More
    KreuOpinionGazmend Krasniqi: Kurrikulat e letërsisë: A duhen rishikuar?

    Gazmend Krasniqi: Kurrikulat e letërsisë: A duhen rishikuar?

    1.

    Megjithëse shtrëngesat politike dhe ideologjike kanë rënë, a i paguajmë ne shqiptarët pasojat e tyre në lexim? Çështja kryesore që na paraqitet në një temë të tillë, është: si ta kuptojmë pyetjen “Si të lexojmë”. Sigurisht, kjo parakupton sqarimin e vazhdueshëm të terminologjisë me të cilën operohet. Që do të thotë: kur kalojmë nga perspektiva e prodhimit – retorika na mësonte si të shkruajmë – te ajo e perceptimit – perspektiva e historisë letrare na mëson si të lexojmë – rritet largësia mes veprës e botës për të cilën ajo flet dhe vepron, sepse duam ta kapim atë në vetvete dhe për vetveten. Kështu, marrëdhënia me botën e jashtme zbehet e humbet. Vetëm ky argument duhej ta mbyllte diskutimin, por për t’i bërë gjërat më të qarta për të gjithë, duhet të vazhdojmë më tej.

    Pra, kur themi “poezia nuk duhet të thotë, por të jetë”, a jemi duke folur për poezinë apo poezia shqipe janë vetëm ato tekstet që na japin dorë të japim interpretime të pafundme sociologjike, deri në sociologjizëm vulgar, dhuratë nga arti sovjetik, të cilat i kanë mbipopulluar tekstet tona shkollore? Te libri i tij i dytë (1912) rilindasi Asdren shkroi: Letërsia dhe politika lindin bashkë, por më pas ndahen veç e veç, por pjesa e dytë e shprehjes mbeti gjithmonë e fshehur në tekstet tona të letërsisë. Mund të mendojmë se ai ia kishte bërë vetes pyetjen: a do të mbetet në letërsi Asdreni epigon i Naim Frashërit apo ka mundësi të japë më shumë, sa të meritojë nga Eqrem Çabej edhe cilësimin “modernist”, sepse krijuesi i mirë gjithmonë e di se, si në të gjitha fushat e artit, edhe në letërsi funksionon parimi: Kur të kërkohen vlerat… Domethënë, disa tekste, përkundër atyre të para si keqkuptime apo me rëndësi kalimtare, janë shkruar për të zënë vend “atje ku është e vështirë të hiqen qafe”.

    2.

    Po a mund të hedhim dritë për mënyrën se si ndodh ky proces? Çfarë mekanizmi e ndikon? Cilat janë disa nga hallkat e tij? Kurrikulat shkollore pritet të jenë një nga mjetet kryesore – për të mos thënë kryesori – në krijimin e shijes së leximit. Lënda e letërsisë, lexojmë në kurrikulën e klasës XII të gjimnazit (momenti kur nxënësi përgatitet të bëhet student i letërsisë ose të shkëputet nga mundësia për ta mësuar më në shkollë letërsinë), shihet e lidhur me zhvillimin historik e shoqëror, me filozofinë e kohës, por jo si mjet i thjeshtë që ilustron historinë. Letërsia shqipe do të studiohet paralelisht me letërsinë botërore duke u kushtuar vëmendje të përbashkëtave dhe dallimeve mes tyre. Në këtë mënyrë, nxënësit do të kuptojnë që letërsia shqipe nuk është një njësi e veçuar dhe e ndarë, por pjesë e pasurisë letrare botërore.

    Mirëpo rruga në të cilën i arrin gjimnazisti këto objektiva, në këtë kurrikul na duket kontradiktore. Konkretisht, aty thuhet:

    Analizon risitë që sollën shkrimtarët që ndoqën rrugën e letërsisë realiste të shekullit XIX.

    Kemi të drejtë të pyesim: si mund të gjejmë risi te shkrimtarët që ndjekin prirjen e një rruge që është zëvendësuar me një tjetër? A nuk është kjo një kërkesë sovjetike që ne e kemi përdorur në kohën e realizmit socialist, ku duhej të gjenim vetëm realizmin, por edhe ky vetëm kritik, sepse modernizmi është një e keqe borgjeze, që u bie ndesh parimeve tona marksiste – leniniste?

