Në 1-vjetorin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit të madh dhe akademikut Ismail Kadare, Akademia e Shkencave dhe Kuvendi i Shqipërisë, më 1 korrik 2025, mbajtën veprimtarinë përkujtimore në nderim të tij.
Që nga themelimi i saj në vitin 1964, pra saktësisht pas 60 vitesh, numri i revistës “Studia Albanica” 2024, 2 që po prezantojmë, bëhet numri i dytë special. Herën e parë ajo i është përkushtuar 550 vjetorit të vdekjes të Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit- Skënderbeut ( Nr. 2018, 2019). Në këtë herë të dytë i kushtohet jo thjesht një figure, por një monumenti të gjallë të kulturës shqiptare: shkrimtarit dhe akademikut Ismail Kadare. Me këtë numër special, Redaksia ka synuar të shpalosë nderimin solemn për këtë personalitet të madh, që për dekada të tëra frymëzoi një komb të tërë me fjalën, mitin dhe mendimin e tij.
Revista është strukturuar në dy pjesë:
Pjesa e parë “Lamtumira e një kolosi” është një kronikë e dhimbjes dhe e nderimit, ku janë përmbledhur çastet solemne të ndarjes nga jeta të Ismail Kadaresë. Ajo nis me njoftimin mortor dhe nekrologjinë për shkrimtarin e madh dhe vijon me ceremoninë përkujtimore të organizuar në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave — një skenë e nderit, ku morën pjesë figura të spikatura të jetës akademike e kulturore shqiptare.
Janë përfshirë këtu fjalët e lamtumirës të Kryetarit të Akademisë, akademik Skënder Gjinushi; të znj. Evis Kushi, Zëvendëskryetare e Komisionit Parlamentar për Arsim dhe Mjetet e Informimit Publik; si dhe të Ambasadores së Francës në Shqipëri, znj. Catherine Suard.
Këto fjalë lamtumire janë pasuar nga një mesazh ngushëllimi i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Malit të Zi, si dhe nga një eulogjiplot dritë e respekt prej akademikut Shaban Sinani. Në këtë ditë të shenjtë të nderimit, u bashkuan me fjalët e tyre edhe dy akademikët arbëreshë Francesco Altimari dhe Matteo Mandalà. Në mbylljan e kësaj ceremonie nderi ndodhet fjala akademik Vasil Tole, i cili përmbledhtazi vlerësoi se:“Vepra e Kadaresë ka zgjeruar dhe riformatuar përmasat e munguara të lirisë individuale të çdo shqiptari.”
Pjesa e dytë, të cilën mund ta titullojmë si: “Lexime në gjurmë të pavdeksisë”, sjell tetë artikuj përzgjedhur me kujdes, nga penat më të formuara, që kanë ndjekur, lexuar dhe interpretuar veprën e Kadaresë, edhe përtej kufijve të letërsisë. Çdo artikull është një dritare që ndriçon një cep tjetër të universit kadarean:
1. Prof. Bashkim Kuçuku, në punimin sintetik “Letërsia shqipe në një emër”, e sheh veprën si një univers të bashkuar e të ndërlidhur, ku fijen e mendimit dhe stilit e ndjekin të dukshmet dhe të padukshmet, të lashtat dhe bashkëkohoret.
2. Akademik Francesco Altimari, me “Arbërlandi brenda Ismajlandit”, thotë se Kadareja edukoi lexuesit shqiptarë më mirë se Orwell, duke i mësuar të shohin përtej kafazit dhe të shikojnë drejt mitit si pjesë të kujtesës kolektive.
3. Akademik Shaban Sinani, në interpretimin e veprës “Kur sunduesit grinden”, pohon se: kjo është një vepër për të zbuluar fatin e shkrimtarit me mision, i cili duhet t’i thotë vetes: Mbaje kryqin! Ndryshe mos hyr në këtë urdhër të lartë”. Sipas tij “Kadareja krijoi një Shqipëri paralele, fisnike, të denjë për familjen europiane që i kishte takuar që nga epoka e Rilindjes.”
4. Akademik Matteo Mandalà, në një ese të mprehtë, vëren se “Kronikë në gur” është një roman në ndërtim të përhershëm – një kujtesë në punë – ku fëmijëria dhe historia bashkohen në një përpjekje për të gdhendur të ardhmen.
5. Prof. Klodeta Dibra dhe Dr. Ermira Ymeraj analizojnë gjuhën e Kadaresë si një instrument të thellë për të zbërthyer psikologjinë e shqiptarit, përmes një sintakse të ndërlikuar dhe një leksiku të pasur.
6. Akademike Floresha Dado, përmes reflektimit mbi eseistikën e Kadaresë, thotë: “Ajo është një sferë shumëplanëshe marrëdhëniesh me historinë, një magji më vete brenda krijimtarisë së tij”
7. Prof. Ymer Çiraku, në studimin mbi “Pasyra e një gruaje”, e sheh këtë vepër si pjesë e një triptiku që mishëron frymën antidhunë dhe antitotalitariste.
8. Akademik Vasil Tole, në punimin e tij “Kadareja për origjinën e tragjedisë nga vajtimet” konkludon se burimi i tragjedisë kadareane nuk është dhuna, por çlirimi nga dhimbja, Autori e aktualizon gjykimin, duke përdorur si leitmotiv të punimit figuracionin kuptimplotë të Kadaresë për realitetin aktual, ku “…agjensitë e lajmeve, përleshen e shkulen për flokësh si gratë“, një gjendje që ngjan me vajtimin e një bote, që përpiqet të kuptojë vetveten.
Kështu përfundon ky numër special i revistës Studia Albanica 2024, 2. Këtë botim ne nuk e shohim vetëm si një akt akademik. Ai është një nderim i botës sonë shkencore ndaj një krijuesi, që me fjalën e tij, na mësoi se letërsia mund të jetë më e fortë se heshtja dhe më e përjetshme se çdo kufi politik apo ideologjik.
Në emër të Redaksisë dhe të gjithë atyre që punuan për këtë botim, dua të shpreh mirënjohje të thellë për kontributet e vyera dhe për bashkëpunimin akademik, që e bëri të mundur këtë numër. Ky është një nder i vogël për një figurë të madhe – por është një nder që do të mbetet, si gur kujtese dhe frymëzimi, në faqet e shkencës sonë shqiptare.