More
    KreuLetërsiShënime mbi libraGëzim Puka: Jehona e një “Legjende…”

    Gëzim Puka: Jehona e një “Legjende…”

    Për romanin e Ridvan Dibrës “Le Petit Bala – La Légende de la solitude” (përkthimi në frëngjisht) vijnë konsideratat e kritikës dhe të lexuesve

    Në vazhdën e gjithologjisë që nyjëtohet më së shpeshti në kulturën tonë, mbetet edhe tharmi i mirë letrar, të cilin shpesh, për hir të së vërtetës, na e kanë promovuar më mirë të tjerët. Si i huaj apo i panjohur hyri në sistemin letrar francez edhe një roman i Ridvan Dibrës, që sipas kritikës franceze “peshon, e madje shumë, për seriozitetin e temës dhe për stilin mjeshtëror të autorit, duke siguruar  një vend të rëndësishëm në kujtesën e lexuesit”.

    “Legjenda e vetmisë” e R. Dibrës e nisi rrugëtimin si një projekt i Ministrisë së Kulturës duke u përkthyer mjeshtërisht nga një njohëse e mirë dhe promovuese e letërsisë shqipe në Francë,  Evelyne Noygues. Një roman që e tërheq lexuesin në kurthin e një intrige psikologjike. Romani “Legjenda e vetmisë” pati një rrugëtim të mirë leximor brenda trojeve. E njëjta gjë pohohet edhe nga “Babelio”, që është një rrjet shoqëror jashtëzakonisht i rëndësishëm, që i dedikohet librave dhe lexuesve. “Babelio” mundëson të krijosh dhe të organizosh një bibliotekë online, të marrësh informacion mbi veprat, të marrësh pjesë e të shprehësh shijet, përshtypjet letrare edhe me lexuesit e tjerë.

    Për romanin “Le Petit Bala – La Légende de la solitude” (përkthimi në frëngjisht) vijnë konsideratat e kritikës dhe të lexuesve, si: “Një personazh mbresëlënës, kapituj të shkurtër, një shkrim i sinqertë dhe i drejtpërdrejtë e bëjnë këtë tekst të shkurtër një libër të pranueshëm edhe për lexuesit me më pak përvojë” ose “Duke e marrë subjektin nga një këngë e lashtë ballkanike, Ridvan Dibra i jep asaj ngjyra letrariteti, duke nënshkruar një përrallë më prekëse”.

    Në fakt parateksti është vërtet një këngë e vjetër, por përveç kësaj, tiparet arketipore ballkanike, lexuesit tjetër hapësinor, nuk mund të mos i ketë vërejtur. Ky libër vlerësohet ndër “të rëndët” edhe pse i vogël si volum. Nuk është rastësi kjo zgjedhje e lexuesit frëng, që di të vlerësojë një tekst dhe gjuhën e tij. Përkthyer me një frëngjishte të mirë, libri duket se ka gjetur një horizont të mirë pritjeje. Kjo qëllimshmëri është hamendësuar nga shkrimtari, që ka aspiruar gjithmonë hapësirën leximore globale. Tema e vetmisë është e lashtë sa letërsia. Vetmia si ngushëllim për lirinë është temë serioze. Personazhi, Bala i vogël, rritet në familjen e tij të çuditshme i admiruar nga i ati dhe nën indiferencën e nënës. Vdekja, apo më mirë vrasja e babait, e vendos personazhin nën trysninë e një rrethane talljeje e bullizmi në shkollë, prandaj fillon izolimi i plotë i tij. Dyshimet dhe urrejtja e personazhit Balë shkon e gjitha për fqinjin, i cili dalngadalë tërheq të ëmën e Balës. Rrethanat e çojnë Balën drejt vetmisë së plotë. Në kushtet e vetmisë fillon endja e hakmarrjes imagjinare ndaj fqinjit.

    Pse në frëngjisht “Le petit Bala” – “Bala i vogël”?

    Sepse Bala duket se vjen për lexuesin me rudimente kuptimore letrare, që kanë diçka prej Edipi, prej Hamleti e pse jo edhe prej Emili të Rusoit. Lëvizja kuptimore në sistemin tjetër letrar, s’ka se si të mos vërë në punë dijen e lexuesit, i cili duket se ka vërejtur edhe një stil Kamyje. Gjuha është e rrjedhshme. Kjo është edhe merita e përkthyeses, e cila ka mundësuar integrimin e një autori në sistemin letrar francez, si adresimin e tij drejt një konkursi dinjitoz ballkanik, ku romani u vlerësua ndër tre më të mirët.

    Në interpretimin më të hershëm të bërë nga kritika jonë për këtë roman, duket se klikun apo shkrepjen ndriçuese interpretative e ka dhënë vetë parathënia e shkruar nga autori. Por kjo e fundit mungon në përkthimin frëngjisht. “Teksti apo parathënia”, duhet të ketë qenë mëdyshësia e përkthyeses. Mbase gabohem, por mendoj se Parathënia e munguar, është qëllimshmëri e përkthyeses. Duket se “përbetimi” i shkrimtarit për diçka të thjeshtë, për një tekst letrar lehtësisht të kuptueshëm për lexuesin, nuk e ka bindur Evelyne Noygues. Ajo nuk ka rënë pre e kurthit të së thjeshtës. Nuk duket se është karrem që hahet nga lexuesi i mirë, për të cilin ky tekst i përkthyer është letërsi “që peshon”. Të tjera detaje të punës që duket se përkthyesja i ka vlerësuar janë: ruajtja e aspektit kohor në përkthim, simbolika: Gur i Zi, Pylli, Livadhi, Ujku, Dhelpra. Këto detaje nuk ka se si të mos kenë lënë gjurmë së pari në përtypjen e gjatë të këtij teksti, përpara së të shijohej përfundimisht në fletën e bardhë.

    Kjo letërsi shpeshherë e mënjanuar nga sipërfaqësia leximore e këtushme, si dhe njohja me meritat e shkrimtarit, me kritikën rreth veprës së R.Dibrës, ka bërë që gjetiu, qoftë edhe në Francë, të kuptohet se në këto anë letërsia vijon të prodhojë letërsi – temë kjo e njohur. Rrëfimtari i projektuar edhe ai si një Balë ( kujto: “Kënga e sprasme e Balës” të Gavril Darës) na shpie tek vetmia, e cila nuk duhet të ketë sy të shohë, sepse nuk ka vetmi të lumtur. Vargjet e këngës së vjetër të vëna në hyrje të romanit: “Nana djalin ka qorrue//me gjaks t’burrit m’u  martue…” provokojnë mirë që në fillim. Bala tashmë është stereotipizuar ironikisht si sinonim i vetmisë.

    Bala – Vetmia apo Vetmia – Bala

    Legjenda – Vetmia. Në kundërvënie me titullin e përkthyer “Le Petit Bala – La Légende de la solitude”, sipas interpretimit tonë, “Legjenda e vetmisë” në shqip i shkon më për shtat lexuesit tonë, i cili e ka vërejtur se ka një lëvizje metonimike: konkretja në vend të abstraktes.

    Përfundimisht, ashtu siç shprehej dikur kritiku i romaneve të para shqipe në vitet ’30, Vangjel Koça, për romancierin e ri të kohës Sterio Spasse, “i cili nuk ishte nga ato teneqera që bëjnë zhurmë”, ashtu edhe unë mendoj se jo zhurma, por jehona e prozës së Ridvan Dibrës në botë e nderon jo vetëm atë, por mbarë sistemin tonë letrar.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË