More
    KreuLetërsiBibliotekëFrano Kulli: Libri i të marrëve" (tregim)

    Frano Kulli: Libri i të marrëve” (tregim)

    Çeti e Patuku ishin prej dhjetë vjetësh puntorë transporti në atë sektor. Kishin fillue njiheri  dhe s’i ishin nda deri tash asaj pune. Çeti i kishte kalue të tridhjetat, ndërsa Patuku po u afrohej të katërdhjetave. I pari kishte ndjekë vetëm klasën e parë të fillores, mandej ishte provue se … duhej ndërpre aty. Kurse për Patukun ishte nda shpejt, që nuk ishte për shkollë, pa i mbushë 7 vjeç e kështu nuk e kishte fillue as klasën e parë. Mbasi kishin lëshue disi shtat i kishin shtie në punë. Transportonin thasët e miellit nga mullini i blojes në furrën e bukës. Puna që bënin ato ishte ndër punët ma të randa në atë sektor. Ngarko e shkarko thasë má, gjithë ditën e ditës. Thasë që peshonin nga pesëdhjetë kile secili. Llogarite vetë mandej se sa thasë përshkoheshin në supin e njenit e sa në supin e tjetrit; nga magazina e mullinit në motokarro. E kur motokarroja mërrinte te furra, ku mielli bahej bukë, thasët merreshin prej tyne para duarsh e shkarkoheshin në stivë. Kjo ishte e përditshmja e Metit dhe e Patukut , po ato nuk ankoheshin. I qenë përshtatë mirë, ata të dy thasëve e thasët atyne të dyve, saqë njiherë, kur dikush kishte thanë që puna e tyne, të bahej me turne, me ndrresa, konkretisht një javë në muaj ata të zëvendësoheshin nga punëtorë të tjerë dhe atyne t’u lirohej krahu; të parët që e kishin kundërshtue këtë propozim kishin qenë vetë ata…    

    -Eee ça fuu mar ti – i ishte turrë Çeti përgjegjësit, i kuqun e i ndezun në fëtyrë mbasi kishte kuptue se kishte qenë fjala për ata. Çetit i merrej fort goja, sa pak kush ia kuptonte gjysëfjalët që ai nxirrte prej saj. Edhe me kamben e djathtë shkeponte pak. Patuku nuk shkeponte , ishte madhosh, trup i lidhun e i fuqishëm e fliste rrallë. Fjalët i mllaçiteshin nëpër dhëmbë; ma mirë me thanë nuk fliste hiç. Po në atë mënyrën e vet edhe ai i ishte bashkuar në protestë Çetit.

    – Iiiik mar anndej – i ishte turrë edhe ai dhe e  kishte shty përgjegjësin me lëvizjen e fuqishme të krahut. Reagimi i tyrë në sintoni mund të ishte përmbledhë me të njëtën fjali: “a nuk ta kena bá mirë punën ? “

    Në të vërtetë kur kishte ndodhë që mbrenda tulit të bukës ishte gjetë ndonjë fije spage prej thesit a ndoj bërllok tjetër, thashethemnaja ia kishte hedhë gjithmonë fajin atyne të dyve.

    -Kështu asht kur buken e kanë lanë n’dorë të budallejve – kishte guxue të thoshte njëherë njeni e kjo batutë, aty e mbas përsëritej si fishkëllima. Edhe kur gjindej në bukë ndonji kakërdhi mijsh e kjo vinte si qortim i randë për përgjegjësit e shpesh bahej objekt i ndonjë mbledhje kolektivi, prap te ato përcillej faji, athua se Çeti a Patuku ishin daci prej të cilit medeomos duhet të trembeshin mijtë. E çfarë mijsh se ! Njeni ma i madh se tjetri. Aty mijtë kishin habitatin e vet. Po ata, as njeni as tjetri, nuk ndigjojshin aspak nga ai vesh. Vetëdija e tyne nuk e kalonte itinerarin e lëvizjes së thasëve nga dyshemeja e magazinës në sup, nga supi direkt në  motokarro. Masandej hapat që banin mbas motokarros deri te mullini, prej aty kapja para duarsh e thasëve dhe rendimi i tyne në stivën që shkonte deri në dy meter nalt, jo larg brumatriçes , në të cilën përzihej mielli me ujë e bahej brumi…

    Ishte dita e rrogave. Fundi i orarit të punës. Rrogat jepeshin nji herë në 15 ditë. Në atë kabinën prej llamarine ku Xhija, arkëtarja ndante rrogat ishin afrue e vendosë në radhë nji nga nji punëtorët. Katër të parët, sapo kishin tërheqë rrogën, e kishin ndalë hapin te klubi përbri i Diellës. Secili kishte nën sqetull edhe veprën e 19 të udhëheqësit, të cilen ua kishte shpërnda Xhija me porosi të sekretarit të organizatës së partisë, duke ua mbajtë nga rroga njëqind lekshin që kushtonte libri. Secili e kishte marrë në heshtje pa bá za edhe pse ai njëqindlekëshi ishte fort i çmueshëm e malli që kishin “ble” në mënyrë të detyrueme, nuk kishte për t’i hy në punë asnjénit. Ndërkohë ishte afrue te sporteli Patuku. Kishte tërheqë lekët e rrogës që i kishte dhanë arkëtarja, i kishte palue e mbështjellë në nji copë letër të shqyer nga një thes çimentoje dhe , ashtu siç i merrte gjithëherë pa i numrue, i kishte futë në xhepin e mbrendshëm të peliçes së arnueme dhe kishte marrë me u largue për në shtëpi. Lekët kishte për t’ia dorzue të atit, ashtu të mbështjellun, siç i kishte marrë. Ai vetë nuk kishte ble as shitë kurrë deri sa ishte ba aq e ata, lekët pra, nuk i kishin hy kurrë në punë. Për rrjedhojë edhe nuk i dallonte kartmonedhat për nga vlera, përposë se nga madhësia e letrës e formati e ma shumë ngjyra që kishte secila. Ndërkohë Xhija i kishte zgjatë librin me kopertina të trasha ngjyrë vishnje. Patuku, i habitun për gjasendin e pakuptimtë për té, që po i afrohej, i kthehet asaj:

    -E ça m’duhet mu ky, a je e marrë, a !

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË