Shkrimtari i njohur i Argjentinës, Borges, pati thënë se “libri përherë ruan një shenjtërim”. Nisur nga ky mendim mund të them pa mëdyshje se përsiatjet poetike “Sytë e heshtjes” të profesor Anton Nikë Berishës vetvetiu më lidhnin me këtë mendim, e me shenjtërinë e heshtjes; me këtë librin që të rrëmben me mendimet e thella, me fjalët e peshuara, kur heshtja në rrethanat të caktuara jetësore “flet” e peshon më shumë se vetë fjala.
Në këtë vepër të Anton Nikë Berishës heshtja flet me sytë heshtjes… Çfarë gjetje e bukur artistike, për të jetësuar komunikimin e jashtëzakonshëm të tekstit poetik me lexuesin, që nga titulli i librit e për të vazhduar në secilën faqe e në secilin varg.
Leximi i këtij libri të lë mbresa të mëdha, të stepë, të bën të futesh në botën e meditimit, të “udhëtosh” në një pjesë “të artë” të jetës, në heshtjen e për heshtjen si filozofi jetësore e njerëzve.
Struktura tekstore, vargu i përpunuar me shumë mjeshtëri e gjuha e përzgjedhur, dëshmojnë punën e përkushtuar të autorit për t’i sjellë lexuesit një vepër sa më të vlefshme poetike.
Autori i këtij libri i ngjason një arkitekti, i cili e studion deri në detaje projektin e një ndërtese, nisur nga parimi: Kulmi, si majë dhe si përfundim i ndërtimit, është pjesa më e bukur e një ndërtese, por pa themele të fuqishme të ndërtesës, edhe bukuria e kulmit më të bukur në botë nuk qëndron gjatë.
“Arkitekti” i fjalës së shkruar, Anton Nikë Berisha, i vë “themele” të fuqishme krijesës së tij artistike, pse jo dhe shpirtërore, që e emërton: përsiatje poetike për heshtjen, “themele” këto të mbështetura nga teksti i uratave, i letrave dhe i teksteve të tjera të Nënës Tereze së cilës autori ia ka kushtuar disa nga veprat e tij.
Arti i madh i dëshmuar përmes tekstit, gjuha dhe të shprehurit e përzgjedhur, figurshmëria e pasur që e cilëson secilin varg e bëjnë veprën “Sytë e heshtjes” sa të veçantë, aq dhe të realizuar poetikisht. Pra, vepra përligj aftësinë dhe përkushtimin e autorit, jo vetëm si studiues, romancier e përkthyes letrar, por në këtë rast edhe si poet i vargut të veçantë me stilin e tij të mëvetësishëm.
Mënyra se si i ka krijuar vargjet dhe pamjet si tërësi më vete tregon se autori ka përsiatur gjatë për shtjellimin e tekstit dhe të gjithë veprës; asgjë nuk është e rastësishme, po gjithçka e menduar dhe e thënë bukur, qoftë në ndërtimin dhe shtjellimin e tekstit në 33 krijesa poetike (me simbolikën e numrit mistik 33, për të cilin ka interpretime nga më të ndryshmet), qoftë me titullin e librit që lidhet me një nga pjesët më të rëndësishme të trupit të njeriut e të jetës: Me sytë për të parë e për të gjykuar (sytë e mendjes e të veprimit), me sytë që “flasin” me gjuhën e heshtjes.
“Jam i vetëdijshëm se këto përsiatje – Sytë e heshtjes – janë të përvuajtura përballë asaj që kam lexuar dhe kam mësuar nga tekstet e Nënës Tereze për heshtjen dhe rëndësinë e saj, që janë gërshetuar dhe shkrirë vetvetiu në strukturën e tekstit tim poetik” thotë autori në fjalën parapake të këtij libri.
Është tejet befasues realizimi artistik i secilës pjesë të këtij libri, të lidhura aq bukur me njëra – tjetrën, për të shpalosur heshtjen në dimensionet e saj të shumta, duke filluar që nga hiri i Hyjit (që sipas poetit e krijoi heshtjen) e deri tek vdekja – drithërimë e beftë; pra, heshtja si dukuri përcjellëse e njeriut dhe e të gjitha qenieve të gjalla gjatë ciklit të jetës.
Heshtja është hiri i Hyjit,
ngrohtësi e pashuar dashurie (f. 95)
Secila pjesë e poemës fillon me heshtjen, e që metaforikisht u ngjajnë sentencave jetësore në dimensionin shumështresor të tyre, një univers i tërë mes imagjinatës e reales, “është frymësi jetike, mishërim i mistershëm i të madhërishmes, ngadhënjim mbi kohët”.
Përmes heshtjes autori synon të pasqyrojë virtyte të larta njerëzore: dashurinë, mirësinë, sinqeritetin, solidaritetin, paqen etj:
Heshtja është paqja brenda nesh
shkëlqim i çiltër që duhet mbëltuar
ngase sipas autorit “paqja jonë i takon edhe tjetrit”.
Në heshtje ngjizen veprat e lartësuara, por edhe prapësitë, por heshtja në këtë vepër poetike të Berishës ka edhe frymën e bukurisë njerëzore, të bukurive natyrore, e nganjëherë ngjanë në një sagë flurore.
Heshtja i përngjan krahëtimit të fluturës ose buzëqeshjes së foshnjës njomësore. Në mënyrë metaforike autori e shpreh marrëdhënien e njeriut me dashurinë hyjnore, ballafaqon heshtjen me dashurinë dhe mirësinë që njeriu duhet ta tregojë në çdo veprim të tij.
Heshtja është thelb i dashurisë,
vistrak drithërimash të ngjeshura, të flakta
është rruga më e shkurtër të mbërrihet te Hyji,
tek i afërmi, te tjetri, te dhimbja e tij,
se tjetri i jep kuptimin jetës sonë
mbasi dashuria nga dashuria rritet (f. 102)
Heshtja sipas Berishës është dhunti njerëzish e thesar shpirti që dëshmohet me flijime, apo edhe vetëpërmbajtje, ku fjalët duhet matur e peshuar, gjë që arrihet me tri parime kryesore të jetës: me durim, me durim dhe me durim.
Berisha e ndërlidh heshtjen dhe me Atdheun; atë duhet çmuar dhe dashur në çdo rrethanë e kohë, si shprehet nga vargjet:
Heshtja është dashuri mëmëdheu,
Vlim i shpirtit që e shton ngazëllimin, […]
Frymë e të Parëve, të Parëve të të Parëve të tu,
vargëzim që s’këputet asnjëherë
edhe kur punët mund të shkojnë rrokopujë (f. 107)
Kur lexon këtë varg “edhe kur punët mund të shkojnë rrokopujë” fiton bindjen se heshtja na duhet si gjaku që na rrjedh në damarët e trupit, të dimë ta përdorim aty ku është nevoja… e të dinë ta përdorin ata që flasim vend e pa vend e pa mend! (Kur punët tona si komb shkojnë rrokopujë!)
Heshtja në vargjet e Berishës është e mishëruar me qenësinë e jetesës e të veprimit, në mallin e me përmallimin, me çaste lamtumire, po dhe me shumësinë e dukurive, edhe me pikërrimin e shiut që bie në heshtje…
Është mjeshtëria artistike e autorit që në vargun e tij të bashkë-dyzojë fjalën dhe heshtjen, që bëhen bashkudhëtare e shpirtit njerëzor:
Heshtja është lumë mendimesh,
që vorbullon brenda secilit […]
Është degëzim i dritësimit
që ngjet edhe brenda errësirës
i mbëlton hiret, virtytet i mbroth
me butësinë hirplote të lindjes së vesës
kur njomësohet në syrin e agimit
nga qielli i qëndisur me paanësinë e yjeve (f. 113)
Në heshtje shprehet dhe dhimbja dhe udhëtimi; shpesh herë heshtja na vë para thënies hamletiane: “Të jesh a të mos jesh” të flasësh, apo të heshtësh:
Heshtja është kur të lidhet gjuha:
çele gur gojën – për ta ruajtur fshehtësinë (f. 119).
ose
Heshtja është qenësi e gjallimit,
ngjizur indeve, ngërthyer qelizave,
është nderi që duhet ta mbrosh përherë”(f. 117)
Koha e ka dëshmuar se jo gjithmonë heshtja është ari. Në raste të caktuara, heshtja shkakton dhimbje dhe dëmton shpirtin e njeriut, siç shprehet dhe në vargjet vijuese:
Heshtja është krimbi i dyshimit
që të vë në peshojën e ndërgjegjes (f. 115)
apo
Heshtja është gojë e ligësisë,
zgafelle që fundi nuk i dihet (f. 118)
Dhe pikërisht me heshtjen sikur dhe mbyllet cikli i jetës – vdekja, e me heshtje nderohet edhe ai që kalon në amshim…
Heshtja është vdekja – drithërimë e beftë
hije gurëzuese që lehtas të përshkon (f. 127).
Poeti Anton Nikë Berisha tashmë ka krijuar stilin e vet të të shprehurit, që dëshmohet para së gjithash me gjuhën e latuar e të brymosur me shumë fjalë të reja që i japin gjallëri tekstit dhe sistemit poetik.
Janë të shumta fjalët pak të njohura që autori përdor në tekstin e tij, sa që nga një herë duhet përdorur edhe fjalori si:
Përzjarr, akullon, puthzon, cegmin, thadruar, sylëbyrosur, vistrak, zemërak, ëmbëlsor, frymësisë, krahëtimit, njomësore, vlertë, mbroth, shllige, përdëllimit, bunon etj. ose shprehjet kuptimisht të pasura: lumë mendimesh, det dhimbjesh, shtresim drite, ngrohtësi dielli etj,
Ligjërimi poetik i Anton Nikë Berisha në këtë poemë, siç e quan ai: përsiatje poetike për heshtjen, është ligjërim figurativ, që dëshmon mbi natyrën ekzistenciale të njeriut, të ndjenjës e të mendimit filozofik, duke krijuar unitet brenda tërësive (pamjeve) dhe vargjeve.
Me poemën “Sytë e heshtjes” autori është sa sfidues, aq dhe novator, duke sjellë forma të veçanta e të vlefshme artistike që do t’i mbijetojnë kohët e brezat.
Prishtinë, 19 prill 2020