Nga Behar Gjoka
Paprania fizike e shkrimtarit është një ngasje e fortë për tu marrë, vetëmse me tekstet letrare. Për krijimtarinë e gjerë letrare, e sidomos për lirikën e Frederik Rreshpes, mund të flitet hapur, pa drojën e keqkuptimit. Po ashtu, në këtë kontekst, me vlerë është marrëdhënia e letërsisë me kohën, si shkrim dhe kohë e pakohësisë, së leximit dhe verifikimit të shenjave artistike. Për të qartësuar këtë marrëdhënie, tejet të ndërlikuar, vlen sugjerimi:
Koha e veprave nuk është koha e kufizuar e të shkruarit, por koha e pafundme e të lexuarit: hapësira letrare është kujtesa e njerëzve. (Clark, 2002: 63), i Ceneth Clark pohuar në librin Qytetërimi.
Ligjërata që ka në qendër krijimtarinë letrare të autorit, veçmas të natyrës dhe vlerave që bart poezia, parashtron kërkimin e tipareve të shenjave estetike, shtjelluar në këto çështje:
Intensat shkrimore të shumëfishta.
Dykohësia e ligjërimit poetik.
Liriku i letërsisë bashkëkohore.
Rreshpja, lëvrues i lirikës së pastër.
Problematika e gjerë e secilës prej këtyre çështjeve, kërkon një hulumtim me të thelluar, si dhe të shtrirë në kohë, për të cekur dhe shqyrtuar tipologjinë e larmisë letrare, të rrokshme në dy kohë, me pikësynim për të analizuar poetikën e sendërgjuar në lavrimin e lirikës.
Intensat shkrimore të shumëfishta
Hemisferat e shkrimit letrar, në gjallje të shkrimtarit, japin dorë për të kuptuar njeriun dhe krijuesin, që ka udhëtuar nëpër dritëhije, në burgje dhe përgojime, mjerim dhe në jetën e zakonshme të bohemit, që ndërkaq ia ka mbërritur me mbijetu në shtjellat e realizmit socialist, po kaq, që ka shkruar në gegnisht në fillesat e veta, e mandej në gjuhën e njësuar. Megjithatë si pak të tjerë, të kohës së letërsisë shërbesës, ia ka mbërritur të lërë gjurmë në disa rrafshe letrare. Në krye të mëtimit për të shqiptuar vlerat e krijimtarisë së gjerë letrare të shkrimtarit, shpalohet:
1 – Poezia, e cila fytyrëzon të mbërrimet më të rëndësishme të autorit, niset me përmbledhjen “Rapsodi shqiptare” e vitit 1967, “Në këtë qytet” 1973, “Erdhi ora të vdes përsëri” më 1994, “Lirika” më 1996, dhe mbyllet me vëllimin më të plotë, “Në vetmi” në 2004. Trashëgimia poetike, është vënë në qendër të analizës së vlerave estetike që përçojnë librat e autorit.
2 – Shkrimi i prozës zë fill më “Tri përralla për fëmijë” në 1968, “Trimi i fshatit Bardhë”, “Eranda” më 1969, e cila përfshin romanin “Zëri i largët i kasolles” më 1972, ku ndeshim prozën për fëmijë dhe për të rritur, të cilat duhet të analizohen në të gjithë treguesit e vetë formësues.
3 – Tekste dramatikë, në vitin 1972 boton dramën “Ëndrra e tokës” dhe “Trofta hutaqe” më 1973, që e përmbyllin pasurinë shkrimore të botuar në gjallje të autorit, pa humbur fillin se ka gjasa të ketë dorëshkrime të tjera, jo vetëm si hamendje, që me kohë do e shohin dritën e botimit.
Proza dhe dramatika e shkrimtarit, do të jetë në vëmendje më të plotë në një moment tjetër, kryesisht për të zbërthyer kahjet ligjërimore të trashëgimisë letrare të shkrimtarit, sepse në këtë rast ligjërata ka vënë në fokus kryesor poezishkrimin. Plotënia e dëshmive shkrimore, ma tepër një përcjellje panoramike e realizuar këtu, nga njëra anë përplotëson figurën e autorit, dhe në anën tjetër, nxjerrë në një dritë tjetër, lirikën e larmisë, shenjën emblematike të Rreshpes, si një ndër autorët e rëndësishëm të letërsisë bashkëkohore. Lavrimi i poezisë në kohështrirje dhe tipologji të laryshisë shprehëse, sjellë në vëmendje momentin tjetër, po kaq thelbësore për të evidentuar shenjat letrare:
Dykohësia e shkrimit poetik
Lirika, ose shenja identifikuese estetike e Rreshpes, si lavrues i poezisë, megjithatë formësohet në dy kohë:
Fillesat e poezisë, ku përfshihen librat: “Rapsodi shqiptare” e vitit 1967, “Në këtë qytet” e vitit 1973, që në krye të herës janë shkruar në gegnisht e më vonë janë kthyer në gjuhën e njësuar, një dëshmi e ndërlidhjes me kontekstet e shkrimit letrar në gjuhën shqipe. Përmbledhjet poetik të para viteve ’90, pavarësisht vellosë së endur, ku ndërkaq zbulohet atmosfera e kohës, e shoqëruar me përllomjen ideologjike dhe sociologjike, që e pati mbërthyer letërsinë shqipe, e cila në shumicën e vatrave ligjërimore notonte në kthetrat e realizmit socialist. Megjithatë, shpesh herë në hapësirat e teksteve poetike, plazmohet fytyra e poetit që ikën nga koha e tij, ndonëse mbetet e përfshirë në ideologjemën e kohës, ku shqiptohet ama lirike.
Shqiptimi i përmasave të plota të poetit pas viteve ’90, kur hapi sirtarin e ditareve dhe të shpirtit, të ndragur në burgime dhe spiunime, tallje dhe zvetënime, si një rrethanë e shpalimit të poetit lirik. Vëllimet e botuara në këtë periudhë, si “Erdhi ora të vdes përsëri” më 1994, “Lirika” më 1996, dhe “Në vetmi” në 2004, shqiptojnë dhe përmbyllin lavrimin e poezisë prej poetit, si dhe përfaqësojnë rrafshet e lirikës së njëmendtë. Vargu, fjala, poetika e shpaluar në këto përmbledhje të mbrame të autorit, formësojnë lëvruesin unik të lirikës, në melodikë dhe sublimimin e unit poetik. Fakti i pohuar shpesh nga studimet letrare, se “ujëdhesa” kreative ma e qenësishme e F. Rreshpes, është lirika, vetiu na nxjerrë në shtjellimin e çështjes së tretë të kësaj ligjërate:
Liriku i letërsisë bashkëkohore
Lirika e Rreshpes, e lexuar në kohë dhe hapësirë, megjithëse pa ia mbërritur ende që të vendoset në meritat e shenjimit të letrar, në hartografinë zyrtare, ndonëse shpesh herë është përfolur si poet i lindur, madje poet unik, në letërsinë shqipe bashkëkohore. Mungesa e poezisë së Rreshpes në këtë hartografi të përfaqësimit të vlerave të njëmendta poetike, ka shumë shkaqe, letrare dhe jashtëletrare, të cilat nuk mundet të paraqiten këtu në të gjithë përbërësit e vetë. Megjithatë, prania ose mungesa e poetëve, të djeshëm dhe bashkëkohorë, e sidomos e teksteve letrare, përpos të tjerash, po ashtu lidhet ngushtësisht me hierarkinë letrare të projektuar në motet e realizmit socialist, që me sa duket atëherë kur u hartua, nuk e pati në llogari Rreshpen dhe veprën e tij letrare. Ndërkaq, prej tridhjetë vitesh, koha kur ka rënë sistemi dhe modeli zyrtar, porse mjerisht hierarkia e vlerave letrare, tashmë e ngurtësuar, është vepruese si dikur, madje rikthimi dhe vlerësimi, gjithnjë jashtë hierarkisë zyrtare, i poezisë së Rreshpes dhe gjithë shkrimtarëve të tjerë, sërish mbetet e ndërvarur nga hartografia e vlerës së hierarkisë letrare. Një poet bohem si Rreshpja, një poet i toneve të pastra lirike, nuk di se çfarë mundet t’i ofronte hierarkisë së realizmit socialist?! Hija e hierarkisë letrare të kohës dhe modelit të realizmit socialist, edhe gjatë kësaj kohe, është aq e fuqishme, sa nuk lejon kthimin real në panteonin e letrave shqipe, të disa prej mjeshtrave të letërsisë së mëparshme dhe të asaj bashkëkohore, eventualisht edhe të poezisë së Rreshpes. Hierarkia letrare, e përjashtimit të disa autorëve dhe teksteve letrare, hartuar para viteve ‘90, ende vijon që të mbetet si një perde e hekurimtë, që pengon lëvrimin e lirë të letërsisë edhe, në shekullin e njëzet e një. Pentagrami poetik i Rreshpes, më përtej kohës shkrimore, nginjur në motet e shërbesës ideologjike, e kohës kur letërsia u kthye në propagandë, së paku, duhet verifikuar në dy rrafshe:
A – Në marrëdhënie me lirikën gjithkohore të letrave shqipe, ku përveçohen lirikat e Zef Serembes, cikli ”Bukuria” i N. Frashërit, cikli “Vajet”, i A. Z. Çajupit, e veçmas lirika e Lasgush Poradecit, erotike dhe e natyrës, që përkon me kulmin e lirikës shqipe, gjithëkohore dhe në gjithëhapësi. Në poezinë e Rreshpes, përveç frymës lirike, jo rrallë ndeshen emrat dhe vargjet e këtyre lirikëve të letrave shqipe, që të vënë në mëdyshjen e parapëlqimit të atmosferës së lirikës së mëparshme, gjë që poeti nuk e fsheh, madje e përçon lirshëm në tekstet e poezive. Në një kuptim më të ngushtë, me shkrimin lirik të Rreshpes, realizohet ajo që pohonte dikur T. Elioti:
Asnjë poet, asnjë artist i cilitdo art, vetëm nuk e ka kuptimin e plotë. Rëndësia e tij, të çmuarit e tij është të çmuarit e marrëdhënies së tij me poetët dhe artistët e vdekur. (Eliot, 1982: 15), tek libri Ese të zgjedhura.
Në dimensionin lirik, finesën dhe brishtësinë ndjesore, lirizmin e ngjyresave, e sidomos për shpalimin e poetikës erotike, anipse në hapësirën e këtyre teksteve mbizotërojnë notat vetjake, lirika e Rreshpes vijon lavrimin e lirikës së mjeshtrave të shqipes, ku më së shumti avitet me poezinë e Poradecit, jo si përqasje tekstologjike, por si frymë thadruese e lirikës, me gjasë si atmosferë e kumteve të poetikës së lirikës së pastër.
B – Në marrëdhënie me kohën e tij, e cila është më e ndërlikuar, me poezinë e shkruar në të dy kohët, ku lirika në motet e realizmit socialist, shihej me dyshim dhe më tepër trajtohej si vatra ku flenë “djajtë”, situata është më e komplikuar. Për të hetuar dhe shenjuar, dukshëm dhe përfundimisht, peshën e lirikës së poetit, në marrëdhënie me bashkëkohësinë, e sidomos me estetikën e shpaluar, është gati e pashmangshme, vendosja në ato kontekste, si dhe përqasja përkitazi, me lëvruesit e poezisë së kohës. Në rrethanat e ushtrimit të trysnisë ideologjike, mbi poezinë dhe lirikën, krahas klimës jashtëletrare, një ndikim të madh, pati shfaqja në horizontin e letërsisë shqipe, e tre poetëve të brezit të viteve ’60, D. Agolli, F. Arapi dhe I. Kadare, ku madje qysh në krye u theksua, që ata me librat poetikë, kryen përmbysjen e madhe, gjithnjë simbas studimeve të mëparshme, sepse bazuar në përfundimet e studimtarisë letrare, e futën poezinë shqipe, në risime të njëmendta. Në distancë të mjaftë kohore, ndërkaq kupton se prezantimi i aktit dhe trashëgimisë poetike të asaj breznie, pavarësisht novitetit të rrokshëm përmbjatësor dhe formësues, megjithatë ky hark kohor ka këputur lidhjen me poezinë e mëparshme, me letërsinë shqipe të trojeve, si dhe përgjithësisht la në hije poetët e lirizmit të errët, një term që mbizotëronet në atë kohë, kur flitej për poezinë lirike. F. Rreshpja, me lirikën e laryshisë, që në verb dhe frymë, shpreh më tepër kozmogoninë e shpirtit, hyri në komunikim me lexuesin, me shumë vështirësi në periudhën e parë, kurse pas viteve ’90, lirika e tij, rizbulohet në gjithë dimensionet. Për të kuptuar njeriun dhe poetin, intelektualin dhe rebelin, ndërlikesat e kohës, përdorimin dhe shpërdorimin e figurës, të situatës komplekse të fatit të poezisë, ndërkohë që fati i Rreshpes, në disa aspekte, ngjan me fatin poetit rus, Esenin, që i fali gjithçka revolucionit, por jo lirën e tij, pra jo poezinë. Pjesë e poezisë bashkëkohore është edhe Martin Camajt, i munguar dhe ndaluar gjer në vitet ’90, që me lirikën abstrakte, siç nënvizon Nehas Sopaj, teksa shqyrton përmbledhjen Buelli, nënvizon: … ndesha një abstraktsion të lartë gjuhësor, një hermetizëm të skajshëm figurativ në nivel të mitit konkret…(Sopaj,1999: 123, revista Stil, Shkup, “Bomi”. Martin Camaj me veprën e gjerë letrare, veçmas me poezinë, kreu dy akte madhore, ligjërimin në gegnisht, si dhe e ndërlidhi poezinë shqipe me poezinë moderne të përbotshme, të cilat i vënë breron e njërit ndër poetët më të rëndësishëm të letërsisë bashkëkohore.
Rreshpja, lëvrues i lirikës së pastër
Leximi i lirikës së Zef Serembes, Lasgush Poradecit dhe Frederik Rreshpes, kuptimësohet dhe shijohet, në mënyrë të veçantë duke e vendosur në vatrën e lirikës së pastër. Në këtë diskur për ngjyresat e lirikës së Rreshpes, për të hedhur sadopak dritë në këtë aspekt të shkrimit poetic të autorit, ndërkaq shpërfaqen dy momente, që kërkojnë interpretim dhe argumente të thelluara:
A – Çfarë kuptohet me purolirikë?
B – Poezia e Rreshpes dhe shenjëzimet e lirikës së pastër.
Purolirika, nga ana tjetër, si nocion teorik dhe mishërim i lirikës së pastër, në poezi apo edhe në prozën poetike, përbën një aspekt të rëndësishëm, që në studimet letrare të shqipes, gati – gati është në fillesat e shqyrtimit. Kjo pistë e verifikimit të lirikës, si tipologji e shkrimit të lirikës së pastër, duhet thelluar në shqyrtimin e poezisë së enduar në letrat shqipe. Lirika e pastër, në thelbin e vetë ekzistencial, buron nga shkrimi i poezisë, që sendërtohet përmes një procesi të ngjeshur, ku shpirtërorja dhe derdhja melodike e saj, si një shkallë e ngritur e abstraksionit gjuhësor, që pothuajse e braktis brendinë. Hedhja e vështrimit në libra me poezi të Edgar Alan Po, Sharl Bodler, Paul Valeri etj. , të bind përfundimisht për ekzistencën dhe magjinë e poezisë së pastër. Purolirika, diçka më tepër edhe si një vetëshpjegim, formulohet dikur nga E. A. Po, teksa shprehet:
Kjo etje i takon pavdekshmërisë njerëzore. Ajo etje është pasojë dhe shenjë e ekzistimit të përhershëm. Kjo është ëndrra e fluturës së natës së pas yllit. Po kjo është vetëdija për të bukurën para nesh – por përpjekja jonë e pakufishme që ta arrijmë të bukurën mbi gjithçka. (në esenë Parimi poetik)
Në lirikën e pastër, pra në poezinë e melodisë lirike, çasti i fanitjes së poetit, natyrshëm shkrihet në çastin e përjetimit të lexuesit, si dhe më në fund shpaloset në vargje si një perceptim bashkëtingullues. Nëse lira, pra vegla muzikore, sidomos në antikitet shoqëronte vargjet poetike, në kontekstet e ndarjes me të, poezia gati-gati shndërrohet vetë në lirë, pra në melodi ku shpirti i poetit, vetvetiu shkrihet me shpirtin e lexuesit. Megjithatë, realiteti i “përlindjes” së lirikës melodike, pra tashmë pa lirën që lëshon tinguj, e cila vjen me poezinë e shqiptuar si muzikë, materializon dhe shpalos tiparet e purolirikës. Kreativiteti “hyjnor” i lirikës së pastër, ma së pari përcaktohet nga dija teorike letrare, e cila lëvrimin e poezisë së shpirtit, e poezisë melodike, e kërkon në optika të verifikimit specifik. Ideja që thekson ekzistencën e purolirikës, formësohet më herët nga Henri Bremond, në librin La poesie pure, (Bremond, 1926: 16), kur nënvizonte:
…çdo poezi e shpreh aspektin e vet të pastër poetik, praninë rrezëllimin aksionin transformues formues dhe unifikues të një realiteti misterioz që ne e quajmë poezi e pastër.”, që në fakt zbulon, përpos të tjerash, një rrethanë të shfaqjes së surrealizmit në art dhe letërsi, e cila gërsheton konkreten dhe imagjinaren në atë njësi unike.
Leximi i lirikës së Rreshpes, si shenjë e lavrimit të purolirikës, është një proces i hapur dhe tepër i vështirë. Duke qenë lëvrues i lirikës shoqërore, politike, qytetare dhe erotike, me gjurmë të lavrimit të purolirikës, është e pashmangshme shkartisja e teksteve, në tanësinë e magjesë shkrimore të librave të botuar. Fakti gjuhësor, i shkrimit të poezive të para në gegnisht, e mandej të konceptuar në gjuhën e njësuar, është një çështje më vete, që kërkon vëmendjen e studimeve, gjuhësore dhe letrare. Në marrëdhënie me letërsinë, e zhanreve të ndryshme letrare, ndërkaq Rreshpja ka lidhje organike me poezinë, madje diç më tepër ka lidhje të ngushta me lirikën e pastër. Gjurmët e lirikës së pastër, me stilema gjuhësore dhe ngjyresa të purolirikës, hasen në gjithë librat e autorit. Në mes poezisë së botuar para viteve ’90, ku veçohen “Rapsodi shqiptare” e vitit 1967, “Në këtë qytet” e vitit 1973, lirika ekziston, ndonëse paraqitet më e fshitur në ngjyresë, prej rrethanave të trysnisë së realizmit socialist, lirika e shpirtit, kundrohej shtrembër, aq sa mjellma e pozisë shqipe, Poradeci heshti gjatë, nuk botoi poezi në klimën e zhurmës ideologjike. Këto libra janë pjesë e atmosferës së kohës, e megjithatë aty ndesh prani të nuancave të lirikës së pastër, në tematizimin meditativ e sidomos në shprehësinë letrare. Krejt ndryshe ngjet me librat e botuar në periudhën e dytë, ku përfshihen librat “Erdhi ora të vdes përsëri” më 1994, “Lirika” më 1996, dhe “Në vetmi” në 2004. Përmasat e lirikës së pastër, të lirikës melodike të shpirtit vetmitar, që komunikon me botën përqark, me rruzullin, shqiptohen vetëm me zërin e vetë. Sendërtimi i lirikës së pastër, në tre libra e mbramë, tregon se kemi të bëjmë me vetëdije letrare të shkrimit të purolirikës. Ky fakt letrar, dëshmuar në tanësinë e vetë, por që në këto libra, shpërfaqet me tonalitetin e vetë të plotë, tregon se jemi para një sistemi poetik të përveçëm. Një sistem poetik, që mishërohet në morinë e poezive, të vargjeve të larmisë, të stilemave gjuhësore që rrokin melodinë e shpirtit, të gdhendur në shkronja. Këtu po sjellim një lexim dhe rilexim të thelluar në tekstet e poetit, që dukshëm mishërojnë tiparet e lirikës së pastër. Madje, është një zgjedhje e vetëdijshme, që anon nga sendërgjimi i një mënyrë vetjake të thadrimit të poezive, që ka formësuar sistemin poetik, në letërsinë bashkëkohore. Rrethanat e shkrimit, kontekstet e leximit, që përgjithësisht e tejkalojnë kohën shkrimore, japin shkas për ta parë dhe shijuar, si njëri nga lëvruesit e purolirikës në letrat shqipe. Pa mëtuar zgjidhjen përfundimtare, e cila kërkon kohë, trajtime dhe kontribute të gjera, për të patur një ide më të qartë të mënyrës së leximit të një poezie të Rreshpes, po paraqes leximin e një poezie, madje të situatës së pohuar nga H. Bloom, për leximin përmendësh, kur pohon:
Një lexim i tillë është kërkesë e epërme, por njëkohësisht shpërblim i epërm që vetëm poezitë ma të bukura mund ta falin. (Bloom, 2008: 149). Anët e leximit të poezisë Këngë lahute:
Më zuri gjumi i balladave
Dalin etrit pleq në prag të rapsodive
Dhe natë e ditë një zog më rri te kryet.
O ti zogu i zi i amanetit,
Për ku vrapon të bësh shi, o zog?
Dy tre shira ranë e u bë dimër,
Dy tre netë u deshëm dhe u harruam.
Do të ngrihem e do të marrë dynjanë.
Por gjumi i balladave nuk më lë.
Dy tre shira ranë e u bë dimër,
Dy tre netë u deshëm dhe u grindëm.
(Rreshpja, 2018: 52)
Pamundësia e leximit tematik, ndonëse aty-këtu feksin ngjyra të erotikës, të peizazhit, të meditimit për lahutën, ndonëse atmosfera e vargjeve, në thelbin e vetë, skicon një çast vetmie dhe bota i vjen e rrëmujshme, në atë meditimin me veten.
Leximi i strukturës së vargjeve, ku paraqitet një çrregullësi e menduar ashtu. Në strofën e parë, tercina ndërtohet me vargun 11-rrokësh. Strofa e dytë, po me 11-rrokësh, vjen me kuatern, me strofë katërshe. Struktura shkërmoqet në stilemat me një varg, në dy raste, gjithnjë duke ruajtur vargun 11-rrokësh.
Leximi i detajave, lahuta në titull, ballada në vargun nistor dhe në vargun e tretë, duke numëruar nga fundi, që ndërlidh hapësirat e ligjërimit të poezisë, gojore dhe të kultivuar, të poezisë së këndume në Lahutë të Fishtës, të lahutës së Camajt, e mbetun vjerrë, që ndërlidhet me shpirtin e poetit, kthyem në lahutë, të mbytun në gjemitë e vetmisë.
Leximi i gjendjes letrare, i rrethanës specifike që përmend Italo Kalvino, që theksohet dy herë, të një situate të erotizmit të zjarrtë, madje me të njëjtën stilemë gjuhësore: Dy tre netë u deshëm dhe u grindëm.
Leximi si figurshmëri, ku veçohet prania e një simbolike të qartë, në vargun: Dhe natë e ditë një zog më rri te kryet, që në marrëdhënie me shiun dhe dimrin, ndërkaq sendërton mendimin e fshehtë, që përthekson vetminë e poetit, si dhe të metaforës grishëse: O ti zogu i zi i amanetit, që është korbi që të shpie në situata të befta.
Leximi tërësor i poezisë, që shqipton një metaforë të poetit-njeri, të unit të zhytur në jermi totale, që hedh në gërma grimcat e hidhësive, e ngjyrosjes së shnjgjyrosur të një realiteti absurd, gati jo real, që më tepër endet në kokën e poetit, madje në vetmi terri, që dëshmon shenjëzimet e lirikës së pastër, ku në mënyrë të veçantë, prania e pasthirmës dhe pyetjes retorike, e maksimalizojnë gjurmën e lirikës së pastër.
Hemisferat e pafundme të leximit të kësaj poezie, të bindin se tekstet e Rreshpes, në pjesën më të madhe janë me ngjyresa të rrokshme purolirike. Vargu është ama e gjurmës së poetit, tashmë i kthyer në melodi, ku shprehja është fryma e zërit, e prania e zërit vetmitar, është shenja unike e figurimit poetik. Në këto shenja të laryshisë lirike, duket dhe zhduket shpirti i poetit. Frederik Rreshpe, ka hy e ka me mbet në letërsi, prej poezisë, si dhe do të mbetet në poezi prej magjisë që përçon lirika, e sidomos lirika intime, e cila ndërkaq përfaqëson gjerdanin e lirikës së pastër. Vibratura e lirizmit të brishtë, të një poetike subtile, që ma tepër sendërgjon melodikën e brendshme, poezinë e shpirtit, rroken në gjithë librat e poetit, ndonëse farfurijnë në vargjet e secilës anë të fjalës poetike.
Literatura:
1 Rreshpe, Frederik: 100 lirikat, Albas, Tiranë 2018.
2 Clark, Ceneth: Qytetërimi, Shtëpia e librit, Tiranë 2002.
3 Elioti, Tomas: Ese të zgjedhura, Rilindja, Prishtinë 1982.
4 Sopaj, Nehas: revista Stil, Shkup, “Bomi”, Shkup 1999.
5 Bremond, Henri: La poesie pure, Bernard Grasset, Paris 1926.
6 Po, A. Edgar: ese Parimi poetik, revista Stil, Shkup, “Bomi”, Shkup 1999.
7 Bloom, Harold: Si dhe përse lexojmë, Botimet Dudaj, Tiranë 2008.