    Ose:

    Përcakton gjinitë dhe llojet letrare që lëvruan më shumë shkrimtarët që ndoqën prirjen realiste (Drajzer, Remark, Cvajg, Heminguej etj.)

    Kemi të drejtë të pyesim: përse duhet të përcaktojmë gjinitë dhe llojet letrare të një drejtimi letrar jashtë kohe, kur Ernest Koliqi mu në dekadën e Modernizmit të Lartë (1929) shkruan një letërsi të quajtur të ndërgjegjes, duke përdorë mjetet kryesore të modernizmit, monologun e brendshëm dhe përroin e ndërgjegjes? Kur, mu në vitet që shkëlqen Franc Kafka me Metamorfozën, Koliqi përdor në mënyrë mjeshtërore zhvendosjen moderniste psikanalitike të realiteteve, duke u rreshtuar me bashkëkohësit evropianë?

    Ose:

    Veçon dhe analizon risitë që sjell Agolli në letërsi pas viteve ’90.

    Kemi të drejtë të pyesim: a pati risi të tilla? A ngrihen ato mbi risitë që kanë sjellë shkrimtarë të tjerë? Nuk është e vështirë të biem dakord se Agolli është shembulli i shkrimtarit amplituda e të cilit nuk ka paraqitur ndonjëherë luhatje të mëdha. Risitë brenda llojit, realizmit socialist, nuk është e thënë të ngrihen në përmasat e letërsisë shqipe. Këto risi duhen matur me të të tjerëve për të parë se cilat peshojnë më shumë. Se ku është pesha e tij specifike, duhet kërkuar me kujdes, sidomos pa ngarkesa ideologjike. Në fakt, edhe pas 90 ai ka shkruar vargje të tilla si “në kokën time një mendim ka zënë vend/ si deputet ballist në parlament”, çka i turbullon ujërat për ata që mendojnë se poezia e tij e pas viteve ‘90 paraqet risi. Ata që kanë menduar kështu duhet të paraqesin argumentet e tyre. (Në fakt, risi formale kemi te romani “Komisari Memo”, ku thyhet koha narrative lineare ala William Faulkner).

    Ose:

    Interpreton, analizon, gjykon dhe vlerëson romanin “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”.

    Që do të thotë se flitet për risi të pas ’90-tës dhe sugjerohet një vepër e pas ’90-tës! Kemi të drejtë të pyesim: çfarë do të ndodhë në konceptin e gjimnazistit për letërsinë, kur, pas poetikës së modernizmit të “Metamorfozës” së Kafkës, përzierjes së ëndrrës me realen, duhet të bëjë analiza sociologjike për luftën kundër burokratizmit në shoqërinë socialiste? A nuk duket se, përkundër vetë direktivës së kurrikulës, letërsia po shihet si një mjet që ilustron historinë? Çfarë narrativash i serviren atij? Çfarë nuk shkon te një nxënës me këtë formim, i cili është kontigjenti për t’u bërë student?

    3.

    Përvoja e një mësimdhënësi na thotë se ky student i hutuar ka predispozitë  t’i vritet leximi. Gjatë një semestri të tërë ai nuk do të lexojë dot një tregim një faqe e gjysmë. Le ta ilustrojmë këtë me një tregim të Kadaresë, i cili titullohet “Para banjës”. Nxënësi/studenti është mësuar me klishetë se titulli është kyçi për të ngritur një narrativë. Në këtë mënyrë, një student që mbaron ciklin e plotë të studimeve universitare sjell këtë “lexim” që i ka bërë këtij tregimi. Sigurisht me ndihmën e GPT-së. Atij ia kanë mbushur mendjen se GPT-ja është magjia ala Harry Poter, e cila do ta shpëtojë nga kërkesa për ta lexuar një tekst, përderisa klishetë kanë qenë një shpëtim që ka funksionuar historikisht me autoritetin e shkollës (duke kujtuar titujt shpëtimtarë të poezive Fjalët e qiririt apo Vaji i bylbylit, të cilat të japin dorë të bësh komente edhe pa lexuar e shijuar tekstin).

    Rezultati gazmor i analizës së këtij tregimi që na tregon se si Klitemnestra vret Agamemnonin i cili kthehet pas 10 vjetësh nga lufta e Trojës, ku ka pasur pushtetin e kryekomandantit të ushtrive akeje, është ky: Ngjarja zhvillohet në një hapësirë të vogël e të kufizuar – jashtë një banje – ku protagonistët presin në radhë për të hyrë brenda. Situata duket e zakonshme dhe pa ndonjë ngarkesë të madhe dramatike në pamje të parë, por tensioni rritet përmes pritjes dhe ndërveprimit të personazheve. Rrëfimi fokusohet në pritjen, një veprim i thjeshtë por që në kontekstin e tregimit kthehet në një përvojë të ngarkuar me pritshmëri, dyshime dhe tension psikologjik. Ky banalitet i përditshëm përmban një ndjesi të pazakontë, një pritje që nuk është thjeshtë për të hyrë në banjë, por mund të shihet edhe metaforë për diçka më të thellë – pritjen për një ngjarje, një fat, apo një ndryshim që nuk vjen kurrë.

    Në fakt, në këtë tregim të shkruar në vitin 1990, kemi largimin nga shfaqjet e realizmit socialist apo modernizmat sporadikë, pra rënien e një epoke shkrimi e leximi për t’i bërë vend diçkaje të shkruar në liri, përkundër çdo varësie shtrënguese, që është thelbi i letërsisë postmoderniste. Kadare i njeh prirjet e letërsisë bashkëkohore dhe në një moment kyç (është viti 1990), dashje pa dashje, është ndikuar prej tyre. Ky tregim i vogël është brohoritur dhe antologjizuar në botë.  Studenti të ndjek i habitur kur përpiqesh t’ia shpjegosh gjithë këtë, edhe pse me një analizë metodike: A nuk ishte Kadareja ai që na kanë mësuar në shkollë?

    4.

    A mund ta gjejmë se ku fillon të vritet leximi? Të përpiqemi ta ilustrojmë këtë me leximin e Migjenit, me të cilin realizmi socialist e “blindoi” mësimin e letërsisë, qysh se tha që te vargu “e ndjej nga delli alegorik valën”, dielli është Bashkimi Sovjetik. Sot nuk bëhet shumë: po aq sa bëhet, si bëhet? Shihet një narrativë për Migjenin te studenti i sotëm, një narrativë që i është përcjellë nga mësuesit e klasave më të ulëta:

    Migjeni ishte i madh, sepse shkroi për mjerimin.

    Që i bie se shkrimtarët që kanë shkruar pas tij nuk janë të mëdhenj, ngaqë nuk kanë shkruar për këtë fenomen. Vazhdon ilustrimi me jetën e tij: ishte i varfër, i vuajtur dhe për të kujdeseshin motrat. Po a ka sot fëmijë të varfër, lypës apo prostituta? Ka, thonë të gjithë. Nëse mjerimi të bën të madh, përse nuk shkruajnë sot shkrimtarët për të? Nëse duam të japim jetën e tij, në fakt, Migjeni qe i sëmurë në vitet e fundit të jetës, nga sëmundja e kohës tuberkulozi, por ai ishte një djalë modern, që i pëlqente t’i binte kitarës dhe të këndonte. I pëlqente të blinte libra jashtë Shqipërisë, për të ndenjur gjithmonë në korrent me çfarë ndodhte në letërsinë bashkëkohore. 

    Migjeni shkroi poezi realiste.

    A ekziston ky term? Migjeni shkroi poezi me tema sociale. Qysh me thyerjen e mimesit, pra në kohën e romantizmit, nga ka nisur edhe lirika e rëndësishme shqipe, poezia – ndryshe nga çfarë mund të bëjë proza – nuk pasqyron (fotografon) realitetin, por jep ndjesitë e tij për të. Pra, metafora Kafshatë që s’kapërdihet asht o vlla mjerimi, nuk ka dhënë fotografinë e reales, por ndjesinë e një heroi lirik për të. Te tekstet e Koliqit, që jetonte 500m më larg, nuk kemi pamje të tilla, edhe pse e pranonte artin e Migjenit, duke i hapur vend në revistën që botonte. Është e vërtetë se Migjeni ka shkruar Kangët e mjerimit, por ai ka shkruar edhe Kangët e ringjalljes, rinisë, Perëndimit etj.

    Te disa të tjerë, mund të ketë mendime të llojit: prapë me Migjenin? Problemi nuk është asnjëherë Migjeni, por interpretimi i tij, i ngritur atëherë kur po kodifikohej realizmi socialist. Migjeni kërkon rilexim. Siç themi sot, dekonstruktim. Duhet t’i mëshohet idesë se ai dhe Koliqi janë shkrimtarë që na lidhin me modernizmin dhe avangardat. Kurrikulat kanë për detyrë t’i mëshojnë kësaj ideje, në mënyrë sa më të qartë dhe të denjë. Ndryshojnë mënyrat e shkrimit, që do të thotë edhe mënyrat e leximit. Prozat e tij poetike (Bukuria që vret, Mollë e ndalueme, Apoteoza e misrit etj.), ku zhanret janë përzier me forcë, përçojnë artin avangardist ekspresionist. Nuk bëhet më fjalë për të imituar në mënyrë strikte natyrën, për ta kopjuar atë, por për të evidentuar edhe më rolin e artistit si krijues. I sëmuri nuk është më vetëm ai individ që vuan, por konvertohet në vetë sëmundjen, në trupin e tij tejshihet dhimbja e mbarë krijimit dhe zbret mëshira e krijuesit. Pra, murgesha e Migjenit nuk është murgesha Mari apo Kristinë, që i kemi takuar një ditë dhe i njohim mirë, por murgesha në përgjithësi, si figurë njerëzore dhe religjioze. Punëtori i papunë nuk është punëtori X që e kemi takuar një ditë, por figura e punëtorit të papunë në përgjithësi. Malësori i apoteozës së misrit nuk është malësori që e kemi takuar një ditë dhe e njohim, por malësori i kësaj apoteoze në përgjithësi. Kjo është platforma e ekspresionizmit, edhe pse ka qenë avangardë pa manifest. Por që atëherë kanë rrjedhur shumë ujëra dhe procedimet letrare kanë ndryshuar. Postmodermizmi ka sjellë, sidomos, ironinë, duke ulur nga froni kulturën “e lartë”, duke e përzier këtë me kulturën “e ulët”. Pra, edhe pse mjerimi mbetet i njëjti, drejtimet letrare ndryshojnë me qasjet e tyre dhe Migjeni nuk përsëritet. Dhe nuk bëhet më model shkrimi.

    Që të kuptohemi drejt, Migjeni është realist vetëm në 4-5 tregime, por edhe aty nuk është konsekuent nga pikëpamja e stilit. Për shembull, në tregimin Studenti në shtëpi, kemi ndërkallje autoriale të cilat nuk janë të stilit realist. Ai largohet nga përshkrimi dhe përpiqet ta ngrejë realizmin në një stad tjetër, kur thotë: Nderi i shoqnisë asht i pacenueshëm. I mjeri ai i cili provon ta cenojë. Së paku, kështu ngjan për faqe. Mos të gërdhishtet, mos të prishet lustra e shoqnisë së qytetit tonë. Të shkëlqejë lustra e marrëdhënieve tona të përditshme me shoqi – shoqin, të shkëlqejë si këpuca e lustrueme në baltë. E pse një grue, tue fjetë me burrin e vet plak dhe idiot, vuen dhe mendon për një tjetër, s’ka gja. Pranë burrit të pamashkulli, merr fshehtas një tjetër që ta përkëdheli, prap s’ka gja

    5.

    Përveç modernizmit, është edhe postmodernizmi që nuk ka gjetur vend për nxënësin e klasës XII. Te gjimnazistët që lexojnë letërsi të kohës, por sidomos shohin filma, të cilat nuk i lidhin dot me atë që u është mësuar, mund ta mendojmë se Shqipëria nuk u duket “botë”: gjëja më e trishtueshme që mund të mendojmë. Pra, “bota” është tjetër gjë dhe “Shqipëria” tjetër, sot kur trumbetohet me të madhe se bota është një fshat global dhe vërshimin e informacionit e të kulturave nuk e pengon asgjë. Pra, “arti” i botës është art, ndërsa ky yni është vetëm për të na mërzitur shkollën dhe për të na prishur notën në provimin e maturës! Edhe studentët rishtarë anglo-amerikanë mund të mos dinë shumë për poemën “Tokë e shkretë” të Thomas Eliot-it, po kur ata shohin kërcimet jolineare nëpërmjet skenave të filmit Pulp Fiction të Quentin Tarantino-s, u bëhet e qartë se kjo e ka burimin te ai modernizëm eliotian.

    Ideja është se kemi faza të vonuara në letërsinë tonë, megjithatë jo të djegura, pasi letërsia jonë është në rezonancë me letërsinë botërore, edhe pse në një progresion të caktuar historiko-kulturor, por vazhdon të vuajë nga interpretimi. Vazhdojmë t’i studiojmë të shkëputura periudhat letrare, pa koherencën që i karakterizon ato. Nuk e kemi bërë të qartë se çfarë do të thotë të shkruash pas De Radës apo Naim Frashërit, Poradecit apo Migjenit, Gaspër Palit apo Martin Camajt, Koliqit apo Kutelit, Kadaresë apo Rreshpjes, Anton Pashkut apo Azem Shkrelit. Apo, shkurt, çfarë do të thotë të ndërtosh kanone, të cilat e thjeshtojnë sistematizimin e letërsisë dhe, rrjedhimisht, leximin e saj. Teoria letrare moderne ka bërë sovran lexuesin (aq sa të zgjojë shqetësimin e Umberto Eco-s për rënien në mbiinterpretim), duke tërhequr vëmendjen e plotë ndaj tekstit, shenjave të tij dhe nga kërkimi i këtij akti komunikimi, për shembull, poezia noliane Marrshi i Barabajt zbulon pasuri të mëdha stilistike, çështje të ritmit e të diksionit, sa të marrin një orë mësimi, saqë kur i thua nxënësit (studentit) se gjeneza e saj tregon për një denigrim politik, nuk paraqet fare interes: ai ka mësuar të lexojë. Leximi i kujdesshëm i poezisë së realizmit socialist dhe i asaj të Rreshpjes së viteve 90, do të na jepte shumë ide për kthimin në natyrën e vërtetë të poezisë, se si na tërheq ajo vëmendjen me organizimin e veçantë gjuhësor.

    Kujtojmë se Byron-i i adhuruar nga Goethe dhe romantikë të tjerë, shikohet ndryshe nga brezi i Eliot-it, i cili, pasi ia lavdëron aftësinë për të rrëfyer, thotë se nuk i shton gjë gjuhës, nuk zbulon asgjë te tingulli, nuk zhvillon asgjë në kuptimin e fjalëve individuale. Eliot-i shton se, kur poeti përfiton një masë të gjerë adhuruesish për një kohë të shkurtër, është rast mjaft i dyshimtë, sepse na shtyn të frikësohemi që ai nuk po bën diçka të re, vetëm se po u ofron njerëzve atë me të cilën jemi mësuar, pra atë që e kanë pasur nga poetët e brezit të kaluar. Jo më kot shumë receptime të gabuara të kohës së sotme janë të lidhura me periudhën më të afërt, krijimtarinë e realizmit socialist.

    Ndalesa qe klasa XII, si pikë kyçe, por për të thënë se gjithçka fillon me klasat më të ulëta, kur vetë lexuesi është një “fletë e bardhë” dhe shoqëria (demokratike) ka një përgjegjësi. Kujtojmë se poezia në shekullin XXI është e kudondodhur dhe çuditërisht periferike. Vargjet shfaqen në muret e metrosë, recitohen në raste të rëndësishme dhe shërbehen me shkronja gjigante në mediat sociale, por rrallëherë ato meritojnë një rishikim libri ose një pozicion në listat e leximit të fundvitit. Megjithatë, mediumi evoluon edhe kur nuk është në qendër të vëmendjes. Në mënyrë të ndërsjellë, evoluon mendimi letrar. Rrjedhimisht, edhe kurrikulat. Kënaqësia e leximit nuk është një kërkesë shkolle por jete. Shijimi i artit letrar i hap rrugë shijimit të të gjithë arteve, pa të cilat jeta nuk është mjaftueshëm jetë. Dhe ne duhet ta vlerësojmë këtë. Nesër do të jetë vonë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË