More
    KreuLetërsiBibliotekëFragment nga romani “Pëllumbat i vrasin natën” i Virion Graçit

    Fragment nga romani “Pëllumbat i vrasin natën” i Virion Graçit

    Neta ishte në ballkon duke dëgjuar pëllumbat. Unë, si zakonisht, isha duke fshirë këpucët ushtarake të tim eti, kur ra telefoni fiks. Nuk e ngrita telefonin t’i thosha: “Po, familja Taro jemi. Berti Taro jam. Kush jeni ju, ju lutem?” Bëra të kundërtën, e hoqa fishën e tij, e nxora jashtë funksioni. Mund të kisha shtypur një buton për ta fikur, por butonat janë defektozë, nganjëherë nuk kapin dhe të krijojnë mendimin përgjumës se ke kryer punë. Kur lustron këpucë, nuk do t’ia dish për zëra e zhurma që vërshojnë nga jashtë. Unë duke lustruar këpucë isha. Jo se jam prej profesioni lustraxhi, por lyej këpucët e prindërve të mi dhe të miat, sigurisht, prej dhjetë-pesëmbëdhjetë vjetësh. Ishte e rëndësishme për ne që endeshim kureshtarë rrugëve të Tiranës të kishe këpucë të rënda ushtarake, edhe kur moti ishte i ngrohtë, edhe kur ishin sandalet ose këpucët e lehta verore ato që e kishin radhën për t’u mbathur. Të shikojnë kureshtarët nga koka te këmbët për të të vlerësuar dhe në tablonë tënde të përgjithshme, diçka që e lë mangët koka, fytyra, gjoksi, kofshët, gjunjët, e korrigjon sakaq përshtypja e fortë që të lënë këpucët e rënda ushtarake. Fuqinë hipnotizuese të këpucëve të rënda ushtarake nuk e dimë vetëm ne që kemi kryer punë të ndryshme në ushtri, por është kuptuar e përvetësuar nga popullata civile, pa dallim moshe e gjinie. Këpucët e mia, të rejat, të papërdorurat, i pata shitur në një çast dobësie te një fshatar që kulloste lopët pranë repartit tim. I thashë babait se po vonohen me furnizimet e reja, kemi ngelur pa këpucë. Ai u habit e më pa me mosbesim, sepse në repartin e tyre, pak kilometra larg tonit, veshmbathjet ushtarake për gjashtëmujorin e ardhshëm ishin shpërndarë. Më premtoi se kjo punë do të zgjidhej shpejt dhe më trembi mendimi se mos vinte në komandën tonë për ta ngritur si problem parimor. S’pata kohë t’i thosha se bëra shaka, ose këpucët e reja i kam shitur, pasi ai, me tonin e kultivuar prej ushtaraku me përvojë, tha: “Nuk do të demoralizohemi për një palë këpucë, atdheu ka halle, do të gjejmë një mënyrë për të mos ngelur zbathur asnjëri prej nesh, kemi krijuar një bazë modeste familjare me sendet bazë për të tejkaluar vështirësitë.” Dhe nxori nga pluhuri dhe rrjetat e merimangave disa ish-këpucë me qafa të larta, me nga tri tokëza metalike secila.

    – Jepi, – më tha, – silli në jetë dhe vishi si të ishin të tuat.

    – Pse nuk do të jenë të miat? – i thashë.

    – Tëtuat, por janë në emrin tim në inventarin e repartit, – tha me të qeshur.

    Kisha arritur me zor një paqe të brendshme ose, sikurse shprehemi në zhargonin luftarak ne profesionistët, kisha ngritur flamurin e bardhë të armëpushimit duke u marrë me këpucët, duke përfytyruar repartin e babait duke u shkatërruar. Përfytyroja jo krejt repartin duke u shkatërruar, por depon me veshmbathje, vetëm depon. Madje, jo pikërisht depoja, por vetëm zyra e magazinierit. Sigurisht, jo krejt zyra e maga-zinierit, por vetëm shkresat e tij, dokumentet ku janë firmat e ushtarakëve që kanë tërhequr për përdorim vetjak veshmbathje, pajisje luftarake kundër armëve kimike dhe vaj për pastrimin e pushkëve. Me të tilla mendime të bukura jetoja, me flamurin e bardhë në mendje e në gjoks. Nuk doja të turbullohej që në mëngjes mendja ime, zemra ime. Pamja enigmatike e Netës pranë pëllumbave dhe format shprehëse, format rrëfimtare të këpucëve të vjetra ushtarake, më kishin futur në një ishull qetësie dhe ngrirjeje. Krejt ndryshe bota përqark, ziente prej ndryshimeve radikale, rënie të regjimeve totalitare në Europën Lindore, përmbysje të regjimeve komuniste… pra: bajga lope atje, pleh cjapi këtu, jashtëqitje kuajsh, derrash aty më tej, glasa zogjsh në supet e njerëzve, mbi kapelat e tyre. Kështu thuhej: ndryshim, ndryshim, ndryshim.

    Unë nuk isha pjesë e ndryshimeve, sepse nuk mund të bëhesha nga e para një njeri tjetër, një njeri i ri. (Eh, punë muti, do të ngelesha njeri i vjetër në regjim të ri shtetëror. E pashmangshme.) Kisha frikë të ndryshoja sepse, po të ndryshoja, do të kisha humbje të rënda ekonomike, nuk do të më vinin për shtat rrobat që kam në shtëpi, këpucët mund të më vijnë të mëdha ose të vogla. Unë isha kundër ndryshimeve me ‘flamuj të bardhë’ në botë, në Europën Lindore, kundër vijës së re politike të Moskës, Uashingtonit, Londrës, Tiranës, duke valëvitur flamujt e bardhë. Po të më kishin pyetur, nuk do t’i kisha lejuar ndryshimet me këta lloj flamujsh. Doemos isha kundër drejtuesve të rinj në njësinë time bashkiake, kundër autoriteteve të vetëshpallura në lagjen time, kundër administratorit të porsaemëruar të pallatit tonë.

    Gjithandej bajga, pleh, jashtëqitje bagëtish, glasa shpendësh grabitqarë.Po merrja masa për t’u konservuar, për të mos ndryshuar kurrë. KURRË. Por ishte e pamundur të konservoje vetveten dhe të ishe njeri i gjallë njëkohësisht, aq i gjallë sa fqinjët të të përshëndesnin kur shkëmbeheshe pashmangshëm me ta shkallëve, kurse administratori të të kërkonte mendime teknike për zgjidhjen e avarive në rrjetin e ujësjellësit, për shembull.

    Fare pak mund të ndryshojë robi në faqe të dheut. Këtë bindje ma ftilloi edhe një i panjohur. Ai u shfaq para derës sime në kohën që porsa kisha dalë aty për kënaqësinë time dhe po sigurohesha të shtrëngoja lidhëset e këpucëve: njëra më varej përtokë, mund ta shkelja dhe të pengohesha, të rrëzohesha… I panjohuri ishte gati sa mosha ime, më tepër se njëzet vjeç, më pak se tridhjetë, me siguri. Dukej i hequr në fytyrë, rrudha të parakohshme ia rrethonin sytë, duart i kishte të ashpra, flokët të zinj e të dendur, si të mitë. Kishte veshur rroba të dala boje, mund t’i quaje edhe rroba pune, kominoshe, por ishin të lara, të porsaveshura, madje ndihej aroma e mirë që hedhim kohët e fundit nëpër lavatriçe. Ai mund të ishte shumëçka: punëtor riparim-shërbimesh, hidraulik, riparues televizorësh, lavatriçesh, frigoriferësh, kompjuterësh. Mund të ishte murator, suvatues, pllakashtrues ose bahçevan profesionist apo shpërndarës picash. Mund të ishte postier ose korrier i ndonjë partie të re politike, nga ata që shpërndajnë programe dhe literaturë në çdo shtëpi, megjithëse nuk rrezatonte optimizëm prej politikani. Nuk kishte nga ato shenjat që garantojnë optimizëm afatgjatë, personalitet të fortë, trashëgimi të lavdishme, sikurse janë veshmbathjet: këpucë, këmishë, rrip me origjinë ushtarake, këllëf pistolete etj. Përkundrazi, e kuqja dhe e gjelbra e ushtrisë sonë ishin ngjyra që ai nuk i kishte pasur ndonjëherë, atij i mungonin ato ngjyra. Në përfytyrimet e tij më të guximshme, në ëndrra nuk ka mundur t’i ketë dëshiruar të kuqen dhe të gjelbrën e ushtrisë sonë popullore.

    NJË KOMENT

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË