More
    KreuLetërsiBibliotekë“Gardalina”, poezi nga Shpresa Kapisyzi

    “Gardalina”, poezi nga Shpresa Kapisyzi

    Herë-herë një shenjë…

    Një shenjë e gjatë, e thellë
    në të majtë
    përshkon gjoksin tim,
    si shtrati i tharë i një lumi,
    pa jetë, pa gurgullimë…
    Një vijë e shtrembër,
    e pasigurt, tanë grremça
    në lëkurë.

    Dikur, aty, së pari
    me bulëza rozë, fryrë nga limfa,
    kish lulëzuar pranvera,
    pranvera rebele e trupit tim.

    Po ty të kam kaq pranë,
    më sheh në sy, humb,
     thellë më sheh.

    Si shteg fshehur mes gjelbërimit,
    plot jetë,
    shndërrohet shenja e gjatë, e thellë.
    Gazmueshëm,
    si vizatimet e para të fëmijëve,
    herë-herë…


    Shegët e egra

    Lulëzuan shegët
    në kodrat përreth Lezhës,
    krejt papritur,
    si zjarre të vegjël digjen, digjen…
    Dje nuk i pashë, nuk ishin.
    A thua mua më pritën?!

    Vjet u vonova, kish shkuar aq kohë.
    Më thirri, më çoi lajm me erën
    Lezha…
    Çarë nga malli
    ndër degë më prisnin
    shegët e egra…


    U vocërrove, nanë…

    U vocërrove,
    sa shumë u vocërrove, nanë!
    Sa nji dramcë.
    E unë kisha frikë
    mos të të merrnin zogjtë
    si në përrallën me Hirushen
    e humbja rrugë.
    Ti sa nji dramcë,
    përherë në ballkon
    prisje të kthehesha unë.
    A thue se vija
    nga një pyll i frikshëm,
    pa shtigje,
    i dendur me drurë.


    Peizazh

    Si varg perlash në qiell
    pulëbardhat në fluturim.
    Oh, vetëtimthi, në çast
    vargu këputet,
    mbi det shpërndahen vrik,
    mes dallgësh humbin.
    Duken e zhduken perlat
    Si trëndafilë.


    Në kafene

    U ngritën nga kafeneja.
    Ai pagoi.
    Ajo nxori pasqyrën,
    të kuqin,
    leu buzët,
    i buzëqeshi vetes mençurisht
    në pasqyrë,
    u ngrit gjithë ledhe dhe iku.

    Ish aq e bukur!
    Vallëzonte ajri përreth.
    Shigjeta vështrimesh
    kryqëzoheshin,
    u derdhën mbi të
    tek largohej ashtu, haplehtë…

    Veç grate në tavolinat pranë
    me qeshje të shtirur në fytyrë
    tinëzisht vështrimin hidhnin
    mbi burrat e tyre.


    Gardalina

    Kur iku gardalina nga kafazi
    qau nipi me lot e zë sa kish.

    Të nesërmen papritmas u kthye
     e gëzueshëm këndonte 
    në kafaz mbyllë.

    Me lot të nxehtë atëherë 
    nën zë qava unë…


    Ç’lule do të mbijnë?

    Nuk e di ç›lule 
    do të mbijnë në kafkën time,
    po unë do të rilind përsëri.
    Ndoshta karafilë të qytetit tim,
    në kraharor ndoshta luleborë,
    e në shtyllën e kurrizit
    do të më kacavirret
    një lulevilë.
    Do të rilind, do të rilind
    me mallin 
    për gjithçka desha në jetë
    deri në ditën e fundme.
    që do jetë, e ndiej
    një ditë plot diell…


    Ti grua, që shetisje buzë detit

    Ti grua, që shetisje buzë detit
    me fund të kuq
    si tulipan i sapoçelur
    shumë të deshi dikush dikur.

    Tash buzë detrash të huaj
    të rrahin erërat,
    e me retë trishtuar derdh lotë.
    Netëve pa një xixëllimë.
    si drejt farit në brigje të huaj,
    rrugën kërkon dashuria 
    e përsëri humb, humb…

    Mbas kaq të largëtish vite
    ty, grua të bukur me fund të kuq
    të kujtoj, me dhimbje të kujtoj
    sa shumë të dashuroi dikush dikur!


    Ku ishin miqtë

    Ish një kohë
    kur greminën shihja nën këmbët e mija
    Nga pas më shtynin
    e më hidhnin gurë.
    Shihja vendin ku do bija.
    Një buzëqeshje, veç një buzëqeshje
    më ktheu nga ajo rrugë.

    O zot, ku ishin miqtë?!
    Atë që më buzëqeshi
    atë çast të vështirë
    nuk e njihja
    nuk e kisha patur mik…


    kur veson fushave

    kur veson fushave,
    ndodh të ndjej vesën të bjerë
    dhe në trupin tim të ngrohtë
    rrëzëllitëse e bukur, kristal.

    Zogj të vegjël guvash çuçurijnë,
    breda meje,
    nën çarçafët e bardhë.


    Në ikje

    Kur unë të iki
    mbi komodinë do të mbeten
    një libër gjysmë i hapur
    dhe syzet plus tre.

    Cili varg do të më përcjellë?

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË