More
    KreuLetërsiShënime mbi libraGenta Hodo: Dueli i pathërritur i Agron Tufës me kulturën e kancelimit

    Genta Hodo: Dueli i pathërritur i Agron Tufës me kulturën e kancelimit

    Agron Tufa tregon në romanin e tij “Dueli” sesi Martin Gega thërritet në duel nga Maksi pasi të dy mëtojnë të njëjtën vajzë, Varvara Va-në. Por, kur vjen dita e duelit, kundërshtari i tij nuk duket. Në një paralele gjysmake me realitetin e shoqërisë vetëpastruese të 2023-shit, thërritja e Agron Tufës në një duel nga gjindja kanceluese nuk ka ndodhur dhe nuk duket se do të ndodhë ndonjëherë.

    Agron Tufa me siguri e di ç’do të thotë në të vërtetë të kancelohesh. Bulizimi dhe diskriminimi në fëmijëri për shkak se vinte nga një familje e përndjekur i ka shenjuar thuajse të gjithë veprën. I detyruar të ndiqte ushtrinë dhe të punonte në minierë, poeti dhe prozatori nga Dibra mundi t’i ndjekë studimet universitare për letërsi vetëm pas rënies së regjimit komunist. Romanin e tij të parë, “Dueli” Agron Tufa arriti ta botojë vetëm në 1998-ën, pasi më në fund i pati përfunduar studimet në institutin “Gorki” të Moskës.

    Agron Tufa ka botuar një sërë veprash në prozë që atëherë. Ngjarjet e rrëfyera në to janë shumësi aspektesh dhe çastesh domethënëse të realitetit shqiptar. Ato të joshin përmes ndërthurjes së elementeve fantastike hyjnore me grotesken, ose risjelljes së miteve shqiptare a homerike me gjithë natyralitetin e tyre të thepisur. Një prej botimeve të tij më të fundit në prozë është “Ngjizja e papërlyeme” (Onufri, 2021), që rrëfen ndarjen eksodike të burrave shqiptarë prej të dashurave të tyre ruse pas prishjes së marrëdhënieve së Shqipërisë komuniste me Bashkimin Sovietik në 1961-shin. Në këtë roman, Tufa i jep krijimit letrar vetinë e frymës së shenjtë, por nuk ka përse ta bëjë këtë në një gjuhë mesianike. Në një mënyrë shumë postmoderne, Agron Tufa pëlqen të risjellë duke dekonstruktuar. Krijimtaria më e re e Tufës lë plot vend për reflektime. Atëherë, përse pikërisht “Dueli”?

    “Dueli” trajton tematikën delikate të abuzimit seksual në pranëvendosje me konceptet e nderit të gruas dhe nderit të mëtonjësit të saj si zgjatime të njëri-tjetrit. Sot, njëzetë e pesë vjet pas botimit të tij të parë, vetitë e tij të përdhunshme janë bërë akoma më mësymëse, por jo më për të njëjtat arsye. Në 1998-ën, romani ishte tronditës ngaqë nuk druhet të tregohet i ashpër me personazhet e tij, as me lexuesin. Në kontekstin e sotëm, romani i shëmbëllen një preje të përsosur për kritikën letrare uokiste. Të përpiqesh ta lexosh këtë vepër me kutin e kritikës shoqërore tingëllon interesante, ndonëse thelbësisht e panevojshme.

    Megjithatë, kjo nuk është një përpjekje për ta shtënë romanin në turrën e druve. Është vetëm një përpjekje për ta rilexuar atë në dritën e këndvështrimeve të reja të ndikuara nga arsyetime përtej-letrare. A do të mund ta kalonte “Dueli” i Tufës sprovën hipotetike të kancelimit?

    Revolucioni kulturor i 2020-ës dhe ndikimi tek letërsia

    Viti 2020 ndihej si një çast shumë domethënës në historinë e njerëzimit. Lëvizje shoqërore që po formësoheshin prej kohësh arritën kulmin.

    Mbi 15 milionë njerëz u bashkuan në vende të ndryshme të Shteteve të Bashkuara në një prej protestave më të mëdha të historisë, në thirrje për të ndaluar dhunën e policisë ndaj njerëzve me ngjyrë, pasi policia i kishte marrë jetën afro-amerikanit George Floyd, të cilin e kishte ndaluar me pretendimin se ky kishte përdorur një 20-dollarësh fals. Ndërkaq, producenti dikur me shumë ndikim në kinematografinë hollivudiane, Harvey Weinstein, shpallej fajtor për akuza të abuzimit seksual pas padive të mbi 80 grave që thanë se ai i kishte ngacmuar ose i kishte detyruar. Ajo që nisi si një skandal seksual u shndërrua në një lëvizje që përfshiu shumë gra të famshme, që folën haptazi sesi burra të pushtetshëm i kishin shfrytëzuar ose ngacmuar me premtime për karrierë ose kërcënime për t’ua shkatërruar atë. Lëvizja u pagëzua me emrin “Me Too” (Më ka ndodhur edhe mua). Qe një moment solemn gjatë të cilit e gjithë bota ishte më në fund njëzëri në përpjekien për t’i dhënë fund racizmit dhe seksizmit që i vendoste mundësitë e aktoreve, këngëtareve dhe gjithë grave të botës në duart e abuzuesve.

    Revolucioni kulturor e la gjurmën e vet edhe tek letërsia.

    U diskutua ndalimi i plotë i romanit “Bashkë me erën” i amerikanes Margaret Mitchell, së bashku me filmin hollivudian të 1940-ës bazuar mbi të, për shkak të implikimeve të shumta raciste. Në roman, tentativa e një burri me ngjyrë për të përdhunuar heroinën Scarlett O’Hara arsyeton ekzistencën e grupimeve të ekstremistëve të bardhë nën ombrellën e Ku Klux Klan, përgjegjës për vrasje të shumta njerëzish me ngjyrë dhe hebrenjsh, si një “domosdoshmëri tragjike”. Në fakt, motivi titullar i romanit është pikërisht nostalgjia për kohët përpara Proklamatës së Emancipimit të Abraham Lincoln-it në 1863-shit që u dha lirinë më shumë se 3.5 milionë skllevërve në Amerikë, kohë e cila fatkeqësisht për heroinën e romanit ka ikur “bashkë me erën”.

    Për shkak të vendit emblematik që ka zënë tashmë romani në letërsi dhe filmi në kinematografinë amerikane, çështja u negociua me atë që si romani ashtu edhe filmi do të rishpërndaheshin së bashku me një parashënim ku paralajmërohet përmbajtja raciste.

    Kancelimi për motive racizmi nuk kursen as librat me ilustrime të Dr. Seuss, autor amerikan i famshëm për rrëfenja për fëmijë si “Grinçi që vodhi Krishtlindjet” (1957). Në vitin 2021, kompania që menaxhon pasurinë intelektuale të shkrimtarit-ilustrator vendosi të ndalojë ribotimin e gjashtë librave të Dr. Seuss (jo “Grinçin”), për shkak se këto përmbanin imazhe që mund të inkurajonin stereotipe të pashëndetshme racore, veçanërisht për aziatikët.

    Vala e kancelimeve në letërsinë amerikane nuk e la as Francis Scott Fitsgerald-in të dilte pa u lagur. Feministët risollën në vëmendje dëshmi të vjetra që tregonin se Francis jo vetëm ishte frymëzuar prej saj, por edhe i kishte vjedhur idetë partneres dhe muzës së tij Zelda. Frazën e famshme të Deizi Milerit te “Getsbi i Madh”: “Shpresoj që ajo [e bija] të jetë e bukur dhe teveqele, një budallaçkë e vogël e bukur”, thuhet se në fakt Francis-i e ka dëgjuar nga Zelda, kur ajo sapo kishte sjellë në jetë vajzën e tyre. Zelda, kërcimtare, piktore dhe shkrimtare, e munduar prej çrregullimeve të shëndetit mendor derisa vdiq nga një zjarr në spitalin psikiatrik ku trajtohej në moshën 45-vjeçare, e komenton kështu romanin “Të bukur dhe të martuar” të të shoqit, siç citohet në një botim përmbledhës të letrave mes Zeldës dhe Francis Scott nga Jackson R. Bryer dhe Cathy W. Barks të botuar në 2003-shin:

    “Më duket se në një faqe njoha një pjesë nga një ditar i vjetër imi, i cili u zhduk në mënyrë misterioze menjëherë pasi u martova, dhe, gjithashtu, copëza letrash të cilat, ndonëse goxha të redaktuara, më tingëllojnë disi të njohura. Në fakt, duket zoti Fitzgerald (se kështu besoj se e shkruan mbiemrin e tij) beson se plagjiatura fillon që në shtëpi.”

    Njerëzit e drejtuan vëmendjen te veprat e shkrimtareve gra. Hollivudi përveshi mëngët për të ekranizuar kryeveprat e tyre. Përshtatje të reja në film të “Emës” dhe “Persuasion” të shkrimtares britanike Jane Austen u shfaqën përkatësisht në 2020-ën dhe në 2022-shin, ndonëse pa ndonjë lëvdatë nga ana e kritikës kinematografike. Një variant i ri i “Grave të vogla” të autores amerikane Louisa May Alcott kishte qenë i suksesshëm në 2019-ën.

    Romani distopik “Rrëfenja e shërbëtores” (“The Handmaid’s Tale”, 1985) i kanadezes Margaret Atwood ishte kthyer në listën e dhjetë librave më të shitur në 2017-ën pas një seriali të rrjetit amerikan Hulu bazuar mbi të, gati 40 vjet pas publikimit të parë. Fantazia e mbrapshtë për një botë ku aborti është i ndaluar dhe gratë përdoren si shërbëtore riprodhimi në shtëpi të pasurish të shterpë duket se zgjoi ankthe të moçme.

    Sipas të dhënave të revistës Livres Hebdo, e cila publikon të dhëna mbi shitjet e librave në Francë, në periudhën 2017-2020 librat feministë në kategorinë për fëmijë shënuan një rritje 44%-she kurse në kategorinë e librave jo-trillim për të rritur, shitjet e tyre u rritën me 15%.

    Në 2020-ën bota dukej sikur po shndërrohej në një vend më të mirë për gratë, njerëzit me ngjyrë dhe të gjithë njerëzit deri atëherë të diskriminuar në përgjithësi.

    Kancelimi si censura në komunizëm

    Imagjinoni një grup njerëzish të bërë bashkë nga dëshira për ta rikthyer pushtetin tek gjindja (besimi se ka pasur një kohë gjatë së cilës gjindja e ka pasur pushtetin është i domosdoshëm), i fuqizuar prej një shkëndije të gjelbër shprese (zakonisht një njeri i cili veten e quan të barabartë me ta por që këta dinë ta konsiderojnë si të epërm) tek mblidhet për të diskutuar me një përulësi gati-gati ekstatike mbi vlefshmërinë e aspektit etik të veprës së re të një artisti. Asnjëri nuk ia pret fjalën tjetrit, por të gjithë flasin njëzëri. Pavarësisht zallamahisë, secili përpiqet ta artikulojë me saktësi pjesën e vet të argumentit. Për ta, kështu secili ka gjasat që i takojnë dhe asnjëri nuk është më i rëndësishëm se tjetri. Përveç vetë artistit, i cili është i vetmi që vetëm mban vesh. Fillimisht, ai nuk bezdiset prej disa kritikave të mirëargumentuara, për disa prej të cilave edhe pajtohet. Kohët kanë ndryshuar dhe atij si artist, i takon ta ripërtërijë veten. Megjithatë, do mënyra të internalizuara arsyetimi, të cilat tashmë konsiderohen jo-etike dhe ai i di, nxjerrin kokë pa e kuptuar në veprën e tij. Është sikur ndokush të ketë hyrë natën në dhomën e tij, t’i jetë ulur në kompjuter dhe t’i ketë shtuar në veprën e artistit këto monstruozitete që i shkelin me të katra këmbët parimet më të shenjta të grupit. Një dukuri me të vërtetë e çuditshme. Artisti mendon se është e domosdoshme që të fillojë të bëhet vigjilent, ndaj vetes së vet. Të tilla nuk mund të ndodhin më.

    Megjithatë, mbase pikërisht ngaqë e gjithë kjo bisedë po bëhet pikërisht për atë pa qenë e nevojshme që ai të thotë as edhe një fjalë, shpejt grupit fillon t’i duket sikur autori i veprës është i privilegjuar me një rëndësi të veçantë, gjë që grupit të prirë nga më i barabarti i të barabartëve nuk i pëlqen. Dhe meqë artistit ia ka ënda kaq shumë të dëgjojë për veten, atëherë e meriton që edhe gjykimi mbi të të jetë akoma më i imtësishëm, dhe kështu grupi fillon të tingëllojë si një trupë gjykuese dhe artisti të duket si një i akuzuar. Gjendja përshkallëzon shpejt. Sado artisti e mban veten për njeri të duruar, nuk ka njeri që të mund t’i dëgjojë gjithë këto kritika pa iu tharë fyti. Dhe ngaqë tashmë çdo përgjigje e tij fillon të përdoret kundra, edhe kur ai e kupton se po del nga vetja dhe rreket të kërkojë falje, argumentave fillojnë ua zënë vendin kushtrime plot pathos, reminishente të fjalimeve të të barabartit lavdiplotë. Artisti nuk vonon ta humbasë toruan. Përballë hakërrimeve të tij të dëshpëruara, grupi nis të indinjohet nga kjo sjellje jo-etike. Kjo sjellje do të shërbejë si prova kyçe për goditjen përfundimtare ndaj artistit kur ky, i dorëhequr përballë grupit që e ka humbur lidhjen me motivacionet e veta fillestare, t’i jetë kthyer gojëkyçjes së vet karakteristike duke u tërhequr për një kohë të gjatë në hije. 

    Kjo skenë mund të përshkruajë një prej mbledhjeve famëkeqe të Lidhjes së Shkrimtarëve në vitet ’70 dhe ’80, ku shkrimtarët kritikoheshin se veprat e tyre devijonin nga linja e realizmit socialist. Kjo skenë mund të shërbejë gjithashtu si një alegori për linçimet publike të artistëve bashkëkohorë për devijime nga vija e të ashtuquajturit uokizëm [nga fjala woke: njeri të cilit i janë hapur sytë, është zgjuar. “Njeri i ndërgjegjshëm dhe aktivisht i vëmendshëm ndaj fakteve dhe çështjeve të rëndësishme shoqërore[1]” si racizmi, seksizmi, moshizmi, mjedisi, uria, aparteidi etj].

    Kritikat në mbledhjet e lidhjes së shkrimtarëve shpesh rezultonin në censurim të pjesëve të veprës, të të gjithë veprës ose të të gjithë krijimtarisë së shkrimtarit, por mund të rezultonin edhe në internim, i cili nuk kishte qëllim shëlbyes. Edhe pas internimit, artisti mund të degëdisej në ndonjë fshat të largët ku i jepej të bënte ndonjë punë të rëndomtë, në vigjilencën e kurdohershme të banorëve që e njihnin mirë të degëdisurin edhe pse nuk këmbenin asnjë bisedë me të. Arrestimi i shkrimtarëve si Visar Zhiti, Kasëm Trebeshina, Frederik Rreshpja dhe pushkatimi i Vilson Blloshmit, Havzi Nelës, Genc Lekës për mospërputhje me ideologjinë e social-realizmit në krijimtarinë e tyre përbën një rast të pashembullt terrorizmi nga ana e policisë së mendimit. Heqja e paraleleve mes persekutimit të artistëve në totalitarizëm me censurën e opinionit publik në kohë pluralizmi krijues nuk duhet parë si një përpjekie për të minimizuar përvojat traumatike të artistëve, por si një mënyrë për të nxitur reflektim në lidhje me rëndësinë e autonomisë së shprehjes artistike.

    Në epokën e zgjimit, inkuizitor është gjindja e pamëshirshme në internet. Si ndonjë fëmijë që sapo ka zbuluar se ka duar dhe mund të bëjë gjëra me to, turma virtuale nuk gjen ngopje nga kryqëzatat e komenteve nëpër rrjete sociale dhe videot e TikTok-ut. Në epokën e të zgjuarve, ekuivalenti i degëdisjes në internim është i ashtuquajturi kancelim, një braktisje e menjëhershme e artistit nga dashamirësit e vet sepse ka bërë ose ka thënë diçka që injoron kauzat e rëndësishme të njerëzimit, si arritja e barazisë gjinore, barazisë racore, dhe mbrojtja e të drejtave të komunitetit LGBTQ. Ka raste ku artistët, për të shmangur fatalitetin e kancelimit, vetë-censurohen duke ndryshuar vargjet e kritikuara në këngët e tyre, ose bëjnë atë që është ekuivalenti i autokritikës në mbledhjet e Lidhjes: u kërkojnë falje publike “të gjithë atyre të cilët janë ndier të lënduar” në rast veprimesh që ndonëse mund të mos e kenë pasur për qëllim, janë kuptuar si qëndrime anti-uokiste.

    Interneti kancelon edhe korporata ngaqë këto shfrytëzojnë krah të lirë pune dhe ndosin mjedisin. Nuk mund të mos u japësh të drejtë, pasi flasim për shfrytëzim minorenësh dhe shkurtim të kohës së njerëzimit në planetin Tokë. Megjithatë, hera-herës këto të kujtojnë “Revoltën e Atlasit” të Ayn Rand-it.

    Edhe pse jetojnë në skajet më të largëta të botës dhe nuk janë takuar kurrë, gjyqtarët modernë i bashkon një unanimitet i admirueshëm.

    Është e vështirë ta përcaktosh në cilin çast përpjekiet për të fuqizuar të shtypurit filluan të ngatërrohen me shfryrje të vogla pa ndonjë ndikim të dukshëm tek këto kauza. Por mund të thuhet se ndër të parët që e pësuan nga kjo ngatërresë qenë humoristët. I njohur për humorin e zi, humoristi amerikan Kevin Hart u detyrua të tërhiqej nga prezantimi i çmimeve Oscar në 2020-ën për shkak të disa shakave homofobike të para dhjetë viteve, për të cilat ai kishte kërkuar disa herë falje më parë. Sipas Kevin Hart, një shaka duhet dëgjuar si shaka dhe humoristët janë të prirur të shkelin në zonat të minuara. Është një pikë në të cilën humori skenik pajtohet me letërsinë.

    Shkrime të njëpasnjëshme në revista prestigjioze mbi çështjen e kulturës së kancelimit të bëjnë të mendosh se uokizmi ka arritur në pikën që po ha bishtin e vet. Duke dashur të sigurojë barazi dhe kësisoj liri për të gjithë, uokizmi po u heq lirinë e fjalës atyre që mendojnë ndryshe.

    “Ata besojnë se ka gjëra me të cilat nuk duhet të bësh shaka”, tha psikologu kanadez me pikëpamje konservatore Jordan Peterson në 2020-ën gjatë një podkasti të Joe Rogan, “Nuk mund të bësh shaka për shtresat sociale të mbrojtura, të cilat ne e dimë se cilët janë […] transgjinorët, gejt, njerëzit me ngjyrë dhe aziatikët. Kurse një grup me të cilin mund të tallesh për qejf, janë burrat e bardhë.”

    Uokizmi duket se shkakton përziti tek disa njerëz. Shkrimtarja britanike J. K. Rowling, përshembull. Autorja e serisë më të shitur të librave në botë, “Harry Potter” bëri deklarata të njëpasnjëshme kundër uokizmit transgjinor në rrjetet e saj sociale në 2020-ën, ku ndër të tjera u shpreh se nëse gjinia nuk është një realitet, atëherë zhbëhet realiteti i jetuar i të gjitha grave të botës. Është e kotë të ndalemi tek kancelimi që pësoi shkrimtarja miliardere pas kësaj, aq më shumë ngaqë ajo vetë zgjodhi të mbajë një qëndrim krejtësisht injorues ndaj tij.

    “Sa më shumë të përdoret fjala “woke”, aq më e pakapshme bëhet. Që kur e djathta nisi ta përdorë atë si një thirrje për luftë, shumë progresistë kanë argumentuar se është një fjalë boshe, asgjë më shumë sesa një mënyrë për të sulmuar njerëzit me ngjyrë, feministët dhe njerëzit e komuniteteve LGBTQ pa i fyer ata haptas[2]”, argumenton filozofia amerikane Susan Neiman në një artikull të botuar në korrik në revistën “Time”.

    Si “Lolita” e Nabokovit i shpëtoi persekutimit

    Nën ethet e një vetëdijësimi të beftë mbi sinorët e asaj që përbën një krim seksual, mund të vije dorën në zjarr se “Lolita” e Nabokovit do të ishte ndër të parët që do ta pësonin. Por romani i autorit rus-amerikan i natyralizuar Vladimir Nabokov çuditërisht i ka shpëtuar kancelimit qysh në ngjizje.

    Pasi e mbaroi së shkruajturi romanin në 1953-shin, Nabokovi hoqi zitë e ullirit për ta publikuar. Tematika tejet delikate e romanit erotik të rrëfyer në këndvështrimin e një mesoburri të fiksuar pas një 12-vjeçareje me emrin Dolores (me përkëdheli Lolita) mundi të kualifikohet vetëm tek një shtëpi botuese franceze me një repertor kryesisht pornografik. Lolita mori kritika të polarizuara, duke u konsideruar ose “një prej librave më të mirë të vitit” ose “romani më i ndyrë që kam lexuar”. Romani u ndalua në Francë dhe në Britaninë e Madhe.

    Por nëse lë mënjanë kritikën e tronditur nga aspektet e erotizmit pervers, është e qartë se përse romani arriti ta kalojë sprovën e zorshme të bujës jetëshkurtër të kontraverses. Një kritikë interesante e publicistit letrar Donald Malcolm e botuar tek “The New York Times” në 1985-ën na nxit që ta shikojmë Nabokovin si një romancier, jo si një pornograf.

    “Në të vërtetë, Nabokovi deshi të shkruante një rrëfim pasionesh romantike me maniera grandioze, ose maniera të shekullit të nëntëmbëdhjetë, dhe zbuloi se e vetmja mënyrë për ta bërë këtë lloj pasioni interesant për lexuesin bashkëkohor ishte duke e maskuar atë si psikopati.”[3]

    Një rilexim tepër i celebruar i Lolitës në kontekstin e epokës moderne është ai i shkrimtares iraniano-amerikane Azar Nafizi, e cila përmes memuarit “Të lexosh Lolitën në Teheran” (2003), nxjerr në pah sesi subjekti nuk është interesant në sfondin e vajzave minorene që rriten për t’u bërë të abuzuara. Portreti i Lolitës është në shumë mënyra një mishërim i fantazive pedofilike për vajza minorene, joshëse dhe qëllimisht provokuese.

    Gjatë lëvizjes Me Too, “Lolita” u kthye përsëri në vëmendje, por jo ashtu siç do ta kishim pritur. Aktorja britanike Emily Mortimer, publikoi në 2021-shin tek “The New York Times” një ese narrative mbi romanin erotik. Mortimer, e cila më pas u desh të bënte disa ndryshime në esenë e saj ngaqë kishte lënë pa cituar një artikull të mëparshëm nga ku kishte marrë fjali të tëra, argumenton se “Lolita” i shpëton kancelimit ngaqë ndonëse nuk kërkon falje për transgresionet e liga të Humbertit, gjithashtu nuk i romantizon ato[4].

    “Lolita” nuk e humbi reputacionin e vet edhe përballë sfidës së kancelimit sepse ajo që supozohej ta fundoste është në fakt e njëjta që e bën romanin të pëlqyeshëm. Përsiatjet erotike të një burri përballë një 12-vjeçareje legjitimohen prej lirisë për ta vëzhguar direkt psikenë e këtij personazhi sa të sinqertë aq edhe të pabesueshëm. Por prapë ne nuk do t’ia lejonim vetes të kridheshim në indulgjencat e tij perverse po qe se Nabokovi të mos na e tregonte përmes ekzagjerimeve absurde në rrëfimin e Humbertit se ai, autori, është i vetëdijshëm për anomalinë që përfaqëson personazhi i tij. Të tregosh se je i vetëdijshëm për të gjitha implikimet është tepër e rëndësishme kur je duke e kaluar pragun e zjarrit.

    “Dueli” i Agron Tufës mes etikës feministe dhe estetikës postmoderniste

    “Dueli” është historia e shndërrimit të një dalëzotësi në një përdhunues. Personazhi kryesor, Martin Gega, beson se ka të drejta mbi Etleva Xh.-në ngaqë e mëton atë. Perpjekiet e tij për ta ruajtur Etlevën prej djemve të tjerë që i afrohen, ca personazhe stereotipike gjendjesh grotekse testosteronike, dështojnë kur ai detyrohet të jetë spektator i përdhunimit të saj në grup nga Fari Ferra. Skena e përdhunimit është trazuese, por nuk ka ngjyresa elegjiake. Madje, Tufa shkruan se e Etleva e shijon përdhunimin. Aq shumë saqë më vonë, e kërkon prapë përdhunuesin e saj. Pas skenës trazuese të përdhunimit Martini është i shqetësuar ngaqë ka kuptuar se Etleva nuk ishte e virgjër. Dilema therëse e Martinit: “Është apo jo një e përdalë Etleva Xh.?” të kujton një fushatë të famshme të bojës së flokëve Polykoff në vitet ’50 që rrekej të ngacmonte imagjinatën me sloganin: “A e bën ajo, apo jo [lyerjen e flokëve]?” krahas imazhit të një gruaje të bukur me flokët e lyera të kuqe.

    Vite më vonë, në Rusi, Martini dashurohet me Varvara Va-në. Duke qenë e huaj, Varvara Va është e bukur dhe stereotipikisht më e lirshme se Etleva, që nga ana e vet mishëron stereotipin e vajzës shqiptare në dualitetin e përhershëm mes dëshirave dhe dinjitetit. Këtë herë, në vend të Fari Ferrës është Maksi, një mëtues i Varvara Va-së i cili e fton Martinin në duel, që do të përcaktojë se cili do ta fitojë zemrën e saj. Personazhi i Varvarës është indiferente ndaj bastit të tyre gjakatar dhe nuk shfaq shenja vendimmarrjeje për zemrën e vet.

    “Dueli” me Maksin, një përsëdytje e përndjekësit Fari Ferra, nuk ndodh ndonjëherë sepse Maksi nuk shfaqet. Në vend të duelit, lexuesi mund të tronditet kur shikon se Martin Gega përfundon duke u shndërruar vetë në një abuzues, më i përbindshëm akoma për shkak se përdhunon një minorene, 17 vjeçe!

    Kritika feministe e letërsisë e zhvendos fokusin nga argumentet e bazuara në gjuhë te vlerësimi i aspekteve si subjekti dhe personazhet, ndërsa rreket të zbuloje mizogjininë e nënkuptuar nëpër rrëfime. Në pamje të parë, “Dueli” do ta kishte të vështirë ta kalonte sprovën e kësaj kritike me prirje kanceluese. Zgjedhjet tematike nuk shpëtohen nga mënyra sesi Tufa u avitet atyre. Stereotipizimet në personazhet e të dyja gjinive dhe injorimi i traumatikës së abuzimit ndaj gruas në favor të një rrëfimi trasgresiv janë prova të mjaftueshme për mizogjininë e një romani. Duhet sqaruar se kritika feministe nuk i hedh poshtë të gjitha veprat që i përbajnë këta elementë, të cilët mund të jenë mjete efektive për të përcjellë mesazhet e barazisë që kërkon kritika feministe. Për këtë është e rëndësishme që shkrimtarët të shprehin shenja vetëdijeje mbi ekzistencën e këtyre problematikave, të cilat nuk mund të kalojnë pa u vënë re. Në shumë aspekte, etika letrare feministe, duke qenë një kritikë me bazë shoqërore, ngjason me etikën e realizmit socialist.

    “[Kritika feministe] duhet të jetë kritike morale dhe ideologjike; duhet të jetë revolucionare”, thotë feministja marksiste amerikane Lillian Robinson, siç e citon Josephine Donovan te “Kritika feministe letrare: eksplorime të teorisë” (University Press of Kentucky, 1989).

    Në një skenë në aktin e katërt të tragjedisë “Otello” të Shekspirit, i nxitur nga xhelozia dhe dyshimet për tradhti bashkëshortore, Otello qëllon Desdemonën. Gjesti shokon Ludovikun, një fisnik i ardhur nga Venecia, i cili fillon të vërë në dyshim mirëqenien mendore të Otellos. Ludoviku është personazhi tipik që i vëzhgon situatat si një i jashtëm. Fjalët e tij shërbejnë si ndërgjegje për Otellon. Sikurse bulkthi që flet tek “Pinoku” i Carlo Collodi-t, Ludoviku është aty për të na treguar çfarë ndodh me realitetin jashtë mendjes së heroit.

    Kurse Agron Tufa nuk e ka një personazh të tillë tek “Dueli”. Meditimet e Martin Gegës nuk e qortojnë përdhunimin e Etleva Xh.-së për shkak të tronditjes që mund t’i shkaktojë asaj, por për shkak të krenarisë së vet burrëore. Romanit i mungon ndërgjegja.

    Por, si kuptohej romani “Dueli” i parë në realitetin e fillimviteve ‘2000? Në parathënien e tij, Artan Fuga publicisti na sugjeron të tregohemi të vëmendshëm ndaj tematikës së marrëdhënies mes përndjekësit, viktimës dhe dalëzotësit.

    Sipas Fugës, “Dueli” është për t’u parë si një shkartisje e marrëdhënies klasike mes dalëzotësit, viktimës dhe persekutorit të saj. Në këtë aspekt, ai e krahason “Duelin” me Don Kishotin e Servantesit, romani satirik për bëmat e një kalorësi delusional. Në kapitullin e 50, Don Kishoti kërkon t’i dalë për zot një vajze e cila mendon se është rrëmbyer prej një grupi burrash kur në fakt, ajo ishte qëndruar pranë tyre me dëshirën e saj. Fuga e vë vajzën përballë personazhit të Etlevës.

    Ky interpretim nuk e ndihmon “Duelin” ta kalojë sprovën e kancelimit. Ideja se një vajzë e cila përdhunohet kafshërisht nuk është një viktimë përbën gjithçka të gabuar sipas kritikës feministe, edhe në Shqipëri. Kjo mënyrë të arsyetuari përkon me perceptime të gabuara që fajësojnë viktimat e ngjarjeve të llahtarshme të ditës. Aktivistët e barazisë gjinore përpiqen t’i edukojnë njerëzit se justifikime të këtilla vetëm sa mbrojnë keqbërësit dhe thellojnë hendekun e barazisë gjinore. Në Shqipëri, feminicidi nuk duket të ndalojë. Vetëm gjatë periudhës 2010-2020, në Shqipëri janë vrarë 106 gra prej bashkëshortëve, baballarëve, kunetërve dhe nipërve, sipas shifrave të INSTAT. Më shumë se gjysma e grave dhe vajzave të moshës 15-74 vjeç janë ndier të dhunuara nga burrat gjatë jetës së tyre. Këtyre grave ky roman nuk u bën nder. “Dueli” e ka të vështirë ta tejkalojë sprovën e pakërkuar të kancelimit.

    Sidoqoftë, ky roman mbetet një specimen-referencë i prozës postmoderne në Shqipëri. Humori i zi, ose të trajtuarit me humor të koncepteve serioze, tejet i pëlqyer prej humoristëve amerikanë të kanceluar gjatë viteve të fundit, është një prej mjeteve të parapëlqyera sesi shkrimtarët postmodernë zgjedhin të sfidojnë realitetin. Realiteti është shoqëria. Me personazhet e karikaturuara dhe situatat tejet absurde, “Dueli” mund të lexohet si një parodizim me tone të errëta i një realiteti të vrazhdë.

    Tek “Postmodernizmi, poetikë e antirregullit”, studiuesja shqiptare Floresha Dado vë në dukje pikëpamjen e studiuesit amerikan Robert Siegel, sipas së cilës letërsia postmoderne fiton autonomi nga “konvencionet kulturore që përcaktojnë narrativën dhe ndërtimin që e quajmë “realitet””[5]. Kjo e bën rrëfimtarin të pabesueshëm në lidhje me vërtetësinë faktike të ngjarjeve. Këtë lloj rrëfimtari e shikojmë tek “Lolita” dhe njëjtë mund ta shikonim edhe Martin Gegën e Agron Tufës.

    Gjithashtu, nuk duhet nënvlerësuar vlera që ka efekti i shokut në letërsi kur vjen puna për të ngjallur debate të rëndësishme shoqërore. Personazhi hedonist dhe i pamoralshëm i Lordit Henri tek “Portreti i Dorian Greit” (1890) ndikoi që shkrimtari britanik Oscar Wilde të kishte probleme të serioze me ligjin. I konsideruar si një shkrimtar që promovonte imoralitetin dhe i akuzuar si homoseksual, Oscar Wilde u burgos, por vepra e tij e ndryshoi përgjithmonë estetikën e personazheve letrare. Mersoja e “Të huajit” të Kamysë (1942) është një vrasës pa motiv. Indiferenca e tij ndaj krimit të vet dhe gjyqit ndaj tij ngjalli debat moral, por prezantoi gjithashtu një personazh dhe një vepër të re e cila, sipas filozofit francez Jean-Paul Sartre, nuk ka përse t’i provojë asgjë askujt, ose, në një rast tjetër, mund të jetë një reflektim i tëhuajësimit të vetëvetishëm të njeriut përballë realitetit[6].

    Një personazh kontravers mund të jetë më efektiv sesa fragmente të gjata moralizuese për të krijuar impaktet e dëshiruara. Fundja, ishte personazhi i pakëndshëm i Martin Gegës që e nxiti shkrimin që po lexoni.

    Personazh mund të jetë dhe vete shkrimtari. Kur Simone de Beavuoir sfidoi tek “Seksi i dytë” (1949) mendimin se gratë janë lindur për t’u bërë gra dhe nëna duke thënë se këto role ia kanë kufizuar gruas lirinë, ajo po sfidonte bindje mijëravjeçare. Personazhi kontravers i Beavuoir-it ka qenë kyç për popullarizimin e feminizmit nëpër botë. Edhe në ditët e sotme, diskursi i saj inkurajon brezat e rinj që të refuzojnë të marrin role të paracaktuara dhe të kërkojnë veten e tyre autentike.

    Pa lirinë e ndërtimit të një rrafshi të vetmëvetshëm që del përmbi rregullat e përcaktuara prej kryqëzimeve të çastit të dhënë, nuk do t’i kishim pasur disa prej “shkeljeve” më gjeniale të letërsisë.  Nga ana tjetër, shumë nga shkrimtarët bashkëkohorë shqiptarë, duke përfshirë Agron Tufën, e kanë provuar mbi kurrizin e tyre se çfarë ndodh kur arti tkurret në një mjet për të përcjellë mesazhe. Këtë rrezik na e paralajmëron Roland Barthes tek eseja “S/Z” (1970), një analizë strukturore e “Sarasinës” së Balzakut:

    “…jemi ne ata që e shkruajnë tekstin, përpara se loja e pafundme e botës (bota si funksion) të përshkohet, të kryqëzohet, të ndalet, të plastifikohet nga ndonjë sistem i veçantë (një ideologji, një gjenealogji, një strukturë ose diçka subjektive), i cili redukton pluralitetin e prurjeve, hapjen e sistemeve, pafundësinë e gjuhëve.”[7]


    [1]  Nga fjalori i Merriam Webster në internet: https://www.merriam-webster.com/dictionary/woke

    [2]  “The Fatal Tension at the Heart of Wokeism”, “Time”, prill 2022

    [3]  “Lo, the Poor Nymphet”, The New York Times, Donald Malcolm, 1958

    [4]  “How ‘Lolita’ Escaped Obscenity Laws and Cancel Culture”, Emily Martimer, New York Times, March 2021

    [5]  “Postmodernizmi, poetikë e “antirregullit””, Floresha Dado, Akademia e Shkencave, 2020

    [6]  “Kamyja dhe novela e absurdit”, Victor Brombert, Yale University Press, 1945

    [7]  “S/Z”, Roland Barthes, 1970

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË