More
    KreuLetërsiBibliotekëGabriel García Márquez: Përse dymbëdhjetë, përse tregime dhe përse pelegrine

    Gabriel García Márquez: Përse dymbëdhjetë, përse tregime dhe përse pelegrine

    Përktheu nga origjinali Mira Meksi

    Dymbëdhjetë tregimet e këtij libri u shkruan përgjatë tetëmbëdhjetë viteve të fundit. Përpara se të kishin formën që kanë sot, pesë prej tyre kanë qenë shënime gazetareske dhe skenarë filmi, ndërsa njëri serial televiziv. Një tjetër e rrëfeva përpara pesëmbëdhjetë vjetësh, në një intervistë të regjistruar, dhe miku, të cilit ia tregova, e hodhi në letër dhe e botoi; tani e shkrova nga e para, duke u nisur nga ky variant. Ishte një përvojë e rrallë krijuese, e cila meriton të shpjegohet, qoftë edhe vetëm që fëmijët, të cilët duan të bëhen shkrimtarë në të ardhmen, ta dinë që tani se sa i panginjur dhe gërryes është vesi i të shkruarit.

    Ideja e parë më erdhi në mendje në fillim të viteve shtatëdhjetë, nga një ëndërr që pashë në krye të pesë vjetëve që po jetoja në Barcelonë dhe që më ndriçoi mendjen. Pashë në ëndërr sikur ndodhesha në varrimin tim, më këmbë, duke ecur mes një grupi miqsh të veshur me petka solemne zie, por zemërgëzuar. Të gjithë ishim të lumtur që ndodheshim bashkë. Dhe unë më shumë se të tjerët, nga ai rast fatlum që po më jepte vdekja për të qenë me miqtë e mi të Amerikës Latine, me ata më të vjetrit, më të dashurit, ata që kisha kohë pa i parë. Në fund të ceremonisë, kur zunë të largoheshin, unë bëra t’u veja pas, por njëri prej tyre ma bëri të qartë, me një ashpërsi të prerë, se për mua festa kishte mbaruar. “Je i vetmi që s’mund të largohesh” më tha. Vetëm atëherë e kuptova se të vdisje do të thoshte të mos ishe më kurrë me miqtë.

    Nuk di përse, atë ëndërr të rrallë e interpretova si një ndërgjegjësim për identitetin tim dhe mendova se ishte një pikënisje e mirë për të shkruar mbi çuditë që u bëjnë vaki latino-amerikanëve në Europë. Ishte një zbulim ngushëllimtar, sepse para pak kohësh kisha mbaruar Vjeshtën e Patriarkut, e cila ishte puna ime më e vështirë dhe më e çartuar, e nuk po gjeja rrugë për të vazhduar më tej.

    Dy vjet me radhë mbajta shënime për temat që më vinin në mendje, pa vendosur ende se ç’mund të bëja me to. Meqë nuk më ndodhej në shtëpi asnjë bllok shënimesh natën kur vendosa të filloja, bijtë e mi më dhanë një fletore shkolle. Ata vetë e ruanin në çantën e librave gjatë udhëtimeve tona të shpeshta, nga frika se mos humbiste. Arrita të mblidhja gjashtëdhjetë e katër tema të pajisura me aq shumë hollësira, sa s’më mbetej veç t’i shkruaja.

    Ndodhi në Meksikë, kur u ktheva nga Barcelonë, më 1974, që u qartësova se ky libër nuk kishte për të qenë roman, siç më ishte dukur në fillim, por një përmbledhje tregimesh të shkurtra të bazuara në fakte gazetareske, por që dinakëritë e poezisë do t’i shëlbonin prej natyrës së tyre të vdekshme. Deri asokohe kisha shkruar tre libra me tregime. Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk ishte ngjizur apo zgjidhur si një i tërë, porse ishte një pjesë e pavarur dhe e rastësishme. Kështu që procesi i shkrimit të të gjashtëdhjetë e katër tregimeve mund të ishte një aventurë e mahnitshme, nëse arrija t’i shkruaja me një frymë dhe me një unitet të brendshëm toni dhe stili, që t’i bënte të pandashëm në kujtesën e lexuesit.

    Dy të parët – Gjurmët e gjakut tënd në dëborë dhe Vera e zonjës Forbes -i shkrova më 1976 dhe i botova menjëherë në suplementet letrare të shumë vendeve. Pa u mbushur mirë me frymë, në mes të tregimit të tretë, i cili ishte pa dyshim ai i varrimit tim, ndjeva se po lodhesha shumë më tepër se me një roman. E njëjta gjë më ndodhi edhe me të katërtin. Aq sa s’më mbeti më frymë për ta përfunduar. Tani e di psenë: mundi për të shkruar një tregim të shkurtër është po aq intensiv sa mundi për të nisur një roman. Sepse në paragrafin e parë të romanit duhet të kesh përcaktuar gjithçka: strukturën, tonin, stilin, ritmin, gjatësinë dhe herë-herë deri edhe karakterin e ndonjë personazhi. Ç’vjen më pas është kënaqësia e të shkruarit, gjëja më intime dhe më e vetmuar, dhe, nëse nuk mbetemi tërë jetën duke korrigjuar librin, kjo ndodh sepse po ai rigorozitet i çeliktë që duhet për ta filluar, të imponohet edhe për ta mbaruar veprën. Përkundrazi, tregimi nuk ka as fillim e as fund: ai ngjit ose nuk ngjit. E kur nuk ngjit, përvoja jote dhe e të tjerëve tregon se është më e shëndetshme ta nisësh prapë nga e para, nëpër një udhë tjetër, ose ta flakësh në kosh. Dikush, që nuk më kujtohet, e ka thënë mirë një frazë ngushëllimtare: “Një shkrimtar vlen më tepër për atë që gris, se për atë që boton”. Sigurisht, nuk i grisa skicimet dhe shënimet, por bëra diçka edhe më të keqe: i lashë në harresë.

    Më kujtohet që e kisha fletoren mbi tryezën time të shkrimit në Meksiko, si një anije e mbytur në një stuhi letrurinash, deri në vitin 1978. Një ditë, tek kërkoja tjetër gjë, i rashë më të se nuk ma kishin parë sytë prej kohësh. Nuk e vrava mendjen. Por, kur u binda se me të vërtetë nuk ndodhej mbi tryezë, më zuri një krizë paniku. Nuk mbeti qoshe e shtëpisë pa u kthyer përmbys. Lëvizëm orenditë, çmontuam bibliotekën për të qenë të sigurt se nuk kishte rënë prapa librave, derisa vumë nën një kontroll të pafalshëm shërbëtorët dhe miqtë. S’i kishte mbetur as nami as nishani. I vetmi shpjegim i mundshëm – apo i besueshëm? – ishte që në një nga ato shfarosjet e letrurinave që bëj shpesh, të ketë shkuar edhe fletorja në koshin e plehrave.

    Vetë reagimi im më çuditi: temat që i kisha harrur për gati katër vjet m’u kthyen në një çështje nderi. Duke u rrekur t’i fitoja sërish e me çdo kusht, me një punë që ishte po aq e vështirë sa edhe vetë shkrimi i tyre, arrita të ngrija në këmbë shënimet për tridhjetë tema. Meqë vetë mundi që derdha për t’i kujtuar më shërbeu si spastrim, nisa t’i përjashtoja pa zemër ato që më dukeshin pa shpëtim, dhe kështu mbetën tetëmbëdhjetë. Kësaj here më motivonte vendimi që të vazhdoja t’i shkruaja pa pushim, por shpejt e kuptova se e kisha humbur entuziazmin. Megjithatë, ndryshe nga ajo që shpesh u pata këshilluar shkrimtarëve të rinj, nuk i hodha në plehra, por i arkivova. Se nuk i dihej.

    Kur nisa Kronika e një vdekje të shpallur, më 1979, u binda se në pauzat ndërmjet dy librave humbisja zakonin e të shkruarit, dhe gjithsaherë e kisha më të vështirë për të filluar sërish. Prandaj, që nga tetori i 1980 e deri në mars 1984, i vura detyrë vetes të shkruaja nga një shënim javor nëpër gazetat e vendeve të ndryshme, si gjimnastikë për të mbajtur krahun në punë. Atëherë mendova se konflikti im me shënimet e fletores vazhdonte të ishte ai i gjinisë letrare, dhe se në të vërtetë ato s’duhet të ishin tregime, por shkrime gazetareske. Vetëm se pasi botova pesë shkrime të nxjerra nga fletorja, ndërrova mendje: shkonin më mirë për film. Kështu dolën në dritë pesë filma dhe një serial televiziv.

    Ajo që nuk e parashikova kurrë ishte se puna gazetareske apo ajo kinematografike mund të më ndryshonin disa ide mbi tregimet, deri në atë pikë, sa tani që po i shkruaj në formën e tyre përfundimtare më është dashur të kujdesem për t’i ndarë me piskatore idetë e mia nga ato që futën regjisorët gjatë shkrimit të skenarëve. Veç kësaj, bashkëpunimi i njëkohshëm me pesë krijues të ndryshëm më sugjeroi një tjetër metodë për të shkruar tregimet: e filloja njërin kur kisha kohë të lirë, e lija kur ndihesha i lodhur apo kur më dilte ndonjë projekt i paparashikuar, dhe pastaj filloja një tjetër. Në më pak se një vit, gjashtë nga tetëmbëdhjetë temat përfunduan në koshin e letrave dhe midis tyre edhe ajo e varrimit tim, sepse asnjëherë nuk arrita ta krijoja siç duhej atmosferën festive të ëndrrës. Tregimet që mbetën, përkundrazi, sikur zunë të merrnin frymë për të pasur një jetë të gjatë.

    Janë dymbëdhjetë tregimet e këtij libri. Shtatorin e kaluar u bënë gati për shtyp pas një pune me ndërprerje, që mori dhe dy vjet të tjerë. Dhe kështu do të kishte marrë fund pelegrinazhi i tyre i pandërprerë i vajtje-ardhjes në koshin e letrave, sikur në orën e fundit të mos më kishte brejtur një dyshim final. Meqë qytetet e ndryshme të Europës, ku ndodhin ngjarjet e tregimeve, i kisha përshkruar vetëm nga mbresat dhe në largësi, desha të provoja besnikërinë e kujtimeve të mia pothuaj njëzet vjet më vonë, dhe kështu ndërmora një udhëtim të shpejtë rinjohjeje në Barcelonë, Gjenevë, Romë e Paris.

    Asnjë nga këto qytete nuk kishte tani asgjë të përbashkët me kujtimet e mia. Të gjitha, ashtu si Europa e sotme, ishin firuar nga një përmbysje e frikshme: kujtimet e vërteta më ngjanin fantazma të memories, ndërsa kujtimet e rreme ishin aq bindëse, sa kishin zëvendësuar realitetin. Kështu që ishte e pamundur të dallohej vija që ndante zhgënjimin nga nostalgjia. Ishte zgjidhja përfundimtare. Sepse, më në fund, kisha gjetur atë që më mungonte më tepër për ta mbaruar librin dhe që mund të ma jepte vetëm rrjedhja e viteve: një perspektivë në kohë.

    Kur u ktheva nga ai udhëtim aventuror, i rishkrova edhe një herë të gjitha tregimet që nga fillimi gjatë tetë muajve të ethshëm, ku s’pata nevojë të pyesja veten se ku mbaronte jeta dhe ku fillonte imagjinata, sepse më ndihmonte dyshimi se ndoshta nuk ishte e vërtetë asgjë nga ato që pata jetuar përpara njëzet vjetësh në Europë. Shkrimi m’u bë atëherë aq i rrjedhshëm, sa kishte çaste kur e ndieja se po shkruaja vetëm nga kënaqësia e të rrëfyerit dhe që ndoshta është gjendja njerëzore që i ngjet më tepër qëndrimit pezull në ajër. Veç kësaj, duke i punuar të gjitha tregimet njëherësh dhe duke u hedhur fare lirshëm, sa nga njëri te tjetri, arrita të krijoja një vizion panoramik, i cili më shpëtoi nga lodhja e fillimeve të njëpasnjëshme dhe më ndihmoi të shmang përsëritje të kota dhe kontradikta vdekjeprurëse. Besoj se me këtë libër tregimesh kam arritur të jem më pranë atij që kam dashur përherë të shkruaj.

    Ja ku është këtu, gati për t’u shpënë në tryezë pas tërë atyre ecejakeve, duke u përleshur për të mbijetuar me perversitetet e pasigurisë. Të gjitha tregimet, përveç dy të parëve, mbaruan në të njëjtën kohë dhe secili prej tyre mban datën kur e fillova. Radha, në të cilën ndodhen në këtë botim, është ajo që kishin në fletoren e shënimeve.

    Gjithmonë kam menduar se çdo variant i ri i një tregimi është më i mirë se i pari. Si mund ta marr vesh se cili duhet të jetë i fundit? Është një e fshehtë zanati, që nuk u bindet ligjeve të inteligjencës, por magjisë së instinkteve, njëlloj siç e merr vesh amvisa se kur është gati supa. Gjithsesi, për hir të dyshimeve, nuk do t’i kthehem sërish leximit të librit, ashtu siç nuk i jam kthyer kurrë leximit të librave të mi, nga frika se mos pendohesha. Ai që do t’i lexojë, di tashmë se ç’të bëjë me to. Për fat, për këto dymbëdhjetë tregime pelegrine, prehja në koshin e letrave duhet të jetë si një rikthim i lumtur në shtëpi.                                                                                                                                      

      Cartagena de Indias, prill 1992.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË