More
    KreuLetërsiShënime mbi libraFloresha Dado, identiteti më përfaqësues i një sistemi vlerësues në letrat shqipe

    Floresha Dado, identiteti më përfaqësues i një sistemi vlerësues në letrat shqipe

    Nga Emin AZEMI

    Të shkruash në pak rreshta, siç po provojmë tani, për punën voluminoze shkencore mbi 40 vjeçare të një studiuese të letërsisë, siç është akdemikja Floresha Dado, është një mision i vështirë, për të mos thënë i pamundur, sepse çka do që të themi, dhe sado që të zgjatemi në fjalët tona, sërish do të ngelë shumë çka jashtë observimit dhe trajtimit adekuat të fondit të saj të begatshëm libror.

    Studimet historiografike dhe tematike mbi letërsinë

    Në radhë të parë, duhet saktësuar se Floresha Dado është një prej emrave më kompetent në botën e studimeve letrare shqiptare, duke pasuruar përvojën tonë me prurje serioze në fushën e historiografisë letrare dhe teorisë së letërsisë, si dy sfida që ajo i ka mbarështruar me mjaft sukses në disa prej botimeve të saj, duke filluar nga monografia mbi Andon Zako Çajupin, e deri te studimet tematike mbi Letërisnë e painterpretuar, që i kushtohet kryesisht letërsisë së ashtuquajtur të realizmit socialist, për të cilin emërtim Floresha Dado ka rezervat e saj dhe ajo më tepër parapëlqen letërsinë socialiste, si emërtim që do ti shkonte kësaj shkolle  letrare të periudhës së monizmit,  si dhe veprat tjera, të një korpusi pak a shumë të përbashkët tematik, ku gjithsesi shquhet, ndoshta një nga më të rëndësiushme,  ajo me titull “Sfida teorike të historiografisë letrare”, pastaj “Identifikimi i poetikave në planin teorik dhe historiko-letrar”, “Teoria e veprës letrare-Poetika”,  “Proza nëpër teknikat poetike”, “Intuitë dhe vetëdije kritike”, “Letërsi në ‘kurth’: Eseistika e Kadaresë” dhe më e reja “Postmodernizmi – poetikë e antirregullit”.

    Floresha Dado, i takon profilit të studiuesve që kreativitetin e saj prej gjurmuese me shije të hollë të proceseve teorike- letrare, e ka dëshmuar në dy fusha kompelmentare: në procesin arsimor/edukativ dhe në atë shkencor, fillimisht në cilësinë e pedagoges shumëvjeçare të teorisë së letërsisë dhe historiografisë letrare dhe në atë shkencore, si autore dhe  kontribuese e projekteve dhe studimeve të bëra në kuadër të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Shqipërisë.

    Problemet metodologjike mbi interpretimet

    Duke qenë për shumë vite pedagoge në katedrën e studimeve universitare, Floresha Dado, gjithë angazhimin e saj intelektual e shkencor e kishte përqëndruar në ngritjen e një infrastukture moderne të studmimeve letrare mbi bazat e njohurive teorike, si kusht pa të cilin ishte i pamundur operimi me njohuritë përcjellëse, por tepër të domosdoshme, siç janë historiografia letrare, kritika letrare, eseistika, publicistika letrare etj.

    Për rrjedhojë, ajo jo rastësisht edhe disa nga titujt më të rëndësishëm të veprave të saj i identifikon me preokupimin e saj kryesor, duke përqëndruar gjithë korpusin e saj tematik në problematikat  që janë derivate të observimeve teorike-letrare.

    Në këtë korpus tematik gjithesi bënë pjesë vepra  “Teoria e veprës letrare – poetika”, ku autorja me një qasje mjaft argumentuese përkufizon problematikat e Teorisë në raport me praktikat e analizës letrare dhe me poetikën, si dhe raportin e Poetikës me gjininë letrare, gjegjësisht me veprën apo lexuesin, duke shkoqitur parimet themelore të studimit të letërisë dhe sistemin letrar përmes vështrimit diakronik e sinkronik. Objekt i analizës së saj është edhe Teoria e romanit si dhe problemet metodologjike mbi interpretimet, të trajtuara bashkë me Kuptimin mbi kompozicionin, Narracionin dhe aspekte të ndërtimit të tij, Dialogun në poetikën e ligjërimit, ku autorja përqëndrohet më tepër në ndërtimin e figures, duke marrë për bazë figurën në përfytyrimin naimian, figurën në konceptin artistik Ismail Kadaresë si dhe Kodet e krijimit të figures në romanet e Vath Koreshit.

    Një tjetër interesim që përvjohet në observimin terotik të Floresha Dados është edhe raporti në mes të Intuitës dhe vetëdije kritike, një kompozitë kjo kuptimore që shenjon edhe një nga titujt e veprave të saj, e cila është e organizuar në katër korpuse të tematike: Vështrime teorike, ku autorja merr  në shqyrtim studimin e letërisë sipas teorive letrare moderne, si dhe problemet metodologjike e konceptuale mbi letërisë e sotme dhe romantizmin shqiptar në sfondin e letërsive  ballkanike, deri tek struktura narrative dhe dialogu në poetikën e ligjërimit.

    Autorë dhe vepra është korpusi i dytë tematik i kësaj vepre, pastaj vie Kritika e Kritikës dhe Vështrime kulturologjike, tema këto që përvijojnë një logjikë mjaft koherente interpretimi nga ana e Floresha Dados.

     Sfida teorike të historiografisë letrare, Identifikimi i poetikave në planin teorik dhe historiko-letrar si dhe Proza nëpër teknikat poetike, ndonëse në shikim të pare të renditura sipas një disonance semantike, megjithatë përbëjnë trekëndshin tematik e problemor të Floresha Dados, ku gjithsesi nxjerr krye qasja moderne e saj në interpretimin e teorisë së tekstit dhe profilet e nduardurta të autorëve, në periudha të ndyrshme të formimit të tyre teoriko-letrar.

    Mbi të gjitha bie në sy insistimi i saj për një sistem interpetimi shkencor tek vepra “Identifikimi i poetikave në planin teorik dhe historiko-letrar”, ku dioptria e gjykimit kritik shikohet përmes aspektit të zhvillimit historiko- letrar në bashkëveprim me fushën e trajtimeve të karakterit teorik-letrar. Përpos dukurive letrare, individualiteteve artistike e veprave konkrete, të shikuara në prizmin e zhvillimit diakronik dhe sinkronik të letëprisë shqipe, në këtë vepër një vend me rendësi zënë  edhe problematikat e modernitetit në letërsinë midis dy luftërave.

    Moderniteti dhe ndryshimi i kodeve tematike

    Koncepti i modernitetit, si filozofi social-ekonomike, sipas Floresha Dados, mbetet larg shoqërisë shqiptare dhe si i tillë ai është vetëm një ide e parealizuar në mendjen e individëve që jetonin në shoqëri të tjera të zhvilluara dhe për rrjedhojë ajo me të drejt ajo shtron pyetjen: Sa moderniteti estetik erdhi natyrshëm në rrethanat shqiptare dhe sa ishte imprtim shpirtëror i një vetëdije arsitike evropiane, duke iu qasur veprave të Konicës, Lasgushit, Nolit e Migjenit, të cilat mëtonin të  jenë prodhim  i dilemës se a është çdo gjë e re patjetër moderne. Këtë dilemë, Floresha Dado mundohet ta zgjidh duke iu referuar një mendimi të Gidensit sipas të cilit nuk është e vërtetë se moderniteti shkon përkrah së resë për hir të së resë, por me presupozimin e pasqyrimit në masë të shumëfisht të refleksivitetit, i cili përfshin reflektimin mbi vet natyrën e reflektimit.

    Duke u mbështetur në këtë paradigmë, Floresha Dado analizon marrëdhënienh midis lirisë së instiktit krijues në raport me arsyen krijuese, duke marrë si shembull prozën e Konicës, prozat poetike të Koliqit, disa poezi dhe tregime-skica  të Migjenti, disa poezi të Lasgushit, krijime këto ku shfaqet reflektimi i një përjetimi të vaçant të aktit krijues

    Duke vendosur një distinksion semantik midis Modernitetit dhe modernizmit, autorja qartëson në veprën e saj se moderniteti  ka sjellë në letërsi ndryshimin e kodeve tematike dhe prirjen për ndyrshime të vazhdueshme. Pra, sipas saj, tipare të modernizmit (jo të modernitetit) në letërisë tonë, lidhen me stilin letrar, i cili synon tejkalimin e traditës dhe sjelljen e formave të reja.

    Floresha Dado po zbulonte një Kadare të ri

    Siç e shpjegon edhe në disa intervista, Floresha Dado pasi kishte analizuar aspekte terorike-letrare të veprës së Ismail Kadaresë, kishte vërejtur se një pjesë e krijimeve të tij, që ishin më tepër persiatje midis fiksionit dhe mendimit diskursiv, kishin ngelur jashtë orbitës së interesimit të saj më të thelluar, prandaj ajo kishte vendosur që t’iu rrekej kësaj natyre të shkrimeve të Kadaresë. Kjo edhe për faktin se siç e shpjegon ajo në parathënien e librit “Letërsi në ‘kurth’: Eseistika e Kadaresë”: “Kisha lexuar, në intervale të ndryshme kohore, një pjesë të mire të shkrimeve esestike të këtij shkrimtari të shquar. Por, ndonëse kishin hyrë në perceptimin tim si krijime mjaft interesante, përsëri vëmendja rendëte drejt prozës artistike… Nuk e kisha kuptuar se kjo rendje e njëkahshme, pa u ndalur sa duhet edhe tek eseistika, ishte gabim i madh, ishte sikur ta copëtoje individualitetin e tij krijues në dy pjesë: njera e ndritshme, kurse tjetra kalimtare.”

    Ajo e pranon se nuk kishte qenë e ndërgjegjshme se ç’thesar do të duhej të gërmonte, sepse ajo po ndodhej para një minere të pasur me metale të çmuara, të cilat kishin ngelur disi të mënjanuar nga mosvëmendja e studiuesve dhe kritikëve të ndryshëm.

    Floresha Dado e pranon se po zbulonte një Kadare të ri, teksa kishte përfunduar së eksploruari minierën e tij esistike, pasi që siç thotë ajo ‘po i futemi një sfere të jashtëzakonshme të njohjes, të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë, të mendimit dhe imagjinatës së tij’.

    Në studimin mbi esistikën e Kadaresë, Floresha Dado mundohet të mos acarojë marrdëhëniet në mes të Kadaresë shkrimtar dhe Kadaresë mendimtar, por përkundrazi të gjejë një mirëkuptim të brendshëm, pasi që sipas saj, vetëm pasi të kemi depërtuar në magjinë e eseve kemi rizbuluar vlera të tjera të këtij krijuesi – mendimtar të jashtëzakonshëm.

    Paraqitjen e estetikës së postomdernizmit në letërisë shipe

    Vepra e fundit e Floresha Dados, dhe ndoshta më sfiduese në aspektin e thyerjes së metodave të hulumimit dhe interpretimit shkencor, është “Postmodernizmi – poetikë e ‘antirregullit’”, titull ky i cili në vetvete sikur sugjeron një game krejt tjetërsh këndvështrimesh mbi procesin letrar, i cili kësaj radhe vendoset në një kontekst zhvillimesh jo vetëm letrare, por edhe filozofike e sociologjike.

    Kjo vepër, e pasiur me një aparaturë të ngjeshur shkencore me burime e referenca autorësh e veprash të viteve të fundit, nga 2-3 gjuhët me të njohura të Perendimit, mëton të shpjegojë, me terma e saktësime konkrete, paraqitjen e estetikës së postomdernizmit në letërisë shipe, sidomos në roman. Sipas Floresha Dados, kjo paraqitje, nuk mund ishte vetëm një kuriozitet, apo imitim, por më shumë se kaq – ishte lindje e një ndërgjegjeje dhe intuite të re krijuese dhe një marrëdhënie joe zakonshme me lexuesin.

    Përfitimet nga ky studim serioz i Floresha Dados mund të jen të shumta, por spikasin dy më kryesoret: lexuesi mundet më lehtë të kap fillin e problemeve që lidhen me postmodernizmin, duke krahasuar pikëpmajet e autorëve të huaj dhe atyre shqiptarë që kanë shkruar mbi këtë drejtim letrar dhe autorët shqiptarë që në procesin e tyre krijues mbështeten në modelte posmodernizmit, nuk do të jetojnë në iluzionin se po zbulojnë një ishull të ri në botën e tyre imagjinare, për arsye se para tyre kishte pasur autorë të tjerë europianë e amerikanë, të cilët postomdernizmin e kishin provuar si stacionin e fundit të eksprimentimit letrar.

    Nëse i referohemi konstatimit të studiueses Linda Hutcheon (Hëtçeon) se  Postmodernizimi, – përkundër modernizmit, – është raport i ndërlikuar rrjedhimesh, dallimesh dhe varësish, atëherë e kemi të qartë se pse Floresha Dado  e ka vendosur postmodernizimin në dioptri më të gjerë, si në rrafshin diakronik, ashtu edhe në atë sinkronik, por edhe në raportet që kanë midis vetes drejtimet e tjera letrare: realizimi, modernizmi si dhe shkolla të tjera letrare.

    Në fund të librit, autorja ngre 13 dilema për të bërë debatin sa më intrigues, duke shtruar me këtë rast 13 teza në formë pyetjesh. Për ta ilustruar pak a shumë vizionin e autores mbi këtë problematikë, po veçoj pyetjen e 8-të, a shfaqet postomodernizmi në romanin tone si frymë apo si formacion poetik? Sipas Floresha Dados tek disa autorë si Rexhep Qosja, Mehmet Kraja, Bashkim Shehu, Fatos Kongoli, Visar Zhiti, Zija Çela, Agron Tufa, Agim Leka postmodernizmi në radhë të pare është frymë, ose një realitet i brendshëm i realiteteve shqiptare, ndërkohë që tek disa autorë të tjerë si Anton Pashku, Virion Graçi, Gazmend Krasniqi, Ardian Kyçyku, e ndonjë tjetër, sipas Floresha Dados postomdernizmi në romanet e tyre paraqitet më tepër si prirje e një formacioni të ri poetik.

    Kurse sa i përket tipologjizimit të romancierëve, ajo dalon dy grupe posmodernistësh shqiptarë. Në njërën anë kemi Rexhep Qosjen, Virion Graçi, Gazmend Krasniqi, Ardian Kyçyku, të cilët në romanet e tyre janë gjatë gjithë kohës postmodernistë, ndërkohë që tek Fatos Kongoli, Zija Çela, Mehmet Kraja, Vath Koreshi, Bashkim Shehu,  Mira Meksi, Besnik Mustafaj, të cilët në romanet e tyre, përpos poetikes postomderniste operojnë edhe me narracionin klasik.

    Përmbyllje

    Floresha Dado është identiteti më përfaqësues i sistemit vlerësues në letrat shqipe, duke vendosur brenda këtij sistemi një mori normash të avancuara teorike e estetike mbi letërsinë dhe kompeleksitetin e veprës letrare në tërësi.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË