More
    KreuIntervistaFrano Kulli: Libri me të cilin dua të mbahem mend? Fjalori i...

    Frano Kulli: Libri me të cilin dua të mbahem mend? Fjalori i veprës së Fishtës, me fjalë dhe shprehje frazeologjike nga kolana e veprës së tij

    Pyetësori “Librat e jetës sime”

    Libri që po lexoj ndërkohë

    “Antologji me tregime italiane”; Italo Calvino, Dino Buzzati, Umberto Saba, Domeniko Rea Achile Campanile, Grazia Deledda etj. I jam rikthyer mbas leximit të para do viteve.

    Libri që më ka ndryshuar jetën

    Është e vërtetë e njohur qyshsekur, që librat kanë fuqi të magjishme mbi formimin e personalitetit të njeriut. Dhe, padyshim, që njeriu lexues e ka përbrenda vetes përftimin e magmës së librave të lexuar; ajo e ndjek atë përgjatë gjithë jetës, është si të thuash si një gen i shtuar, i përftuar në gjallesën e tij. Unë s’mund të veçoj një të tillë, po mund të përmend disa: Sergej Esenin “Lirika”, Ndre Mjeda “Juvenilja”, Eduard Bagrickij “Nata e fundit”, Frederik Rreshpja, “Në këtë qytet” , Walt Whitman: “Fije Bari”…

    Libri që pati ndikimin më të madh në shkrimet e mia

    “Shqipëria një dhe njëmijë”, Indro Montanelli, publicistika e Fishtës, shkrimet e Konicës, proza e Migjenit…

    Libri që më ndryshoi mendjen

    Nuk besoj se mund të ketë libër që ke lexuar dhe diçka nuk të ka ndryshuar në mendje.

    Libri i fundit që më bëri të qaj

    “Letër gruas së vdekur”, Gjovalin Gjadri, më ka bërë të përlotem. Këtë e mbaj mend si ndodhi të freskët, të para pak më shumë se një viti, ndoshta.

    Libri i fundit që më bëri të qesh

    “Don Kishoti”, “Ushtari i mirë Zhvejk”… më kanë ba me qeshë gjithë jetën. Kur më është vjetrue e qeshura u jam kthyer përsëri. Duke i alternuar me “barceleta italiane”. Kurse e qeshura që mban më gjatë në leximet e viteve të fundit është ajo që kam përftuar prej trilogjisë romaneske të Stefan Çapalikut “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”. Ndër më të mirëpriturit libra të 3-4 viteve të fundit. Sigurisht, për shumë më shumë se të qeshurën… Kurse “Një antologji e vogël e jetës”, përposë një eseje të gjatë ka edhe njëqind e pesëdhjetë barcaleta të zgjedhura shqiptare. E ta “mban gazin n’dërrasë”.

    Libri që më vjen turp që s’e kam lexuar ende

    Janë disa, po ti mos më turpëro edhe më, duke më kërkuar të bëj listën e tyre. Po ndjesinë më të fundit të turpit po ta them.”Quo vadis” të Henryk Sienkiewicz e kam lexuar vetëm para do muajsh, një përkthim i plotë dhe i shkëlqyer i Laura Lekës.

    Librat që kam dhuruar:

    Unë, jo vetëm libra nga të mijtë, sigurisht për miqtë, por, duke qenë botues kam dhuruar edhe libra të të tjerëve. Ndonjëherë, rrallë, ka ndodhë që edhe jam penduar. Bie fjala për kolanën në 5 vëllime të Anton Harapit. Kam dhuruar kopjen e bibliotekës sime, me idenë se do të blej tjetrën për vehte, po ja që më ka rrëshqit e…sot s’kam ku e gjej se nuk është më në treg. Etjerë e tjerë këso dore. Pa përmendur këtu kolanën e Fishtës, në 10 vëllime, bie fjala, po ai është botim i yni… E të dhurosh libra aty ku bëhen libra është gati si të ftosh kalimtarin, që rruga i bie andej pari kah baçja jote për me hanger do kokrra fiq.(una moda vechia, e di…)

    Libri me të cilin dua të mbahem mend

    Fjalori i veprës së Fishtës. Një fjalor me fjalë dhe shprehje frazeologjike nga kolana  e veprës së tij. Me nja rreth 11 mijë leksema e terma të spjeguara, ku fjalëformimi zë peshë dhe është një prurje tepër e vlertë për gjuhën shqipe.E kam çmuar si një pjesë komplementare të domosdoshme për ta njohur e shijuar veprën shumëdimensionale të poetit kombëtar. Për fatin e keq të blackout-it (ndërprerjes)gjysëshekullor që ajo pati.

    Del nga shtypi për punë ditësh.

    Libri që me bën të ndihem mirë

    Libri që s’ma ofron këtë ndjesi…e heq nga dora pa e lexuar.

    Libri që mendoj se është më i nënvlerësuar:

    Libri shqip, në përgjithësi. I pakvlerësuar e jo i përzgjedhur mirë prej ne botuesve, i nënvlerësuar prej politikave kulturore, i llapaçitun (përzjerë uji me baltë) prej propagandës mediokre të mediumeve, i mungesës së kritikës letrare që do të mund të orientonte sadopak në selektimin e “miellit” prej “krundeve”.

    Mbetet, për fat vetëm nuhatja, ende e mirë e lexuesit, që librin e mirë shqip e përpin.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË