More
    KreuIntervistaGazmend Krasniqi: SI TA LEXOJMË LETËRSINË SHQIPE - Drejtime letrare dhe kanonet...

    Gazmend Krasniqi: SI TA LEXOJMË LETËRSINË SHQIPE – Drejtime letrare dhe kanonet e tyre

    Bisedoi: Antonio Çikollari

    Pse u shkrua ky libër?

    Kemi menduar se në liri politike dhe ideologjike letërsia do të shfrytëzonte mundësinë që të vlerësohej pasuri kombëtare. Jo thjesht si një dokument, por si një monument. Çfarë na ka shoqëruar gjatë këtyre viteve ka nxjerrë në pah boshllëqet që trashëgojmë nga e kaluara, sepse kjo ide është shpërdoruar në mënyrë të vazhdueshme. Situata kaotike u ka hapur rrugë shumë spekulimeve, duke arritur së fundi në idenë se çdo gjë shkon, ku zëri kritik bie në vesh të shurdhër. Sigurisht, kjo ka edhe rezonancë ndërkombëtare, por problemi është se,  ndryshe nga imunizimi i kulturave të mëdha, kjo e jona është gjetur krejt e papërgatitur, për arsye të disa rrethanave historike q na karakterizojnë ne si vend.

    Letërsia dhe lexuesi! Si mendoni se qëndron problemi me këtë binom?

    Fjala letërsi, në gjuhët evropiane, është mjaft e re, ajo daton në shek. XIX. Për më tepër, shumë gjuhë (si ato të Afrikës, p.sh.) nuk kanë ende asnjë term gjenerik për të shënuar (përcaktuar) letërsinë si një të tërë. Po kështu nga mënyra se si është zhvilluar letërsia në vende dhe kohë të ndryshme nuk do të ishte shumë e lehtë që të vendosnim sot se çfarë është dhe çfarë nuk është letërsi, duke pasur parasysh diversitetin e dukshëm midis veprave të shkruara. Sidoqoftë, në thelb, teoricienët thonë se realiteti dhe autori janë zëvendësuar prej tekstit, se teksti është ndërtuar në një mënyrë të tillë që të ketë nën kontroll deshifrimin e vet. Pra, në kohët moderne, mendimi letrar ia ka kaluar lexuesit pushtetin mbi letërsinë. Për lexuesin, libri është çfarë ai gjen aty. Pra, perceptimi i tij. Secili perceptim është për t’u marrë në konsideratë. Këto perceptime që mund të ndryshojnë thellësisht nga njëri-tjetri synojnë atë horizont që e disponon në vetvete ky libër. Ky horizont pret që të ngrihen drejt tij horizontet e shumta të perceptimeve të lexuesit.

    Çfarë është primare sot për lexuesin?

    Gjithkush që ka lexuar sipas interesave që ka pasur, ka provuar kënaqësinë e leximit. Kjo është primare: të gjejë ta gjejë këtë kënaqësi. Problemi fillon me lindjen e pikëpyetjeve gjatë këtij leximi. Çfarë bën një lexues kur nuk i pëlqejnë romanet e njërit prej nobelistëve të fundit? Ky është një moment për t’u marrë në konsideratë. A e ka fajin nobelisti apo lexuesi? Si mund të orientohemi në zhvillimet e letërsisë? Lexuesi duhet ta pranojë se mund të rritet. Kur bie një shtyllë për të cilën i kanë dhënë garanci se nuk bie kurrë, të mos tmerrohet si njeriu kur i thanë se toka është e rrumbullakët dhe rrotullohet. Fillimisht, duhet pranuar se ekziston teleskopi, të cilin nuk mund ta kenë të gjithë në shtëpi, dhe një mal me kalkulime. Këto i kanë vetëm profesionistët. Nuk kanë pse t’i kenë të gjithë.

    Një pyetje personale: cili ka qenë komplimenti më i madh që keni marrë nga lexuesit e veprave tuaja letrare?

    Kanë qenë fjalët që më tha njëri prej tyre: Unë e di se po ta lexoj edhe njëherë romanin tuaj, prapë do ta pëlqej. Si krijues synoj të ngrihem në lartësinë e këtij vlerësimi.

    Nga mendoni se duhet filluar diskutimi për letërsinë?

    Si në të gjitha fushat e artit, edhe në letërsi funksionon parimi: Kur të kërkohen vlerat… Domethënë, disa tekste, përkundër atyre të para si keqkuptime apo me rëndësi kalimtare, janë shkruar për të zënë vend “atje ku është e vështirë të hiqen qafe”. Ato bëhen vatër rrezatuese e sistemit letrar. Po a mund të hedhim dritë për mënyrën se si ndodh ky proces? Çfarë mekanizmi e ndikon? Cilat janë disa nga hallkat e këtij mekanizmi? Byron-i i adhuruar nga Goethe dhe romantikë të tjerë, shikohet ndryshe nga brezi i Eliot-it, i cili, pasi ia lavdëron aftësinë për të rrëfyer, thotë se nuk i shton gjë gjuhës, nuk zbulon asgjë te tingulli, nuk zhvillon asgjë në kuptimin e fjalëve individuale. Eliot-i shton se, kur poeti përfiton një masë të gjerë adhuruesish për një kohë të shkurtër, është rast mjaft i dyshimtë, sepse na shtyn të frikësohemi që ai nuk po bën diçka të re, vetëm se po u ofron njerëzve atë me të cilën jemi mësuar, pra atë që e kanë pasur nga poetët e brezit të kaluar. Jo më kot shumë receptime të gabuara të kohës së sotme janë të lidhura me periudhën më të afërt, krijimtarinë e realizmit socialist.

    Jam i detyruar ta përsëris pyetjen

    Fillimisht, duhet të ndodhë dallimi mes kritikës së ditës dhe studimeve akademike. Po e përsëris se si e shpjegon këtë Umberto Eco: “Duhet ndaluar kritika militante… Sepse është shumë koniunkturale. Kritika akademike del mbi komentet e rastit: një libër e lexon edhe pas shumë vitesh, punon mbi të, i kthehesh prapë, e shqyrton… Kurse kritika militante varet nga moti dhe nga lagështia në ajër… Dikur, kur dilte një libër i Moravias, drejtori i Corriere-s ia jepte Emilio Çekit për ta recensionuar, por jo që ta bënte menjëherë: kështu Çeki mund të shkonte edhe dy ose tre muaj me një libër, kishte kohë ta “përtypte”. Kurse sot, recensionin e duan për nesër, madje për dje, mundësisht.” Edhe kur kemi gabuar, duke e quajtur letërsinë me plot emra pa lidhje me të, në Perëndim e kemi marrë modelin. Mirëpo, tashti që na vihen edhe një herë në provë intelekti dhe energjia, duket se e kemi marrë me hezitim. Nëse nga fillimet e shkrimit shqip e deri në rënien e komunizmit kemi, pak a shumë, periudha të studiuara, nuk mund të thuhet kjo për kohën që pasoi. Një doktoraturë e brohoritur atëherë “për romanin kushtuar Luftës Antifashiste”, apo për poemat kushtuar kësaj lufte, vështirë në thelb se mund të paraqesin ndonjë vlerë për sot. Kodet e përdorura atëherë nuk bëjnë për sot. Por duhet një punë e madhe për ta çrrënjosur gjithë këtë, pasi pas emrit të këtyre studiuesve, bie fjala, mund të rrijë emri akademik. Metoda të gabuara pjellin vetëm metoda të gabuara dhe kjo shpjegon dështimin e vazhdueshëm të kritikës dhe studimeve tona. Në një intervistë për një gazetë (shqiptare) jashtë vendit, pyetjes (naive, sigurisht) se pse nuk ka sot poetë të mëdhenj në botë (si dikur), Kadareja i përgjigjet shumë qartë: “Ka poetë të mëdhenj. Por sot shkruhet ndryshe”. Do të duhet ca kohë për të marrë vesh se edhe në Shqipëri shkruhet ndryshe. S’është aspak e lehtë, sepse veprojnë shumë arsye që duan mund dhe mendje të hapur: së pari, për t’u evidentuar dhe, së dyti, për ta bërë kauzë e për të luftuar për të.

    A e kemi zgjidhur problemin e gjuhës me të cilën duhet të flasim për letërsinë?

    Pyetje me vend. Duke qenë se letërsia shqipe i ka të vona preokupimet për çështje themelore teorike, sepse nuk rezonuan me kohën kur u shfaqën, çështja e terminologjisë duket se nuk ka qenë në rrezen e trajtesave, diskutimeve, shënimeve kritike që kanë marrë vend në formatet letrare apo në librat e paktë teorikë gjatë gjysmës së parë të shek. XX. Edhe kur ngritja e diskutimeve mbi problematika të ndryshme të letërsisë bëhet nga perspektiva e letrares (në vitet ‘30-‘40); terminologjia, ilustrimet dhe qasja mbështeten mbi bazën e ngulitur të literaturës klasike. Jemi dëshmitarë të faktit se, pas viteve ’40, për 45 vjet (1945-1990), atmosfera e diskutimeve mbi krijimin letrar, letërsinë dhe krijuesin do të ngarkohet me një gjuhë ideologjikisht diktuese. Terminologjia letrare që shoqëron studimet dhe shkrimet kritike do të ngatërrohet me terminologjinë ideologjike, deri në atë masë sa do t’i japë kësaj të fundit arbitrarisht statusin e mbikëqyrësit dhe të shtrembëruesit të koncepteve letrare. Evidentimi i instrumenteve politike si masë vlerësimi për termat, shpesh edhe si kategori letrare, do të reflektohet edhe në fjalorët e termave letrarë. Në këta fjalorë do të institucionalizohet absurditeti i kahjes ideologjike që do të marrin shënjuesit e domethënies së terminologjisë letrare. Për shkak të kësaj situate, fillimvitet ’90 gjetën një studiues dhe lexues të indoktrinuar dhe konfuz në përdorimin e termave letrarë. Ndonëse në procesin e krijimit kemi rigjetjen e vetes brenda rrjedhave të zhvillimeve moderniste, nuk ndryshoi asgjë në aspektin e reflektimit të teknikave dhe mjeteve letrare në një fjalor të ri të termave letrarë. “Fjalor i termave të letërsisë” i vitit 1972 vjen i përpunuar vetëm në vitin 2013, i pasuruar në zëra, por që sërish janë të kufizuar dhe të pa trajtuar thellë, duke pasur parasysh zhvillimet në fushën e teorive letrare dhe të mjeteve e teknikave të krijimit. Ndonëse në aspektin e përdorimit të zërave të terminologjisë letrare klasike ky fjalor mund të lavdërohet, ai mbetet i kufizuar në disa funksione të tjera të tij.

    Që do të thotë…?

    Sa mund t’i mbushim këto zbrazëti terminologjike? Sa do të na ndihmojnë afirmimet terminologjike për të ngritur modelin apo “kanonin letrar”, që i referohet një klasifikimi të letërsisë, i përdorur për t’iu referuar disa normave dhe një grupi veprash letrare që konsiderohen më të rëndësishme për një periudhë kohe ose vend të caktuar dhe shikohen si autoritare? Duhet të kujtojmë se vlerësohet që kanoni përbëhet nga ata shkrimtarë të cilët duhet t›i njohin të tjerët, që të matin veten me ta. Sepse kanoni i një kulture është një konsensus në zhvillim i kanoneve individuale. Shkrimtarët kanonikë ndryshuan mediumin, gjuhën në të cilën punonin. Kësisoj, kanoni u shtri si paradigmë. Po a mund ta vëmë në dukje se si veproi ai konkretisht në letërsinë tonë? Pikëpyetjet e ngritura kërkojnë përgjigje, në radhën e tyre.

    Cila është për ju e meta më e madhe e studimeve tona?

    Që vazhdojmë ta shpjegojmë letërsinë të lidhur me historinë, megjithëse janë disiplina krejt të ndryshme, secila me një jetë të vetën. Kjo na bën thellësisht provincialë. Nëse e mbrojmë këtë ide, ajo do të bëhet dramatike për zhvillimet tona letrare. Është fakt që i gjithë konceptimi dhe reflektimi perëndimor mbi artin është bazuar deri më sot në teorinë e shkruar të Mimesis, do të thoshte Suzan Sontag, por kjo teori është ajo që e bën artin problematik dhe lind nevojën e mbrojtjes së tij. Kjo mbrojtje apo përpjekje për ta justifikuar artin ka çuar në krijimin e një mënyre të çuditshme të të vrojtuarit të artit, e cila, atë që kemi mësuar ta quajmë “formë”, e ndan radikalisht prej asaj, që kemi mësuar ta quajmë “përmbajtje” dhe që, përveç kësaj, përmbajtjes i atribuon rëndësinë themelore, kurse formës një domethënie të dorës së dytë. Në rastin konkret, libri është ndalur gjatë mbi këtë argument. Studiuesit tanë e dinin se Asdreni qe shprehur (që në vitin 1912) se arti dhe politika lindin bashkë, por rrugës ndahen veç e veç, mirëpo nuk lejohej ta thoshe. Për fat, jemi liruar nga ky shtrëngim politik dhe ideologjik dhe duhet ta shfrytëzojmë përparësinë që na e jep diçka e tillë.

    Çfarë mendoni se po ndodh me letërsinë shqipe?

    Pyetja se çfarë ndodh me letërsinë shqipe, meriton të bëhet në çdo kohë, por sot që janë tronditur thellësisht sistemet tradicionale të vlerësimit, kur mendimi i paspecializuar i bën jehonë një prodhimi mesatar dhe nënmesatar, diçkaje që është artikuluar për arsye të ndryshme dhe diçkaje të pranuar përgjithësisht në mënyrë konvencionale, ajo meriton të theksohet në mënyrë të veçantë. Që është gjykimi thembra e Akilit na e kujton edhe rasti i socrealizmit: manipulimet me emra të traditës ofrohen si shembujt më të kapshëm, pasi sot, me mjetet që ofrojnë interpretimet e reja letrare, i shohim ndryshe nga ç’janë fabrikuar për disa dekada. Interpretimi i njohur tradicional i letërsisë na çon te pyetja tjetër: nëse paaftësia për të folur për letërsinë si letërsi, paaftësia për të zotëruar kodet elementare, ka pjellë lista emrash, shpesh pa vepra, cilët janë shkrimtarët shqiptarë? Me hyrjen e veprave të reja në sistemin dinamik të traditës dhe me vlerën e (ri)leximeve nga brezat e fundit historia e letërsisë dhe letërsia vetë nuk janë një e dhënë e pandryshueshme. Sot nuk mund të jetë më një sistem referimi botimi i fundit i historisë së letërsisë, që është bërë më 1983. Natyrisht, as tekste të tjera para tij. Ato janë aty për të hedhur dritë se si ka evoluar mendimi letrar. Përvoja e studimeve letrare në botë dhe në vend përbëjnë një pikënisje të re, pasi të kemi rënë dakord për çështje si këto: është krijuar një traditë tjetër, në liri të plotë dhe bashkëkohore, e studimit teorik; është arritur një rezultat tjetër për vepra të veçanta që, për arsye jashtëletrare, mund të ishin përjashtuar si pika referuese, megjithëse mund të tërheqin pas gjithë mendimin për letërsinë dhe poetikën e saj; nuk funksionon më kriteri përjashtues ideologjik; nuk funksionon më përpjekja për të kërkuar shpjegimin e historisë së letërsisë me historinë sociale, e anasjelltas. Letërsia është një sistem që funksionon vetvetiu. Nëse nuk do të rregullojmë “zemberekun” e këtij sistemi në përgjithësi, asnjëherë nuk do ta marrim vesh si duhet se çfarë ndodh në veçanti. Për letërsinë, ligjësitë janë vetëm letrare. Kjo formë e pastër e shikimit të letërsisë nuk është e lehtë të realizohet, sepse do kohën e vet. Kujtoj një intervistë të sekretarit të akademisë suedeze, i cili kur pyetet nëse ka pasur kontestime për çmimin, përmend rastin e Sollzhenicinit. Këto kontestime kishin ndodhur edhe në Suedi. Pra, çmimi i Sollzhenicinit qe pjellë e një aksioni politik si lufta e ftohtë. Dua të them se aksionet politike bien dhe e lënë letërsinë të zbuluar. Mbetet letërsia që shpëton nga këto gracka. E çuditshme është se në Shqipëri edhe sot ka letërsi të aksionit politik, e cila zë shumë vend në ballkonin mediatik, por pa dyshim që nuk e ka jetën e gjatë. Mendësia dhe mekanizmat e socrealizmit vazhdojnë të mbeten të forta dhe aktive, por gjithsesi ato nuk do të jenë të imunizuara nga dinamika e brendshme e letërsisë së vërtetë. Pra, vlera duhet kërkuar te ajo që është letërsi dhe jo te efektet e jashtme e kalimtare. Për çmimin Nobel thuhet “Një çmim francez që e japin suedezet”. Pra, janë francezët ata që e kanë përpunuar mendimin letrar. Dikur u nxorën prej sistemit letrar Koliqi, Kuteli apo Poradeci, por me të rënë ajo digë politike apo ideologjike, vepra e tyre shkoi automatikisht në vendin që u takonte, deshën apo nuk deshën persona të caktuar apo, më mirë, rrethe të caktuara.

    Jeni ndalur edhe te përshtatjet apo ndikimet në letra tona. Pse e keni ndjerë të nevojshme?

    Lexuesi duhet të dijë se një letërsi nuk ngrihet nga hiçi. Klasikët tanë shpesh bënin përshtatje të veprave të mëdha ose nuk u druheshin ndikimeve, sepse donin të bënin letërsinë kombëtare. Fakti që kishte hapësira për vepra të përshtatura nga letërsia universale, tregonte se sistemi ynë letrar ishte në procesin e formësimit. Mjafton të kujtojmë antikitetin, për të parë se sa mori kultura romake nga ajo greke. Orientimi i drejtë bëhet garanci për vlerën, sepse ka tri situata në të cilat përkthehet letërsi që do të mbajë një pozitë kryesore: a) kur një letërsi marrëse është e re apo në proces formimi b) kur një letërsi marrëse është e dobët apo periferike c) kur një letërsi marrëse po përballet me një krizë. Mund të ketë raste kur letërsia e një gjuhe ngec, sepse i mungon gjaku i freskët për ta forcuar atë dhe përshtatjet e përkthimet mund t’i sigurojnë perspektiva krejtësisht të tjera. Gjuha e veprave artistike nuk është dhe nuk mund të jetë një “gjuhë normale”, thotë Anton Pashku. Ajo nuk është e tillë as atëherë kur, fjala vjen, artisti i fjalës merr e shkruan për “gjërat më normale” nga jeta e njeriut. Shenjat e gjuhës së tij janë shenja të gjuhës poetike. Sot duhet të gjejmë se çfarë ndodhi në vitet ’90 me letërsinë shqipe.

    Si e shpjegoni që po shkruhet e po botohet kaq shumë, por sa vjen ky produkt në mënyrë organike nga pikëpamja vetëvepruese e sistemit tonë letrar dhe rezonimit me atë që ndodh në botë?

    Personalisht, nuk e shoh problemin në atë që shkruhet, por për mënyrën se si proklamohet ky produkt. Në demokraci çdo gjë ka të drejtën e ekzistencës, por kjo nuk do të thotë se mund t’i shmanget verdiktit të klasifikimit, përndryshe do të fillonim të dyshonim edhe në konceptin e demokracisë. Sikur të mësonim artin e të mos lexuarit!Arti i të mos lexuarit, thotë Arthur Schopenhauer-i, është shumë i rëndësishëm… Për të lexuar libra të mirë, është parakusht të mos humbim kohë duke lexuar libra të këqij, sepse jeta është e shkurtër”. Është e rëndësishme të orientohet drejt terminologjia për këtë produkt. Dëgjon shpesh që thonë – çka shpreh inercinë socrealiste apo fenomenin mass culture – “realizëm, realizëm”, por të shohim se çfarë thotë në vitin 1938, Dhimitër Shuteriqi – për paradoks, kodifikuesi i Realizmit Socialist: “Realizëm, në kuptim më të ngushtë të fjalës, do të thotë imitim ose riprodhim i plotë i realitetit. Po një mejtim i tillë nuk ka asnjë vlerë praktike, se është i pazbatueshëm në art. Shkrimtari ose artisti nuk është si një pllakë fotografike, ku jeta vizatohet me përpikësinë e saj më të imtë; ai shikon jetën përmes ndërgjegjes që ka formuar, domethënë nëpërmes të shpirtit të tij. Ky shpirt ndien e kupton ndryshe nga shpirtërat e tjerë, kurse pllakat fotografike e marrin realitetin ashtu siç është, se as e ndiejnë e as e kuptojnë”. Ka ende nga ata që thonë se Migjeni është i madh, sepse shkroi për fëmijët e varfër, prostitutat etj. A ka sot fëmijë të varfër dhe prostituta? Ndoshta edhe më shumë. Atëherë, pse nuk kemi Migjen? Edhe pse shumë i ri nga mosha, Migjeni e njihte krizën e realizmit, qoftë kur bënte ndërkallje autoriale brenda një teksti përshkrues, qoftë kur fuste notat e forta të ekspresionizmit në prozat poetike. Këto mjete sot nuk kanë të njëjtin efekt: jemi në epokën e postmodernizmit dhe kërkohen mjete të tjera. “Poezia, thotë Baudelaire-i, nuk mundet, nën kërcënim me vdekje ose të rënies së kredibilitetit, të asimilohet nga shkenca ose nga morali. Nuk e ka për objekt të vërtetën, por vetëm veten e saj. Mënyrat për të demonstruar të vërtetën janë të tjera dhe gjetkë. E vërteta s’ka të bëjë fare me këngët. Ajo që e bën një këngë plot bukuri dhe hijeshi, si dhe të parezistueshme, do t’ia ngrinte vlerën dhe prestigjin të vërtetës”.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË