Jemi mësuar prej vitesh tashmë të adhurojmë poezinë e Migjenit. Ngaqë aty, te vargu i tij, janë përputhur ide, forma, shpërthime, e kryesisht elementë jashtë letrarë që e bëjnë Migjenin qysh në gjenezë të konsiderohet një nga poetët më të fuqishëm të shqipes. Kjo si rrjedhojë edhe e pritshmërisë që lexuesi ynë ka kundrejt poezisë në veçanti. Që Migjeni ishte një nga novatorët më të mëdhenj të letërsisë tonë të viteve tridhjetë, kjo as që vihet në dyshim. Me plot gojë do e konsideronim edhe si një nga pionierët e parë të letërsisë moderne në gjuhën shqipe. Migjeni edhe sot konsiderohet si një risi për epokën kur shkroi. Duke e parë Migjenin të mbështjellë në këtë lloj aureole, padashje, kemi lënë në dritëhije prozën e tij.
MIGJENI
Puthja e cubit
(1936)
Edhe një prendverë ka ardhë. Prendvera e 17-të për Dilen, e cila, e shtrime në bar, ndjeu se ka tamam, as ma pak as ma tepër se 17 vjet.
– Nano! Sa vjet kam? – pyeti nanën në shtëpi.
– Tashti i mbushe 17, bijo! – i tha nana me një dorë n’ijë e me tjetrën mbi sy, për m’u mprojtë nga rrezet e diellit.
Edhe Dila, e shtime në bar, ndjeu se ka tamam 17 vjet. Ashtu e shtrime, shikon qiellin e kaltërt dhe ndigjon cingaret, një të dashit të grigjës ma e hollë, dhe tjetra e lopës me za ma të trashë. Çohet herë herë e shikon bagtinë dhe prap shtrihet, me një dëshirë të vogël në gji. Sa fort Dila që i ndjen të 17 vjetat në vete! Kur në të kapërthyemit e dëshirës, ven shplakët nën krye dhe ma fort shtrihet, ndjen si nder veshë dhe nder tamtha i rreh gjaku me rrjedhje të forta dhe ban me ndie edhe me dishrue ma tepër. Atëherë Dila mbyll sytë. Ashtu me sy mbyllë pret diçka. Buzët e saja të lagta e të çeluna për gjysë e terte flladi i lehtë …
***
Para ksaj prendvere bani një dimën acar. Bora që tashti shifet si kunorë vetëm nder bjeshkët e nalta, në dimën kish mbulue mbarë tokën. E stuhia e tmershme s’kish lanë pa e futë borën deri ndër shpella mali dhe zgavrriqe drujsh. Në kët acarim dimri dhe bishët e malit zbriten nepër katunde, te njerzit, por kta nuk i priten mirë. Bashkë me bishët e malit zbriti dhe Cubi, i cili ishte tmera për ata që kishin ndigjue për të e që nuk e njifshin. Në besë, në buk’e krypë, i ati i Dilës e mbajti Cubin si mik. Dhe gjatë një mueji sa ndenji Cubi në shtëpi të saj, Dilës iu ba se ky Cub nuk asht ai Cub për të cilin flitshin se vret, grabit, përdhunon. Me të vërtetë po at emen kishte; por jo, nuk ishte ai. Cubit mik njëzetekatërvjeçar i buzqeshej nana, i buzqeshej Prenda, e shoqja e re e vllaut, baba i fliste me za të butë e vllauu këndonte me te. Cubi-mik ishte i mirë dhe të gjithë e nderojshin, Dila kanjëherë me dashje e pa dashje e shikonte në sy dhe kuqej, kanjëherë me dashje e pa dashje, tue bamë punë nëpër shtëpi, në të kaluem e prekte me krah dhe nga ajo prekje iu rritshin gjitë.
As nga armët e tija, rrypat me fyshekë, pushka dhe revolja nga të gjitha këto Dila s’kish frigë. Një ndjesi e fshehtë rritej në zemrën e Dilës dhe sa ma shum’ ditë kalojshin aq ma e madhe bahej. Dhe ndiesia e ba dëshirë, dëshirë që të len pa gjumë.
Por një ditë, kur dielli sa një pare e madhe sermi u çfaq në qiell, Cubi shkoi. E Dila mbet vetëm me dashuninë për Cubin.
***
Asht e flakët dëshira e Dilës në një ditë të shkëlqyeshme prendvere kur, e shtrime në bar, ndjen se si i rreh gjaku ndër dej. Asht edhe ma e flakët dëshira e Dilës kur i ka syt’ e mbyllun e me andrim vezullues don me krijue ate që s’ka. S’ka… Nuk u pa ma Cubi. E 17 prendvera të saja janë 17 thirrje të nxehta të heshtuna drejtue Cubit.
Ashtu e shtrime dhe n’andrim Dila nuk desht t’i çeli syt’ edhe se ndjeu mbi trupin e vet një peshë dhe të dihatunit e një mashkulli e mbi buzët e veta të përvlueme nja njomsi. S’i çeli sut’. Ndoshta kish frigë të mos prishi ekstazen në të cilën kishte ramë … e kur ndjeu lehtësimin e trupit i çeli syt. Por aty s’pa kend. U hodh në kambë. S’ish kush. Shikoi për qark. Vetëm që pau djathtas në bar gjurma njeriu që vazhdojshin mbi bar nga ana e majtë. Dila u drodh. «Ai asht! Tha – Cubi!» dhe u vue në ndjekje të gjurmës majtas. Si e dehun, n’ekstazë, ecte Dila, dhe as nuk e pa bariun që ndenjun buzqeshte. Ecte Dila, vazhdoi edhe pa gjurmë dhe gjithënjë n’ekstazë. La grigjen, as që i binte ndër mend, pse kërkonte Cubin. Doli në rranxë të malit shkëmbuer. E thirri me emën, por bashkë me kambët e saja që përplaseshin prej shkambit në shkamb, q’ashtu dhe thirrjet e saja u përplasëshin- kot.
Kur erdh muzgu i mbramjes nepër livadhe dhe nepër shkambijt ndigjoheshin thirrje plot idhnim dhe dhemje:
«Dilooo! Dilooo ! Dilooo ! ».
1. Kuteli, Koliqi dhe Migjeni
Dy janë eksploratorët e parë të tregimit të shkurtër në gjuhën shqipe. Ernest Koliqi dhe Migjeni, të cilët e thyen akullin e traditës së të rrëfyerit gjer në atë pikë sa hapën shtegun e parë të tregimit modern në ujërat e letërsisë shqipe të fillimit të Shek. XX.
Është përmendur shpesh me të drejtë emri i Mitrush Kutelit në këtë kategori. Por nga kronologjia e botimit, Mitrushi kishte botuar veç një libër në atë kohë. Netë shqipëtare (1938) – një botim i pa fat, libër i shkatërruar aksidentalisht nga zjarri, por që e bën superior emrin e Kutelit në aradhën e njërit prej stilistëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave në gjininë e tregimit. Duhet theksuar se Kuteli nuk ngeli vetëm në kufijtë e pionierëve të modernitetit në letërsinë tonë, por ishte diçka më tepër se kaq.
Duke ndjekur rrjedhën kronologjike, Ernest Koliqi ishte i afirmuar tashmë në këtë periudhë me botimet e tij: Kushtrimi i Skanderbeut (1924), Hija e maleve (1929), Gjurmat e stinëve (1933), Tregtar flamujsh (1935), Pasqyra e Narçizit (1936), Symfonia e shqypeve (1936), etj.
Ajo çka konsiderohej si letërsi gjer atë çast në Shqipëri ishte poezia, jo tregimi.
Dhe ja tek shfaqet Migjeni. Tetëdhjetë e pesë vite më parë, një mësues fshati i prekur nga tuberkulozi në lulen e rinisë, ndoshta ende i virgjër në trup por jo në mendje, çvirgjëroi magmën e asaj që gjer në atë çast burimin e kishte nga poezia.
Duhet të ketë qenë ekstremisht e vështirë për Migjenin shkëputja tërësisht nga poezia përgjatë lëvrimit të tregimit. Por ky është një çast vendimtar për tregimin si gjini. Për këtë arsye proza e tij ka nuanca dhe ngjyrime të theksuara poetike. Është një përpjekje, “alternativë”, “dilem”, “fragmentet e jetës”, “fragment rruge”, “rrota e jetës”, “novelzë” sikur vet ai i ka përcjellë te lexuesi, profilizuar me dorën e tij novelzat : Sokrat i vuejtun apo derr i kënaqun?, Ose… ose… , Tragjedi apo komedi?, Një refren e qytetit tem, Novelë mbi krizë, Moll’ e ndalueme, A do qymyr, zotni?, Në kishë, Ngjarje pa lëvizje, Vetvrasja e trumcakut, Luli i vocër, Zoti të dhashtë!, Program i një reviste, Qershijat, Idhujt pa krena, Legjenda e misrit, Bukuria që vret, Urime për 1937, Gogoli, Të korrunat, Zeneli, Puthja e cubit, Në sezonen e mizave, për të mbërritur së fundmi te Novela te qytetit të veriut ku Migjeni shfaqet për të parën dhe të fundit herë me portretin e plotë të prozatorit.
Ashtu sikur Mitrush Kutelit i takon merita si publikues i parë i poezisë së Lasgush Poradecit. Ernest Koliqi me Revistën “Illyria” të cilën e kishte themeluar, do të bëhej përcjellësi i parë i tregimtarisë së Migjenit.
Ernest Koliqi ishte i ushqyer me formën dhe stilin e tregimtarisë perëndimore, më veçantë me klasikët e gjuhës italiane. Formimi i Migjenit si prozator vjen kryekëput nga lindja, kryesisht nga romani rus, ku ndikim të pashmangshëm ka patur padyshim Dostojevski.
Ernest Koliqi dhe Migjeni kanë një emërues të përbashkët. As njëri as tjetri nuk do të ishin këta që janë sot, pavarësisht formimit të tyre letrar, po qe se platoja ku frymon vepra e tyre nuk do të ishte Shkodra. Ka ndodhur ekzaktësisht ajo që ndodhi me Kutelin dhe Poradecin, ku sinori i emëruesit të përbashkët letrar është Pogradeci.
Shkodra, ky qytet emblematik ku ajka intelektuale e shqipërisë moderne po kristalizohej, si të thuash u bë supernova më të habitshme në qiellin e letrave shqipe në vitet tridhjetë.
2. Kafka dhe Migjeni
Shkrimtari i vetëm me të cilin Migjeni ka një ngjashmëri të frikshme është Franc Kafka. Nuk e kam fjalën vetëm si fizionomi, por edhe duke krahasuar tekstet e tyre .
Të dy i përkisnin një origjine të ndryshme nga gjuha në të cilën e shkruan veprën. Të dy ishin minoritarë. I pari hebre në Pragë. I dyti ortodoks me origjinë sllave në Shkodër. Të dy ishin jo të njohur me libër të botuar për së gjalli në skenën letrare. Por, mjaft të njohur në rrethet letrare të qyteteve respektivë nga vinin dhe krijuan. I pari e shkroi në gjermanisht veprën e vet. I dyti në shqip. Veprat e tyre të plota u botuan pas vdekjes. Kafka dhe Migjeni vdiqën të rinj nga po e njëjta sëmundje. Dyshoj nëse Migjeni i ka lexuar tregimet e Kafkës. Por ngjashmëria midis tyre është magjepsëse.
Franc Kafka aplikon për të parën herë metaforën e drejt për drejtë në trajtën e prozës. Migjeni është poezi e drejtë për drejtë e kësaj forme. Çeku është një figurë lëvizëse e modernitetit prozaik të rrugëve të Pragës. Shkodrani është rrëfimtari më realist që dritëhijet e Shkodrës kishin njohur gjer në atë çast. Aq sa po të shkëmbenim si në një lojë shahu tregimet e tyre, do të kishim një rrëfimtar realist dhe një Migjen akoma më kulmor në majat e tregimit, çka edhe do ta dëshironim si lexues, me shumë forcë. Si kronologji nga koha e shkrimeve çeku daton një dekadë më parë se tregimi migjenian. Dyshoj nëse autori shqiptar kishte qenë në kontakt me tregimet e Kafkës. Së pari ngaqë ndër gjuhët që kishte studiuar Migjeni, nuk bënte pjesë gjermanishtja si gjuhë. Së dyti hapësira e njohjes ishte teje e ngjeshur për të njohur njëri-tjetrin nëpërmjet teksteve. E ç’mund të thuhet tjetër? Ajo çka bashkon natyrën e tregimeve të Migjenit me Kafkën është sëmundja. Brishtësia e tyre poetike e zbritur në terrenin e ashpër të letërsisë i takon veç fatit, pa të cilin nuk besoj se do ishin të aftë të shkruanin në këtë formë ndjesore, të veshur me pahun e përtejshëm dhe fisnik të vdekjes.
3. Binjakë me një tregim të vetëm
Ndodh edhe kështu, tregimet t’i ngjajnë frikshëm njëri-tjetrit, dhe autorët të mos kenë asnjë pikë takimi të përbashkët. Në një nga numrat e mëparshëm të ExLibris është botuar një tregim i Ernest Hemingueit me titull Sipër në Miçigan. Përgjatë përkthimit të tij më habiste ngjashmëria që rrëfenja e Hemingueit kishte me tregimin Puthja e cubit të Migjenit. Ishte e vetmja pikë e parë në vështrimin krahasues të letrave që i jep një krejt tjetër kumt tregimit migjenian, edhe që na bënë të mendojmë se po, tregimi i tij ishte në lartësinë e kohës, edhe pse jo, letërsia shqipe në vitet tridhjetë sapo hynte në të njëjtën suazë krijimtarie letrare si ajo e pjesës tjetër të botës, pa asnjë shenjë inferioriteti. (Të njëjtën teori krahasimi sjell si shembull Aurel Plasari për novelat Vjeshta e Xheladin Beut të Kutelit dhe Vjeshta e patriarkut të Markezit.) Një tjetër shembull ky nga teoria e letërsisë krahasuese që dëshmon se letërsia shqipe ka hyrë me individualitetin e vet në letërsinë e përbotëshme.
Heminguei e shkroi Sipër në Miçigan në Paris në vitin 1921 kur ishte 22 vjeç. Migjeni e shkroi Puthja e cubit diku aty nga Maji i vitit 1936 kur ishte 24 vjeç. Tregimi i Hemingueit u refuzua nga botonjësi dhe do e shihte dritën e botimit shumë më vonë nga koha kur u shkrua. Tregimi i Migjenit nuk u botua asnjëherë në të gjallë të tij por qarkulloi dorë më dorë i daktilografuar gjer në botimin e veprës së tij të plotë pas luftës në vitin 1954. Heminguei e shkroi tregimin e vet pas Luftës së Parë. Migjeni vetëm pak vite përpara Luftës së Dytë. Tregimi i Hemingueit ka për teh «aktin seksual» në një formë kontradiktore përdhunimi. Puthja e cubit është tërësia përvëlonjëse e tehut të «dëshirës seksuale». Të dy tregimtarët flasin me sytë romantik, të dlirë, të pafajshëm të heroinave përkatëse, çka universalizon gruan si protagoniste. Gruan e cila ngadhnjen në trajtën e lirizmit. Të dy tregimet kanë një fund tragjik. Një fund pa fund. Një fund që vazhdon gjatë sepse e mban lexuesin të lidhur aty.
Është befasuese se si mundet vallë të ngjajnë kaq shumë, Dila me Lizën dhe Xhim Gilmori me Cubin? A thua se janë pjellë e një mendje të vetme? Sipër në Miçigan kap skajin më verior të Amerikës. Puthja e cubit zhvillohet në Malësi. Klima është e ftohtë dhe atmosfera e njerëzve po ajo. Mentaliteti dhe të dhënat karakteristike janë identike. Ngjarjet në po të njëjtin fill subjekti. Xhim Gilmori përhumbet pyjeve dhe Cubi e gjen strehën në mal. Liza dhe Dila që presin njësoj të ndodh diçka në realitetin e ëndrrave të tyre. Kur në realitetin e përbashkët asgjë nuk ndodh, veç të treguarit me realizëm.
Këto dy tregime sikur kanë bërë një pakt të fshehtë me kohën, atë të djeshmen kur janë shkruar, dhe këtë të sotmen kur i lexon. Kanë po atë freski sikur i njëjti frut i këputur pak orë më parë në dy kontinente të ndryshëm. Ndoshta ky është sekreti përse të dy tekstet ngjasojnë. Koha e pjekjes së frutit ka qenë e njëjta.
Montréal, Janar 2021