More
    KreuLetërsiShënime mbi libraFloresha Dado: Struktura e mendimit dhe e trillimit në eseistikën kadareane

    Floresha Dado: Struktura e mendimit dhe e trillimit në eseistikën kadareane

    Është shkrimtar i madh ! Është thënë dhe do thuhet pafundësisht ! Është figurë krijuese komplekse ! Gjithashtu është thënë dhe do të thuhet pafund! Por ky kompleksitet nuk është hetuar në një fushë thelbësore të botës së tij mendore dhe trilluese. Eseja, është ndër magjitë e mëdha të botës krijuese të Kadaresë, është aq madhështore, e pafundme në horizontin e saj, sa besoj se del sfiduese përballë romanit të tij. Zhytuni në leximin e plotë, në strukturën e të menduarit dhe trillimit artistik të esesë kadareane, për të kuptuar thellësisht magjinë e këtij krijuesi të jashtëzakonshëm. Unë e bëra këtë gjë dhe u mrekullova !

    Ç’ËSHTË ESEJA NË KORPUSIN KRIJUES TE KADARESË ?

     Thjesht komunikim i një lloji të veçantë me jetën, botën që e rrethon? Është nxitje e mendimit dhe imagjinatës së lexuesit ? Apo qasje kuptimore origjinale ndaj dukurive njerëzore, reale e jo reale, ndaj figurave e veprave të njohura? Nuk është dëfrim stilor, nuk është kuriozitet intrigues, por është një dhimbje, një dramë, sa personale aq edhe e përgjithshme, kombëtare apo edhe universale, është një dashuri apo një ngazëllim, është deklarim guximtar, apo reflektim i brendshëm, është një thirrje …  Eseistika e tij është gjithshka, prandaj forca tërheqëse, kurreshtja, emocioni, janë patoset që e tërheqin lexuesin vazhdimisht. Në esetë e tij Kadare eksperimenton, në një farë mënyre teston lexuesin, provon ta përfshijë në experiencën e vet.  Se ç’vend ze ky lloj krijimi në veprat e Kadaresë, kjo çeshtje plotëson interpretimin e gjithë rrugëtimit të tij krijues,  zgjeron qasjne ndaj këtij korpusi, për të cilin është folur pak dhe varfërisht, në krahasim me përmasat e jashtëzakonshme që ka, me strukturë të brendshme dhe të jashtme komplekse. Ajo çka përfaqëson kjo krijimtari, në universin krijues kadarean, hap shumë shtigje interpretimi, zbulon mistere të pafund të vetëdijes dhe intuitës së tij…

     E zhdërvjelltë në mënyrën e komunikimit me lexuesit, eseja e Kadaresë, vjen në trajta befasuese, duke shkrirë në vetvete tipare të artit letrar, por dhe të formave të tjera të krijimtarisë intelektuale. Raporti midis mendimit dhe përfytyrimit të figurshëm është kaq i veçantë, i komplikuar, turbullues, sa një lexues i kualifikuar do të zbulonte e rizbulonte një botë të pafund të arsyetimit dhe komunikimit. Është vetëdija që nxit imagjinatën, shkëndijimin e tezave të reja, apo intuita e brendshme e çon drejt arsyetimeve origjinale, qofshin të diskutueshme apo dhe të gjithëpranueshme? Kapërcimet e papritura nga fenomeni i veçantë shqiptar në rrokjen e problematikave më të gjera, universale, e bëjnë gjithë korpusin e tij eseistik të pashtershëm gjatë leximeve të herë pas hershme.

    ‘DJALLËZIA’ E KRIJIMIT QË QUHET ‘ESE’

    Historikisht, krijues apo dhe kritikë i janë qasur në mënyra të ndryshme, përballë disa sfidave, njera më provokuese se tjetra: Ç’ngjyresë dhe fizionomi trillimi ka eseja në korpusin krijues të shkrimtarit tonë? Ç’peshë ze filozofia e të menduarit, e dijes në këtë krijimtari specifike? Në ç’raport është intuita dhe vetëdija e eseistit Kadare në marrëdhënie me letërsinë, kritikën letrare, publicistikën, psikologjinë, filozofinë, dhe në përgjithësi me shkrimin shkencor?

    E kanë quajtur një hibrid paradoksal të shkencës dhe artit. Sa është i saktë ky konceptim ? E kanë quajtur vizion, sepse shikon dhe lidh shumë gjëra, sepse është shumë intelektuale dhe shumformëshe, sepse fiton formë nga vetja e saj. Në ëtë sfond të gjerë teorik më intriguese është çeshtja: çfarë misteri fsheh brenda vetes eseistika e Kadaresë, lidhur me lojën e shprehjes së mendimit dhe përmasave të fjalës artistike?

    E ndodhur midis disa llojeve të krijimit, emocional dhe logjik, kjo krijimtari  lëviz në një vorbull përjetimesh emocionale dhe arsyetimesh logjike. Eseistika e Kadaresë provokon me dilemën se: a ka kufij të qartë që dallojnë esetë e tij nga parimet e logjikës krijuese, të arsyetimit filozofik, social, politik, psikologjik, të rrafshit kombëtar, ballkanik, evropian e më tej?  Kështu, sfida më e vështirë mbetet: sa është ajo trillim artistik dhe sa është arsyetim logjik?Te një shkrimtar i përmasave të Kadaresë lidhja e brendshme, midis peshës që i jep fjalës artistike dhe qasjes racionale, mbi aspekte dhe problematika të ndryshme, sa konkrete-individuale aq edhe universale, formëson një strukturë tjetër të horizontit të tij krijues. Brenda këtij sistemi shpirti dhe dija realizojnë njera tjetrën; lëvizja e imagjinatës dhe e mënçurisë, midis njohjes dhe përjetimit shpirtëror të autorit, janë aq të veçanta dhe intriguese, sa që zbulojnë, tashmë në këndndriçim të ri, jo vetëm mjeshtrin e fjalës artistike por edhe mendimtarin e përmasave të gjera. Si mendimtari dhe shkrimtari, me mirëkuptim, i zenë vendin njeri tjetrit në shtresimet e brendshme të eseve. Këto janë dilema shumë interesante, që nxisin një mënyrë tjetër të interpretimi të thelbit të eseve të Kadresë dhe që rizbulojnë përmasa të tjera të këtij krijuesi të jashtëzakonshëm.

    AFRIMI I ESEISTIKËS SË KADARESË ME LETËRSINË

    Fshirja e kufirit midis krijimit artistik dhe krijimit eseistik (në mënyrë të vetëdijshme, apo instiktive/intuitive) është një dukuri sa interesante, por në mjaft raste, edhe provokuese. Në teorinë e mendimit eseistik mjaft teoricienë (midis tyre kryesisht shkrimtarë), e kanë konceptuar Esenë si lloj të veçantë letrar. Kjo pikëpamje është mbështetur për atë lloj eseje ku mbizotëron figura artistike, ku trillimi i natyrës letrare përshkon ndjeshëm gjithë shkrimin, ku fantazia e përjetimit dhe imagjinatës është dukshëm sipas stilit të letërsisë. Dhe parimet krijuese i qasen atyre të letërsisë. Kështu :

    Parimi i kundërthënies (kur e karakterizonEskilin një enciklopedi e vërtetë e madhështisë dhe e marrëzisë, sa i logjikshëm, aq dhe i palogjikshëm, sa tragjik, aq dhe grotesk; rindërtimi i portretit të brendshëm të Faik Konicës përsëri mbi karakterin kontradiktor; paradoksi / kundërthënia krijojnë në eseistikën e Kadaresë një ndjenjë që endet midis çudisë dhe keqardhjes, zbulimit dhe rizbulimit brenda dy pohimeve kundrathënëse, që përjashtojnë njeri tjetrin, dhe, më thellë, midis dy vetëdijesh që nuk kanë (në dukje të jashtme) asnjë lidhje…; plani krahasimtar, ku përqasja me figura mitike dhe të epikës popullore i jep një kuptim sa enigmatik, dramatik, por aq edhe madhështor figurave që bëhen objekt i esesë; parimi i përqasjes, i kapërcimeve kohore dhe hapsinore, “ngatërrim” rrëfimesh? Apo paralelizëm ligjërimor;kapërcime shekullore, për të ardhur në fund të shekullit XX… Kjo “hallakatje ligjërimore”, rendje e furishme nëpër shekuj, nëpër treva të ndryshme, duket sikur do t’i marrë frymën lexuesit të esesë, i cili, papritur ndodhet para një universi ndjenjash, mëkatesh, krimesh…;rrëfimi i zhveshur nga konkretësia. mbi shtresimin kuptimor të personazhit ngrihetnjë shtresë e re kuptimore. ( përfytyrimi i Eskilit, Dantes, Migjenit, Konicës etj.); ligjërimi i paidentifikuar, pyetje pa përgjigje, dialog i narrativizuar…; portreti si imazh poetik sipas parimit të mbizotërimit të elementit të padukshëm, sa imagjinues aq edhe misterioz, (Lasgush Poradeci): Ai ishte i paparashikueshëm, gërryes si acid, i rrezikshëm, i beftë. E qeshura e tij ishte si e tejjetshme, pa gëzim, mërzitja e tij e papikëllueshme. Kështu e kishte edhe zemërimin, luksoz, të ftohtë, kurse përbuzjen, rrezatuese që larg, si të stolisur me argjendi. Jashtë karakterizimit përmes stilit politik apo gazetaresk, eseja e Kadaresë ndërton portretin e fenomenit, i jep “pamje”, “trajtë”, “ngjyrë”, e personifikon gati si një qënie e dukshme, me të cilën lexuesi duhet të ndërtojë patjetër një marrëdhënie.

    Ndonjëherë ironia, paradoksi, dilema (qesharake!) mpleksen sa që është vështirë t’i veçosh nga njeri tjetri; shtresa e përbashkët që i mban të lidhur është ulërima e brendshme, shpirtërore e eseistit, për marrëzitë që kanë shoqëruar dhe janë edhe sot të dukshme në jetën njerëzore dhe në realitetin shqiptar. Në distancën midis iluzionit dhe reales figura thelbësore për letërsinë, si personifikimi, metafora, ironia, paradoksi etj. realizojnë ngarkesa emocionale mbi imazhe jo të zakonshme. Krimi u harbua, shkruan eseisti, dhe përmasën e frikshme që mbart kuptimi i brendshëm i kësaj strukture ligjërimore nuk e konkuron asnjë interpretim tjetër, politiko-shoqëror. Personifikohet, metaforizohet, ironizohet jo personazhi, i cili ose është real (historikisht), ose i formësuar më parë në trajta të tjera të krijimtarisë (në vepra letrare), por thelbi i brendisë që ai përfaqëson; personifikohet thelbi i një shteti, në devijimet, sëmundjet e tij; personifikohet një kontinent për të ironizuar (e kishte sjellë Europën, më në fund, këtu, siç sillej mushka xanxare); personifikohet një dashuri, apo dhimbje, jo për ta njohur atë, por për të imagjinuar një marrëdhënie të re, një raport që kalon përtej figuracionit të drejtpërdrejtë.

    Sekreti, që përbën vlerën e jashtëzakonshme të esesë kadareane, është pikërisht ngjallja e një vemendjeje të re të lexuesit. Në esetë e tij ringrihet një kuptimi ri, siç ndodhme kuptimin e këngëve të korpusit popullor, jo me stilin përshkrues, komunikues për mrekullinë e fenomenit të dasmës në këngën popullore, por me një trajtë të re, si një reflektim kuptimor-universal, si tejkalim i kësaj imagjinate. Kadare kapërcen përshkrimin e magjisë popullore, për t’u ngritur në një nivel tjetër, filozofik, historik, mitologjik, psiko-etnologjik. Eseisti, nën pushtetin e realizmit magjik, thyen kufijtë midis reales dhe imagjinares, midis të mundshmes dhe të pamundshmes. Nuk është thjesht vepra, por diçka përtej saj, është zhbirimi i një bote disi të mistershme, që godet me shfaqjen e jashtme. Është propozimi për një kuptimi të ri, të pathënë nga kritika letrare. Çështja e kufijve të padukshëm, midis eseistikës së I. Kadaresë dhe veprës letrare të tij, mbetet një aspekt sa interesant, aq edhe i pa vënë re sa duhet. Esetë e Kadaresë krijojnë një lloj pasigurie zhanrore në përkatësinë e tyre; nëse tipar është përzierja e të gjitha llojeve të stilit, që herë na kujton letërsinë, herë publicistikën, herë shkrimin historik, por që, siç e thamë më sipër, nuk mund të konsiderohen krijime që futen plotësisht në këto lloje krijimi, atëhere përcaktimi i llojit bëhet shumë më i vështirë.

    ESEJA KADAREANE GJETJA E VET-VETES, APO MASKIMI I VETVETES ?

    Mendoj se nuk është vënë re se ç’lloj marrëdhënie është kjo? Një krijues gjen diçka nga vetja te tjetri, sepse ky është thelb i artistit të vërtetë, edhe atëhere kur njeri bën letërsi dhe tjetri bën vetëm reflektim mbi letërsinë e tjetrit. Në këtë raport shfaqet edhe një plan tjetër: nga qasja e jashtme eseisti i qaset vetvetes, misterit të brendshëm, të cilin asnjë krijues e studiues nuk arrin ta njohë dhe ta kuptojë. Tekanjoze në natyrën e saj, lloji-ese duket sikur luan me vetë autorin, i cili e ndien veten mjaft mirë në lirinë dhe intimitetin që krijon me të. Në esenë e tipit kadarean lind pyetja: çfarë shohim te imazhi i figurave (autorë, personazhe, dukuri), që janë objekt i eseve? Mendoj se në thelb ne ndjekim pulsimin e ndërlikuar të logjikës dhe shpirtit të autorit… Është autori që e kërkon fjalën, frazën, ligjërimin e plotë, apo ato vinë nga thellësitë e pavetëdijes për ta ndihmuar atë?

    Imazhet iluzive, stili filozofik, rindërtimi i skenave dhe momenteve të përjetimit imagjinar (Dantja i pashmangshëm), rindërtimi i stilit të baladës (Autobiografia e popullit në vargje), mbizotërimi i stilit letrar mbi rrëfimin logjik, etj., të gjitha kkrijojnë një kapërcim nga arsyetimi te fantazia, nga logjika e fakteve te përjetimi emocional i dukurisë. Vizualiteti që krijon Kadare, në të vërtetë, risjell një ndër tiparet e rëndësishme të letërsisë artistike të tij. Formimi i imazheve përmes imagjinatës, realizohet në marrëdhëniet midis ndjeshmërisë dhe kuptimit, dhe njëkohësisht përcakton kufijtë e shtrirjes së imagjinatës sonë në ndërtimin e imazhit. Duke qenë të vetëdijshëm se personazhet e eseve të Kadaresë, në një kuptim, janë pasqyrë e një pasqyre tjetër, pra reflektim logjik mbi një trillim letrar, ne ndjejmë që edhe imazhi që Kadare-eseist krijon për to është i një lloji të veçantë. Ai mbështetet në një proces të dyfishtë: nga intuita krijuese e një artisti tjetër te intuita e interpretimit thellësisht subjektiv të eseistit. … po vija nga ai shkretim i madh, nga një boshësi e dystim i llahtarshëm, shkruan ai për vete apo për personazhin.

    RAPORTI MIDIS NJOHJES DHE TRILLIMIT

    në esenë kadareane shfaqet shumë i komplikuar, duke provokuar pyetjen: si mund të bashkohen, në këtë lloj krijimi, trajtimet e shkencave humanitare me interpretimet thellësisht subjektive, që përbën tiparin themelor të saj? Këtë “përplasje”, eseja e ka zgjidhur po vetë; e konceptuar si reflektim individual ndaj objektit, ajo e ka të natyrës së saj lirinë e autorit në interpretimin e problematikave të shoqërisë. Prandaj edhe veprat eseistike të Kadaresë, që i kushtohen problematikave sociale, politike, historike etj., e shfaqin këtë liri në mënyrën më “arrogante”, më origjinale dhe provokuese.

    Bën analistin historik, kur guxon të thotë atë që s’është thënë asnjëherë: bën analistin e realiteteve aktuale, bën kritikun cinik, për absurditetin e një realiteti të sotëm, që të ngjall dëshpërim, sjell atmosferën gërryese të dukurive të realitetit të sotëm, por, mbasi ka shfryrë zemërimin, mbasi ka bërë atë që i vjen e fuqishme së brendëshmi, ai beson te vendi i vet dhe i vjen të pohojë fort se Ata që mezi presin ta shohin përtokë, është më mirë të kthehen e të shohin mjerimin e ngazëllimit të tyre meskin. Ringjallet përsëri krenaria e brendshme, tipar që nuk do të fashitet kurrë në vetëdijen e këtij krijuesi.

    ERUDICION ESEISTIK

    Eseistika është lloj krijues shumë sqimatar. Aq sa duket e lirë, e kollajtë në mënyrën e konceptimit, aq është e vështirë për të realizuar natyrën e saj, si dhe lidhjen e qëndrueshme me lexuesin. Sepse erudicioni dhe mendja krijuese janë kushte që ajo i kërkon; fakti që eseistë të shquar kanë qenë shkrimtarë të mëdhej të të gjithë kohërave, njerëz eruditë dhe me rrokje të gjerë mendore dhe emocionale, dëshmon “kufirin” që ky lloj krijimi ve përpara guximtarëve të lëvrimit të esesë. Eseisti shkon drejt fjalëformimit sirizbulim kuptimesh, që kanë, në thelbin e tyre një filozofi të brendshme, duke u shfaqur edhe një interpretues i jashtëzakonshëm i fjalës: (çeshtje që meriton trajtim të posaçëm)

    Nëse korpusi eseistik i tij do të njihej me vemendje më të përqendruar, do të zbulohej se është një hambar figurash dhe ideshë të rinj, befasi tezash, që do të nxiste reagime të specialistëve nga sferat historike, politike, psikosociale, letrare, folklorike, etnografike etj. I gjithë ky korpus, i jashtëzakonshëm në gjerësinë e imagjinatës, sigurisht pa absolutizuar saktësinë dhe vërtetësinë e çdo interpretimi që ofron, do të ngacmonte, në shumë drejtime, gjallërimin e debatit shkencor.

    Një aspekt i interesant, i pa vënë re nga studiuesit, është QASJA PSIKANALISTE E ESEISTIT ndaj misterit të procesit krijues, ardhur kjo si shtytje e brendshme, për të gjetur shpjegimin e asaj që ndodh brenda vetes. Libri Ftesë në studio mendoj se është modeli më i plotë i ndërtimit të marrëdhënies me vetveten. I konceptuar kryesisht mbi këtë plan, të jashtëzakonshëm, përsa i përket zhbirimit në thellësitë e procesit të krijimit, vepra dëshmon se Kadare ka guxuar të hyjë në atë që nuk duket, por që është forcë e fuqishme së brendshmi. Kështu, ndonëse në vështrimin strukturor në libër mpleksen memorialistika me portretizimin, me interpretime mbi dukuri letrare apo të fushave të tjera njerëzore, në thelbin e vet esenë Ftesë në studio do ta quaja kërkim i këtij raporti sa “të shpjegueshëm”, aq dhe misterioz të procesit krijues. Nëse Kadare e sheh këtë proces si një mister, ku sistemi i ndërtimit të figuracionit shfaqet befasues edhe për vetë autorin, ku nënteksti tingëllon si i kuptuar për herë të parë, i çuditshëm, i frikshëm, edhe për vetë atë, në mënyrë eseistike ai ka pohuar një pikëpamje shumë të rëndësishme dhe interesante mbi raportin e vetëdijes dhe pavetëdijes në procesin e tij krijues, i cili përjetohet në ndjeshmërinë e Kadaresë si një furtunë, të cilën është i detyruar ta nënshtrojë, së pari ta lidhë siç lidhet i çmenduri, pastaj ta mposhtë me hir ose me pahir, t’i vërë këmishën e forcës, ta godasë, ta gjymtojë gjersa ta zbusë…. Nëse shprehet se atelieja e shkrimtarit është plot kurthe, dinake, tinëzare, ato e joshin nga të gjitha anët. Shkrimtari ecën midis kurtheve si Ulisi midis sirenave. E ndien se duhet t’i shmanget, por kjo s’është e lehtë. Ai e di se aq sa duhet t’i hapë veshët për të kapur tërë rropamën e botës, po aq duhet t’i mbyllë me dyllë për të mos dëgjuar zhurmat e kota…Shkrimtari vërtitet midis kësaj kundërtie, si tigri në kafaz.

    KEQKUPTIMET MBI STRUKTURËN KUPTIMORE TË ESESË

    Çështja e vlerësimit të veprave eseistike të këtij autori, ka nxjerrë një problem më serioz: keqkuptimin e natyrës së esesë, si lloj specifik i krijimit, moskuptimi i thelbit të saj, kryesisht në nivelin e strukturës kuptimore. Keqkuptimi lidhet, në radhë të parë, me mosnjohjen në aspektin teorik të veçorisë thelbësore të saj, ku autori nuk është i detyruar të përdorë metodën e rreptë shkencore të analizës dhe të argumentimit shkencor, nuk ka lidhje me referimin bibliografik dhe korrektësinë e referimit ndaj tezave të studiuesve të ndryshëm, sepse vetë lloji i krijimit i jep të drejtën të jetë i lirë, origjinal, në interpretimet e veta; eseisti ka një pikëvështrim vetiak, dhe synimi i tij nuk është të provojë saktësinë e tezës së vet, por të japë një qasje tjetër ndaj problemit. As të imponojë interpretimin e vet shkencor, por të provokojë kuptime të reja, të nxisë vëmendjen dhe pjesmarrjen e lexuesit. Pra ky është parimi themelor i këtij lloji të krijimit.

                                 #  #  #

    Do të ishte e pamundur të zbërthehej, kaq përmbledhtazi, gjithë sistemi i ligjërimit eseistik të Kadaresë. Thelbi i vëzhgimit tim është se ky sistem zbulon përtëritje, përtej funksioneve që ka brenda një teksti të zakonshëm letrar. Në ese autori i ka dhënë shtrirje tjetër, duket sikur brenda një figure ka rikrijuar po atë, në një variant të ri. Ky është konfigurimi i ri i kuptimit, tek esetë që trajtojnë problematika të gjera të jetës politike, sociale etj.

    Përballë vlerave universale, tashmë të njohura si shkrimtar, eseistika, e parë në bllok, na fut në një sferë tjetër, shumplanëshe, të marrëdhënieve specifike që Kadare ndërton me historinë aktuale shqiptare, me historinë shumëvjeçare shqiptare e ballkanike, me problematika të politikës, dje dhe sot etj. Me pikëvështrime befasuese, të veçanta, me prirje analize dhe polemike të një niveli jo të zakonshëm, me informacionet e gjera në fushat historike, filozofike, psikologjike, sociale… dhe me një lloj guximi krenar, polemizues, eseistika e kësaj problematike është po aq e pushtetshme, në llojin subjektiv të saj. Intuita ndjenjësore (vështrim përmes ndjenjës së brendshme) dhe intuita intelektuale (synimi drejt së vërtetës me anë të mendjes) krijojnë tek ky personalitet një harmoni, ku është vështirë të zbërthesh ku fillon njera e ku tjetra. Në kompleksitetin e kësaj marrëdhënieje eseistika e tij zbulon një mendje krijuese shumëplanëshe, ku logjika e mendimit dhe figura e trillimit nuk do të mund të qëndronin veçmas, sejcila formëson tjetrën, të dyja bashkë bëjnë që problemet e trajtuara të shfaqen si një shkrirje magjike e mendimit dhe ndjenjës së brendshme të eseistit. Eseja e Kadaresë nuk është thjesht një shkrim që befason, mrekullon lexuesin me imagjinatën rikrijuese, që jep kënaqësi emocionale, të ngjashme me atë që jep letërsia, por shkrim që godet edhe të menduarit, logjikën e arsyetimeve, që nxit vemendjen për t’u thelluar në çështje sa të dukshme, aq edhe të padukshme.

    Në mbyllje të librit tim, kushtuar kësaj krijimtarie para pak vitesh, pata shkruar: vetëdija dhe intuita krijuese e Kadaresë është vazhdimisht në lëvizje. Në dukje i heshtur përballë lavdisë së tij botërore, mendja dhe shpirti i tij vrapojnë, ndjekin deri në hollësi problematikat e realitetit shqiptar, zhgënjimet dhe amoralitetet e ditëve të sotme. I pa kompromis, i paqetë, me një demon në shpirt që nuk e le të qetë, ai jeton, si çdo krijues i madh, me shqetësimin e guximshëm qytetar, brenda të cilit sigurisht piqen vazhdimisht reflektime të reja. Nëse e shihni Kadarenë të ngrysur, apo të zemëruar, kjo do të thotë se ai ka përpara syve të papranueshmen, tradhëtinë, të pamoralshmen, mediokritetin; kjo do të thotë se brenda tij po vlon diçka, për të shpërthyer pa pritur në një vepër eseistike të re.

    Dhe ne jemi në pritje për ta lexuar, për t’iu rikthyer, tashmë, jo vetëm mendjes dhe imagjinatës së eseistit, por, mbi të gjitha, vetëdijes sonë. Vetëm kështu midis nesh dhe sistemit të menduarit dhe përjetimit emocional të këtij eseisti të shkëlqyer, do vendoset një lidhje tjetër, që ka në themel unifikimin e shqetësimit qytetar, ndezjen e asaj ndjenje përgjegjshmërie dhe ndershmërie që shpesh herë mungon. Atëhere do të kuptojmë se eseja nuk është një krijim për informim apo kalim kohe, por është një THIRRJE për bashkëpërjetim logjik dhe emocional ”.

    Kështu do të jetë gjithnjë, edhe pse tashmë ai e mbylli përgjithmonë fletoren magjike të krijimeve të tij !

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË