More
    KreuLetërsiShënime mbi libraFloresha Dado: Individualiteti i romancierit Bashkim Hoxha

    Floresha Dado: Individualiteti i romancierit Bashkim Hoxha

    Në dendësinë e  romaneve, botuar në dy dhjetëvjeçarët e fundit, ka krijues që mbeten mënjanë, larg vemendjes së kritikës letrare, ndërkohë që, nëse futesh në korpusin e krijimtarisë së tyre, zbulon se ka diçka të veçantë, origjinale, se ka një sy të mprehtë që sheh dhe guxon të protestojë artistikisht, ka, sidomos, një dhimbje! Mbas një vetëdieje individuale mbarten shqetësime të shoqërisë së sotme.  E tillë është krijimtaria romaneske e Bashkim Hoxhës, romanet e të cilit dëshmojnë se procesi ynë letrar është më i gjerë, më i pasur se sa e njohim në mënyrë të përgjithshme. E parë në kompleksitetin e vet proza e tij dëshmon përparësinë e filozofisë që përshkon letërsinë, rolin që vepra letrare luan në turbullimin e shpirtit njerëzor, guximin në përballjen  me fenomene që ne bëjmë sikur i kalojmë pa vemendje e interes. Është e pamundur të zbërthehet plotësisht sistemi artistik i gjithë veprave të B.Hoxhës, megjithatë, disa boshte themelore të procesit të tij krijuese, ku mund të ndaleshim, do të ishin :

    Filozofia e degradimit moral, që përshkon gjithë sistemin

    Vdekja e dashurisë njerëzore dhe ndëshkimi i pashmangshëm i vrasjes së saj, dashuria që nuk ka kufijë kohorë, dashuria që është bërë pis, filozofia drithëruese ‘të jetosh nga urrejtja’, kompleksiteti dhe absurdi i jetës së njeriut, përballja e ligjërimeve korba/pëllumb, bisedat imagjinare me korbat, efektet alegorike të lidhjes me pikturën e Van Gogut, ndërtimi i kapitujve sipas një fjalori shpjegues (alegorik), që thekson filozofinë e mprehtë të dhunimit të dashurisë në botën e ‘pisët’ etj., vlojnë në gjithë sistemin e tij krijues.  (Mot i keq për dashuri, 2002; Romancë ditën e krimit, 2007). Ideja e ikjes së njeriut të dëshpëruar, sillet përmes ndërfutjes së vargjeve poetike,  për të theksuar më fort dramën njerëzore:

    Vrapoja

     me dëshirën për të ikur. S’di se ku.

    Vrapoja, , sa më larg për të ikur.

              Ikja larg, aq larg

                              sa mbërrija në të njëjtën pikë nga ku isha

                                              nisur…  (Lakuriq, 2003)

    Zhgënjimi ka sjellë te romancieri humbjen e besimit, të shpresës (kjo është drama më e madhe e shkrimtarit që përjeton shpirtërisht problematikën e kohës). Metafora e dëshirës për të shqiptuar fjalë të pista… është pikërisht dhimbja e brendshme. Filozofia “këtu është tretur mirësia”, disa absurditete të jetës sonë, shqetësimet ekzistenciale, etj. e çojnë autorin te pyetja e postmodernizmit : sa ekziston e vërteta ? Në letërsi gjithnjë ka zënë vend arësyetimi mbi dashurinë, qasur në aspekte të ndryshme. Te Bashkim Hoxha ndodh që dashuria zbulohet edhe me fjalë të ndyra, sepse ajo është bërë pis. I gjithë romani është metaforë e dhimbshme.  Rapori alegorik me puritanët, që thekson përballjen me vesin, raporti midis lakuriqësisë dhe pastërtisë së shpirtit, apo degradimi moral i shoqërisë përmes ironisë, që kalon edhe në sarkazëm, vjen dërrmues në paralelizmin me amfiteatrin ku njerëzit duartrokasin sepse gladiatori u vra! (Mbreti i vesës, 2003; Duartrokitësit, 2020)

    Kapërximet nga aspektet morale, në kuptimin e gjerë,  tek probleme të filozofisë njerëzore, që lidhen me fatin, me mëkatin dhe dashurinë, me raportin njeri/kafshë, ëndrrën e vazhdueshme për një jetë tjetër dhe arratisja nga qyteti, dëshira për zgjatjen e jetës, (po a ja vlen kjo lloj jete ?), ironia ndaj banalitetit njerëzor, besimet tragjike në absurditete… Sa marrëzi besojmë në këtë jetën tonë ! Sa është njeriu i sotëm gjysmëgjallëgjysmëvdekur? këto janë thelbi i shqetësimit të B.Hoxhës. (Heronjtë e viagrës, 2009, Lakuriq, 2003, Kronikat e Mjegullës, 2019, Një shaka e vogël me vdekjen, 2021). Dhe në fund pyetja provokuese: a mund të jetë liria një dënim ?

    Raporti alucinativ midis reales dhe situatave jo normale (gjithë komunikimi me korbat që dalin nga piktura e Van Gogut) mbart një ngarkesë kuptimore të jashtëzakonshme. Jetohet nga urrejtja apo nga dashuria ? Kjo është pyetja filozofike që përshkon gjithë veprën e B.Hoxhës.  Nëse nocionin kyç do ta gjenim shpesh te fjala ‘vdekja’, ky është raporti me dashurinë e vrarë, me mëkatin e dhunës dhe braktisjes, me tradhëtitë që një shoqëri e tërë ka bërë me sy të mbyllur…Mund ta quajmë veprën një metaforë mbi metaforën. Meritë e autorit është ndërtimi i një personazhi në komunikim jo të zakonshëm, që humbet në ankthin e ndërgjegjes së vrarë, që e ndjen më në fund thellë sa shumë e ka vrarë dashurinë ! Prandaj, aty ku dhunohet dashuria, vdekja është farë pranë.

    Hipokrizi tronditëse

    Shumica e romaneve të B.Hoxhës janë sarkazëm ndaj hipokrizisë së sjelljes njerëzore, ndaj ‘idealeve’ mashtruese, ndaj ngjarjeve që në thelb cënojnë inteligjencën dhe besimin njerëzor. Vepra Heronjtë e Viagrës, (2009), është ndër rastet e rralla në letërsinë e sotme që trondit dhe zhgënjen dhimbshëm për një hipokrizi të madhe; ajo, njëkohësisht, cënon vlerën e misionit të ushtarëve shqiptarë në Irak, Afganistan- (nuk ka rëndësi se ku). Vetë fjala ‘hero’ zhvleftësohet në mënyrë të dhimbshme. Përballja e dy mentaliteteve : do bëjmë sikur besojmë ! dhe e vërteta e guximshme e personazhit Kristinë, shprehin përballjen dashuri/mashtrim. Pse ky deheroizim ? Pyetja do të kishte  përballë disa shpjegime, po aq sa edhe shqetësime të diskutueshme, lidhur me  botëperceptimin e romancierit. Raporti: e veçanta me të përgjithshmen, padyshim është tepër delikat, për të shpëtuar nga cënimi flagrant i së përgjithshmes. Megjithatë, mendoj se vepra tjetër më interesante dhe e guximshme, përballë hipokrizisë së shoqërisë së sotme, është edhe Duartrokitësit, (2020), në të cilat sarkazma shfaqet në përmasa sa origjinale, aq edhe drithëruese. Ka revoltë të romancierit përballë një mekanizmi që përpunon, drejton dhe realizon një ‘teatër’ të madh mashtrues. Lexuesi, sigurisht, do të ndjehej i fyer, i tallur, i shvleftësuar ndaj skenarit të fshehtë të organizimit të kësaj shfaqjeje hipokrizie. Ironia e hartimit të teksteve të vajtimit, (kush i duhet botës, poezia apo tekstet e sajuara të vajtimitn ?) apo rregjistrimi i të qeshurave fallco, trajnimi për duartrokitje, dirigjimi i fshehtë i duartrokitjeve. etj… janë momente që trondisin dhe krijojnë zhgënjim për shumë manifestime skenike: “Kështu mashtrojmë të gjithë – duartrokasim mashtrimin ! ”. 

    Po aq guximshëm shfaqet denoncimi i mashtrimit mbi disa personazhe dhe ngjarje historike, ku humori i zi duket sikur do të zbusë paksa sarkazmën ndaj skenave…  Në mënyrë metaforike autori shpërthen : “Njeriu vjen në jetë i bardhë si dëbora. Por dhe dëborën e shkelin me këmbë, vijnë njerëzit dhe ia prishin bardhësinë. Nuk flas pastaj se si e dhjesin qentë atë bardhësi.” (Kronikat e Mjegullës, 2019). 

    Kontrasti moral

    Sigurisht është vazhdim i filozofisë që përmbush gjithë sistemin krijues të autorit, por dhe mjeti themelor i poetikës së brendshme së tijj. Në thelbin e vet kontrasti është përballje !. Përballen personazhe, situata emocionale, raporte njerëzore dhe të stisura, lakuriqësi e jashtme dhe pastërti e shpirtit (Lakuriq, 2006); apo  dy situata halucinative, (biseda me korbat dhe biseda, halucinante, jo reale në telefon); kontrasti shpesh prish kufijtë emocionalë me përqasjen metaforike në vargje të stilit të legjendës popullore, të lidhjes së pikturës me situatën emocionale; të ngjyrës së pikturës me shpirtin mëkatar ; shpesh herë kalon vrullshëm te paradoksi, duke e bërë lexuesin të mendojë nëse është komunikim real apo i nënvetëdijës së tronditur që ka mbetur brenda shpirtrave të plagosur ? Është takim njerëzor apo i hijeve ?  (Romancë ditën e krimit, 2007), etj. Kontrasti bëhet ndonjëherë edhe më provokues: njeriukuturu sot dhe njeriu i ri  dje ! janë të ndryshëm apo kanë diçka të përbashkët që e kanë humbur ?  A është bërë njeriu një aktor, në kuptimin e rolit që luan në jetë ?. Kontrasti më tronditës është midis të vdesësh në luftë/të vdesësh nga dashuria, apo përqafimi njerëzor dhe shpërthimi i eksplozivit…Apo kontrasti midis artit/ndjenjës, mendimit dhe mediokritetit, tallavasë (Gruaja e shiut, 2016)…

    Alegoria, simbolet, paradoksi, sarkazma

    Ka një raport interesant midis rrethanave ‘reale’ dhe metaforës së madhe, apo dhe alegorisë, ku duket sikur ato shfaqen vetëm herë pas here, për t’ja lënë vendin episodeve reale të jetës së shoqërisë sonë. Romanet e B.Hoxhës, ndonëse ruajnë ‘qartësinë’ e përfytyrimit artistik, kanë një strukturë të përbashkët, që buron nga filozofia e përjetimeve të tij krijuese. Është ironia, që shkon deri në sarkazëm të fuqishme, është paradoksi për atë çka rrethon jetën  tonë, është një sistem i tërë simbolesh artistike që provokojnë qëndrimin e lexuesit ndaj realiteteve të sotme. Metafora e mjegullës (Kronikat e Mjegullës, 2019) ndër më të fuqishmet në korpusin e tij romanesk, merr peshë të veçantë, duke rrokur historinë e shqiptarëve … ‘Njerëz turbull’, ‘Mjegull ngado’, Mjegulla vazhdon në rrjedhën historike, ajo mbulon të vërtetën, mashtrimin dhe shtrembërimin e fakteve…Metafora e humbjes së virgjërisë katër ditë para shpalljes së pavarësisë, mashtrimi historik… Mjegulla edhe sot, në kuptimin e historisë apo dhe të dukurive reale të sotme…Dhe fundi i romanit sfidon në stilin e vargjeve poetike., për sot dhe për gjithnjë:

     “Edhe njerëzit duken ndryshe në mjegull.

    Pjesë – pjesë duken njerëzit. Herë shfaqen, herë treten.

    Kush është ai që mund të vizatojë njerëzit në mjegull ?

    Forca e marrëzisë! Sa shumë besohet tek ajo ! Paradoksi tronditës midis ‘vdekjes së bardhë’ dhe ‘jetës së zezë’ shpërthen si një ndër klithmat më tronditëse të zhgënjimit njerëzor (Një shaka e vogël me vdekjen, 2021). Në raste të tilla fshihen kufijtë midis reales dhe imagjinares… Përmasa të veçanta merr metafora e korbave në romanin Romancë ditën e krimit (2007), bisedat halucinantë të personazhit me to, dialogjet rrënqethëse të korbave, pohimi vrastar se dashuria  dhe e vërteta kanë vdekur……janë ndër momentet më të fuqishme të metaforës së madhe të romanit. Raporti jetë/dashuri/dhunim ndërtohet me tonet më dramatike, me një ritëm ligjërimor jo të zakonshëm, duke e spostuar vemendjen e lexuesit nga realja tek ndjeshmëria e përjetimit të dramës shoqërore. Kalohet, ndonjëherë, në ngjyra të realizmit magjik, te komunikimi ireal midis pikturës dhe botës shpirtërore të tronditur të personazhit. Metaforat dhe simbolet, që krijon romancieri, janë sa origjinalet aq edhe të ngarkuara me shqetësime të fuqishme. Kështu, metafora e shpjegimit të dukurive njerëzore përmes notave muzikore, simboli i vesës  (Mbreti i vesës, 2003), metafora e protestës së prostitutave në kontrastin me qytetin e veseve, raporti midis reales dhe fantazisë, etj. i jep rëndësi idesë se fenomenit dhe jo aq vendit ku shfaqet ky fenomen. Metafora e gazetarëve, e kameramanëve, që rendin si kope për të zbuluar ‘të vërtetën’, ironia ndaj vajtojcave e poetëve… (Herojtë e viagrës 2009) sarkazma për rrjetet sociale, ku mashtrime, gënjeshtra, kotësia zvjerdhin komunikimin e vërtetë njerëzor, ironia për këngën tallavà, transformimi i vajzave në parukeri, etj…(Duartrokitësit 2020). Ironia në këtë roman, që shkon deri në sarkazëm,  merr përmasa të jashtëzakonshme, ku ‘gjithshka është kodifikuar në imazh: jeta e përditshme, ekonomia, politika. ‘Ne jemi banorë të republikës së videos, televizionit. Na sundojnë imazhet”. Dhe kjo e bën aq banale kohën tonë, mendon personazhi.  Mendoj se ky roman është ndër realizimet më tronditëse të rebelimit të shkrimtarit ndaj hipokrizisë dhe degradimit moral të një shoqërie. Po aq e ngarkuar është sarkazma në romanin Lakuriq (2006), që ngrihet mbi kundërvënien që ekziston brenda moralit të prishur… të një qyteti që gëlon nga fjalë të ndyra (metaforë e fuqishme).. Lakuriqësia fizike e monumenteve të shquar artistikë, përballë degjenerimit moral të kohës, krijon një kontrast tronditës për lexuesin. Veshja e statujave mbart një filozofi aktuale.

    Teknika strukturore

    Letërsia gjithnjë ka qenë shqetësim, përplasje e shpirtit të shkrimtarëve me realitetin njerëzor, ndaj të cilit ndjeshmëria e tyre është e thellë. Dallimi i përket ndërtimit kësaj marrëdhënieje përmes strukturës artistike. Nëse thamë se bota shpirtërore e intelektuale e Bashkim Hoxhës ka brenda saj shumë revoltë ndaj hipokrizisë, mashtrimit dhe degradimit moral të shoqërisë së sotme, ajo që i jep ngarkesë emocionale janë kërkimet në strukturën e romaneve. Mbas çdo gjetjeje të re lind pyetja: janë ato thjesht skema të huazuara apo ndërtime që kanë logjikë brenda vetes ? Ky është problemi themelor i diskutimeve, në përgjithësi, mbi vepra të autorëve të rinj, shkruar këto tre dekada të fundit. Në stilin kompozicional të Bashkim Hoxhës kombinimi i rrjedhës rrëfimtare me vargje poetike, apo me arsyetime mbi dukuri të caktuara, citatet në fillim të kapitujve apo komentet e shkurtra që paralajmërojnë lexuesin për përmbajtjen e kapitujve, paratekstet e çdo kapitulli, titujt ndonjëherë të çuditshëm…, zgjedhja e frazës së fundit të një kapitulli për të nisur kapitullin pasardhës, apo që vjen si parathënie e këtij të fundit, etj. sigurisht nuk janë gjetje thjesht interesante, por që lidhen  alegorikisht mes tyre, në sfondin e megastrukturës kuptimore të romanit. Tek Kronikat e Mjegullës (2019), ku nënkapitujt bëhen emërtim dhe pikëvështrim ndaj personazheve, midis tyre ze një peshë të veçantë metafora e mjegullës, që ka peshën e një personazhi të fuqishëm, duke i dhënë një mbulesë gjithë strukturës kuptimore të romanit. Poezitë, që prezantohen si ‘lavdërime të mjegullës’, krijojnë një nënshtresë kuptimore, mbi të cilën ngrihen skenat, personazhet… Thelbi është pikërisht te kjo metaforë, me të cilën autori luan, organizon, provokon apo befason lexuesin. Paqartësia që krijon mjegulla, fshehja e së vërtetës, është ndër gjetjet më interesante në filozofinë alegorike të këtij romani, ku ndërfutja e vargut poetik nxjerr më  drejtpërdrejtë raportin që kërkon autori me të vërtetën…

    Mjegull, hapu pak !

    Hapu pak, ashtu siç hapet perdja e një skene për të zbuluar çfarë ka ngjarë

    Më zbulo peisazhe, histori, njerëz.

    Mos i fshih !

    Funksioni ligjërimor realizohet si përmes kuptimit thelbësor të përmbajtjes së tij, ashtu edhe në vendin që ze në strukturën e kapitujve të veçantë, si edhe mbishtresat, kur përsëritja e së njejtës fjalë (p.sh. ‘e fundit’) mbart një ngarkesë të veçantë kuptimore…Struktura e disa romaneve të B.Hoxhës  duket, herë-herë, si montazh skenash, episodesh, apo imagjinatave befasuese, që shkrihet ndonjëherë edhe me personazhin. Tek Romancë ditën e krimit (2007) krijohet paralelizëm midis pikturës, ngjyrave dhe situatave emocionale, vinë dialogje të pakonkretizuar, krijohet përfytyrimi i një skene në dramë tragjike, ku korbat komentojnë…. Nënkapituj të shkurtër, alternimi i dialogut, paralelizmi midis vdekjes së korbave dhe vdekjes së dashurisë, vargje të stilit të legjendës popullore, apo ndërtimi i një kapitulli vetëm me 10 vargje, dialog imagjinar që vjen papritur në strukturën e rrërfimit, etj janë disa nga teknikat e ndërtimit strukturor të veprës.

    Tipar i romanit postmodernist është prishja e kufijve gjinorë, përzierja e rrëfimit romanor me aspekte të poetikës së gjinisë poetike apo dramatike… Në romanin e B.Hoxhës kjo prishje kufijsh gjinorë nuk vjen si kërkim thjesht teknik, por ndërton gjithë skenën kuptimore të filozofisë së veprës. Jeta është teatër ! Në funksion të kësaj filozofie struktura e romanit Heronjtë e viagrës ka tiparet edhe të një vepre dramtike, me 4 Akte, të ndarë në kapituj, me lidhje me spektatorin si në teatrin brehtian, me sqarimet paraprake të autorit mbi skenën në fillim të çdo akti apo peisazhi ku do të lëvizin personazhet (siç ndodh në dramë)… Shkrihen rrjedhshëm tipare themelore të narracionit prozaik dhe dramës. Kjo ndërthurje e poetikave nuk është  vetëm një trill krijues, por strukturë e boshtit ideor të romanit, e kuptimit mbi hipokrizinë e rendit dhe shoqërisë së kohës së sotme, është një sarkazëm ndaj ‘teatrit’ që luhet në jetën tonë…10 maksimat, që autori i quan ‘pjesë të dekalogut’, kapërxejnë fabulën e veprës, për të sintetizuar, sipas B.Hoxhës, të këqijat që ‘bëjnë pis çdo gjë’. Fundi i romanit është shpërthimi i sarkazmës!   Këtë bashkim poetikash, sipas modelit postmodernist, e hasim edhe te romani Duartrokitësit, ku bashkohen njëherazi rrëfimi, shpjegimet e autorit për përmbajtjen e kapitullit pasardhës, ku shtohen shënime për trishtimin etj., ku vargje të autorit ndërfuten në rrjedhën rrëfimtare, (siç ndodh edhe te Mbreti i vesës, 2003) ndërfutje Intermexo në vargje, ndonjëherë skemë rrëfimtare që të kujton strukturën e një skenari për film artistik (këtë tipar të një skenari filmi të parealizuar,  apo modelin e një fjalori ku jepen shpjegime për jetën, fatin, dëshirën e hasim edhe te Gruaja e shiut) …Fundi i romanit “Shtojca për një fund tjetër” fikson idenë se mashtrimet mund të jenë të shumta dhe të ndryshme…Ndërsa te romani Mbreti i vesës (2003) struktura formësohet përmes numurash, që e sjellin te lexuesi personazhin në vargje, te  Mot i keq për dashuri (2002) nënkapitujt janë konceptuar sipas filozofisë së një fjalori shpjegues. Gjithsesi, është për t’u vlerësuar fakti se B.Hoxha krijon duke menduar, për t’u thelluar në filozofinë që e shqetëson si qytetar dhe si krijues.

    Trajtat rrëfimtare

    Duke qenë elementi themelor i gjinisë epike, trajtat rrëfimtare në roman venë në kandar, në mënyrën më të dukshme, intuitën krijuese të një shkrimtari, rrjedhën origjinale dhe të natyrshme të mënyrës së lidhjes së tij me lexuesin. Prandaj narratologjia ka mbetur, sipas meje, trajtimi më i rëndësishëm në poetikën romanore, me variante të pafund të procesit krijues. Bashkim Hoxha është rrëfimtar që përpiqet të depërtojë në teknikat narrative, duke njohur skemat, por edhe duke shkuar përtej tyre. Tek Hotel Ballkan, (2002) në aspektin rrëfimtar mpleksen dy plane, që lidhen me të shkuarën,… plani i parë është në kohën foljore të tashme dhe plani i dytë në të kryerën, ndonjëherë plani i parë  rrëfimtar bën që e shkuara, ajo ç’ka ndodhur, të shihet si nën vëzhgimin e një kamera që ndjek lëvizjet… Ndërthurja e dy kohëve rrëfimtare i jep romanit një ritëm herë të shpejtë, herë të qetë, në vartësi të situatave të personazhit.  Tek romani Lakuriq (2006) rrëfimtari ‘luan’ me lexuesin : herë i drejtohet drejtpërdrejtë, herë prezanton veten dhe qëllimin, herë shkon në trajtat e rrëfimit të zakonshëm, herë shkrihet me atë që përjeton personazhi, herë largohet prej tij për të t’u dhënë pas vargjesh me karakter filozofik, psikologjik, herë kombinon rrëfimin mbi personazhin me vetërrëfimin e rrëfimtarit..Tek Duartrokitësit, rrëfimtari tregon si do jetë e ardhmja, si do lëvizë personazhi, herë vijnë breshëri pyetjesh nga të paidentifikuar, herë rrëfim i dialogjizuar. Rrëfimtari, madje, merr përsipër të parashikojë se çfarë do të thonin apo çfarë nuk do të thonin personazhet, gjë që e zhvendos theksin nga personazhi tek synimi i rrëfimtarit. Kjo theksohet më fort në rastin e rrefimit-monolog-sarkastik të komunikimit me kryeministrin, live në emision.  Tek Gruaja e shiut (2016)rrëfimi konceptohet si një proces xhirimi, ku ndizen e fiken kamerat, ndërsa ndodh edhe që ndonëse flet personazhi, rrëfimi reflekton haptazi vetë autorin. Në krahasim me romanet e tjera, ku idetë dalin vrullshëm, në këtë vepër ato janë të padukshme, janë brenda, rrëfimi është më i shtruar dhe duket sikur ka më shumë rëndësi ngjarja se sa metafora e brendshme. Tek Mot i keq për dashuri (2002) shfaqet një rrjedhë tjetër rrëfimi, ndërtuar sipas germave të alfabetit, me pjesë shumë të shkurtra, që vlejnë vetëm për të hedhur nje ide, një pikëpamje filozofike. Secila shkronjë mbart pikënisjen e një rrëfimi që pritet të zhvillohet më pas. Përzierja e rrëfimit me një lloj fjalori shpjegues për terma të caktuar, në të vërtetë ka lidhje të brendshme kuptimore me gjendjen e personazhit. Ndodh të shfaqet një episod, në dukje pa lidhje, por është personazhi-rrëfimtar në kohën e tashme, që kryen bashkimin.  Personazhi-rrëfimtar arrin të ndërtojë biseda të imagjinuara të personazheve të tjerë, që lidhin idenë e tij, ose të paraqesë një rrëfim të imagjinuar.

    Gjatë rrjedhës rrëfimtare te Herojtë e viagrës (2009) papritur rrëfimtari e paraqet veten si një personazh që futet në veprim…, apo kujtohet të japë shpjegime për teatrin…Tek Romancë ditën e krimit (2007) rrëfimi shpërthen në formën e pyetjeve; është një ligjërim që paraprin tragjedinë, situatën, që mbart erën e vdekjes. Apo ndonjëherë rrëfimi nis me dialog, i cili shpesh është imagjinar midis personazhit dhe korbave-metaforë. Në trajtat rrëfimtare që vërtiten rreth personazhit shfaqet, te Lakuriq, edhe mënyra e karakterizimit përmes numërimit të disa karakteristikave, apo edhe karakterizimet në vargje, që në të vërtetë janë përjetime të vetë rrëfimtarit.…Lind pyetja : këto tipare, dhe të tjera, janë thjesht trille të poetikës, apo vinë natyrshëm dhe të menduara sipas një logjike të brendshme ? Po dhe jo ! Kjo pyetje përmban sfidën e vërtetë në zbërthimin e funksionit të narracioni romanor të çdo shkrimtari.


    Sigurisht, është tepër e vështirë të analizohet në pak faqe krijimtaria romanore e një shkrimtari. Gjithashtu, pa dyshim, si për çdo krijues, mund të ndaleshim në aspekte të ndryshme të diskutueshme të krijimtarisë së tij…(Çdo kritik ka pikëvështrimin e vet). Kjo do ishte qasja më normale, por, ajo çka u përpoqa të skicoj është krijimi i një përfytyrimi mbi tipologjinë e filozofisë dhe poetikës së një romancieri, sa interesant, aq edhe të pa vëzhguar sa duhet në kritikën tonë letrare. Bashkim Hoxha është modeli i krijuesit që nxjerr pa bujë, por në mënyrë tronditëse, problematikat e dhimbshme të shoqërisë së sotme dhe, në këtë proces,  sikur synon të shpëtojë nga emocionet që e shqetësojnë së brendshmi. I hedh ato në vepra për t’ja përplasur lexuesit. Sikur do t’i thotë: ja ku janë problemet tona! Prandaj ndodh që thelbi ideor i gjithë korpusit të tij romanor përforcohet edhe me vargje, ku alegoria i afrohet haptazi kuptimit të drejtpërdrejtë :

              Mjegull në natyrë. Mjegull brenda teje.

    Kujdes: jo për çdo gjë e ka fajin mjegulla.

    Shko një herë nga okulisti të të shikojë sytë

    mos të kanë zënë perde.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË