nga Matteo Mandalà
Falë një vargu rrethanash fatlume Sicilisë dhe studiuesve më të shquar arbëreshë të kësaj ujdhese u janë ndeshur udhët me çastet më të rëndësishme të historisë së monumentit më të vjetër gjuhësor të shqipes, Mesharit të Gjon Buzukut. Qysh prej zbulimit të kësaj vepre nga Kazazi dhe rizbulimit të mëvonshëm nga imzot Pal Skiroi (1866-1941), Meshari i Buzukut ka qenë në qendër të një interesimi të jashtëzakonshëm, që jo vetëm ka të bëjë me historinë kulturore të ngulimeve arbëreshe të Sicilisë, por ka frymëzuar dhe nxitur një lëmë të veçantë studimesh, atë ekdotik, që zë fill me përpjekjet e para të propozimit të një teksti kritik të Mesharit dhe vijon deri në ditët tona me ndihmesën e vyer që po japin tashmë prej vitesh në fushën e filologjisë shqipe dy katedrat e gjuhës dhe të letërsisë shqipe në Palermo dhe në Kozencë.
Sikundër dihet, Meshari u zbulua për të parën herë aty nga viti 1743, kur imzot Gjon Pagëzues Kazazi (1702-1752), prej Gjakove, i sapoemëruar arkipeshkëv i Shkupit, teksa po kthehej nga një vizitë apostolike që kish kryer në Bullgari dhe në vende të tjera të Lindjes, e gjeti në Kolegjin e Propagandës Fide dhe vendosi të njoftojë menjëherë përmes një letre at Gjergj Guxetën (1682-1756), rektorin e Seminarit Arbëresh të Palermos dhe nismëtarin e një lëvizjeje të rëndësishme politiko-kulturore ndër arbëreshët e Italisë. Letra e Kazazit, që deri para vitit 1967 ruhej në arkivin e seminarit, ndërsa tani ndodhet në fondin Albansk Samling të Bibliotekës Mbretërore të Kopenhagës, përmbante, me gjasa, edhe një relacion ku informohej at Guxeta mbi kushtet në të cilat dergjej popullsia shqiptare e besimit katolik në viset e Ballkanit, që prej kohësh ishte pushtuar nga osmanët dhe vuante nën një shtypje fetare dhe kulturore të pashoqe deri asokohe. Ky relacion nuk ndodhet më në arkivin e seminarit. Gjithsesi ekzistenca e tij është dokumentuar qoftë nga Pal Maria Parrino (1710-1765), qoftë edhe nga Nikollë Keta (1742-1803), të cilët e citojnë në veprat e tyre të titulluara përkatësisht: “In septem perpetuae consensionis libros septem Albanensis Ecclesiae cum Romana omnium Mater et Magistra” dhe “Tesoro di notizie su de’ Macedoni”. U desh të kalonte pothuaj një shekull që letra e Kazazit, harruar në raftet e arkivit, të shpluhurosej dhe të tërhiqte vëmendjen e imzot Zef Krispit (1781-1859), i cili jo vetëm që e citoi në veprën e tij Memorie storiche su alcune costumanze delle colonie albanesi di Sicilia, por botoi edhe tekstin e dy fragmenteve të Mesharit që kishte kopjuar Kazazi, transliteruar në alfabetin e shqipes që ai vetë kishte krijuar. Kështu, për herë të parë një pjesëz e Mesharit e pa dritën e botimit përmes një qasjeje, që, paçka se modeste nga pikëpamja metodologjike, përuronte udhën e gjatë të studimeve filologjike mbi veprën e Buzukut.
Ca kohë më pas imzot Pal Skiroi, peshkopi arbëresh i Sicilisë dhe rektor i seminarit që themeloi at Guxeta, pasi mësoi për ekzistencën e Mesharit përmes veprave të pararendësve të tij dhe natyrisht, përmes letrës së Kazazit, vendosi t’i jepte udhë një fushate të vërtetë kërkimesh në bibliotekat më të rëndësishme kishtare të Romës. Imzot Skiroit i takon merita e “rizbulimit” të librit të Buzukut, e bashkë me të edhe të një morie dokumentesh të tjera gjuhësore me rëndësi të jashtëzakonshme, mes të cilave përmendim kopjen e shtypur të veprës së Matrangës “E mbsuame e krështerë” që u gjet në Bibliotekën e Vatikanit. Fushata kërkimore filloi aty nga viti 1909, kur imzot Skiroi mundi më në fund, falë edhe përkrahjes së kardinalit F. Ehrle që asokohe ishte prefekt i Bibliotekës së Vatikanit, të shqyrtonte librat e shumtë të pakataloguar që vinin nga biblioteka të tjera. Mes këtyre ishte edhe kopja e Mesharit që në kohën e Kazazit ruhej në Bibliotekën e Propagandës, por që pas vitit 1900, me unifikimin dhe përqendrimin e fondeve të ndryshme kishtare që ndërmori Selia e Shenjtë, u transferua në Bibliotekën e Vatikanit.
Historisë së vendndodhjeve të ndryshme të Mesharit në rrjedhë të shekujve nuk i është kushtuar rëndësia e duhur. Ndoshta te kjo shkujdesje zë fill hipoteza sipas të cilës vepra e Buzukut ra viktimë e censurës pastridentine dhe u fut në listën e librave të ndaluar (Index librorum prohibitorum). Sipas kësaj hipoteze, fakti që kopja e vetme e Mesharit u gjend në Bibliotekën e Vatikanit, dëshmon se, me gjasa, vepra, pasi i është nënshtruar zyrës së censurës së Vatikanit, do të jetë gjykuar si e papajtueshme me udhëzimet e koncilit e, për këtë arsye, do të jetë ndaluar dhe tërhequr nga qarkullimi. Kjo hipotezë ka disa të meta. Së pari, fakti se kopja e gjetur ka përanash faqeve shënime të shumta apografe të bën të mendosh për një interpretim kryekëput të kundërt, sepse dëshmon jo vetëm për një përdorim praktik të Mesharit, por edhe për qarkullimin e kësaj vepre në trojet e Ballkanit. Së dyti, falë një studimi të botuar këto kohët e fundit nga Lucia Nadin, tashmë dimë se libri i Buzikut u shtyp në Venecia (shih Lucia Nadin Shqipëria e rigjetur – zbulim gjurmësh shqiptare në kulturën dhe artin e Venetos në shek. XVI, Onufri, Tiranë, 2012, f. 230-325), mirëpo në botimet e shumta të Index-it nuk përmendet asnjë Meshar në gjuhën shqipe i shtypur në Venecia, prandaj bie hipoteza që libri i Buzukut të ketë qarkulluar jashtë mjediseve ballkanike dhe shtohen gjasat që autoritetet e Vatikanit të jenë vënë në dijeni të ekzistencës së Mesharit vetëm përmes së vetmes kopje të shtypur që mbërriti në Romë.
Pas gjetjes së Mesharit, imzot Skiroi «iu vu studimit të veprës së Buzuku me qëllim që të përgatiste një rishtypje, duke njoftuar për këtë gjetje të rëndësishme gazeta dhe periodikë të ndryshëm shqiptarë të kohës e duke botuar një artikull me germa të prera enkas, të ngjashme me ato të origjinalit». Lajmi pati jehonë të gjerë e qysh «në vitin 1929 françeskanët e Shkodrës porositën tri kopje fotografike», njëra prej të cilave u përdor nga Justin Rrota për botimin e disa pjesëve biblike që përmbante vepra, së pari, në revistën Hylli i Dritës të vitit 1930 e më vonë në një përmbledhje me titull Monumenti mâ i vjetri i Gjuhës Shqype. D. Gjon Buzuku (1555). Ndërkohë mbeti i pabotuar studimi i përgatitur nga imzot Skiroi, i cili nuk mundi t’i kapërcente vështirësitë e ndryshme që hasi për botimin e studimit të plotë filologjik. Nëse lëmë mënjanë botimin kritik të «pjesëve biblike të Buzukut», përgatitur nga bashkëpunëtori i Skiroit, Gaetano Petrotta (1882-1952) për periodikun shkencor “Rivista indo-greco-iranica di filologia, lingua e antichità” me titull “Il più antico testo di lingua albanese: Gjon Buzuku (1555)”, studimi filologjik i gjerë dhe i hollësishëm i zbuluesit të Mesharit ka mbetur thuajse krejt i panjohur për botën shkencore albanologjike. Kohët e fundit m’u dha rasti t’i hedh një sy veprës së pabotuar të imzot Skiroit, që ruhet me kujdes e dashuri të veçantë nga trashëgimtarët e studiuesit arbëresh e veçanërisht nga stërnipi, Franko Skiroi, të cilin me këtë rast e falënderoj përzemërsisht për ndihmën që më dha në ftillimin e vandakëve të pafundmë me dokumente të arkivit privat që ai ruan me përkushtim të madh.
Nuk është vendi këtu të bëjmë një përshkrim të hollësishëm të studimit të imzot Skiroit. Gjithsesi, nuk mund të mos theksojmë se megjithëse shumë aspekte të kritikës tekstore që shfaqen në këtë studim të rëndësishëm janë kapërcyer tashmë nga studimet e mëvonshme të zhvilluara gjatë shekullit të shkuar, kjo vepër përbën sot një ndihmesë të vyer për historinë e kritikës tekstore buzukiane, madje, do të thoshim, për historinë e asaj disipline për të cilën Eqrem Çabej ëndërronte një të ardhme më të ndritur, duke i përkushtuar një nga punët e tij më të mira: pikërisht botimin kritik të Mesharit.
Ekzistenca e dorëshkrimit të pabotuar me studimin e vëllimshëm të imzot Skiroit u bë e ditur së pari prej të nipit, Zef Skiroit, i cili e dha lajmin në një jetëshkrim interesant mbi të ungjin e shquar. Studimi “i thellë” i imzot Skiroit mban titullin “I testi biblici in lingua albanese di dom. Gjon Buzuku, messi in ordine, con traduzione italiana e note” dhe përfshin qindra fletë dorëshkrim të mbledhura në tre fashikuj të trashë. Kjo vepër është fryt i “një pune dhjetëravjeçare”, që përmbledh përpjekjet për të dhënë një interpretim fonetik të gjuhës së Buzukut përmes një krahasimi të imët me të dhënat gjuhësore të nxjerra nga veprat e Matrangës, Budit, Bardhit e Bogdanit.
Botimi i pjesshëm që përgatiti Gaetano Petrotta jep vetëm një ide të përciptë të punës së madhe që kreu mësuesi i tij. Pjesët biblike që u botuan në riprodhim diplomatik dhe në transkriptim fonetik, megjithëse dëshmonin një metodë pune që më vonë do të imitohej edhe nga Çabej, në fakt përbënin vetëm një paraqitje të pjesshme të praktikës ekdotike të ndërlikuar që përmban studimi i pabotuar. Nisur nga hamendja se grafia e Mesharit paraqiste tipare johomogjene dhe zgjedhje alfabetike që nuk kishin lidhje me traditën tipografike perëndimore, Skiroi vendosi të vinte përkrah transkriptimit normal të tekstit, edhe një riprodhim në kufijtë e besnikërisë mekanike që sot sigurohet vetëm nga makinat, përmes një rishkrimi diplomatik të tekstit.
Përpjekja për të riprodhuar besnikërisht tiparet grafike bazohej në bindjen se disa nga zgjedhjet e ndryshme alfabetike të Buzukut përbënin vështirësi që e ndërlikonin interpretimin kritik. Në fakt, disa raste, si fjala vjen, e ashtuquajtura “h irracionale”, ishin asokohe të pazgjidhshme, sikundër janë edhe sot e gjithë ditën. Ndoshta pikërisht ky impostim ekdotik përbënte pengesën kryesore për botimin e veprës. Asokohe ishte e pamundur të gjendeshin shtypshkronja të afta të riprodhonin besnikërisht tekstin e Buzukut dhe të përballonin një punë të përmasave të tilla që përfshinte përveç riprodhimit diplomatik, transkriptimit fonetik dhe riprodhimit të origjinalit latinisht, edhe një aparat kritik që përmblidhte rezultatet më të mira të studimit. Nuk e teprojmë po të themi se metoda që ndoqi Skiroi në aparatin kritik edhe sot pas afro një shekulli përbën një model të vlefshëm që mund të përdoret krahas atyre që sot përdoren në filologjinë shqipe.
Me të mbaruar punën filologjike me tekstin, imzot Pal Skiro u përpoq të gjente botues për veprën. Sipas të dhënave që përmban një letër qarkore e cila është shtypur me kokën e fletores së njohur Fiála e t’In’ Zóti, studiuesi i shquar arbëresh hartoi një program që parashikonte botimin e librit të Buzukut në «njæ vællùm si 400 fàkjesh, i tçíli dòt kêt pæræshkrímin e téstit me abetárin t’ænæ è tæ kæthíemen italíshte. Kætij vællùmi dòt i shtónen edhè fototipit e gjìth téstit tçæ u gjænt, tæ tçílat jánæ njæ kjìnt n’kátræ shtylash». Imzot Skiro ua dërgoi shumë vetëve këtë thirrje, përfshirë disa personalitete të shquara të kulturës dhe të politikës shqiptare. Një kopje e letrës, që ma vuri në dispozicion bujarisht miku dhe kolegu erudit prof. Aurel Plasari, të cilin përfitoj nga rasti për ta felënderuar, është gjetur në një zarf që mban datën 3 maj 1922, drejtuar Mid’hat Frashërit (1880-1949) që asokohe banonte përkohësisht në Hotel Byron në Paris. Për fat të keq projekti ambicioz i imzot Skiroit nuk u realizua dhe studimi i tij kritik i Mesharit do të priste një shekull para se të rikthehej në vëmendjen e studiuesve. Edhe për këtë arsye nuk mund të mos përfitoj nga rasti për të ftuar institucionet publike ose private shqiptare të marrin përsipër barrën dhe nderin e botimit të atij që sot mund ta quaj me plot gojën, nga njëra anë, studimi filologjik sa pionieristik, aq edhe risor i Mesharit e, nga ana tjetër, vepra që përuron filologjinë moderne shqiptare. Për sa u përket trashëgimtarëve të imzot Skiroit, në veçanti të lartpërmendurit Franko Skiroi, një nismë e tillë botuese do të jetë jo vetëm shenjë dhe dëshmi e frymës së bashkëpunimit me gjysmën tjetër të qiellit arbëresh, por do të konfirmojë edhe një herë, a thua se vërtet është nevoja, rolin shkencor që imzot Pal Skiroi pati në suazën e historisë së studimeve mbi Mesharin e Buzukut. Në qoftë se, sikundër shpresoj, kjo ftesë do të mirëpritet, marrëdhëniet arbëresho-shqiptare do të fitojnë, në përgjithësi, një stuatus bashkëpunimi më të frytshëm dhe do të hyjnë, në veçanti, në historinë e njërit prej lëmenjve vendimtarë albanologjikë. Me siguri do të plotësojnë dëshirën e papërmbushur të themeluesit të filologjisë moderne mbarë shqiptare.