(Tavola rotonda “I dialetti arbëreshë e il Proggetto A.L.Ar.I.Co, Palermo, 28 maj 2025)
Fillesa: më datën 28 maj, në Universitetin e Paermos do të organizohet Seminari Ndërkombëtar me temë “I dialetti arbëreshë e il Proggetto A.L.Ar.I.Co”me këtë program pune:
Isha i ftuar në atë veprimtari shkencore, pak të thuash të rëndësishme e të lëvdueshme dhe natyrisht po më mbetet merak që, për arsye moshe dhe shëndeti, nuk do të jem atje me trup, por nuk mund të mos jem atje me zemër e me mendje dhe, si thonë francezët “fautes de grive”, po rreshtoj disa ide e vlerësime për rëndësinë e gjeografisë gjuhësore në përgjithësi, të atlaseve dialektolgjike dhe etnolingustike në përgjithësi dhe të një atlasi të dialekteve (më saktë të folmeve a ligjërimeve) arbëreshe në veçanti.
E përgëzoj këtë nismë dorëmbarë të studiuesve të shquar arbëreshë dhe posaçërisht prof.Francesco Altimarit, responsabile scientifico Nazionale dhe të prof. Matteto Mandala, responsable scientifioco lokale, të cilët, si “binomi akademik arbëresh më i shquar i ditëve tona”, me një punë sa vullnetmirë aq edhe të mundimshme e për kohë të gjatë, i kanë dalë zot një ideje të mbarë, në fakt të hershme të prof.Solanos, që me forcat shkencore e kushtet e deriatëhershme nuk u realizua, por që, fatbardhësisht, nuk mbeti pa u vënë në jetë dhe pikërisht falë dy kolegëve e miqve të lartpërmendur, dy nga profesorët më të shquar të filologjisë arbëreshe e shqiptare, që i kemi dhe anëtarë të jashtëm të Akademisë sonë të Shkencave, u arrit që në tryezën shkencore të datës 28 maj, në seancën e pasdrekes të paraqiten edhe rezultate e para të “Atlante linguistico arbëresh-Dizionario digitale dell’arbëresh letterario”. Në atë seancën që e kryeson prof.Gëzim Gurga, janë parashikuar kumtesa nga Battista Sposato (univ.i Kalabrisë), Fiorela de Rosa (univ.i Kalabrisë), Monica Genesin (univ.i Salentos), Giuseppina Turano (univ.Venecies). Në seancën e tretë “Inchiesta socio-demo-antropologica” të kryeuar nga Antonio Olivieri (univ. i Palermos) do të referojnë: Eugenio Imbriani (univ.i Palermos),Gabriella Polizzi (univ.i Salentos), Nicola Scaldaferri (univ.i Milanos).
2.Pse e vlerësoj dhe shpreh gëzimin tim dhe mbështetjen e plotë të Projektit A.L.Ar.I.Co?
Së pari e kryekreje, sepse, në formimin tim profesional e mirëfilli shkencor si dialektolog e sociolinguist, kam të rrënjosur bindjen se Gjeografia gjuhësore ka qenë fillesa dhe baza e dialektologjisë evropiane dhe, së andejmi, dhe e nismave e realizimeve relativisht të hershme në dialektologjinë shqiptare.(Rasti e lyp të përmendim këtu se, mbas ideve pionieristike për një “Atlant të Gjuhës Shqipe” e formuluar nga At Benedikt Dema dhe e “Pyetësor pr Atlantin e gjuhës shqipe” nga Eqrem Çabej, qysh para Luftës së Dytë Botërore, do të vinte koha që, në kuadrin e veprave të emërtesës së Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, në vitet ’70-90 të shekullit XX, ka qenë edhe Atlasi Dialektologjik i Gjuhës Shqipe, për të cilin është punuar rreth 40 vjet radhazi. Kam qenë qysh në fillesat e asaj pune në grupet e punës për hartimin e Parimeve të Atlasit (J.Gjinari,B.Beci.Gj.Shkurtaj) dhe për hartimin e Pyetësorit (J.Gjinari, Gj.Shkurtaj, Xh.Gosturani), si dhe në anketimet e të gjithë punët për hartografimin e redaktimin e gatitjen pë shtyp të asaj vepre.[1] Gjithashtu, për disa vjet radhazi, grupi i dialektologëve të IGJL-së (Gjinari, Beci, Shkurtaj, Gosturani) ka marrë pjesë në Projektin ndërkombëtar të Atlas Linguarum Eurpae (ALE), filluar këtu e 55 vjet më parë[2] dhe ku, Shqipëria, edhe në kohën më të vështirë të raporteve e Botën, ka marrë pjesë në mbledhjet e punës dhe në anketimet në terren (10 pika brenda RSh-së) dhe të tjera në Kosovë e në diasporën arbëreshe të Italisë. Po ashtu, një grup dialektologësh shqiptarë kanë qenë në Redaksinë e kësaj vepre dhe, në rrjedhë të viteve, është marrë pjesë dhe në konferencat vjetore të ALE-së të organizuara në vende të ndryshme, ndër to edhe në Shqipëri, në qytetin e Durrësit, në verë të vitit 2010).
Nga të gjithë ata që janë marrë e merren me gjuhësinë e përgjithshme apo me gjuhësinë e zbatuar, pranohet se njohja dhe studimi i imët i dialekteve janë detyrë themelore për të gjitha studimet gjuhësore: për fonetikën, për morfologjinë, për sintaksën dhe, pa dyshim, për semasiologjinë dhe frazeologjinë e gjuhës. Në mënyrë të veçantë të dhënat dhe studimi i dialekteve janë me rëndësi për historinë e gjuhës. Siç thoshte edhe gjuhëtari i shquar frëng Antuan Meje (Antoine Meillet) “nuk ka histori gjuhe pa dialektologji dhe sidomos pa gjeografinë gjuhësore komplete dhe të zbatuar mirë“. Dialektet dhe të folmet e gjalla përbëjnë dëshmi dhe faktime me shumë rëndësi, që kanë peshë apo vlerë të krahasueshme me atë vlerë që kanë bimët për botanistin apo objektet dhe veshjet (kostumet) popullore për etnografin, si këngët e vallet për folkloristin, si dokumentet arkivore e kronikat e drejtpërdrejta për historianin.
Anketimi në terren dhe fiksimi i këtyre të folmeve popullore e i fjalëve të rralla të tyre në monografi a skica, në atlase dialektologjike apo në tekste dialektore të regjistruara me besnikëri e saktësi përbën një dokumentim shumë të çmueshëm, që jep mundësi, ndër të tjera, edhe për të rindërtuar historinë e gjuhës përkatëse, për të përvijuar e për të mbështetur me të dhëna mjaft të sigurta faza të ndryshme të zhvillimit fonetik, morfologjik dhe sidomos semantik, që pëson gjuha në rrjedhë të kohëve.
Në mënyrë të veçantë të dhënat e dialekteve janë të rëndësishme, sepse në to na jepet një pamje e të folmeve apo e dialekteve nëpërmjet të folurit të rrjedhshëm e të gjallë, ashtu siç rron në gojën e informatorëve të thjeshtë, pa ndonjë përpunim a tëhollim libror e të kërkuar, siç e gjejmë, p. sh., në përmendoret e shkrimit, sidomos në veprat e shkrimtarëve që i përmbahen një tradite të caktuar shkrimore.
Natyrisht, edhe njohja e shfrytëzimi me efekt i të dhënave të dialekteve kërkon punë të veçantë dhe një qëndrim të caktuar, që ka të bëjë me metodologjinë e kërkimit shkencor. Prandaj, hartat e një atlasi dialektologjik për gjuhëtarin, që dëshiron të njohë zhvillimin e të folurit, duhet të kenë së paku atë rëndësi e vlerë që kanë hartat fizike të një vendi për gjeografin që merr në shqyrtim konfiguracionin e tokës.
Përvoja botërore dhe kërkimet vetjake nëpër trevat shqiptare e në diasporë më kanë shërbyer mua dhe gjithë dialektologëve shqiptarë për të formuar një konceptim të sigurt rreth vlerave të dialekteve në kuadrin e përgjithshëm të gjuhës, për t’i konsideruar ato si motra të varietetit standard dhe jo si “forma të trasha e bija të padijes” siç ka pasur ndonjë prirje për t’i vështruar ato. Siç thoshte dikur abati Rusëlo (Rouselot), dialektet dhe të folmet e një vendi, në krahasim me gjuhën letrare meritojnë të njëjtën përparësi të gjuhëtarit, siç meritojnë “parapëlqimin e botanistit bimët dhe lulet e fushës në krahasim me lulet e lulishteve tona“. Na duket me vlerë të kujtojmë këtu edhe një thënie të J. F. Shnakenburgut (Schnakenburg), i cili, duke krahasuar dialektet popullore me frëngjishten e kultivuar, thoshte:”E folmja përballë frëngjishtes është si një skllav në prani të një zotnie të ashpër: ai hesht dhe nuk guxon të lëshojë zë derisa të jetë i sigurt se zotëria nuk po e dëgjon më. Por, larg zhurmës së qyteteve, larg pluhurit të rrugëve të mëdha, në fshatrat e vetmuara, mbi malet, në luginat, atje shfaqen në dritë të plotë këto gjuhë të thjeshta, naive, diafane që janë sot ato që ishin këtu e disa shekuj më parë, sepse askush nuk ka marrë përsipër t’u japë atyre, arbitrarisht, ndonjë përsosje …Njeriu nuk mund të bëjë një gjuhë pa metodë; ai nuk mund të krijojë një metodë të re për klasifikimin e fjalëve të tija; ai e bën gramatikën dhe sintaksën si bleta hojet, si zogu çerdhen“[3].
Dialektet dhe të folmet e çdo gjuhe pasqyrojnë të kaluarën e njerëzimit në përgjithësi e të një bashkësie shoqërore në veçanti. Për këtë arsye, qysh nga fillesat e studimit të dialekteve, studiuesit kanë vënë re se njohja, qëmtimi sa më i thelluar dhe vlerësimi i të dhënave të dialekteve sjellin përfitime jo vetëm për filologjinë po edhe më gjerë. Siç shkruante Rusëloi:
“Historia e racave, e zakoneve, e institucioneve, e fesë, psikologjia gjejnë aty të dhëna të vlefshme. Të gjitha fazat nëpër të cilat ka kaluar jeta e një populli kanë lënë gjurmë në gjuhën e tij. Data, origjina e fjalëve, shpesh, mund të përcaktohen me vërtetësi nga fonetika. Por data dhe origjina e fjalës japin datën dhe origjinën e sendeve. Për më tepër, lufta e paprerë e mendimit kundër kushteve materiale të të folurit, përshtatja e vazhdueshme e formave të vjetra ndaj nevojave të reja, ndejnë për filozofin elemente të çmueshme për të gjykuar punën e brendshme të mendimit. Studimi i të folmeve është, pra, krejt tjetër nga kureshtja e kotë; ai mund të sjellë ndihmesën e vet për të ndriçuar përgjithësisht historinë e njerëzimit“[4].
Shumë studiues, jo vetëm në kohët më të reja, po edhe qysh kur bëheshin hapat e parë në dialektologji, kanë shtruar nevojën e studimit sistematik dhe të menjëhershëm të dialekteve, sepse ato rrezikojnë të zhduken. Ja si shkruante J. Host-i (Haust):
“Dialektet po zhduken. Nga një anë përparimi i vazhdueshëm i gjuhëve të kulturës së lartë, të ndihmuara nga gazetat dhe mësimi i gjuhëve standarde në të gjitha mjediset dhe deri në fshatrat më skajore; nga ana tjetër, zhvillimi industrial që modifikon format e vjetra të punës së njeriut duke suprimuar mjeshtëritë e veglat tradicionale; së fundi, rrafshimi universal i kushteve shoqërore (pa llogaritur faktorë të tjerë, si luftërat e mëdha që shpërndajnë popullsinë), të gjitha këto ndikojnë për ndryshimin progresiv dhe, në ditët tona veçanërisht të përshpejtuar, të idiomave të lashta. Shkenca e ka për detyrë t’i hetojë të folmet krahinore para se ato të zhduken, sepse ato janë pjesë e trashëgimisë kombëtare; ato pasqyrojnë një mendësi, një konceptim të veçantë të jetës. Për historianin ato mund të japin dokumente filogjike, shpesh më shprehëse dhe më të vlefshme sesa gërmimet arkeologjike. Ato janë motra të patrashëguara të një dialekti që pati fat dhe që u ngrit në dinjitetin e gjuhës së pastruar, letrare, filozofike dhe diplomatike; … ato kanë ruajtur lirinë e tyre të vrazhdë, transmetohen nga tradita gojore dhe zhvillimi i tyre natyror nuk është prekur aspak nga “mëtimet akademike”, kështu që studimi i tyre është i domosdoshëm për të njohur me rrënjë dhe në origjinën e vet gjuhën e kultivuar që i zotëron krenarisht. Kështu, më tepër sesa lulet e një lulishteje, bimët e egra të fushës, barërat dhe drunjët tërheqin vëmendjen e botanistit“.[5]
Në dritën e një kundrimi të tillë, shpreh mbështetjen time dhe vlerësoj se Tryeza e rrumbullakët me temën “I dialetti arbëreshë e si dhe ideja e “ il Proggetto A.L.Ar.I.Co, Palermo, 28 maj 2025 ka rëndësi shkencore dhe meriton të jetësohet e të mbështetet pa asnjë rezervë. Kjo edhe për rrethanën tashmë të ditur e që përbën një postulat themelor të studimeve gjuhësore:Asnjë përparim cilësor i teorisë gjuhësore nuk është bërë dhe nuk mund të bëhet pa u mbështetur fort në kërkimet dhe hulumtimet e imëta dialektologjike, pa përfillur në shkallën e duhur faktet dialektore e me një metodë përherë e më të stërholluar kërkimi.
Dhe, mbas kësaj parashtrese tumiruese, duke përsëritur gëzimin dhe vlerësimin që meriton kjo nismë e re dhe madhore e Universitetti të Palermos dhe e forcave shkencore të ftuara në realizimin e saj, përmbyll duke riformuluar sa kam shprehur edhe në leksionet e mia të lëndës së Dialektologjisë e në tekstin përkatës për domosdoshmërinë e një Atlasi të ri të shqipes së sotme (trevat kompakte ballkanike (Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi) dhe diasporat (arvanite (Greqi), arbëreshe (Itali), arnaute (Turqi, Bullgari, Ukrainë), arbëneshe (Zarë-Dalmaci) dhe shqiptare e re në Evropë dhe në Botë).Po ashtu, nuk pushoj së thëni e së ngulmuari se, pa bjerrë mot, duhet të ideohen e të realizohen edhe Atlasë krahinorë, së paku dy: 1) për gegërishten dhe 2) për toskërishten.

3.Shkurtore rreth konceptit të Atlasit gjuhësor
Mjet themelor dhe tradicional i gjeografisë gjuhësore; atlasi gjuhësor është përmbledhje e një numri hartash gjuhësore të një territori (zakonisht të një kombi ose krahine), të renditura sipas kriteresh të caktuara dhe secila e titulluar për një koncept a nocion të caktuar ose që jep paraqitjen e të folmeve në harta, mbi të cilat fiksohen materiale dialektore të mbledhura sinkronikisht në terren, nga një ose disa mbledhës, me anë të anketave të kryera duke pyetur një ose disa subjekte, mbi bazën e pyetësorëve të hartuar enkas. Materiale të tilla, të regjistruara me tejshkrimin fonetik sipas shqiptimit vendas, përbëhen nga fjalë dhe shprehje që i përgjigjen një koncepti ose nocioni të dhënë, ose shënues të një objekti, qoftë në formë emërore, qoftë foljore, qoftë edhe me fraza të plota. P.sh. gjel(dhe variantet a dysorët fonetikë sipas krahinave të ndryshme, si: xhel, zhiel, gjiel)- këndez(dhe variantet a dysorët fonetikë sipas krahinave të ndryshme, si: këndes, kënes) / knues knu:s, kënojs)-kaposh(dhe variantet a dysorët fonetikë sipas krahinave të ndryshme, si: kapok, kapua-kapoi);-kanxh(dhe variantet a dysorët fonetikë sipas krahinave të ndryshme, si: kangj, kagj); kokodoc (dhe variantet a dysorët fonetikë sipas krahinave të ndryshme, si: kadoc, kodac).[6]
lind dielli (dhe variantet a dysorët fonetikë sipas krahinave të ndryshme, si: lint, lin); lendielli (dhe variantet a dysorët fonetikë sipas krahinave të ndryshme, si:le);bie dielli (dhe variantet a dysorët fonetikë sipas krahinave të ndryshme, si: bjen dilli).[7] Në dallim nga atlasi gjeografik, në të cilin, me një numër të caktuar hartash shterohet e gjithë lënda përkatëse, atlasi gjuhësor nuk mund t’i përfshijë kurrë të gjitha hartat që përmbajnë konceptet dhe shprehjet dialektore, prandaj duhet me doemos të kufizohet në një pjesë të fjalëve; të japë një ekstrakt sa më organik që të jetë e mundur për të formuar një kuadër të përgjithshëm, së paku të tipareve kryesore të territorit gjuhësor të hetuar.
Së këndejmi del edhe rëndësia po edhe vështirësia që paraqet hartimi i atlaseve gjuhësore. Sipas territorit të përfaqësuar dallohen: atlase kombëtare ose mbikrahinore që synojnë të japin vija kufizuese të mëdha të situatës gjuhësore të një territor të gjerë kombëtar dhe të hetojë problemet e përgjithshme të historisë dialektore (historikisht të paraqitura në atlaset e brezit të parë, të dalë njëkohësisht me mëkëmbjen e gjeografisë gjuhësore dhe të frymëzuara nga prototipi i atlaseve, si ai francez i Jul Gillieron-it dhe i E.Edmondit); krahinore dhe nënkrahinore (të paraqitur në brezin e dytë ) që synojnë të precizojnë e të përcaktojnë më mirë aspektet e veçanta të historisë gjuhësore dhe të kulturës specifike të një krahine a nënkrahine, duke zgjidhur problem të mikrogjeografisë; mbikombëtare ose plurilinge (të quajtur edhe plurinacionale), fusha e vështrimit të të cilëve zgjerohet deri në dhënien e panoramës dialektore të shumë territoreve kombëtare të një rajoni ose të një kontinenti të karakterizuar nga një farë uniteti kulturor-bazë, pavarësisht nga larmia e madhe etnike dhe copëzimi i dendur gjuhësor (këto atlase, të brezit të tretë e të katërt) mbështeten në konceptin e arealeve të afërta d.m.th. të arealeve të cilat, pavarësisht nga gjuhët e ndryshme, kanë edhe një farë orientimi kulturor të një qytetërimi të përbashkët. I tillë është p.sh.ALE (Atlas Linguarunm Europae), që ka filluar qysh në vitet ’70 të shekullit XX dhe vijon ende të përpunohet pjesë-pjesë e duke u botuar disa vëllime të tij. Mund të përmendet, gjithashtu, atlasi i gjuhëve sllave (Obshesllavjanskij Atlas) etj.
Këto atlase kanë për objekt hulumtimin dhe paraqitjen e tërësisë së fushave onomasiologjike, në kuptimin që përmbledhin materiale të ndryshme që i përkasin krejt universit leksikor të gjuhëve e dialekteve. Ekzistojnë edhe tipe të tjera atlasesh gjuhësore, që, përkundrazi, karakterizohen nga një pamje hetimi të përqendruar në fusha onomasiologjike të pjesshme, të kufizuara në sektorë të veçantë ose specifikë të leksikut. Rëndësi të madhe kanë pasur atlaset gjuhësore që rodhën nga vëmendja paralele ndaj historisë dhe gjërave të lidhura ngusht me fjalët, sipas orientimit të gjuhëtarëve R.Meringer dhe Hugo Schuhard e të shprehur në moton “Wörter und Sachen” (“Fjalë dhe sende”). Fjala është për një perspektivë metodologjike të eksperimentuar gjerësisht në fushën gjuhësore romane dhe të onomasiologjisë së mbështetur në konceptin sipas të cilit historia e ligjërimit identifikohet me atë të qytetërimit. Lindin kështu atlaset gjuhësore të përziera: atlas gjuhësor dhe etnografik ose, siç shprehet në titullin gjermanisht të Atlasit Italo-Zviceran që ka zbatuar metodën e “fjalëve dhe sendeve” : “Sprach- und Sachatlass”), të cilët u shtojnë të dhënave gjuhësore edhe shpjegime (indikacione) etnografike ose demologjike, të paraqitura me shenja konvencionale të përgjigjeve dialektore, qoftë edhe me figura e skica të izoergeve të hartave të veçanta, qoftë me referimin në fotografi a ilustrime të grumbulluara në vëllime të veçanta; po edhe me harta të posaçme etnografike të lidhura me ato gjuhësoret.
Literaturë:
GA, Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe, Vëll.I,Napoli-Tiranë, 2007 dhe vëll.II, Napoli-Tiranë, 2008.
Dizionario di linguistica e di filologia, metrica, retorica, Diretto da Gian Luigi Beccaria, Giulio Einaudi editore, Torino, 2004, f.99-100.
Atlas Linguarum Europae: Introduction, Assen: Van Gorcum, 1975.Atlas Linguarum Europae: First Questionnaire, Assen: Van Gorcum, 1976.Atlas Linguarum Europae: Second Questionnaire, Assen: Van Gorcum, 1979.Atlas Linguarum Europae, volume I: first fascicle, maps and comments, Assen: Van Gorcum, 1983.Atlas Linguarum Europae, volume I: second fascicle, maps and commentaries, Assen / Maastricht: Van Gorcum, 1986.Atlas Linguarum Europae, volume I: third fascicle, maps and comments, Assen: Van Gorcum, 1988.Atlas Linguarum Europae, volume I: fourth fascicle, maps and comments. Assen / Maastricht: Van Gorcum, 1990.Atlas Linguarum Europae, volume I: fifth fascicle, maps and commentaries, Roma: Poligrafico, 1997.Atlas Linguarum Europae New Perspectives in Geolinguistics, Roma: Poligrafico, 1997.Atlas Linguarum Europae, volume I: sixth fascicle, maps and commentaries, Roma: Poligrafico, 2002.Atlas Linguarum Europae, volume I: seventh fascicle, maps and commentaries, Roma: Poligrafico, 2007.Atlas Linguarum Europae, volume I: eighth fascicle, comments, Bucharest: Editura Universității din București, 2014.Atlas Linguarum Europae, volume I: eighth fascicle, European linguistic maps, Bucharest: Editura Universității din București, 2014Atlas Linguarum Europae, volume I: ninth fascicle, comments, Bucharest: Editura Universității din București, 2015.Atlas Linguarum Europae, volume I: ninth fascicle, European linguistic maps, Bucharest: Editura Universității din București, 2015
Tiranë, 21 maj 2025
[1] Shih:GA, Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe, Vëll.I,Napoli-Tiranë, 2007 dhe vëll.II, Napoli-Tiranë, 2008.
[2] Atlas Linguarum Europae (Atlasi i Gjuhëve të Europës) është një projekt atlasi gjhësor i nisur në vitin 1970 me ndihmën e UNISCO-s dhe, që nga vitit 1975 deri në vitin 2007 janë haruar e botuar disa vëllime të tij.Në atë vepër është përdorur një sitem transkriptimi i bazuar në Alfatbetin Fonetik Ndërkombëtar me disa modifikime.
[3] Cituar sipas: S. Pop, La dialectologie, Aperçu historique et méthodes d’ enquetes linguistiques, Première Partie, 1950, f. 30.
[4] Cituar sipas S. Pop, vep. cit, f. 40-41.
[5] Shih: J.Haust, La dialectologie walonne, 1927, cituar sipas S.Pop, vep. cit, f.65-66.
[6] Shih: ADGJSH, Vëll.II, 2008, f.166, harta 222.
[7] Shih: ADGJSH, Vëll.II, 2008, f.10, harta 146 .