More
    KreuLetërsiBibliotekë"Gogol", tregim nga Shpresa Qeriqi

    “Gogol”, tregim nga Shpresa Qeriqi

    Në orën tetë pa një çerek, kur Arbani po përgatitej për të shkuar në punë, ajo nuk i dha as përshtypjen e kryeneçes e as të hidhnakes, por, përkundrazi, iu duk shumë e butë dhe e lumtur. Në shprehjen e bukur të fytyrës së saj nuk shquhej as edhe shenja më e vogël e trishtimit. Vështrimi i dy syve të saj të mrekullueshëm në formë bajame zbehej nga ngritja e vetullave të larta dhe me maje dhe shuhej aty diku në mes të faqeve të bardha. Vetëm hunda shqoi pafajësinë e saj të zënë peng mes vrimave të vogla.

    Ai ia vështroi gjatë sytë e bukur ngjyrë gështenje të papjekur, që herë mbuloheshin nga qerpikët e zinj e herë vështronin ngultas me vendosmëri, teksa në faqet e zbehta i luhej një shfaqje ngjyrash të imta si flakërimë shkëndijash. I vinte keq që punët kishin marrë atë rrugë dhe me një ofshamë të thellë largoi nga vetja mendimet e liga që i ngjizeshin nga frika e braktisjes. Pati ndjesinë dhe një shtytje të këndshme për ta puthur në zverk dhe ajo e mirëpriti ëmbëlsisht. E ndjeu se, për një çast, ishte gati ta shtrëngonte mes krahëve dhe e shtrëngoi me tërë fuqinë.

    Ai e pati përshtypjen sikur ajo po e madhështonte përqafimin egërshan duke e detyruar atë ta shtrëngonte edhe më shumë, sikur i kërkonte të zbrazte tërë forcat e këqija që ia dërrmonin qenien, megjithëse në të vërtetë përgjatë gjithë kohës, ajo po i kërkonte ta lëshonte.  

    Kur më në fund, duke psherëtirë, Lulja kishte liruar krahët dhe trupin nga përqafimi që ia merrte frymën, ngriti kokën me fije flokësh mbi ballë e faqe që ia fshihnin njërin sy, pastaj hodhi vështrimin për nga dritarja dhe drita e fortë e diellit ia picërroi sytë.

    Pasi ai i kishte kërkuar të falur duke ia puthur gjunjët në gjunjë, Lulja i ishte betuar se pavarësisht asaj që kishte thënë ajo në inat e sipër një natë më parë në asnjë mënyrë asnjëherë nuk kishte menduar ta braktiste dhe në asnjë mënyrë ajo nuk do ta braktiste atë.  Dhe gjatë kësaj bisede të shkurtër u thanë, natyrisht, edhe plot e plot fjalë të tjera të cilat ia hoqën sikletin. Ai me mendjen e vet e gjykoi sjelljen e shkujdesur të saj dhe përfundoi se ajo nuk po tregonte asnjë shqetësim. Zërin ajo e kishte të pakët por shumë të këndshëm dhe dinte të fliste e qetë dhe me shumë ngrohtësi.

    Hijeshia e plotë e shikimit dhe buzëqeshja e sajuar që ia vijëzonte fytyrën gjatë gjithë kohës sa po fliste, nuk e lejoi Arbanin që të nxirrte një përfundim të saktë, pa marrë parasysh kërcënimet që ajo i bëri një ditë më parë. Ai u mjaftua me dëshirën se gjithçka që tha ajo duhej të ishte e vërtetë dhe se nuk ishte hera e parë që ajo e kërcënonte se do ta lerë, dhe prapë e megjithatë për çdo mëngjes ai e shihte tek përgatiste mëngjesin tërë dritë në fytyrë.

    Përpara se të nisej, i kishte dhënë asaj një buzëqeshje lutëse dhe ishte kthyer pas për ta puthur. Arbani kujtoi se kjo qe mënyra që ai e përdorte për ta shprehur pendimin, megjithëse këtë herë i kishte tingëlluar edhe atij vetë si aspak shprehëse dhe e pahijshme.

    Asgjë nuk e dalloi atë mëngjes prej të gjithë mëngjeseve të tjera.

    As ai vetë nuk parandjeu asgjë. Prandaj tek po kthehej në shtëpi ai ishte tërë shend e verë dhe kur pa shtëpinë bosh, sigurisht, atij iu desh gjatë të qëndronte i ulur në kanape me këmbë të kryqëzuara duke dëshiruar që të ishte në ëndërr.

    Dhe ja që, e gjitha nuk qe një ëndërr dhe ai tashmë po ngrysej në heshtje, duke vështruar ngultas prej dritares së madhe që tashmë ngjante me një tablo të zezë të zënë peng brenda një kornize të bardhë. Ai vëzhgoi dhe kërkoi me shumë druajtje dhe frikë në kopshtin e shtëpisë një shenjë prej saj. Pastaj rrëmoi sa mundi në sirtarët e shtëpisë dhe nuk gjeti as edhe krehrin e flokëve. Natyrisht që është diçka mjaft e trishtuar dhe shqetësuese, kur një zonjë shtëpie ia mbath në mes të ditës pa lënë asgjë pas vetes.

    Ajo në mëngjes i kishte folur me shumë ëmbëlsi, dhe prandaj ai as që e kishte zënë në gojë zemërimin e natës së mbrëmshme, sepse edhe ai vetë turpërohej nga vetja dhe e mbrëmshmja nuk ishte hera e parë që ai sillej kaq keq dhe lejonte që i tërë zemërimi i tij të ngjitej në lëkurën e saj të bardhë.

    Mendimet iu ndezën flakë nga një shqetësim i ashpër që i shfaqej edhe mbi vetulla, sidomos, në rrudhën që i ndante ato në mes.

     Një gjysmë ore më vonë, pasi një copë herë shkundi krahët dhe pasi i dha vetes një mundësi për të marrë veten duke qëndruar i shtrirë në dysheme me shpinë, ngjiti shkallët për në katin e dytë të shtëpisë, hapi derën katrore të tavanit, lëshoi shkallët e vogla prej metali dhe u ngjit në dhomën e vogël nën kulmin e shtëpisë.

    Teksa përkulej për të mos i rënë me kokë tavanit të ulët, ai rrëshqiti gishtërinjtë nëpër dërrasa dhe hetoi ndërpresin për të ndezur dritën. Drita e zbehtë shpërndau grimca të verdha në dhomën e vogël dhe nuk mbushi hapësirat e saj. Kjo ia vështirësoi punën Arbanit që tani kishte filluar të rrëmonte nëpër gjërat e harruara në tavan.

    I shqetësuar dhe i pushtuar nga një ndjenjë e çuditshme që ia paralizonte mendimet, sigurisht, ai ra në gjunjë për t’i dhënë kohë vetes që të pendohej, përpara se, me litarin që e hodhi në krahë si një çantë me mbajtëse rrethore të gjendej në kopsht.

     A ia vlen të përshkruhen të tjera hollësira të dhimbshme?

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË