More
    KreuLetërsiShënime mbi libraGilles Deleuze & Felix Guattari: Një edip i zmadhuar

    Gilles Deleuze & Felix Guattari: Një edip i zmadhuar

    Përktheu nga origjinali frëngjisht BALIL GJINI

    Letër babait, mbi të cilën mbështeten interpretimet e trishtuara të psikanalizës, është një portret, një foto, rrëshqitur në një makinë të një lloji krejt të veçantë. Babai me kokën e vajisur…: jo vetëm ngaqë është vetë fajtor, por sepse bën të birin fajtor, dhe nuk rresht kurrë së gjykuari atë. Gjithçka është faji i babait: nëse kam shqetësime prej seksualitetit, nëse nuk arrij të martohem, nëse shkruaj, nëse nuk mund të shkruaj, nëse rri kokëulur në këtë botë, nëse kam qenë i detyruar të ndërtoj një botë tjetër, tërësisht shkretëtinore. Ndërkaq, kjo letër, është shumë e vonuar. Kafka e di shkëlqyeshëm se asgjë në të nuk është e vërtetë: paaftësia për t’u martuar, të shkruarit, joshja nga ajo botë shkretëtinore, janë motive plotësisht pozitive nga pikëpamja e libidos, dhe s’janë veprime që vijnë nga marrëdhënia me babain. E thotë mijëra herë vetë, por edhe Maks Brodi na e ftillon dobësinë e një interpretimi edipian të konflikteve të tilla fëminore. Sidoqoftë, interesi i letrës qëndron te një lloj efekti rrëshqitës: Kafka kalon prej një Edipi klasik, i tipit neurotik, ku babai i dashur është i urryer, i akuzuar, i shpallur fajtor, te një Edip shumë më pervers, që zmbrapset te hipoteza e një babai të pafajshëm, te një “shkatërrim” i përbashkët babë dhe bir. Por Kafka e bën këtë lëvizje taktike për t’i lënë vendin një akuze ekstreme, një qortimi aq më të fortë, sa bëhet i parrokshëm dhe i pakufizuar (si “mëdyshjet” te Procesi) përmes një serie interpretimesh paranojake. Kafka e ndien aq bajagi mirë, saqë e imagjinon babain duke folur dhe duke i thënë: ti do të më tregosh “së pari se je i pafajshëm, së dyti që fajtori jam unë, dhe, së treti, që, përmes një bujarie të qelibartë, je jo vetëm i gatshëm të më falësh, por ç’është edhe më e bukura, ta provosh dhe ta besosh edhe vetë, që unë – në kundërshtim me të vëtetën – jam po ashtu i pafajshëm”. Kjo zhvendosje perverse që, te pafajësia e supozuar e babait, gjen një akuzë edhe më të keqe, me sa duket e ka një qëllim, një efekt dhe një prosede.

    Qëllimi është të arrijë një zmadhim të “fotos”, një zgjerim që arrin gjer në absurd. Fotoja e tejmasëshme e babait, e hedhur mbi hartën gjeografike, historike dhe politike të botës, për të mbuluar me të rajone të tëra. “Kam përshtypjen se mund të më vijnë për hosh vetëm vendet që ti s’i ke mbuluar, ose ato që janë larg teje”. Kemi një edipianizim të universit. Emri i babait mbikodon emrat historikë, hebrenjtë, çekët, gjemanët, Pragën, qytete dhe fshatra. Por, përmes saj, teksa zmadhohet Edipi, ky lloj zmadhimi bën të shfaqet në mikroskop babai i tillë siç është, dhe bën një trazirë molekulare, ku zhvillohet krejt një betejë tjetër. Do të thoshim që duke e projektuar foton e babait mbi hartën e botës, ai ka zhbllokuar vetë shtegun për foton, ka sajuar një rrugëdalje, e ka vendosur atë brenda lidhjeve me një rrjet të nëndheshëm, dhe me të gjithë rrugëdaljet prej këtij rrjeti. Ashtu siç thotë Kafka, nuk është problemi te liria, por te gjetja e një shtegu. Problemi me babain nuk është si të bëhesh i lirë në raport me të (problemi edipian), por si të gjesh një rrugë aty ku ai nuk e ka gjetur. Hipoteza e një pafajësie të përbashkët, e një shkatërrimi të përbashkët për babain dhe fëmijën, është më e keqja e të gjithave hipotezave: babai, që shfaqet aty si njeriu që ka ditur të heqë dorë nga dëshira dhe besimi i vet, nuk do ta bënte këtë veçse për të dalë nga “getoja rurale” ku ka lindur; ai e thërret djalin për ta nënshtruar vetëm ngaqë ai vetë i është nënshtruar një urdhëri zotërues në një situatë, me ç’duket, pa rrugëdalje. (“Gjithçka këtu nuk është një fenomen i izoluar, situata ishte pothuajse e njëjtë për një pjesë të madhe të kësaj breznie hebreje që ndodhej në një fazë tranzicioni, që e pati braktisur fshatin, tek i cili ishte ende relativisht e devotshme, me qëllim që të vendosej në qytet…”). Shkurt, nuk është Edipi që prodhon neurozën, por është neuroza – medemek dëshira tashmë e nënshtruar dhe që mëton ta komunikojë nënshtrimin e vet – që prodhon Edipin. Edipi, vlera tregtare e neurozës. Dhe e kundërta: rritja dhe zmadhimi i Edipit, duke e zgjeruar atë, duke e bërë një lloj përdorimi pervers, ose paranojak, do të thotë të dalësh prej nënshtrimit, ta ngresh kokën, të shikosh përmbi supin e babait atë për të cilën bëhej fjalë në këtë histori përgjatë gjithë kësaj kohe: gjithë një mikropolitikë të dëshirës, të shtigjeve dhe rrugëdaljeve, të nënshtrimit dhe të korrigjimeve. Hapja e shtegut, shbllokimi i tij. Shterritorializim i Edipit brenda botës, në vend të riterritorializimit të gjithçkaje mbi Edipin dhe mbi familjen. Por, për këtë, duhet zmadhuar Edipi gjer në absurd, gjer në komicitet, duhet shkruar Letër babait. Gabimi i psikanalizës është se na ngre kurthe ne dhe vetes, sepse ajo jeton veç nga vlera tregtare e neurozës, nga e cila nxjerr gjithnjë më shumë vlerë. “Revolta kundër babait është një komedi, jo një tragjedi”. 

     Dy vjet pas Letër babait, Kafka pranon se është zhytur në pakënaqësi dhe është bërë kështu “përmes të gjitha mënyrave që epoka dhe tradita ia lejojnë”. Edipi është njëra syresh, mjaft moderne, bërë diçka e zakonshme qysh prej kohës së Frojdit, duke shkaktuar shumë efekte komike. Mjafton që të zmadhohet: “Është e habitshme se si duke praktikuar pakënaqësinë në mënyrë sistematike, çdo komedi mund të bëhet realitet”. Po Kafka nuk e refuzon ndikimim e jashtëm të babait për të ndërmendur një gjenezë, apo një strukturë të brendshme, e cila do të ishte akoma edipiane. “E kam të pamundur të pranoj që fillimet e fatkeqësisë sime kanë qenë së brendshmi të domosdoshme; sigurisht mund ta kenë pasur një farë domosdosshmërie, por jo një domosdoshmëri të brendshme, ato kanë çalltisur mbi mua duke fluturuar si mizat, dhe do të dëboheshin me po atë lehtësi sa dëbohen ato”. Është bash kjo thelbësorja: përtej të jashtmes dhe të brendshmes, një trazirë, një vallëzim molekular, gjithë një marrëdhënie-kufi me të Jashtmen, që do të marrë maskën e zmadhuar tej mase të Edipit.

        Kjo ndodh sepse efekti i zmadhimit komik është i dyfishtë. Nga njëra anë, prapa trekëndëshit familjar (baba, nënë, fëmijë) zbulohen trekëndësha të tjerë pafundësisht më aktivë, nga të cilët vetë familja huazon fuqinë, misionin për të propaganduar nënshtrimin, të ulë vetë, por edhe të bëjë të tjerët ta ulin kokën. Sepse bash këtë libidoja e fëmijës investon qysh në fillim: përmes fotos së familjes, kemi gjithë një hartë të botës. Herëdokur njëra nga marrëdhëniet e trekëndëshit familjar zëvendësohet nga një tjetër, që është e mjaftueshme për të shfamiljarizuar gjithë gjënë (kur magazina familjare krren në skenë babain-nëpunësit-fëmijën, fëmija vendoset pranë nëpunësit të fundit, të cilit do të donte t’i lëpinte këmbët; apo, më mirë, te Procesi, miku i Rusisë zë vendin e një gjymtyre të trekëndëshit dhe transformohet në një aparat gjyqësor dhe ndëshkimor). Herëdokur tjetër është gjithë trekëndëshi që ndryshon formë dhe karakter dhe shfaqet si gjyqësor, ekonomik, burokratik, politik etj. Kësisoj, kemi gjykatës-avokat-i akuzuar te Procesi, ku babai nuk ekziston më si i tillë (apo më mirë treshja xhaxha-avokat-Block, të cilët mëtojnë me çdo çmim që K ta marrë seriozisht procesin e tij). Apo treshet e tjera që mushtullohen: nëpunës banke, policë, gjykatës. Apo akoma më tej trekëndëshi gjeopolitik: gjermanë-çekë-hebrenj, që profilizohen mbrapa babait të Kafkës: “Në Pragë (hebrenjtë) qortohen se nuk janë çekë, në Saaz dhe në Eger se nuk janë gjermanë. (…) Ata që kërkojnë të jenë gjermanë sulmohen nga çekët dhe, në të njëjtën kohë, nga gjermanët”. Është pikërisht për këtë arsye që hipoteza e pafajësisë dhe e shkatërrimit të babait përbën akuzën më të keqe, sepse babai s’ka ç’të bëjë përveçse të ulë kokën, t’i nënshtrohet një pushteti që s’është i tiji, të vendoset në një qorrsokak, duke tradhëtuar origjinën e tij prej hebreu çek nga fshatrat. Kësisoj, trekëndëshi familjar, i formuar mjaft mirë, nuk ishte veçse një udhërrëfyes për të kërkuar një natyrë krejt tjetër, të cilën fëmija nuk rresh së zbuluari poshtë babait, nënës dhe atij vetë. Gjykatës, komisarë, burokratë, nuk janë veçse zëvendësues të babait, apo është vetë babai ai ku janë kondesuar të gjitha këto forma, të cilave iu nënshtrohet dhe e grish edhe birin t’iu nënshtrohet. Familja nuk ka veçse porta, të cilat brambullojnë qysh në fillim nga “fuqi diabolike” që gëzohen tmerrësisht, nëse futesh tek ato një ditë. Ajo çka është ankth, ose gëzim te Kafka, nuk është babai, një mbiunë, apo një shënjues i çfarëdoshëm, por është makina teknokratike amerikane, burokracia ruse, apo makina fashiste. Dhe ndërsa trekëndëshi familjar zhbëhet, në njërën nga gjymtyrët  e tij, ose në krejt atë vetë, në dobi të këtyre fuqive që janë realisht veprojnë, do të thonim se të tjerë trekëndësha buthtojnë mbrapa të cilëve ka diçka të përflurtë, të hapërdarë, të cilët janë në transformim të vazhdueshëm sa te njeri dhe te tjeri, qoftë kur njëra nga gjymtyrët, ose kulmet, fillon të përvijohet, qoftë kur tërësia e brinjëve nuk rresht së deformuari. Kësisoj, në fillim të Procesi, tre personazhe të paidentifikueshëm shndërrohen në tre punonjës banke, në një marrëdhënie të paqëndrueshme me të tri inspektorët dhe me tri grupet kurioze në dritare. Në seancën e parë gjyqësore shfaqet akoma një trekëndësh mjaft i përcaktuar, me gjykatësin dhe dy ndihmësit e tij, majtas dhe djathtas. Por, më tej, marrim pjesë në një shumim të brendshëm si në një invazion kanceroz, ngërthime të koklavitura xhelatësh dhe burokratësh, hierarki e pafundme dhe e pakapshme, kontaminim i hapësirave të dyshimta (këtë ekuivalente, por në mënyra krejt të tjera, e gjejmë te Prusti, ku uniteti i personazheve dhe i figurave që ata formojnë, ua lënë vendin nebulozave, tërësive të përflurta që shumohen). Po ashtu, mbas babait, qëndron i gjithë ambiguiteti i hebrenjve, që patën braktisur mjediset fshatare çeke, për të shkuar drejt mjediseve gjermane të qyteteve, braktisja ku do të ishin të sulmuar nga të dyja anët – trekëndëshi i transformuar. Edhe fëmijët e dinë këtë: ata kanë një hartë gjeografike dhe politike me konture konfuze, të lëvizshëm, duke mos qenë veçse me funksione mëndeshash, shërbëtorësh, nëpunës të babait etj. Dhe nëse babai ruan dashurinë dhe vlerësimin e të birit, kjo ndodh sepse në rininë e hershme ai është përballur me disa fuqi diabolike, por që është mposhtur prej tyre.

         Nga ana tjetër, ndërsa zmadhimi komik i Edipit lë që të shohim në mikroskop këta trekëndësha të tjerë shtypës, në të njëjtën kohë shfaqet edhe gjasa e një mundësie të një shtegu për të shpëtuar, një gjasë arratie. Johumanes të “fuqive diabolike” iu përgjigjet nënhumania e të bërit kafshë: kandërr, qen, majmun, pra më mirë “thembrën nga majat”, sesa të mbetej burokrat, inspektor, gjykatës, ose i gjykuar. Të gjithë fëmijët ndërtojnë, ose i ndiejnë këto gjasa arratie, këto shndërrime në kafshë. Dhe shndërrimi në kafshë nuk ka asnjë lidhje me një zëvendësim të babait, as me një arketip. Sepse babai, duke qenë hebre që braktisi fshatin për t’u vendosur në qytet, është parë në një lëvizje shterritorializimi real; por ai nuk resht së riterritorializuari brenda familjes së vet, në tregti, në sistemin e nënshtrimeve dhe autoriteve të veta. Sa për arketipet, ato janë prosede të riterritorializimit. Sa për veprimet e të bërit kafshë, është krejt e kundërta e kësaj: janë shterritorializime absolute, të paktën parimisht, të cilat zhyten në një botë shkretëtinore, të shpikur prej Kafkës. “Pushteti joshës i botës sime është i madh, dhe ata që më duan, më duan sepse jam i braktisur dhe s’më duan për shkak të boshllëkut të Weiss-it, por sepse e ndiejnë që në çastet më të mira liria e lëvizjes, që më mungon plotësish këtu, më është dhënë në një sferë tjetër”. Të bëhesh kafshë do të thotë pikërisht të marrësh pjesë në lëvizje, të gjurmosh linjën e arratisë në gjithë pozitivitetin e vet, të kapërcesh një prag, të mbërrish në një continuum intesitetesh që nuk vlejnë më veçse për vetveten, të gjesh një botë intesitetesh të pastërta, ku të gjitha format zhbëhen, po ashtu edhe të gjitha shënjimet, shënjimet dhe të shënjuarit, në dobi të një materieje të paformuar, ku flukset deterritorializohen, ku shenjat çshënjohen. Kafshët e Kafkës nuk i referohen kurrë një mitologjie, ose arketipi, por korrespondojnë vetëm me nivele të reja, me zona intesiteti të liruara, apo me përmbajtje që kapërcehen nga format e tyre, jo më pak se shprehjet prej shënjuesit, që i formalison ato. Jo gjë tjetër veçse lëvizje, vibracione, pragje në një problem shkretan: kafshë, minj, qen, majmunë, kandërr, dallohen vetëm përmes këtij, apo atij pragu, nga ky, apo ai vibrim, përmes të tillë rruge nëntokësore në rizomë, ose strofull. Sepse këto rrugë janë intesitete nëntokësore. Në të bërit mi, është një ciatje që i shkul fjalët nga muzika dhe kuptimi i tyre. Në të bërit majmun, është një kollë që “duket shqetësuese, por që nuk ka kuptim” (të bëhesh majmun prej turbekulozit). Në të bërit insekt është një zukamë e dhimbshme që e zharg zërin dhe ngatërron rezonancën e fjalëve. Gregori bëhet kandërr jo vetëm për t’i ikur babait, por, më shumë, për të gjetur një shteg aty ku babai nuk ka mundur ta gjejë, për t’i ikur administratorit, tregtisë dhe burokratëve, për të mbërritur në atë zonë ku zëri s’bën gjë tjetër veçse zuket – “E ke dëgjuar të flasë? Ishte një zë kafshe, deklaroi administratori”.

         Është e vërtetë se tekstet me kafshë të Kafkës janë shumë më komplekse nga ç’themi ne. Ose, përkundrazi, shumë më të thjeshta. Në Raport për një akademi, për shembull, nuk është fjala për bërjen kafshë të njeriut, por për bërjen njeri të majmunit; kjo bërje është paraqitur si një imitim i thjeshtë; është fjala të gjendet shteg (një shteg, jo “liria”), dhe kjo rrugëdalje nuk qëndron aspak në arratinë, përkundrazi. Por, nga njëra anë, arratia nuk është hedhur poshtë veç si lëvizje e padobishme në hapësirë, lëvizje mashtruese e lirisë; si revansh, ajo është pohuar si arrati mbi vendin, arrati si intesitet (“Është kjo që kam bërë, kam dredhuar, nuk kisha zgjidhje tjetër, meqënëse e kam shtëmëngur atë të lirisë”). Nga ana tjetër, imitimi nuk është veçse sipërfaqësor, sepse nuk është fjala të riprodhohen figura, por të prodhohet një continuum intensitetesh në një evolucion jo paralel dhe jo simetrik, ku njeriu nuk bëhet më pak majmun, nga ç’bëhet majmuni njeri. Akti i të bërit është një kllaposje, një zotërim, një vlerë më shumë, dhe kurrë një riprodhim, ose një imitim. “Nuk isha joshur nga ideja të imitoja, sepse kërkoja një shteg dhe për ndonjë arsye tjetër”. Në fakt, kafsha e kapur prej njeriut, gjendet e shterritorializuar prej forcës njerëzore, dhe qysh në fillim Raport akademisë këmbëngul mbi këtë pikë. Por, nga ana tjetër, forca kafshërore e shterritorializuar, precipiton dhe e bën më intesiv shterritorializimin e forcës njerëzore të shterritorializuar (nëse mund të thuhet kështu). “Natyra ime prej majmuni më bën t’ia mbath nga sytë këmbët, edhe pse profesori im i parë është bërë edhe ai majmun dhe së shpejti do të heqë dorë nga mësimet për t’u futur në një spital për të sëmurët mendorë”. Kështu formohet një lidhje me fluks deterritorializues që e përmbyt citacit imitimin, i cili është gjithmonë territorializues. Bash në këtë mënyrë duket sikur orkideja riprodhon pamjen e imazhit të arrëzës, por, në mënyrë më shterritorializuese brenda saj edhe orkideja shterritorializohet duke u çiftosur me orkidenë: kaplim i një fragmenti të kodit dhe jo riprodhimi i një imazhi. (Në Kërkimet e një qeni, çdo ide e ngjashmërisë është eliminuar në mënyrë akoma më enigmatike: Kafka sulmon “mëtimet e dyshimta për ngjashmëri që imagjinata mund t’i sajojë”; përmes vetmisë së qenit diferenca bëhet më e madhe, diferenca skizofrenike që ai rreket ta kapë).

    Kështu, pra, kemi dy efekte të zhvillimit, apo të zmadhimit komik të Edipit: zbulimi a contrario i trekëndshave të tjerë që veprojnë poshtë trekëndëshit familiar, apo brenda tij, gjurma a fortiriori e linjave të arratisë për t’u bërë kafshë jetime. Asnjë tekst tjetër nuk e tregon më mirë lidhjen e këtyre aspekteve, sa e tregon Metamorfoza. Trekëndëshi burokratik formohet në mënyrë progresive: në fillim administratori që vjen ta kërcënojë, ta kërkojë; pastaj babai, që ka marrë pushim nga banka dhe që fle me uniformë, duke dëshmuar për fuqinë akoma të jashtme së cilës i është nënshtruar, sikur “Gjer tek ai vjen zëri i një eprori; së mbrami futja e tre burokratëve qiramarrës që depërtojnë tani te vetë familja, që e zëvendësojnë atë, që “ulen“ në vendet që zinin dikur babai, Gregori dhe nëna.” Dhe në korrelacion me këtë, gjithë duke e bërë kafshë Gregorin, duke e bërë kandërr, bubuzhel, brumbull, kafshë që përvijon linjën e arratisë intesive në raport me trekëndëshin familiar, por veçanërisht me trekëndëshin burokratik dhe tregtar.

    Por në çastin kur besohet se kapet lidhja e një të përtejshmeje dhe të përkëtejshmeje të Edipit, përse jemi më larg se kurrë nga një rrugëdalje, përse mbetemi në një udhëkryq? Ndodh sepse është gjithmonë rreziku i një kthimi te forca edipiane. Amplifikimi i përdorimit pervers të Edipit, duke u zmadhuar, nuk është i mjaftueshëm të ruhet ndaj çdo të mbyllure të re, ndaj çdo ribërjeje të re të trekëndëshit familiar, i cili ngarkohet vetë me trekëndësha të tjerë si linja kafshërore. Bash në këtë kuptim Metamorfoza është historia model e një riEdipianizimi. Do të thonim që procesi i shterritorializimit të Edipit, në të bërurit e tij kafshë, ka qenë i bllokuar për një çast. Mos për faj të Gregorit që nuk guxon të shkojë gjer në fund? Motra e tij, për t’i dhënë kënaqësi, do të donte ta boshatiste të gjithë dhomën. Po Gregori refuzon të nxjerrë portretin e gruas me gëzof. Ai ngjitet pas këtij portreti, si një imazh i fundit i territorializuar. Mirëpo këtë motra nuk mund ta pranojë.  Ajo e pranon Gregorin, dhe, po si ai, do të donte inçestin skizofren, inçest me lidhje të forta, inçest me motrën, i cili i kundërvihet inçestit edipian, inçest që dëshmon një seksualitet jonjerëzor, siç është ai i të bërit kafshë. Por, xheloze ndaj portretit, ajo fillon ta urrejë Gregorin dhe e dënon. Nisur prej këtej, shterritorializimi i Gregorit duke u bërë kafshë dështon: ai riEdipianizohet përmes goditjes me mollë, dhe nuk ka ç’bën përveçse të vdesë përmes asaj molle që i godet gungën në shpinë. Paralelisht, shterritorializimi i familjes në trekëndëshe më komplekse dhe diabolike, nuk ka dhomë ku të zhvillohet: babai dëbon të tri burokratët qiramarrës, kthehemi kështu te parimi paternalist i trekëndëshit edipian, familja mbyllet brenda vetvetes e lumtur. Dhe nuk është e sigurt nëse ka pasur një gabim të Gregorit. Mos ngaqë të bërurit kafshë nuk arrin të ndjekë principin e tyre, duke ruajtur gjithmonë një ambiguitet që i bën ata të pamjaftueshëm dhe i dënon me dështim? Kafshët, a s’janë ende shumë të formuara, shumë të mveshura me kuptim, shumë të territorializuara? A nuk lëkundet tërësia e të bërit kafshë midis një shtegu skizofren dhe një qorrsokaku edipian? Qeni, kafsha edipiane par excellence, na referohet shumë prej Kafkës te Ditari dhe te Letrat si kafsha skizofrene, të tilla si qentë muzikantë tek Investiguesit, apo  qeni diabolik te Tundimi i fshatit. Fakti është se tregimet kryesore kafshërore te Kafka janë shkruar para Procesi, ose paralelisht me të, si një kundërpjesë e romanit, që, nga ana e vet, çlirohet nga çdo problem kafshëror, në dobi të një problemi akoma më të madh.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË