More
    KreuLetërsiBotime të rejaGazmend Krasniqi: Romani “Lakimi”, një skicë për lexim

    Gazmend Krasniqi: Romani “Lakimi”, një skicë për lexim

    Hyrje

    Ky tekst është një përpjekje për të kërkuar rrugën e leximit të romanit Lakimi të Durim Taçit jo vetëm si një rrëfim letrar, por edhe si një akt estetik dhe ideologjik që fton lexuesin kritik në dialog të thellë. Duke ndjekur gjurmët e një protagonisteje që refuzon të shkruajë dhe zgjedh të interpretojë, kjo analizë synon të hedhë dritë mbi mënyrën se si pushteti, gjuha dhe trupi ndërthuren në një betejë të heshtur për autorësi. Më shumë se një analizë strukturore, ky shkrim rihap pyetjen mbi atë që e bën një zë të dëgjueshëm: dhe një rrëfim të drejtë.

    Ky tekst synon të mbrojë idenë se romani Lakimi i Durim Taçit është një përpjekje e guximshme për të rikthyer dinjitetin e formës së romanit kompleks dhe polifonik, duke ndërthurur në mënyrë organike elemente të thrillerit psikologjik, dramës filozofike dhe romanit feminist. Se ai kërkon jo vetëm vëmendjen e lexuesit, por edhe angazhimin e tij të thellë interpretativ. Se romani nuk ofron një botë të ndërtuar sipas rregullave tradicionale narrative; përkundrazi, ai e zhyt lexuesin në një realitet të pasigurt, të shumëfishtë dhe shpesh të turbullt, ku e vetmja qartësi vjen përmes dyshimit dhe përplasjes së zërave.

    I. Shkrimi si pushtet

    Në thelb të romanit qëndron një kritikë e thellë ndaj shkrimit si instrument pushteti: një ide me rrënjë të forta në mendimin feminist dhe epistemologjik. Elira, protagoniste dhe arkeologe, refuzon të shkruajë. Ky refuzim nuk është thjesht një rebelim personal, por një akt simbolik rezistence ndaj një sistemi dijesor patriarkal që ka përjashtuar dhe shtypur zërin e gruas përmes kontrollit mbi gjuhën dhe rrëfimin. Në një botë ku pushteti është strukturuar rreth aktit të të shkruarit, refuzimi i Elirës për të shkruar përbën një mosbindje të thellë dhe të qëllimshme.

    Në një nga momentet më të ngarkuara simbolikisht të romanit, gjatë një kumtese, Elira shpalos një ide tronditëse mbi historinë e dijes, e cila bëhet thelbi i romanit në fjalë: ajo argumenton se alfabeti, si sistem shkrimi, ka kontribuar në zhvendosjen nga kultura e oralitetit matriarkal në një sistem hierarkik dhe patriarkal. Leonard Shlain, në librin e tij The Alphabet Versus the Goddess, artikulon një tezë të ngjashme, sipas së cilës shkrimi alfabetik promovon mënyra lineare, logjike dhe mashkullore të të menduarit, duke dëmtuar perceptimet intuitive, holistike dhe femërore. Sipas tij, shpikja e alfabetit ka ndikuar negativisht në statusin e grave në shoqëri duke përforcuar mendimin logjik, linear dhe patriarkal në dëm të mendimit vizual, intuitiv dhe femëror. (Kjo ide përforcohet nga teoritë e Goettner-Abendroth dhe mendimit epistemik të Spivak, të cilat e lexojnë historinë jo vetëm si një rrjedhë ngjarjesh politike e sociale, por si një rrëfim të kapur nga një formë mendësie që ka përjashtuar gratë, trupin, ndjeshmërinë dhe oralitetin). Elira, në këtë kontekst, nuk është vetëm një personazh në konflikt me burrat në jetën e saj; ajo është një figurë rezistence kundër një kulture të tërë që ka ndërtuar dijen dhe gjuhën mbi përjashtimin e saj.

    Si vepron ajo? Nuk shkruan, por interpreton. Interpretimi nuk është një akt më pak i fuqishëm se shkrimi. Trupi i saj bëhet medium, zëri i saj mjet komunikimi. Ajo mishëron një performancë politike dhe epistemike në frymën e teorive të Hélène Cixous, e cila fton gratë të shkruajnë me trupin e tyre (écriture féminine), dhe Judith Butler, sipas së cilës identiteti gjinor është performancë sociale, jo thelb i natyrshëm. Elira nuk është viktimë pasive e një rrëfimi të huaj, por aktore që përpiqet të rimarrë autorësinë e jetës së saj, jo përmes fjalëve të shkruara, por përmes aktit trupor dhe kuptimit që sfidon strukturat tradicionale të dijes.

    II. Narrativa si strukturë kontrolli

    Sigurisht, e gjithë sfida e mësipërme jepet përmes gjuhës së romanit. Romani operon në disa nivele rrëfimi dhe luan me kufijtë mes realitetit dhe trillimit. Elira është një personazh brenda një rrëfimi që nuk e ka shkruar vetë – një grua e cila është në mes të rrëfimeve të burrit të saj Arbenit, dashnorit Roberto dhe historisë kulturore që e rrethon. Ajo nuk është vetëm e “përfshirë” në histori, por aktivisht “përshkruar” nga të tjerët.

    Roberto e kolonizon përvojën e Elirës përmes shkrimit. Ai e përkthen jetën e Elirës në metaforë – një formë e sofistikuar sundimi. Elira nuk ka të drejtë të ekzistojë në versionin e vet të historisë: ajo duhet të kalojë përmes filtrit të rrëfimit mashkullor. Ky fenomen përkon me atë që Gayatri Spivak e ka quajtur “dhunë epistemike”: përjashtimi i një zëri nga historia përmes mënyrës se si ajo histori tregohet.

    Metafiksioni që përdor romani – ndërthurja e rrëfimeve të ndërprera, kujtimeve fragmentare, komunikimeve digjitale dhe ndërhyrjeve të një zëri autorial të padukshëm – krijon një tekst të hapur, ku lexuesi duhet të rindërtojë tërësinë përmes copëzave. Por kjo nuk është vetëm një teknikë narrative; është një deklaratë estetike dhe politike: nuk ekziston një e vërtetë unike, por shumë rrëfime që konkurrojnë për të dominuar kuptimin.

    III. Gjinia dhe dhuna narrative

    Në romanin Lakimi marrëdhëniet gjinore nuk trajtohen vetëm si çështje personale, por si struktura pushteti. Arbeni, burri i Elirës, përfaqëson autoritetin patriarkal klasik: i heshtur, por gjithmonë i pranishëm, konservator dhe kërcënues kur sfidohet. Roberto, nga ana tjetër, përfaqëson pushtetin më të sofistikuar: ai është i kulturuar, i ndjeshëm, por kontrollues përmes gjuhës, narrativës dhe artit.

    Në këtë aspekt, romani reflekton qartë frymën foucault-iane: pushteti nuk është vetëm represiv, por edhe disiplinues. Ai vepron përmes normave, përcaktimit të së vërtetës dhe rrëfimit. Elira përjashtohet nga autorësia e historisë, por mbetet objekt i saj: një trup i përshkruar, interpretuar, klasifikuar, por kurrë me zotërim të plotë të zërit të vet. Dhuna është e natyralizuar përmes rrëfimeve që duken të pafajshme.

    IV. Fragmentariteti si estetikë dhe strategji rezistence

    Struktura fragmentare dhe e shpërbërë e romanit nuk është thjesht zgjedhje stilistike, por një gjest i vetëdijshëm kundër rrëfimit linear dhe koherent patriarkal, sipas idesë së hedhur më lart. Fragmentet pasqyrojnë jo vetëm pasigurinë emocionale të Elirës, por edhe natyrën e shpërbërë të kujtesës, gjinisë dhe subjektivitetit, siç e shohin vëzhgimet e sotme.

    Elira është një figurë që lakon: jo vetëm gjuhën, por edhe identitetin, trupin dhe historinë. Lakimi është një gramatikë e subjektit (personazhit) që shmang rregullin dhe skematizimin. Ky lakim është një mënyrë për të mos u reduktuar nga rrëfimi i tjetrit: një mënyrë për të thënë “jo” përmes zhvendosjes, jo përballjes së drejtpërdrejtë.

    Stili i Taçit është i ngjeshur, herë-herë i errët, i pasur me imazhe shqisore dhe krahasime të ngarkuara, me tonalitet që lëviz ndërmjet poezisë dhe groteskut. Kjo përkon me fragmentaritetin tematik të romanit dhe përforcon atmosferën e një bote të papërmbledhur në një zë të vetëm.

    Gjuha e romanit është ironike, inteligjente, herë lirike dhe herë e mprehtë si thikë, duke përzier gjuhën narrative me atë akademike. Një mjet struktural modernist për t’u shënuar është monologu i brendshëm, i cili nxjerr krye që në paragrafët e parë të romanit, duke përcaktuar karakterin epistemologjik: pra cilat janë natyra, burimi dhe kufijtë e njohjes. Taçi është më se solid në përdorimin e kësaj teknike narrative.

    V. Personazhi i Elirës dhe figura e burrave

    Elira, një personazh i thellë, i përçarë, por me vetëdije për konfliktet e veta, është një grua që kërkon të kuptojë jo vetëm veten, por edhe mënyrën se si bota e ka ndërtuar si “grua”. Arkeologe, intelektuale, një grua në krizë identiteti dhe martesor, mes një të kaluare patriarkale dhe një të tashme, ajo kërkon pavarësi dhe kuptim. Refuzon të shkruajë (akt rebelimi simbolik), dhe komunikon me zë, duke qëndruar në oralitetin e kulturave matriarkale të hershme. Në rrugën e saj emocionale dhe erotike, ajo lëviz mes marrëdhënieve me Roberton dhe Bitorin, duke treguar lirshmërinë dhe kompleksitetin e ndjenjave të saj. Në këtë mënyrë, Elira është një figurë feministe që rishkruan – ironikisht pa shkrim – historinë personale dhe kolektive të gruas. Ajo nuk është as heroinë, as viktimë, por një subjekt që lëviz në kufijtë e njohjes dhe refuzon të përmbahet në një rol të vetëm.

    Marrëdhëniet e saj me Arbenin dhe Roberton janë përballje me forma të ndryshme të përjashtimit. Arbeni, burri i përditshëm, në heshtje të gjatë, shfaqet i dhunshëm dhe kërcënues në momente krize. Ai mishëron burrin patriarkal që është i padukshëm, por frikësues. Roberto, i butë dhe krijues, është një pushtues në formën e tij më kulturore dhe narrative. Ai hyn në jetën e Elirës përmes shkrimit dhe në emër të dashurisë manipulon rrëfimin e saj, duke e shndërruar në personazh dhe mohuar autorësinë e saj mbi vetërrëfimin.

    Në vend të përfundimit

    Lakimi është më shumë se një rrëfim mbi një grua në krizë: është një reflektim letrar dhe filozofik mbi pushtetin e shkrimit, mbi mënyrën se si përkufizohet e vërteta dhe kush ka të drejtë ta thotë atë. Në këtë roman, shkrimi është jo vetëm akt krijimi, por edhe mjet kontrolli mbi realitetin.

    Përballë kësaj, Elira kërkon një mënyrë tjetër për të qenë: jo përmes shkrimit, por përmes interpretimit, përmes trupit, përmes zërit që nuk kërkon të shkruhet, por të dëgjohet.

    Romani i Durim Taçit sfidon format tradicionale të rrëfimit dhe fton lexuesin në një përvojë ku qartësia nuk është e menjëhershme, por kërkohet reflektim dhe bashkëpjesëmarrje. Lakimi është një kontribut i rëndësishëm në letërsinë e sotme shqipe: një roman që flet jo vetëm mendjes, por edhe ndjeshmërisë, jo vetëm si estetikë, por si akt kritik ndaj mënyrës se si ndërtojmë botën përmes fjalëve.

    Në thelb, ky është një roman për të drejtën për të rrëfyer vetveten: një të drejtë që nuk i është dhënë Elirës, por që ajo përpiqet ta rimarrë, jo me mjete tradicionale, por përmes një zëri intuitiv, kritik dhe tronditës. Në këtë përpjekje, lexuesi ftohet të bëhet jo vetëm dëshmitar, por edhe pjesëmarrës në dekonstruktimin e një kulture rrëfimi të dhunshme dhe përjashtuese.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË