Përsiatje rreth vëllimit me tregime “I ra mjegulla Buenës” të autorit Arben Prendi.
Kur nisa leximin e vëllimit me tregime “I ra mjegulla Buenës “ të autorit Arben Prendi, nuk i vura vetes ndonjë detyrim që të shkruaj rreth përshtypjeve të mia për këtë libër. E mora ta lexoj me dëshirë sigurisht, por dhe thjesht për të kënaqur ëndjen e të lexuarit … Por kur e përfundova së lexuari, kuptova që nuk mund ta vendosja në turrën e të tjerëve duke u mjaftuar me konstatimin vetëmëvete “I mirë!” dhe kaq. Pata ndjesinë se me atë epitet do t’i mbetesha disi borxh këtij libri.
Në fakt me krijimtarinë poetike të A. Prendit kam pasur rastin të njihem që nga mesi i viteve ‘90, ku dallohej menjëherë risia poetike dhe fryma e freskët që shpërfaqej përmes vargjeve të çlirëta të tij. Pas librave me poezi, por edhe me botime studimore, së fundmi A. Prendi vjen edhe me librin e tij të parë me tregime “I ra mjegulla Buenës “, publikuar para ca muajsh nga “Schnell”.
Edhe tek ky libër, që në krye të herës, vihet re se autori është një krijues i dorës së parë dhe hulumtues i imtë i situatave të ndryshme jetësore. Ai të befason jo vetëm me tematikat e tregimeve, por edhe me mënyrat se si i rrëfen ato.
Nisur nga titulli, lexuesi mund të mendojë se ajo çka do të ndeshë në shfletimin e librit, janë këndvështrime rreth legjendave, tashmë gjerësisht të njohura, përmes letërsisë apo edhe historisë. Në fakt ky perceptim fillestar është i gabuar. Ajo çka autori merr nga disa legjenda apo ngjarje historike është vetëm tharmi burimor, por që me delikatesë dhe stil të përkorë ai ndërton rrëfime tërësisht të reja të cilat lexuesin e shpien në realitete të përjetuara në të sotmen.
Fantastikja e legjendave apo e ngjarjeve historike, për shembull tek tregimet “I ra mjegulla Buenës “, apo “Çoroditja”, i shërbejnë autorit si alegori përmes të cilës ndërton narrativën e vet për të shpalosur dukuri që i kemi ndeshur ose i ndeshim në realitet. Tek tregimi “I ra mjegulla Buenës “, me finesë autori na lë të kuptojmë se alegorikisht ajo mjegull është pandemia vrastare (apo diçka e përafërt në rrethana të tjera) që ne përjetuam para pak kohësh dhe vazhdojmë ta përjetojmë akoma sot dhe se Buena nuk është në vetvete një qytet, por i gjithë globi.
Në tregimin “Çorodia”, alegoria bëhet edhe më e fuqishme, përmes përshkrimit të një dekreti mbretëror për kufizimin e dritës dhe ngrohjes diellore në krahinën e Kryekcyemit. Është shumë interesante gjetja nga ana e autorit e toponimit Kryekcyem, çka nënkupton qëndresë apo rebelim kryengritës. Ndalesa e dritës është pikërisht ajo çka ne si popull përjetuam në diktaturë,ku dija (drita) shihej si një rrezik për diktaturën. Rjedhoja është se nga terri lind djalli (një monstër e errët i lind plakës së stërmoçme Sose Sosja), kështu ndodhi në fakt tek ne që nuk u drejtuam nga njerëz por nga një monstër.
Autori kalon me elegancë artistike sa nga fantastikja tek filozofikja nga një tregim në tjetrin, ku në rrafsh të parë nuk jepet më situata por njeriu me gjithë qenien e tij. Njeriu subjekt dhe objekt. Tregimi meditativo-filozofik “Kurtha” vë në qendër njeriun (personazhi Njeriusi) i cili nuk i shpëton dot një të keqeje të madhe: ai mendon dhe të menduarit rreth gjithçkaje është skëterra e tij. Po kështu tek tregimi “Ajo që ndodh vazhdimisht” jepet njeriu të cilit një zinxhir pyetjesh i ngrenë dilemat e ekzistencës,të asaj çka e rrethon atë brenda, por edhe jashtë tij.
Vdekja si një mister e ka ngacmuar trillin artistik të autorit dhe këtë e gjejmë të gdhendur tek tregimet “Shkëlqimi i pikëllimtë i Hënës”, “Rrëfime për vdekjen” e ndonjë tjetër.
Një vend po kaq të rëndësishëm zënë në libër edhe tregimet me temë nga jeta e përditshme përmes të cilave autori na paraqet raportet e individit me institucionet burokratike shtetërore dhe me shoqërinë, ku njeriu ndjehet jo vetëm i tallur, i papërfillur, por edhe shpesh viktimë e tyre, përmendim këtu tregimet “Projekti”, “Muri” etj.
Shtjellime të veçanta por edhe të përshkruara nga një fill i lehtë ironie dhe stilizim estetik i narracionit, zënë në libër edhe tregimet me temë dashurinë, këtë ndjenjë kaq sublime tek njeriu. Këtë e gjejmë tek tregimet “Shiu armik”, “Sens humori”, “Pasdite e vjetër “ etj.
Në thuajse tridhjetë tregimet e librit “I ra mjegulla Buenës “ nuk është vetëm stili i matur të cilin autori A. Prendi e përdor në tregimet e tij, por edhe gjuha e përzgjedhur në përshkrim. Ajo është një gërshetim i butë i dialektit gegë me gjuhën standard, por kjo ndërthurje nuk krijon aspak një ngërç në të lexuar, përkundrazi tregimet që marrin tharmin nga legjendat apo ngjarjet epike duket sikur shijohen më mirë në shtratin e tyre dialektor, e kundërta ndoshta do të kishte qenë një sforcim gjuhësor.
Jo vetëm kjo ndërthurje gjuhësore, por edhe gjetjet e spikatura të temave të trajtuara me sharm artistik të lartë nga autori e bëjnë këtë libër jo vetëm të këndshëm në të lexuar, por edhe të ftojnë në meditim rreth vetes dhe jetës njerëzore në tërësi.