More
    KreuLetërsiBibliotekë"Fusha e klandestinëve", fragment romani nga Liridon Mulaj

    “Fusha e klandestinëve”, fragment romani nga Liridon Mulaj

    Jeta ime e deritanishme përmblidhet në fjalën ZHGËNJIM. Braktisa fakultetin e drejtësisë në vitin e fundit, atëherë kur u vetëdijësova, si është të studiosh drejtësi në një sistem të padrejtë. Më kujtohet dita e parë, i ulur në karriget e auditorit kur profesori i lëndës “Parimet e shtetit dhe së drejtës” po na pyeste me radhë, se përse kishim zgjedhur këtë degë. Nuk i mbaj mend mirë përgjigjet e studentëve tjerë, por më kujtohet kur më erdhi radha mua të përgjigjesha. “Nuk e di”, thashë pas një pauze të vogël, dhe klasa ia plasi të qeshurës. Ngulmova se vërtetë nuk e dija, pavarësisht se ngjante paksa absurde. Profesori qeshi dhe nisi shpjegimin e lëndës, ndërsa mua më kaluan në mendje të gjitha rastet e padrejtësive, që kisha dëgjuar përgjatë jetës sime. Para disa vitesh tentova të emigroja. Mamaja pagoi kursimet e një jete për të ma plotësuar kërkesën, dhe një ditë të bukur pranvere, u nisa së bashku me një shoqërues drejt skajit të jugut, në qytetin kufitar. Udhëtuam gjashtë orë me furgon. Nëpër errësirën e natës, ngjitëm kodrinën që ndante dy shtetet. Pas një ore ecjeje kaluam tek një fshat i humbur, ku një qen i stërmadh stanesh desh na shqeu. Ngjitëm një shpatore mali të thepisur, rrugëtuam nëpër udhë të ngushta, nëpër rrugë të gjera të pashtruara, ku shpesh vërenim shenjat e gomave të makinave të ushtrisë. Cigare dhe pije të hedhura përtokë në vendpushime të caktuara pa ndonjë marrëveshje, por thjesht si gjurmë të klandestinëve që ndiqnin hapat e njëri-tjetrit. Ndaluam nën një korije për të pushuar, dhe hëngrëm bukën me djathë e hudhra që kishim marrë me vete. Shoqëruesi ndezi një cigare, ndërsa unë u mbështeta pas një lisi dhe kundrova kodrat matanë korijes. Nuk ndihej asnjë zhurmë gjallese, qetësi të tillë nuk kisha përjetuar kurrë. Era e freskët mbështillej pas flokëve të mia dhe unë vazhdoja të shikoja me habi atë çka më shfaqej përpara nga ai vend i huaj. Më ndodhte gjithmonë, kur përjetoja ndjesi të reja dhe të largëta, kur shpirti gjente paksa qetësi e trupi prehej nën pishat e njoma. Doja të jetoja aty të gjithë pjesën e mbetur të jetës (kjo dëshirë vinte si efekt i një jete të zhurmshme) në paqen e asaj rrafshine të huaj me erë e kodra, vetmi dhe errësirë. I kredhur në kujtime, dëgjova zërin e shoqëruesit që më lajmëroi të vazhdonim pa zbar-dhur. Drita do na zbulonte dhe udhëtimi ynë do rrezikohej. Ecëm rreth dy orë të tjera, derisa në të gdhirë, arritëm në fushën e gjerë rrethuar me pyll pishash, ku stacioni i fundit i këmbësorisë klandestine zhvishte lëkurën, për të veshur një tjetër lëkurë, atë të shpresës e mallit, vetëdijes e harresës. Rrobat e hedhura në të, ngjanin me një qilim të zymtë, të punuar keqazi; pantallona të zeza e të grisura te gjunjtë, me këmbëza të ngrëna nga gurët e rrugës së gjatë; mbi të një bluzë e verdhë me krahë të shkurtër, si për të çdramatizuar atë “varr masiv’’ rrobash; dy këpucë të grisura e me sholla të dala si gjuhëza dragonjsh, mbuluar nga pluhuri i braktisjes. Sytë më shkuan mbi degën e një lisi aty pranë, ku vareshin krahët e një këmishe rozë me lule bojëqielli e me mbërtheçka metalike të ndryshkura. Ishte këmishë femrash për mosha të reja dhe vetvetiu më lindi pyetja. Çfarë donte një femër deri në këtë majë mali të huaj, kaq larg vendit saj? Për një copë herë imagjinova sytë e saj, flokët, ç’ngjyrë të ishin vallë? Femër fatkeqe mendova, por edhe e guximshme, nga ato lloj femrash që nuk pranojnë t’i nënshtrohen fatit të keq, dhe nisen me guxim në zemër drejt udhëve të botës në kërkim të një fati më të mirë. Kishte ndërmarrë rreziqe jo të zakonshme, për vetë faktin se brishtësia ende mbizotëronte mbi pjekurinë. Përfytyroja një krijesë engjëllore me lëkurë të butë, sy të mëdhenj ngjyrë deti e flokë si re të pambukta që ndriçoheshin nga rrezet e diellit. Ku të ndodhej vallë tani? Ka mundur të mbërrijë në destinacionin e saj? Mbase është martuar, ka lindur fëmijë dhe është e lumtur në jetën e saj të re. Ndoshta nuk do ta kujtojë më rrugëtimin e saj dhe këmishën e varur mbi degë. Ose e mendon vagullt ndonjëherë dhe mundohet ta harrojë sa më shpejt, thjesht si kujtim i hidhur. Ky ishte vendi im, vala e fatkeqësisë nuk kursente as gratë, madje as fëmijët. Përgjatë fushës pashë dhe rroba të vogla. Xhupa të grisur me kapuçë, copa fanellatash nga ato që mbështillen foshnjat. Pelena të fëlliqura, biberonë të pluhurosur, kukulla të gjymtuara, të hedhura pa mëshirë në atë hapësirë të pafund. Si ato gjërat e tepërta që e dimë mirë, që edhe pse na përkasin, do bënim dhe pa to, dhe se në udhëtime të detyruara si këto, ishin barrë e panevojshme.

    Ndjeva këmbët e çdonjërit prej atyre që kishin hedhur rrobat në atë fushë tek shkelnin rrugëve të panjohura, të rrahurat e zemrave, sytë e mbetur atje tej në atdhe, në flokët e gruas, në buzët e të dashurave apo dhe në varret e reja. Ajo fushë ishte caku ku klandestinët hiqnin rrobat e “zisë” që vendi i tyre u kishte veshur dhe vishnin rrobat e reja, lanin fytyrën në kroin aty afër dhe niseshin me shpresë se policia dhe ushtria nuk do i njihte si të huaj. Sa e sa të rinj, kishin rënë në kthetrat e ushtrisë, jo se hijeshia dhe nuri i një evropiani u mungonte, por se dhimbja dhe zija e një vendi të shkretë e ravijëzuar në portret i tradhëtonte dhe ua vishte në padijeni maskën e trishtë të së shkuarës. Nxora dhe unë rrobat e reja nga çanta që kisha me vete dhe u mundova të shtrija me dorë rrudhat e xhinseve dhe të bluzës. Hoqa të vjetrat, i hodha në një cep të livadhit dhe në atë moment më ngjau sikur ëndrrat e mia u përzien me ato të të tjerëve, dhe fatet tona u lidhën pashmangshmërisht. Lava fytyrën. U nisëm drejt fshatit të vogël që shtrihej nën këmbët e kodrinës. Aty gjendej stacioni i autobusit, që do na shpinte në destinacionin tonë. Ecja në rrugën e gjerë të atij fshati të vogël, me shtëpi të bukura të vëna në radhë si në vizatimet e fëmijërisë. Fëmijët luanin në oborre, dhe britma gëzimi në gjuhën e tyre më vinin të huaja e të pakuptimta. Semaforët fikeshin dhe ndizeshin, duke përcjellë me ceremoni makinat e pakta që qarkullonin në rrugë. Krahasova atë fshat malor të thellë me fshatrat e vendit tim, dhe ndjeva të më sëmbonte në zemër, kur më kujtoheshin sakrificat për të mbijetuar. Ne ishim të pabarabartë, dhe vetëm një vijë kufiri ndante mjerimin nga mirëqenia. Dhe ne përveç mjerimit s’kishim as fat. Sapo iu afruam stacionit, dy makina të policisë na ndaluan te këmbët, na kërkuan dokumentet dhe kur e panë se nuk reaguam, na plandosën në pjesën e pasme të xhipave. Pas rreth tridhjetë minutash, u gjendem në komisariatin lokal, ku na hoqën lidhëset e këpucëve, na morën çantat dhe së bashku me katër policë që na shoqëronin, zbritëm shkallët që ishin gati dy kate nëntokë. Hymë në një korridor të errët, ku në fundin e tij gjendej qelia. Kyçet që po hapeshin, ushtuan në qetësinë e ftohtë, dhe e pamë veten brenda hekurave, në një dhomë rreth njëzet metra të gjatë e me të huaj që ishin shtrirë mbi krevate betoni të ngjeshur rrëzë murit. Kishim shtangur dhe nuk dinim ç’të bënim, as sesi të reagonim, kur një dorë nga fundi, që doli nga poshtë çarçafit, na bëri me shenjë të shkonim drejt saj. U nisëm drejt asaj dore misterioze me lëkurë të errët, ndërkohë sy të bardhë na vrojtonin nga poshtë batanijeve. Dora misterioze kishte qëllime miqësore, duke na orientuar drejt një krevati bosh, që ishte rrëzë murit në fundin e asaj dhome të tmerrshme. Zumë vend në krevat dhe u shtrimë mbi beton në errësirë, dritat e fikura rrethonin me mister atë dhomë të stërmadhe me të huaj. Me sytë e ngulur në asgjënë e errësirës mendova për mamanë, për dhomën, për lagështirën. Vallë çfarë ishte duke bërë në këto çaste? Paratë e saj kishin shkuar dëm, unë isha kapur dhe më priste riatdhesimi. Po në cilin atdhe? Pyesja veten, dhe mendja flatronte skajeve të atij DHEU pa ATË. Me këto mendime më kishte zënë gjumi. U zgjova vetëm kur u ndezën dritat, dhe bashkë me dhomën u ndriçuan dhe fytyrat e huaja, misterioze. Një dorë më preku supin. Kur u ktheva pashë se një nga të huajt mbante në pëllëmbë një copë buke të lyer me gjalpë dhe më thoshte në anglisht “Eat”. Ishte po e njëjta dorë, që na kishte drejtuar në momentin e hyrjes në qeli. Tunda kokën me refuzim, ndërkohë pashë shoqëruesin tim që çapitej me një copë buke të njëjtë në duar. E mora bukën dhe e kafshova lehtë. Nuk më hahej, por nuk e refuzova për së dyti sepse s’doja të lija përshtypje të keqe që në takim të parë. Filluam të bisedonim me një anglishte të çalë. Ata vinin nga lindja e mesme, emigrantë të ikur nga lufta që mbaheshin në qelinë e paraburgimit, sepse kishin kaluar ilegalisht kufirin. Më thanë se ndiheshin të sigurtë aty dhe në krahasim me vendin nga ku kishin ardhur, aty i mbronin dhe çdo ditë u jepej një shumë e vogël parash sa për të mbijetuar. E pyeta për emrin dhe m’u përgjigj se quhej Muhamed, ishte njëzet e pesë vjeç dhe i kishin vrarë gruan dhe djalin e porsalindur. Më rrëfeu sesi vendi i tij gati po zhdukej nga harta, dhe se me mijëra të vdekur preheshin nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruara. Ndërkohë që bisedoja me Muhamedin, filluan të afroheshin një e nga një të gjithë. Në pak minuta e pashë veten të rrethuar nga portrete paqësore të ardhura nga ai cep i zjarrtë i botës, të përndjekur nga shkatërrimtarë që kishin mbirë nga tunelet e nëndheshme të ferrit. Folëm dhe biseduam deri në darkë. Hapëm shpirtin dhe kuptuam se popujt e vuajtur ishin të gjithë të njëjtë dhe se popujt në tërësi kishin vuajtur, se mirëqenia e një populli nuk duhet të ndërtohej kurrë mbi mjerimin e një populli tjetër. Se ata nuk ishin fajtorë për atë çka u kishte ndodhur, por djalli dhe fuqia e tij kishin zbarkuar në vendin e tyre duke djegur e vrarë mijëra njerëz të pafajshëm. Folëm, luajtëm me letra, qeshëm. U mësova fjalë në gjuhën time dhe ata më mësuan si të kërceja “Dabken” e tyre. Atë valle hyjnore me veprime e lëvizje të përpikta. Valle që ngërthente në trupat e tyre elastike atë histori të hareshme të shkuar, ngritur me dashuri e përkushtim. Nuk e kishim idenë e orës dhe as sensin e kohës, sepse ne të ardhurit nga dy skaje të ndryshme të botës, nga dy vende të varfër, të shkatërruar dhe mjeruar nga dora e njeriut, frymonim në bodrumet e paraburgimit të një shteti të tretë, që jetonte paqësisht mbi qelitë e ftohta të mjerimit e nënshtrimit tonë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË