Me “Livian” e tij, Mark Pashku ka zgjedhë e ngulmon t’i mbajë pezull lexuesit e tij ndërmjet dy kohëve, segmentet e së cilës kufizojnë epoka që janë thuajse të papikëtakueshëm. Lekë Bardhi i romanit, jo veç si mësues i historisë në shkollën e Holtës së tij provinciale, por krejt si qenie njerëzore është zgjedhur prej autorit e vënë ndërmjet dy segmenteve kësisoji. Jo vetëm se ai pasionohet me të shkuarën e shumçka përreth saj, po se krejt qenia e tij gjallon larg e jashtë e më pak, shumë më pak mbrenda modernitetit. Dhe bash këtu zen fill ajo drama e mbrendshme, psikologjike, morale, shoqnore dhe njerzore, në përgjithësi. Një dramë që ja kalamend jeten sa në stom në tjetrin, sa në nji krah në krahun tjetër të tij. Dhe e bën të vuajë, të vuajë më shumë e më pak të gëzojë.
Kapërcimet jolineare të ngjarjeve të romanit, sa në përditëshmërinë sa në të shkuarën trashëgimore, me një zhdërvjelltësi të lakmueshme e shpërfaqin kjartë botën e mbrendëshme të personit, të individit, që në të vërtetë është simbolika e vetë turmës, e shoqërisë sonë. Njohja e thellë e trashëgimisë sonë etno-kulturore , por edhe përjetimi e vëzhgimi me të gjitha shqisat i realitetit të sotëm nga autori, që herë-herë ndryshojnë kryekëput njena prej tjetrës, sjell një tempo-ritëm të zhdërvjelltë, që nuk të jep asnjë pezullí (ndalesë) leximi, përkundër ta shpejton ritmin …
-Nënë – iu drejtua – kam tre fëmijë. Kam një jetë që po më zhgogëlohet si kokrrat e misrit. Kam një botë që po më shembet. O Regjina ime, o mbretëresha ime, më bëj një zgjidhje e ma shpëto këtë shpirt të trazuar– u lut me përgjërim.(fq 46) Kështu përgjërohet Leka tek varri i nënës, njësoj si të ishte te trupi i saj i ngrirë atë mëngjes kur po priste që ajo të zgjohej si përditë e që ajo nuk u zgjua atëditë e kurrë më…
Ishte kjo një fjollë ere përzjerë me ré, që kishte filluar qysh ditën kur kishte ardhë për në shtëpi me nusen e tij. Rrugës, ishin dakordësuar që ajo, Livia dhe ai të jetonin në shtëpi kurse nënën…, nënën ta dërgonin në azilin e ri të sapohapur. Nëna Regjinë, nuk e kishte dit se me nusen, po i vinte bileta e vdekjes,thotë vedi me vedi ai, diku në faqet e romanit. I gjith ky pasazh i vjen si mbamendje që ia këput shpirtin, aty te varri i saj, tashma. E sillet e i kërkon asaj zgjidhjen e këtij ngërçi gati fatal në jetë, por që tashma ajo e kishte përjetësisht të pamundur ta ledhatonte , si gjithherë me zgjidhjen e ngerçeve të jetës, që ai vetë i kishte lidhë nyje, në botën përreth tij e brenda qenies së tij, ashtu të nyjëzuar.
Përkundruall kësaj bote Leka gjindet stoik megjithaté, por edhe i lëkundur prej ernave tallaze, që po ja shkoklojnë jetën plot idil , pa bërë shumë rrugë të lumtur në të. Dhe ernat tallaze i vijnë kahmos, nganjiherë edhe si thirrje qiellore:
…“Kujtohuni o njerëz. Kujtohuni se sot është e mërkura e përhime. Dita kur duhet të kujtojmë se nuk jemi asgjë më shumë se vetëm hi mbi tokë”… Shihni orët e kalendarët. Piramidat e Egjiptit. Shikoni murin kinez … Nuk janë asgjë. Hi kanë qenë e hi do të bëhen. (fq.71) Kështu predikon frati në maje të një shkalle, si në një skenë shfaqjeje surreale, po ky është në fakt gulçimi i shpirtit të autorit mbasi vëzhgon përmes tejkqyrjes së subkoshiencës së vet sesi shprishet përditë ajo ngrehinë e jetës së ndërtuar me shekuj prej paraardhësve , që përbën atë që thirret traditë.
Ernat e fuqishme, e zjarret që pasojnë në gushtin e përflakur, qysh në pasazhet e para të romanit e që bëhen shkak për banorët e Holtës të largohen , janë një “deus ex machina”, që duket se me to kërkohet qysh në krye të herës një zgjidhje metaforike. Ashtu siç ngjet edhe me zgjidhjet romantiçiste që i gjejmë në letërsinë romantike të do shekujve më përpara, çka ka gjasë se për autorin është e vetmja zgjidhje që mund të gjëndet në këtë kohë tallazitjesh të mëdha, kur kriza e transformimit përmbysës idenditar ka sjellë realitete të përmbysura. Paaftësia për të përballuar ernat dhe zjarret metaforike, por që në kuptimin e tyre real janë vetë dallgët e jetës që i shtyjnë njerzit në ikje. I shtyjnë për atje, ku me të vërtetë , disi u përvidhen dallgëve të këtushme , por edhe atje u bie të përballen me të tjera dallgë që ka sjellë vetë e sotmja… Por ky është vetëm fillimi; autori në vijim e deri në fund nuk i shmanget konfliktit të realiteteve të reja me gjithçka përbën fondin e trashëgimisë sonë etnokulturore, atë që është përcjellë ndër breza si vetë idenditeti ynë.
–Çfarë po bëjmë kështu? Po lëmë fëmijët të na i rrisin të tjerët– kumtonte frati, ulur në shkallë – e vetë po fitojmë para që pleqërinë ta kalojmë në vetmi të plotë! Kemi harruar prindërit, duke ndjekur kokëboshët e njerëzit që nuk e njohin shpirtin. Kohën e tepërt a e kalojmë me ata që duhet të shpenzojmë sa më shumë që është e mundur ? Ju pyes të gjithëve: a i doni fëmijët tuaj sa duhet? Në mbrëmje, a ju lexoni përralla? A ua ledhatoni ballin çdo ditë të jetës tuaj? A ju merr gjumi pranë tyre, duke dëgjuar frymëmarrjen e engjëjve e parfumin e parajsës?
Edhe kur fliste në vetën e parë, në hyrje të “homelisë” (predikimit), frati e kishte vënë vehten në vendin e prindit, të familjarit; në vendin e atyre të cilëve u fliste. Dhe është kjo një klithmë që nuk pushon e nuk gjen prehje përgjatë gjithë shtjellës së romanit. Mardhëniet mbrenda familjes, e të tjerat jashtë saj në botën përreth, janë ato që ngërthejnë krejt strukturën e shoqërisë. Raportet e saj me të sotmen e më përtej; me të shkuarën e me të ardhmen, nuk pikëtakohen në mendjen e Lekës e kjo ja grin shpirtin…
-Ee sa shumë çudira pamë sot, or Selim! – qeshi Leka duke ndezur duhanin.- Mendova se vetëm unë jam me halle. Po, paskam gabuar! – tha Leka. Halle që nuk i ndahen asnjëherë. Vetmia, gjithashtu, në të cilën ndodhet (fq.141) i ndarë e i copëtuar. Jo vetëm prej së shoqes, Livias e prej dy fëmijëve më të vegjël. Por së fundi edhe me të madhen, Arlinen, e cila pati pasë zgjedhë të jetonte me të atin. Por përfshirja prej hullive të reja të modës së ditës , ngulmimi e rendja në kërkim të sfidave të reja e përplas edhe atë në hone të paparashikueshme, larg familjes së mbetur , larg babait të vetmuar. Kurse Leka, nuk rresht së kërkuari përbashkimin , nëpër rrethanët ë e reja . Përpjekja për t’u gjindë krejt familja së bashku, andej nga fundi i romanit në një ekspozitë-spektakël modern të ish gruas, Livias, dështon me fundin e spektaklit që në afishet e shpalosuna nëpër qytet thirret:Pikturim ekzotik dhe modern. Leka mbetet fillikat me boshin dhe kotësinë, që e ndjek në një taksi , drejt periferisë së Dobrovnikut; drejt askundit… Për t’u bashkuar në një mënyrë të re, të nesërmen, pas shumë ulje e ngritjeve, pas ikje-kthimeve. Gjithëherë e gjithnji në kërkim të ideales së ndjesive e spirituales, pa iu nënshtruar reales, të përditshmes e cila, më së shumti funksionin si metalike duke ia lënë së shkuarës ndjesitë e kategoritë e ideales. Virtytin e ka zëvendësuar vesi e pasurinë e shpirtit, paraja.
“Livia” është një fashë drite mbi kaosin terratisës që po krijohet në realitetet e sotme nga globalizimi që e ka zaptuar thuajse çdo qelizë të jetës. Familja, si nukli i saj përreth të cilës shtjellohet i gjithë filli përbashkues po shformohet gati me progresion gjeometrik drejt shbërjes së saj. Këtu ngjizet mesazhi ngulmues i nevojës së njerzishme për qëndresë në senoret e traditës, e cila ka ruajt ekuilibrin moral të shoqërisë njerëzore për shumë e shumë kohë. Dhe këtë, autori e bën me një stilistikë e strukturë romanore të lakmueshme, që vjen edhe prej përvojës së shënuar e të suksesshme pararendëse .
Një arsye e mjaftë për ta marrë në dorë romanin, prej të cilit ndahesh vetëm në fund po e nise me e lexue.
Mark Pashku (Lucgjonaj) ka lindur në Podgoricë në vitin 1986. Studimet katërvjeçare për gjuhë dhe letërsi i përfundoi në Prishtinë. Studimet postdiplomike i përfundoi në Shkodër, në drejtim: Etnokulturë dhe letërsi shqipe. Ka botuar romanet: “Fshati i heshtjes” “Ligji i maskave” dhe “Humbja”. Romani “Humbja” është edhe fitues i çmimit “Rexhai Surroi” për romanin e vitit 2021.
Romanet e tij janë përkthyer në gjuhën angleze, gjermane, malaziase dhe franceze.