More
    KreuForumi mbi përkthiminGjedhe tjetër përkthimi ("Iliada" në shqip nga Llambo Ruci)

    Gjedhe tjetër përkthimi (“Iliada” në shqip nga Llambo Ruci)

    nga Bashkim Kuçuku

    Kur flitet për një vepër të përkthyer, zakonisht, vëmendja përqendrohet te gjuha, forca shprehëse, besnikëria, apo, afria me origjinalin në gjuhën e vet, shkurt për artin e përkthimit. Në rastin e veprave të Mesjetës e të Rilindjes europiane prej të cilave na ndajnë shekuj, veçanërisht të veprave të lashtësisë, e, në radhë të parë, të Iliadës së Homerit, zotërimi i gjuhëve, përkatësisht, greke dhe shqipe, shprehja letrare, pa e humbur rëndësinë e vet, është e ndërlidhur dhe e ndërvarur edhe nga dukuri të tjera kulturore historike. Kuptimi i fjalës në vetvete, në këto raste, është pak, është diçka e ngrirë. Domethënia e domethëniet e figurave, të shprehjeve figurative shpërfaqen gjerësisht në pranëvënie me botëkuptimin, mendësitë, mënyrën e jetesës së asaj periudhe të lashtësisë, me besimin, zakonet, ritet, sidomos me mitet, me kuptimet dhe figurat e tyre. Në pamundësi të trajtimit të artit të përkthimit të Iliadës, nga greqishtja në shqip (sepse nuk lexoj në greqisht, për ta krahasuar me motërzimin në shqip), mund të flitet për anë të tjera, se si ka ardhur, si rrjedh në shqip Iliada prej Llambro Rucit.

    Përkthyesit e çdo kohe à priori kanë qenë dhe janë tepër të ndrojtur para Homerit, Iliadës dhe Odisesë, dy kryeveprave të para historikisht në të cilat janë mëkuar në shekuj letërsitë dhe kultura europiane. Pavarësisht drojës, ato janë përkthyer, shpesh edhe në motërzime të ndryshme nga periudha në periudhë.

    Fusha homerike dhe homerologjike në shqip në të cilën hyri Llambro Ruci, në një masë, ishte e lëvruar, madje nga emra të mëdhenj e të shquar. 120 vjet më parë, poeti kombëtar Naim Frashëri, ndër ndihmesat e tjera të çmuara në përurimin e kulturës rilindëse, pati përkthyer Këngën e parëIliadës, e cila lexohej dhe mësohej përmendësh në shkolla. Më 1965, Iliada botohet e plotë, e sjellë në shqip nga Gjon Shllaku, njohës e mjeshtër i përkthimit nga gjuhët klasike, i cili krijoi gjedhen e vet, zotëruese dhe pa të dytë për pesëdhjetë vjet.

    Krahas Iliadës kishte dalë në shqip dhe Odisea. Më 1973 botohen 12 këngë të Odisesë, pra, gjysma e poemës, nga shkrimtari, njohës i kulturës greke dhe i veprave homerike, Spiro Çomora. Të plotë do ta sjellë në shqip, më 1976, një mjeshtër tjetër, Pashko Gjeçi, përkthyes i paarritur deri sot i Komedisë hyjnore (1960, 1962) të Dantes.

    Kjo përvojë homerike ishte një rrethanë lehtësuese, si rrugë e hapur. Dhe, po aq, ishte edhe vështirësuese, sepse, do të duhej të kapërcehej, të përftohej një përvojë dhe një gjedhe tjetër për ta përligjur përkthimin e ri. Çdo përkthyes, që do të shfaqej me një ambicie të tillë, do të ishte, nga njëra anë, përballë Homerit të madh, dhe, nga ana tjetër, përballë këtyre mjeshtërve e të padyshimtë në përsosmërinë e mundshme të artit.

    Llambro Ruci, modest e i heshtur, por këmbëngulës dhe i përgatitur për ndërmarrjet e veta, kur hyri në këtë arenë të vështirë kishte një status të qëndrueshëm, një emër sqimatar të dalluar në fushën e përkthimeve nga greqishtja. Në 30 vjet (1979-2009) kishte sjellë në shqip vëllime më vete, poezi epike dhe lirike, kryesisht, nga poezia e lashtë, gjithashtu, dhe moderne: Eskili, Sofokliu, Euripidi në prozë; Janis Ricos, Kostandin Kavafi, poezia epike greke, Safo, Ezopi, si dhe librin Mite dhe legjenda të Greqisë së lashtë të A. N. Kun-it, etj. 

    Përgatitja dhe ndërmarrja e tij më e madhe letrare, Iliada, është e lidhur ngushtësisht me Odisea.

    Kur më tha se po punonte me Odisenë, menjëherë pas përgëzimit, nuk m’u ndenjtë pa i thënë:

    – Pse Odisenë dhe jo Iliadën? Ajo është më madhështorja.

     – Iliada është shumë e vështirë, do punë të madhe,  – u përgjigj. Të shikoj si do dalë Odisea, pastaj mund ta filloj Iliadën.

    Përkthimi dhe ripërkthimi i veprave të tilla, në se janë të dinjitetshme dhe me vlera të reja, është ngjarje kulturore, por, në veshin e shurdhër të mjedisit letrar shqiptar, nuk arrin jehona e punës së çmuar të intelektualëve të mirëfilltë, që rrinë jashtë grupeve dhe klaneve pragmatiste. Megjithatë, për vlerën dhe risinë e poemës Odisea prej tij janë dhënë dy mendime sintetizuese.

    Përkthimi i Odisesë së Homerit (nga Lambro Ruci) është vepër e standardit të lartë, ka shkruar poeti dhe studiuesi i njohur Moikom Zeqo.  … është tejet serioz, referencial dhe me një shqipe të shkëlqyer. Mendoj se është një ngjarje e madhe dhe e shumëfishtë artistike dhe kulturore, vazhdon ai, një ndihmesë për të gjithë në poetikën dhe kulturologjinë e sotme në përgjithësi.

    Mendimi tjetër është i profesorit të greqishtes në Universitetin e Tiranës, Aristotel Spiro, studiues dhe përkthyes i përkorë prej greqishtes në shqip. Përkthimi i njërës prej kryeveprave homerike, Odisesë së Homerit, i kryer nga përkthyesi Llambro Ruci, është rezultat i një pune të gjatë, të lodhshme e të kujdesshme. Në të jepet me besnikëri fryma e origjinalit nëpërmjet zgjedhjeve më të mira gjuhësore që ofron gjuha shqipe.

    Iliada, natyrisht, është në rrugën e Odisesë, në një shkallare më të lartë, pasi kishte hyrë mirë në botën homerike dhe qe mësuar e përshtatur me stilin e tij. Ai qe i ndërgjegjshëm, se ripërkthimi i tij nuk do të kishte vlerë pa risitë e veta, pa u përftuar një gjedhe tjetër, ndryshe nga ajo e Gjon Shllakut.

    Konteksti kulturor i kohës i jepte disa përparësi. Në pesëdhjetë vjetët e shkuara shqipja letrare, veçanërisht e poezisë, fjalori, shprehësia e saj ishte pasuruar ndjeshëm. Edhe më e pasur, më e epshme dhe më e përpunuar ishte shqipja letrare e prozës, e njëjtësuar me romanin, pasuritë e të cilës mund të shfrytëzoheshin tek eposet homerikë, Iliada dhe Odiseja prej të cilëve, me kohë, është përdegëzuar vetë romani. Ndërkaq, krahas teorive klasike të përkthimit, ishin teoritë moderne, që hapin mundësi të tjera poetike.  Tek Iliada e Gjon Shllakut, mes mjeshtërisë klasike, Llambro Ruci, sikurse sqaron në libër, ka vërejtur një dobësi. Në jo pak raste vargjet në shqip nuk përkojnë me vargjet në greqisht, janë shumë më tepër se në origjinal. P. sh., Kënga I në shqip ka 159 vargje më shumë se në greqisht; Kënga XV ka 180 vargje më shumë. Nisur edhe nga teoritë moderne, që synojnë besnikërinë ndaj origjinalit, ai e përkthen në varg të lirë për të ruajtur trajtën dhe ekuivalentin, me sa është e mundur, të leksikut të origjinalit, pa i shtuar apo hequr fjalë dhe shprehje homerike. Përveç këtij koncepti teorik bashkëkohor ka ndjekur edhe një nga përvojat më të fundit të përkthimit të Iliadës, konkretisht, në greqishten moderne dhe në italisht, botime të viteve 2000.

    Botimet e Iliadës, Odisesë, Komedisë Hyjnore dhe vepra të tjera të këtij lloji, që janë sinteza letrare dhe kulturore të epokave përkatëse, shoqërohen me shpjegime të fushave të ndryshme, të cilat lehtësojnë receptimin, sidomos përkapjen e domethënieve të thella. Iliada prej Llambro Rucit e ka risinë e vet edhe këtë përbërës të domosdoshëm.  Përqark tekstit homerik është një pasuri shumë e madhe, një sistem i tërë prej 1900 shpjegimesh thelbësore dhe të hollësishme për mitet e lashta, interpretimin e vargjeve, njohjen e botëkuptimit, mënyrës së jetesës, besimit, institucioneve të drejtësisë, traditave dhe zakoneve, për veshjet, armët, festat, etj.,  vjeluar që prej komentuesve të lashtë deri te studiuesit e sotëm. 

    Pasuria gjuhësore për t’iu përgjigjur sa më mirë shprehjes homerike, rrjedhshmëria e shqipes dhe e vargut, ritmi, kadencat, thyerjet në mes të vargut, shfrytëzimi i potencialeve fjalëformuese të shqipes, kalkimi i fjalëve të përngjitura, që janë karakteristike të stilit homerik, do të mund të thuheshin fillimisht edhe nga një lexim i shpejtë dhe jo i plotë me rastin e këtij përurimi.

    Tiranë, 05. 11. 2019

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË