forum për letërsinë shqipe, për procesin letrar, duke kontribuar pozitivisht në vetë dinamikën e këtij procesi, si dhe duke regjistruar kësisoj edhe shqetësimet e mirëfillta krijuese të kësaj dekade. 

    Po çfarë ndodhi me Çmimin “Kadare” 2024?

    Pas mbledhjes së fundit të anëtarëve të Jurisë së Çmimit Kadare 2024, dhe pas zgjedhjes së prozës më të mirë, si në të gjitha edicionet e mëparshme, enti organizator ndërpreu komunikimin me finalistët të kryer deri më atëherë nëpërmjet adresës elektronike ku ishin lajmëruar fazë pas faze për ecurinë e procesit, si dhe e ndërpreu në mënyrë të njëanshme plotësisht komunikimin publik.

    Një situatë e tillë ishte e sikletshme, para së gjithash sepse ishte e pamundur të kuptoje se çfarë po ndodhte, ndaj dhe, i detyruar, komunikova me njërin nga anëtarët e jurisë, pjesë e universitetit UET, duke i shpjeguar se doja të dija se pse nuk po shpallej Çmimi “Kadare”, dhe përgjigja që m’u dha ishte se Bordi Drejtues i Institutit Pashko më përcillte mesazhin se Juria e Çmimit “Kadare” e kishte kryer procesin e saj të punës; vlerësimi i Jurisë i kishte shkuar për shqyrtim Bordit Drejtues të Institutit Pashko, kjo në bazë të Statutit; për arsye shëndetësore të dy prej anëtarëve të këtij Bordi (probleme virale), dhe mbledhja përkatëse nuk ishte realizuar. Shumë shpejt, në njërën nga ditët pasuese, ky bord do të mblidhej, dhe, pas mbledhjes, do të shpallej (si gjithmonë), fituesi i Çmimit “Kadare” i këtij edicioni.

    E pakuptueshme për mua te kjo logjikë kundërthënënëse ishte fakti se Bordi Drejtues i Institutit Pashko më përcillte një mesazh pa u mbledhur, por nuk e bënte dot këtë, për të shpallur Çmimin “Kadare”. Por kjo nuk ishte kundërthënia e vetme: zoti Henri Çili, kishte bllokuar shpalljen publike të zgjedhjes së Jurisë, me justifikimin se në këtë edicion do të zbatohej Statuti i Çmimit Kadare 2017. 

    Por çfarë është Statuti i Çmimit “Kadare”, i ndryshuar në vitin 2017?

    Është një dokument ku tek dispozita “Ngritja dhe përbërja e Jurisë” pasi shkruhet se: “Anëtarët e Jurisë së këtij konkursi duhet të jenë emra që kanë shënjuar një kontribut në fushën e letërsisë, kritikës letrare apo studimit”, dhe përcaktohet se: “Kryetari i Jurisë së këtij çmimi duhet të jetë një autoritet me kontribute në fushën e letrave apo të mendimit shqip; një personazh që të gëzojë integritet të plotë, për t’u angazhuar në një punë dinjitoze në përzgjedhjen e seleksionimin e veprës fituese, që kjo e fundit të ketë të gjitha cilësitë e një vepre të mirë”, në një paragraf më poshtë është shtuar fjalia se: “Bordi i Institutit “Pashko”, në kuadër të filozofisë së tij, ruan të drejtën të zgjedhë një prej pesë finalistëve si fitues të çmimit “Kadare”, për të mbështetur një kategori: tematik, brez, brez-autorësh, apo zhanre të caktuara letrare”.

    Duke ndryshuar në vitin 2017, “kushtetutën” e Çmimit “Kadare” zoti Çili i jep vetes, me anë të Bordit Pashko, gjithnjë nëse ai pranon ta tjetërsoj këtë çmim, të përcaktoj ai fituesin, pavarësisht nga zgjedhja e Jurisë me profesionistë të lëmës letrare dhe e bën këtë sipas me një akt “deux ex machina”, duke u fokusuar te gjinia e autorit, athua se letërsia ka gjini, ose te mosha, ose te tematika apo te zhanri, duke e rrudhur Çmimin “Kadare” në njërin prej elementëve joletrarë të konkurimit, praktikisht duke e zhbërë atë.

    Por nuk është vetëm kjo: kësisoj Jurisë së një Çmimi Letrar i mbivendoset pas përfundimit të procesit Bordi i një Insituti, po kështu, autoritetit të Kryetarit të Jurisë i mbivendoset autoriteti i zotit Çili, dhe emrit të shkrimtarit të madh Kadare i mbivendoset emri i Pashkos. Dhe kjo është arsyeja pse nuk është zbatuar kurrëndonjëherë, sepse ky “kapërcim ylberi” shkon shumë larg, në zgrip të absurdit.

    Një javë më pas, tashmë në fundjavën e parë të marsit 2024, zoti Çili më kontaktoi dhe me anë të një shkëmbim mesazhesh kuptova se donte të takohej për një kafe, “në përputhje me procedurat e “Çmimit Kadare” ku kisha konkuruar”. Përgjigja ime ishte që e shihja të arsyeshme të takoheshim vetëm pas shpalljes publike të çmimit. Zoti Çili këmbëngulte të takohej sepse Bordi nuk ishte mbledhur për shkak se tre anëtarë të tij kishin qenë sëmurë, dhe sipas statutit të çmimit të vitit 2017, isha një kandidat në këtë fazë, sepse ishte traditë që ai të takonte finalistët, spse ai i kishte takuar të gjithë finalistët dhe i kisha mbetur pa takuar unë dhe sipas fjalëve të tij, “dikush në Greqi”. Ripërsërita qëndrimin tim se mund të takoheshim vetëm pas shpalljes së çmimit, se kjo ishte në përputhje të plotë me detyrimet e mia si pjesëmarrës në konkurrim dhe ky komunikim u mbyll. Sipas asaj që kishte komunikuar, çmimi do të shpallej shumë shpejt.

    Por ka kaluar edhe një muaj tjetër, marsi, ka kaluar edhe prilli, dhe enti organizator nuk ka bërë asnjë lajmërim publik për fituesin e Çmimit “Kadare” 2024, athua se pjesëmarrësit nuk kishin marrë pjesë dhe publiku nuk ishte lajmëruar për një konkurim letrar, dhe krejt pa dëshirën e tyre ishin bërë pjesë të një Big Brother-i, në të cilin, produksioni (Bordi Pashko) me vendimin e Vëllait të Madh (Zotit Çili) mban pezull finalistët dhe publikun duke mos e shpallur Çmimin, deri në një vendim të këtij të fundit, për të shpallur në fitues aforfe. 

    Në bisedat që kam bërë me gazetarë të kulturës, përgjigja e tyre që ka qenë se ky është një çmim letrar që organizohet nga një ent privat, zhvillohet nga privati dhe jepet nga privati, në këtë kuptim nuk mund të parashtrohet si problematikë kulturore. Megjithatë, unë mendoj se nuk duhet të harrojmë se ky çmim mban emrin e Ismail Kadaresë. Fakti që mbi 200 shkrimtarë shqiptarë, nga kudo ku ata jetojnë kanë marrë pjesë gjatë kësaj dekade në konkurrim me dorëshkrimet e tyre letrare, nuk e kanë bërë sepse kjo ngjarje kulturore organizohet dhe shpallet nga “privati” por si shenjë nderimi të thellë ndaj shkrimtarit Kadare, i cili për fatin e mirë të letërsisë dhe kulturës shqipe bën pjesë në familjen e shkrimtarëve të mëdhenj të letërsisë botërore.

    Qoftë edhe vetëm e vetëm për këtë arsye, moskorrektesa me Jurinë e “Çmimit Kadare”, moskorrektesa me pjesëmarrësit nga e gjithë hapësira shqipfolëse dhe me publikun, duhet të ketë një kufi.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË