Librin e autorit Zylfi Tola “Vendlindja ime Buzmadhja e Lumës”, si çdo lexues që i ka rënë në dorë ky libër, e lexova me shumë kërshëri dhe pasion, pasi autori është i njohur në qarkun e Kukësit, puna e kontributi i tij ka qënë në disa fusha, si në atë të mësuesisë, gazetarisë, drejtues e aktivist i veprimtarive sportive në rrethin e Kukësit dhe ato kombëtare. Libri “Vendlindja ime Buzmadhja e Lumës”, është libri i dytë i autorit Zylfi Tola, pasi më pare, në vitin 2021 ka botuar dhe librin “Rrugëtim mes sfidash”.
Po kush është autori i këtij libri, kushtuar vendlindjes, që çdo njeri e ka të veçantë dhe “pashaportë” të jetës.
Zylfi Tola lindi në katundin Buzmadhe të Lumes, sot atë të Kukësit, më 11 Mars të vitit 1937, një katund që i përket nahijes së grykës së Çajës e më gjërë Bushtricës, Kalasë së Dode dhe pjesë e Lumës. Ai është biri i Buzmadhes, nxënës i Petro Markos shkrimtarit dhe disidentit, mësues i parë vendas në katundin e tij të lindjes në vitin 1955 e në vazhdim në fshatrat e tjerë të kësaj krahine. Në vitin 1970 Zylfi Tola nis një rrugë tjetër, falë pasionit të tij, atë të gazetarisë, pranë redaksisë së gazetës lokale “Kukësi i Ri” e ku do jetë përkrah kolegëve gazetar, mes të cilëve dhe shkrimtarit të njohur, të thellë e stoik Zija Çela. Në vijim drejtues në institucione të rrethit po në fushën e arsimit si në atë të drejtuesit të Komitetit të Fiskulturës të rrethit, të administratës së Komitetit Ekzekutiv, dhe të Konviktit “20 Dëshmorët” të qytetit të Kukësit. Falë kontributit të tij për qytetin dhe rrethin e Kukësit, Këshilli Bashkiak Kukës në vitin 2021 e shpalli veprimtarin, aktivistin, kontribuesin Zylfi Tola “Qytetar Nderi i Kukësit”.
Në librin “Vendlindja ime Buzmadhja e Lumës”, autori e ka ndertuar e shtrirë ne kohë, thjeshtë, e kuptueshëm për çdo lexues dhe moshë, por në disa rrafshe, nëpërmjet tregimeve e rrëfenjave të tij. Autori ka ruajtur mjaft “ëmbël” raportin e gjuhës letrare me dialektin e gegnishtes së vendlindjes së tij.
Fillimisht ai shkruan për katundin e tij, Buzmadhen e Lumës, të vendosur në luginën dhe rrjedhen e përrenjëve që fillin e kanë në burimin e njohur të Kroit të Bardhë në lartësinë 1780 m mbi nivelin e detit, burimi i Lakut të Tejës, Kulusit, Kokeve e Safë Tolës, që formojnë Rekën e Buzmadhes e mburojë ka tre male, malin e Epërm, malin e Lerës dhe malin e Tërfonjës. Autori tregon për lagjet, fiset, si u formula fshati i tij i lindjes, si u popullua, ku i ndërtuan shtëpitë dhe stanet e tyre sipas fiseve e lagjeve.
Autori, nëpërmjet tregimeve e rrëfenjave, tregon e flet,
Për bashkëfshatarin e tij, bujkun e blegtorin, atë që veçohet nga të tjerët por edhe për të zakonshmin, me dashuri e dashamirësi, siç ai di të tregojë, me imtësi, detaje e humor mes të tjerave.
Për mësuesit e tij Zef Kraja, Avdyl Onuzi, Shaban Gjana, Dileman Oruçi e Nikoll Doçi, për kolegët e tij mësues, duke veçuar rrefenjen per mësuesin dhe poetin, Havzi Nela, “Dëshmor i Demokracisë”, në turin e një grupi kulturor-artistik, ku pjesë e tij ishte autori i librit dhe i pa harruari Havzi Nela.
Tregon e flet për familjarët e tij, prindërit, veçanërisht nënën e tij që jetoi më gjatë me të, tregon gjithçka për të, për zemrën e madhe të saj, për mikpritjen, sakrificat e vuajtjet e saj, për daurt e arta punëtore e gojën e ëmbël, për këdo që kalonte pragun e shtëpisë e më tej.
Vendlindja është gjithçka për autorin,
Është toka prodhuese, arat pranë shtëpive ku mbillej misri, fasulja, patatja, arat pranë staneve ku mbillej kryesisht thekër, elbi dhe patate. Uji i burimeve, krojet pranë shtëpive dhe në stane, që Buzmadhja i ka me shumicë, kanë jetë e melodi dhe atë ua jep më së miri dhe autori. Përrenjtë, që mbulonin me vaditje gjithë arat prodhuese të fshatit. Livadhet, që ishin dhe janë me shumicë në funksion të bagëtive, por dhe bazës ushqimore për dimër për to. Pyjet, kurora dhe mburoja e fshatit, bazë furnizimi për drutë gjatë gjithë vitit. Shpendët e këtij mjedisi prrallor, që aq bukur i përshkruan, si thëllënxat me ngjyra të praruara, laureshat dhe melodia e shpendëve që bashkohej me melodinë e fyellit te shkurtër , që autori e mbante me vehte, e që shoqëronin njera tjetren. Blegtoria, e ku veçohet delja rudë e njohur deri në Selanik, për qumështin e saj, mishin dhe leshin, që aq shumë përdorej për veshje e shtroje, kuajt si të Buzmadhes nuk kishte në këto anë, pasi vetëm me të mund të përballoheshin punët gjatë gjithë vitit dhe për këtë ka mbetur dhe shprehja domethënëse që “këtë vend e ka mbajt dhe përballuar djali dhe kali”.
Autori po mbush 89 vite jetë, e ka kaluar disa sisteme, e natyrisht dhe ka ndjeshmërinë e duhur për çdo fazë të jetës që ka kaluar. Në libër pasqyron jo vetëm bukuritë e mrekullitë e vendlindjes së tij, që nuk e ndrron me asnjë vend tjetër, por dhe rsatet tragjike që ka jetuar dhe ndodhur në këtë nahije e zonë të Lumes. 21 martirët e katundit Buzmadhe nuk duhen harruar kurrë, ata duhet e do të kujtohen e rrespektohen brez pas brezi, për tu mos u harruar kurrë, masakër kjo e luftës për pushtet, që ka ngelur pa u ndëshkuar. Kujton gjithashtu 20 dëshmorët konviktorë, në kujtim e respekt të të cilëve konvikti I Kukësit mban emrin e tyre, “20 Dëshmorët”, kujton humbjen e jetëve të dy ushtarëve në dimrin e madh e të egër të Janarit të vitit 1983.
Kohët ndryshojnë, por pasioni dhe dashuria e autorit për vendlindjen, nuk ka ndryshuar, aq e vërtetë është kjo dhe e shprehur aq bukur në këtë libër me aq pasion e dashuri, e kjo duket dhe në vargjet që ne po veçojmë nga poezia – “Në Buzmadhe, në vendlindjen time”,
Kush i di dy fjalë le t’i thotë
Për Kroin e Bardhë na merr malli
Si Buzmadhja s’ka fshat në botë
Mes lëndinave me ngjyra ari
Hem mes maleve dhe lëndinave
Me ujë të ftohtë si kristali
Më e njohura në këto krahina
Kaq të bukur na e la i pari
Ai një pjesë të madhe të kohës e kalon në vendlindje ku ka ndërtuar dhe shtëpinë e re, një shembull që fshati nuk duhet braktisur por duhet ushqyer dashuaria për të, brez pas brezi. Edhe për këtë ai po jep kontributin dhe shembullin e tij duke ua kultivuar dashurinë për vendlindjen edhe nipave e mbesave të tij e që duhet të pasohet dhe nga të tjerë bashkëqytetar bashkëfshatar të tij. Të duash vendlindjen dhe atdheun është detyrë e vlerë, tua trasmetosh e trashëgosh atë dashuri brezave pasardhës është supër vlerë.
Prandaj, kush e ka lexuar këtë libër dhe kush do ta lexojë, do të shprehet me shpirt e zemër, “Ta duam vendlindjen siç e do Zylfi Tola”.

